VEPRA logo
Logo link

EDITORIAL

Muhamed MurteziMuhamed Murtezi

Sërish erdhi, edhe këtë vit, me të gjitha dobitë dhe mirësitë që ngërthen në vete, për të freskuar shpirtrat e besimdrejtëve, të cilët me padurim e pritën për njëmbëdhjetë muaj të tërë... Dhe, dalëngadalë edhe po largohet përsëri, me synimin për të na braktisur edhe njëherë, në udhëtimin e vet të pandërprerë... Deri në çastin dhe ditën kur Krijuesi i gjithçkaje të vendosë ndryshe, ndaljen e rrjedhës së kohës dhe shuarjen e jetës së kësaj bote.
Besimtarët e vërtetë gjithandej rruzullit, me mikpritjen më të ngrohtë të mundshme, ia hapën edhe sivjet portën e zemrës këtij mysafiri të ndershëm e të bereqetshëm të Zotit.
Dhe, radha i erdhi që ky muaj i bekuar të bie në stinën më të ngrohtë, në muajin më me vapë, në ditët më të nxehta të vitit. Megjithatë, edhe kjo nuk paraqet shumë problem dhe përballohet me dinjitet nga shpirtrat që synojnë lartësitë, nga zemrat e lidhura për Zotin, nga trupat të cilët i kanë caktuar vetes për t’u ushqyer sa për të jetuar, e jo për të jetuar për t’u ushqyer... Të tillët, vetëm për hir të All-llahut të Madhërishëm, kanë vendosur të jenë të durueshëm dhe besnik ndaj bindjeve të tyre, edhe krahas urisë dhe etjes së madhe, të sigurt në shpërblimin e Tij të pakufishëm dhe vërtetësinë e Derës së Xhennetit të quajtur Rejjan, përmes të cilës do të futen në Xhennet vetëm agjëruesit, garanci këto të përcjella përmes fjalëve të vërteta të të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]:
"All-llahu i Lartësuar tha: 'Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, ai është për Mua dhe unë jap shpërblim për të..."
“Kush e agjëron Ramazanin me besim tek Zoti, duke pritur shpërblimin vetëm prej Tij, atij personi do t’i falen të gjitha gabimet dhe gjynahet që ka bërë në të kaluarën”.
“Në Xhennet është një derë e cila quhet Rejjan. Nga ajo derë do të hyjnë vetëm agjëruesit në Ditën e Gjykimit, dhe nuk hyn prej saj askush tjetër. Kur ata të hyjnë, ajo mbyllet dhe nuk hyn më askush”.