VEPRA logo
Logo link

PËRMBAJTJA E TË DREJTËS PËR ARSIMIM, DETYRIMET  SHTETËRORE DHE MËSIM - NXËNIA

Mr. Xhemile SELMANI

E drejta për arsimim ka bazë solide në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Kjo ishte shtruar me kujdes në disa dokumente Regjionale dhe Universale për të Drejtat e Njeriut. Si shembuj të tillë janë: Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (Neni 26), Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (Neni 13 dhe 14) Konventa për Eliminimit e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Gruas (Neni 10) dhe Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës (Neni 28 dhe 29). Në shkallë regjionale janë: Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Fundamentale të Njeriut (Neni 2 i Protokollit të Parë), Konventa Amerikane për të Drejtat e Njeriut (Neni 13 i Protokollit Shtesë të Konventës Amerikane për të Drejtat e Njeriut në sferën e të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore) dhe Karta Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve (Neni 17). E drejta themelore për arsimim u jep të drejtë të gjithë individëve që t’i sigurojnë format adekuate të sjelljes nga qeveria përkatëse. Shtetet kanë obligim të respektojnë, mbrojnë dhe t’i përmbushin të drejtat për arsimim.

Obligimi për respektim ia ndalon vetë shtetit që të veprojë në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njohura

Obligimi për respektim ia ndalon shtetit që të veprojë në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njohura, ndërhyrjen me apo detyrim të ushtrimit të këtyre të drejtave apo lirive. Shtetet duhet, inter alia (në mes të tjerash), të respektojnë lirinë e prindërve të zgjedhin shkollat private apo publike për fëmijët e tyre dhe të sigurojnë arsimimin moral dhe religjioz për fëmijët e tyre, në përputhje me bindjen e tyre. Nevoja për arsimimin e djemve dhe vajzave barabarësisht duhet të respektohet, sikurse për të gjitha grupet religjioze, etnike dhe gjuhësore. Obligimi për t’i mbrojtur kërkon nga shtetet që të ndërmarrin hapa nëpërmjet legjislaturës apo mekanizmave të tjerë që të mbrojnë dhe ndalojnë shkeljen e të drejtave dhe lirive individuale nga persona të tretë. Shtetet duhet të sigurojnë që shkollat private nuk zbatojnë praktika diskriminuese apo nuk u shkaktojnë dënime trupore nxënësve. Detyrimi për përmbushjen në PNDESK mund të karakterizohet si një obligim për realizimin progresiv të së drejtës. Detyrimet e mbikëqyrjes dhe obligimet e rezultatit mund të dallohen.

Detyrimet për mbikëqyrje obligojnë veprime apo masa të caktuara që shteti duhet të adoptojë

Detyrimet për mbikëqyrje obligojnë veprime apo masa të caktuara që shteti duhet të adoptojë. Shembulli më i mirë për këtë është Neni 14 i Paktit Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (PNDESK), sipas të cilit, palët e reja shtetërore të cilat nuk kanë siguruar ende arsimimin e detyruar fillor, obligohen“të hartojnë dhe të adoptojnë planin e detajuar të veprimit për zbatimin progresiv, brenda një numri të arsyeshëm të viteve... nga parimi i arsimimit të detyrueshëm pa pagesë për të gjithë.”
“… arsimimi duhet të drejtohet kah zhvillimi i plotë i personalitetit njerëzor dhe ndjenja e dinjitetit të tij, dhe do ta forcojë respektin për të drejtat njerëzore dhe liritë themelore. Ata më tej pajtohen se arsimimi do t’u mundësojë të gjithë personave që të marrin pjesë efektivisht në shoqërinë e lirë, përkrah mirëkuptimit, tolerancës dhe miqësisë së gjitha kombeve dhe të gjitha grupeve racore, etnike apo religjioze; si dhe i përparon veprimtaritë e Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes.” Neni 13(1) Pakti Ndërkombëtar për të Drejta Civile dhe Politike (PNDCP)

