VEPRA logo
Logo link

BEDRI, ANIJE E HISTORISË

Muhamed Murtezi

Mr. Bashkim Aliu

Po, mu kështu, sepse Bedri me mesazhet, porositë dhe reflektimet e tij të vlerave madhështore, lundron në kohë, i viziton gjeneratat, i pret periudhat historike dhe ndalet në limanin e çdo brezi dhe etape, për t’u lënë margaritarë të çmueshëm nga thesari i tij i shumtë, e pastaj vazhdon rrugën për në kohë dhe gjenerata tjera, me thesar të madh porosish e mësimesh, i cili, edhe pse zbarkon nga një pjesë të tij në limanet e brezave dhe periudhave historike, mehgjithatë mbetet i njejtë, i paprekur.
Për këtë betejë flet edhe Kur’ani Fisnik, në mes tjerash, edhe në këto ajete:
“Përkujtoni kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj, e Ai ju është përgjigjur: “Unë, vërtet do t’ju ndihmoj me njëmijë engjëj që vijnë një pas një (grup pas grupi).   All-llahu nuk e bëri atë (ndihmën) për tjetër, vetëm që t’ju gëzojë (t’u japë myzhde) dhe për t’i forcuar (qetësuar) me të zemrat tuaja, pse fitorja në realitet është vetëm prej All-llahut. Vërtet, All-llahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Dhe kur Ai ju kaploi me një kotje që ishte siguri për ju nga ana e Tij, ju lëshoi shi nga qielli për t’ju pastruar me të, largoi prej jush ndyrësinë e shejtanit, e që të fuqizojë bindjen në zemrat tuaja dhe që t’ju përforcoj me të (me shi) këmbët tuaja. Edhe kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt: “Vërtet, Unë jam me ju, pra, inkurajoni ata që besuan! Unë do të hedh frikë në zemrat e atyre që nuk besuan, e ju goditni në qafë e lartë, mëshonju atyre në çdo gjymtyrë (gishtërinj)”.1
Po ashtu, edhe në librat e hadithit hasen shumë hadithe përkitazi me këtë luftën e Bedrit. Kështu, Imam Buhariu ka transmentuar prej Ibën Abbasit, se i dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], në luftën e Bedrit kishte thënë: “O All-llahu im, të drejtohem me premtimin dhe zotimin Tënd. O All-llahu im, nëse Ti do, nuk do të adhurohesh”. Atëherë, atë e kapi për dore Ebu Bekri, dhe i tha: “Mjafton”. Pastaj doli prej tende duke thënë: “Grupi do të pësojë disfatë dhe ata do të zmbrapsen”. Hadithin e transmeton edhe Nesaiu2.
Pra, Bedri u flet brezave të këtij Ummeti dhe u jep mesazhe madhore në segmente të ndryshme.
Ne, me këtë rast, do të ishim ndalur në reflektimin e Bedrit në disa segmente, edhe atë si vijon:

Shtetformësimi

Lufta e Bedrit nuk qe thjesht një fitore ushtarake karshi një armiku tradicional, por me rëndësi thelbësore është se Bedri prezantoi elementin e shtetformësisë së Ummetit islam. Tani opinioni më i gjerë e kuptoi se pala e cila aq shumë u përfol nga idhujtarët e Mekës, nuk është thjesht një grup i izoluar njerëzish, por ata janë shtet i cili u ballafaqua me ushtrinë e tij, me komandën, logjistikën dhe udhëheqësinë e përgjithshme, kundër palës kundërshtare të tronditur nga zhvillimet pozitive me ritëm të shpejtë dhe të çuditshëm në taborin islam.

Faktorizimi ndërkombëtar

Forca e re, e cila e trandi fuqishëm bazamentin e kufrit-mosbesimit dhe idhujtarisë qorre arabe, dhe e delegjitimoi autoritetin e saj, për të cilën u bë aq shumë zhurmë nga idhujtarët, në luftën e Bedrit kthehet edhe një herë në cilësi të komunitetit të organizuar mirë, i cili i posedon të gjitha parametrat e të qenit alternativë e njerëzimit, që edhe një herë ta grushtojë kauzën e mosbesimit, por tani në një duel të nivelit ndërkombëtar, duke u bërë në këtë mënyrë faktor me rëndësi në arenën ndërkombëtare, faktor ky që nuk guxon të shpërfillet dhe minimizohet sa i përket fuqisë së tij.
Në luftën e Bedrit, praktikisht, u pa fillimi i fundit të pushtetit fisnor idhujtar mekas dhe faktorizimi i Ummetit islam, me kryeqendër Medinen, në arenën ndërkombëtare.

