VEPRA logo
Logo link

AGJËRIMI, FIJA QË I BASHKON DHE AFRON NJERËZIT

Mr. Semir Imamoviq
Mbinatyrshmëria (paarritshmëria e mrekullive) e Kur’anit, mes tjerash, manifestohet edhe përmes asaj se, shprehjet e tij të lehta për t’u njohur dhe për t’u kuptuar në çdo kohë, shpesh fshehin fakte të cilat nuk është e mundur të zbulohen në çdo kohë, kurse ai me kujdes të madh i ruan gjatë kohës kur njerëzimi kalon nëpër krizë dhe bredhje, dhe atëherë, me zbulimin dhe ndriçimin e tyre, sërish ndërron rrjedhën e historisë, duke shkëlqyer si triumfues ndaj prapambetjes njerëzore, shkencore dhe shpirtërore. Kur’ani, në të vërtetë, gjurmon për faktet (të vërtetat), i harxhon të gjitha mundësitë shkencore dhe njohëse, që në fund, në mes besimit dhe mosbesimit (imanit dhe kufrit), për njerëzit ka zgjedhur fenë natyrale, e cila jetën, në rend të parë, e shikon përmes prizmit të përsiatjes së shëndoshë dhe mprehtësisë shkencore, dhe e udhëheq me dije të bazuar, drejt qëllimit të drejtë, kurse fuqinë e vet e shumëfishon me metoda të thjeshta natyrore, e kjo që, në fund, t’i ndihmojë njerëzimit në realizimin e kuptimit kahmoti të humbur (rëndësisë esenciale të jetës), të cilin e përvetësojnë të gjitha drejtimet dhe orientimet bashkëkohore filozofike, edhe pse ato asnjëherë nuk e kanë arritur në jetën e tyre reale. Të kërkuarit e tyre për kuptimin e jetës më shumë i ngjan shembullit të akrepit të orës, e cila starton nga njëri pozicion, e pastaj, pas ciklit njëzetekatërorësh, përsëri kthehet në pozicionin e njëjtë, pra sillet në rrethin e vet të mbyllur. Sikur të kishin menduar ato ndonjëherë për urtësitë e dispozitës së agjërimit (dhe dispozitave tjera islame), do të zbulonin se ai, agjërimi, në të vërtetë, paraqet manifestimin më të mirë praktik të barazisë mes njerëzve, një nga  supozimet themelore teorike të mendimit modern të njeriut, dhe ëndrra e paplotësuar e qytetërimit të sotëm.
Në kuptimin metaforik, agjërimi është “varfëri (uri) e obliguar”, të cilën Islami e ka bërë si dispozitë me qëllim të vendosjes së barazisë mes njerëzve në largimin nga ushqimi, pija dhe kënaqësitë trupore, pa shikuar me këtë rast statusin e tyre social apo ekonomik, ashtu sikur që, me dispozitën e namazit, vendos barazinë në përulësinë dhe përkushtimin ndaj Zotit Një, kurse me dispozitën e haxhit i fshinë të gjitha dallimet sociale mes njerëzve.
Agjërimi synon, në mënyrë praktike, ta mësojë njeriun, këtë krijesë të brishtë të Zotit, për kuptimin e vërtetë të jetës, i cili fshihet jashtë dhe jo brenda tij, dhe mbi atë se jeta e vërtetë është ajo që nuk e shohim ose nuk e vërejmë, e jo ajo që e jetojmë dhe e vërejmë. Jeta e vërtetë është në ndjenjën e veçantë të shpirtit, e jo në impulset dhe shpërthimet e ndryshme të epshit. Sikur të arrihej kjo, njerëzit nuk do të dalloheshin për nga aftësitë intelektuale, prejardhja, statusi shoqëror dhe pasuria materiale, por nga aftësia për të kontrolluar instinktet e tyre përmes fuqisë së mendjes. Sepse instinkti (pasioni), dhe veçanërisht ai që vjen nga stomaku i njeriut, është burimi i të gjitha problemeve dhe fatkeqësive në Tokë, ai është mendja praktike e cila sundon me tokën.
Në betejën e cila në vazhdimësi zhvillohet ndërmjet arsyes dhe epshit, epshi është ai i cili zakonisht del fitues. Prej këtu edhe vjen nevoja për agjërimin si një program unik i zhvillimit, edukimit dhe ushtrimit shpirtëror, sistem me të cilin zhvillohet barazia e ndjenjave, vrojtimit dhe natyrave mes njerëzve. Agjërimi sjell tërë llojin njerëzor, në Lindje dhe Perëndim, në një gjendje unike psikologjike, në të frymëzon shpirtin i cili di për mëshirë, dhe e ushqen, ashtu të uritur, me idenë për të cilën në shkencën bashkëkohore dinë vetëm nga librat, idenë natyrore (e jo artificiale) të barazisë së të pasurve dhe të varfërve, si dhe idenë e besimit të ndërsjellë. Kur këto dy kuptime thuren në shoqëri, ndjenja e barazisë dhe e besimit, zhduket edhe arsyeja më e vogël për mosmarrëveshje, keqkuptime dhe armiqësi. Në psikologji mësohet se dhimbja te njeriu e nxit ndjenjën e mëshirës, që është vetëm një nga aspektet e shumta sociologjike të agjërimit, sepse agjërimi, i cili realizohet përmes abstenimit të plotë nga ushqimi, pija dhe kënaqësitë trupore, e teston durimin njeriut dhe aftësinë e tij përballuese, duke krijuar kështu dhimbje e cila gradualisht shndërrohet në dhembshuri ndaj atyre të cilëve atë dhimbje e shijojnë për çdo ditë në vend të korës së bukës. Me përjashtim të dhimbjes personale, vetëm edhe fatkeqësitë natyrore dhe tragjedia njerëzore, mund të nxisin te njeriu emocionet dhe ndjenjën e dhembshurisë ndaj të tjerëve. Këto janë, pra, dy rrugët e zgjimit të emocioneve te njerëzit: ajo e para, që ndodh në nivel personal, e që është e qartë dhe sistematike, dhe e dyta, ajo kolektive, që ndikon në mënyrë verbuese dhe vjen pa asnjë rend apo paralajmërim. Vetëm zemrat që kanë dhembshuri dhe mëshirë mes vete, të varfërve të uritur dhe të pasurve të uritur, mund të dëgjojnë thirrjen e cila arrin nga thellësitë e ndërgjegjes njerëzore, dhe me forcat e bashkuara ta kapërcejnë materializmin gjithnjë e më të pranishëm. Vetëm në këtë rast është e mundur që njeriu i pasur, me shpirt dhe trup, t’i përgjigjet nevojave të të varfërve për një copë bukë, me fjalë ngushëlluese, dhembshuri dhe besim, duke qenë i thellësisht i vetëdijshëm për nevojat e veta dhe të varfërinë.
Fjalët e All-llahut të Plotfuqishëm le'al-lekum tettekun (që të jeni të devotshëm), në kontekstin e të folurit në lidhje me urtësinë e dispozitës së agjërimit, e të cilën gati të gjithë dijetarët e citojnë si argument se qëllimi themelor i agjërimit është arritja e devotshmërisë, po ashtu, mund të kuptohen edhe si një thirrje ndaj njeriut që, përmes agjërimit, të ruajë (jetteki) njerëzishmërinë e vet dhe të ruajë (pastrojë) shpirtin e tij nga instinktet shtazarake dhe robëria ndaj epsheve, si dhe thirrja drejtuar shoqërisë që t’i ruajë vlerat burimore të mirësisë njerëzore, dhembshurisë dhe të solidaritetit.