Detyra për të siguruar arsimim fillor të detyruar dhe pa pagesë

Detyra për të siguruar arsimim fillor të detyruar dhe pa pagesë, është pa dyshim një parakusht i realizimit të së drejtës për arsimim. Sigurimi i shkollave të gatshme fillore për të gjithë fëmijët kërkon një angazhim të konsiderueshëm financiar dhe politik. Përderisa shteti nuk është ofruesi i vetëm i arsimimit, e drejta ndërkombëtare e të drejtave të njeriut e detyron atë të jetë ofruesi i fundit dhe të sigurojë se shkollat fillore mundësohen për fëmijët e të gjitha moshave. Në qoftë se kapaciteti i pranimit të shkollave fillore është më i vogël se numri i fëmijëve të moshës shkollore, atëherë obligimet legale të shtetit sa i përket arsimimit të detyruar nuk janë zbatuar në praktikë, dhe qasja në arsimim do të mbetet nevojë që do të realizohet si e drejtë. Dispozitat e arsimimit sekondar apo terciar janë po ashtu një element i të drejtës për arsimim. Kushti hyrje përparimtare e arsimimit të lirë” nuk do të thotë se shteti mund shfajësohet nga obligimet e tij. Arsimimi i femrës është arsimimi i familjes, komunitetit, kombit.” 1

Qasja në realizimin e së drejtës

Si minimum, qeveritë janë të detyruara të sigurojnë realizimin e së drejtës për arsimim nëpërmjet garantimit të qasjes në institucionet ekzistuese nga të gjithë, vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat, në bazë të barazisë dhe pa dallim. Zotimi pohues që të sigurohet qasje e barabartë në institucionet e arsimimit përfshin ato fizike dhe konstruktive. Qasja fizike në institucione është me rëndësi të veçantë për të vjetrit dhe të hendikepuarit. Qasja konstruktive nënkupton se barrierat e përjashtueshmërisë duhet të largohen, si për shembull eliminimi i koncepteve stereotipe të rolit të mashkullit dhe të femrës nga tekstet shkollore dhe strukturat arsimore, siç parashikon Neni 10 i Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Gruas (KEFDG). Normalisht, ajo që fëmija mëson në shkollë duhet të përcaktohet nga nevojat e atij apo asaj për të ardhmen. Kjo nënkupton se sistemi edukativ duhet te jetë i adaptueshëm, duke marrë parasysh interesin më të mirë të fëmijës, por edhe zhvillimin social dhe përparimin në shkallë nacionale dhe ndërkombëtare.

Përgjegjësia e sigurimit të arsimimit për të ndihmuar përmbushjen e të drejtës për shkollim