Lojaliteti ndaj kauzës

Krahas treguesve tjerë, me rëndësi është të përmendet edhe se, lufta e Bedrit e tregoi lojalitetin e gjeneratës më të dalluar të historisë islame, shokëve të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] - sahabëve, ndaj kauzës islame dhe dashurisë së tyre ndaj tij si i Dërguar i All-llahut, si dhe gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar çdo gjë në rrugë të Islamit. I Dërguari i All-llahut mori besë prej tyre para se të shpërngulet në Medine, se do ta mbrojnë nga armiqtë që do ta sulmojnë brenda qytetit, por tani kërkohej diçka tjetër, të dilej në sulm jashtë Medines. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e mori mendimin e tyre, duke u lënë kështu mundësi që të qëndrojnë në atë që ishin marrë vesh, pra ta mbrojnë në Medine. Mirëpo, përgjigja e tyre ishte e shpejtë dhe e vendosur. Prijësi i ensarëve-medinasve i tha: “O i Dërguar i All-llahut, ec përpara, se sikur të thuash që t’ia mësyjmë detit, ne do të jemi me ty, e nuk të themi si i tha Musait [alejhis-selam] populli i vet: Shko ti dhe Zoti yt luftoni, e ne do të presim këtu”.
Pra, këtu u pa lojaliteti i shokëve të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ndaj kauzës islame, gjë që duhet të jetë pasqyrë në të cilën do të shikohet çdo besimtar, dhe mësim i rëndësishëm për muslimanët që ta kuptojnë se si duhet të besohet dhe të jetë njeriu lojal ndaj besimit dhe kauzës së vet.

Dashuria ndaj vendlindjes

Nuk ka fare dyshim se besimi paraqet bazën dhe fundamentin e lëvizjes së shtetit të parë islam në çdo drejtim, mirëpo në luftën e Bedrit, krahas porosive tjera, reflektohet edhe dashuria ndaj vendlindjes. Kjo, ngase muslimanët e Mekës, edhe pas shpërnguljes në Medine, i ndiqnin me vëmendje lëvizjet në Meke, sepse Mekeja ishte qendra e shpalljes dhe vendi i Qabes e historisë sslame. Ajo, po ashtu, ishte edhe vendlindja e tyre. Ata interesoheshin se çfarë bëhet atje, çka ndodh në qytetin e tyre, me njerëzit, me pasuritë dhe shtëpitë të cilat i kishin lënë.
Nisur nga kjo, dalja në rrugë Ebu Sufjanit, për t’ia ndalë karvanët, nuk kishte karakter plaçkitje, por pengim të keqpërdorimit të pasurive të tyre, të cilat shfrytëzoheshin nga mekasit në drejtim të gabuar, gjegjësisht për ta forcuar kauzën e mosbesimit.
Së këndejmi, myslimanët, duke e penguar këtë nëpërkëmbje të pasurisë dhe pronës së tyre, deshën ta dobësojnë kauzën e mosbesimit dhe të formojnë kushte për pastrimin definitiv të vendlindjes së tyre, djepit të Islamit, Mekës, nga mbeturinat e idhujtarisë.

Kualitet, e jo kuantitet

Të gjithë e dinë se numri i muslimanëve në luftën e Bedrit ishte më i vogël se numri i idhujtarëve. Por, edhe përskaj kësaj, muslimanët korrën fitore bindëse.
Mirëpo, kjo nuk duhet të shikohet vetëm në këndin numerik matematikor, pra si numër dhe shifër, sedpse fitorja në Bedër, me këto raporte numerike, duhet të kuptohet si mesazh i qartë që jep Bedri për domosdoshmërinë e kualitetit. Muslimanët duhet të mundohen për kualitet në të gjitha sferat e jetës, dhe në fé para së gjithash, sepse kualiteti ka vlerë dhe mundëson sukses e fitore, siç ishte rasti me luftën e Bedrit, kur fituan kualitativët me ndihmën e All-llahut, edhe pse ishin më pak, ndërkaq kuantiteti është i zbehtë dhe jo produktiv, edhe pse mund të duket shumë në vëllim. Kjo u pa në luftën e Bedrit, në taborin idhujtar, i cili simbolizon kuantitetin. Ata edhe pse ishin shumë, humbën bindshëm, ngase luftonin për kauzën e mosbesimit, kauzën e të pavërtetës.
Pra, të mundohemi të arrijmë kualitet në të gjitha fushat, e jo të mbetemi në vagonin e fundit të zhvillimit.

Fusnota:
1 Sure El-Enfal, 9-12.
2 Fet’hu-l-Bari, vëll.VII, f.335 dhe Nesaiju në El-Kubra, vëll.VI, f.477.