Përgjegjësia e sigurimit të arsimimit për të ndihmuar përmbushjen e të drejtës për shkollim, duhet të jetë qendrore në kuptimin e kërkesave të sigurisë njerëzore. Qeveritë obligohen të sigurojnë që të drejtat e njeriut në arsimim janë të respektuara, të mbrojtura dhe të përmbushura. Megjithatë, përgjegjësia e ushtrimit të këtyre detyrave dhe zotimi nuk është vetëm çështje e shtetit. Është po ashtu detyrë e shoqërisë civile që të përkrahë dhe asistojë për zbatimin e plotë të së drejtës për arsimim.
Nga ana tjetër, praktika mësimore dhe mësimnxënia në mbështetje të standardeve dhe konventave ndërkombëtare prek një problem tjetër në realizimin e përafërt të këtyre çështjeve të ngadalësuara, prandaj, më poshtë do të kemi mundësi t’i prekim disa nga problemet aktuale që paraqiten në përditshmëri, që njihet edhe si reformat arsimore në tranzicion.
Kur flasim për mësim-arsim, është e nevojshme të kemi dy palë subjektesh: ai që jep, që zhvillon mësimin, dhe ai (ata) që mësojnë, atij që i jepet mësim. Nga kjo tërheqim zbërthimin edhe të zvogëluar pak, në një ligjërues-folës, dhe pala tjetër që është (janë) dëgjues. Prej këtu vijojnë edhe vetitë që ju vishen palëve: i pari është i mirë, i mençur, i dashur, karizmatik, i ditur, pedant, ose krejt i kundërt: dembel e i pakujdesshëm, snob, arrogant... Pala e dytë, pra ai (ata) që nxë(në): i dëgjueshëm, i sjellshëm, punëtor , talent, ose  jo punëtor, i pasjellshëm, kokëtrashë, rrugaç...
Këto mendime sillen kur jemi larg nga koha e bangave të shkollës. Janë kujtime për jetën e kaluar. Nga kjo krijohet koncepti i parë mbi të mësuarit. Ç’është mësimdhënia dhe nxënia. Ky është një diskutim tepër i shkurtër dhe nuk kënaq  shpjegimin komplet mbi arsimimin si koncept shoqëror dhe rolin e tij që vjen gjithë sa duke u zgjeruar dhe duke marr gjithmonë rol më të gjerë në përbërjen dhe formimin e gjeneratave, në kompleksitetin e zhvillimit të hovshëm të diturive të reja dhe me dimensione të reja në aspektin e profesioneve, zejeve dhe etikës e moralit të ri shoqëror e vetanak.
Por, të kthehemi e të shohim më parë ç’është arsimimi-mësimdhënia. Siç e përmendëm më lartë,  për të mësuar duhet të kemi dy palë, ai që nxë dhe ai që jep mësim. Pra, ai që shtjellon mësimin, arsimon, kurse pala tjetër që merr diçka, përfiton diçka, që do të thotë se palët prodhojnë dituri.2
Siç shihet, tani kemi edhe elementin e tretë, diturinë. Por me këtë nuk mbaron cikli mësim. Formula bazë: mësimdhënësi-nxënësi-dituria do të thoshte zbrazje e të parit dhe mbushje e të dytit me njohuri, gjë që nuk mban dot, pasi që edhe subjekti L pajiset me informacione të reja nga subjekti ta quajmë L1. Shembulli i liqejve të lidhur me ujëvarë të shumtë: uji rrjedh dhe mbushë liqenin më të lartë, nga ku më tej mbushet liqeni vijues në lartësi më të vogël mbidetare, dhe kështu me radhë. Transmetimi i tillë ka burimin e vet në hulumtimet shkencore, po edhe në zbulimet spontane, dhe formon perspektivën e furnizimit me njohuri në kuptimin “nuk e dija”, “dija diçka nga kjo” dhe  “e di”. Mbi këtë,  si përfundim i kategorisë “e di”, pason diçka si finalizim i nocionit dituri dhe koshiencë, që është “e di se... (nuk di)”, e që shtynë në një fazë tjetër, nga mësimi në hulumtime shkencore, që simbolikisht do t’i quaj burime që kanë nevojë të patjetërsueshme që si të gjithë subjektet e ciklit mësim, të informohen nga njëri tjetri dhe të bashkohen në një lum diturish me të cilat mbushen liqejtë e parapërmendur.
Parë në këtë prizëm, se mësimi në thelb është një qark ku sillen të gjitha format e transmetimit të njohurive, natyrisht në forma dhe nivele të ndryshme të adaptuara në konceptin moshë dhe kapacitet,3 mësimdhënësi nuk mund të jetë thjeshtë një dorëzues i stafetës së atletit, ndërsa nxënësi nuk duhet dhe nuk mund të jetë i venduar në këtë vend si një marrës i thjeshtë pasiv.
Secili që di të lexojë ka mundësinë e leximit, por a kemi të bëjmë në këtë rast me mësim? Mekanizmi ekziston, por nuk do të thotë se ekziston edhe mësimi gjithashtu. Për të pasur mësim, duhet të ketë një marrës aktiv, kurse dhënësi do të jetë ai që jep “shenjat” duke gjarpëruar në mes korridoreve të refuzimit të tyre nga ana e marrësit, sepse ai, gjithashtu, posedon dituri nga më parë dhe nuk është asnjëherë subjekt që s’di asgjë. Nga kjo pason refuzimi i informatave të njohura për të, e që në të shumtën e rasteve janë në mospajtim me informacionin e dhënë nga mësimdhënësi. Një ndër kushtet kryesore për mësim, është krijimi i vetëdijes se ai që nxë dije është në qendër të vëmendjes, kurse ai që jep mësim është i kyçur në proces si mjet bartës i njohurive dhe se gjendet në këtë dinamizëm për pranuesin e dijes, dhe jo anasjelltas.
Parë në këtë kontekst, mund të themi se shkolla dhe mësimi janë formues të identitetit shpirtëror të çdo kulture dhe besimi, si vlera kolektive në rang kombëtar e shtetëror. Them këtë, sepse pranues sot janë, me përjashtime të vogla, pjesa totale e njerëzimit. Tani mësimi nuk përqendrohet vetëm në “shkollim”, duke iu mënjanuar edukatës dhe lënies së  saj familjes apo enteve tjera shoqërore. Kusht i rëndësishëm, pra, për të pasur mësim dhe për të pasur çasje të plotë të subjektit mësimdhënës, është që mësimi të kalojë nëpër format më të përsosura të edukimin dhe informimit. Ai që jep mësimin, sot duhet të jetë qendër e projektit të vlerave demokratike shoqërore dhe mbrojtës krenar i tyre. Kompletimi i mësimdhënësit me njohuri të reja në psikologji, filozofi, logjikë, sociologji, është i domosdoshëm për një transmetim të informacionit në drejtim të nxënësit. Nuk mjafton assesi  kuptimi i hershëm: fizikën e mëson (e përhapë) fizikanti, kiminë kimisti etj.
Për të mos kaluar thjeshtë në një debat pedagogjik, sepse edhe nuk është ky qëllimi i këtij punimi, do të them se mësimi duhet të jetë i bazuar në një pedagogji të fortë konstruktive. Kjo arrihet kur mësimdhënësi do të ndihmojë nxënësin, jo të mbajë mend informatën, por të ndërtojë bazat e formimit mendor. Dituritë e akumuluara më parë në formën “kam dëgjuar”, t’i shndërrojë në kërkesa të reja për të mësuar dhe për të krijuar vlera të reja. Në këtë mënyrë, mësimi dhe mësimdhënësi bëhen garantë të diturisë së nxënë.
Mirëpo, për të kompletuar procesin e quajtur mësim, mësimdhënie dhe nxënie, në qindvjeçarin tonë është e detyrueshme që subjekti “dhënës” të jetë, në rend të parë, person i besueshëm, sepse nxënësi i diturive të reja dëshiron të gjendet para një fytyre sociale me veti të rëndomta humane, një fytyrë e besueshme dhe e angazhuar në jetësimin e vlerave pozitive shoqërore. Përpos kësaj, dyndjet e mëdha sot kërkojnë mësimdhënës me aftësi të reja në lëmi të njohurive ndërkulturore dhe të jetë ndërmjetësues në mes vlerave dhe paragjykimeve të kohës, siç janë racizmi, jotoleranca fetare dhe politike, fobitë e ndryshme... Me një fjalë, dhënësi duhet të posedojë kompetenca të shumëfishta për të  arritur që të ndërtojë një kooperim të ngushtë në relacionin dhënës-marrës i informatës dhe shndërrimit të këtij procesi në mësim dhe dituri të njëmendët.

Fusnota:

1 Proverbë afrikane
2 Shprehur me një barazim matematikor themi : Mësimdhënia + Nxënia = Dituria.
3 “Arti i mirëfilltë konsiston në unitetin midis së bukurës, së mirë dhe së vërtetës”