fetva

HADITHI: GJËJA E LEJUAR POR MË E URREJTUR TE ALL-LLAHU ËSHTË SHKURORËZIMI

PYETJA: Kur dijetarët bashkëkohorë islamë flasin për shkurorëzimin dhe qëndrimin e Islamit ndaj tij, ata mbështeten në hadithin veçmë të popu­llarizuar ndër njerëz: “Gjëja e lejuar por më e urrejtur te All-llahu është shkurorëzimi”. Mirëpo unë pata rastin të lexoj disa kritikë të hadithit të cilët të njëjtin e konsideronin të dobët.
Për atë, a keni ju argumente të tjera për jopreferimin e shkurorëzimit në Islam, e në veçanti kur e kemi parasysh faktin se edhe ju në disa libra tuaj jeni mbështetur në këtë hadith?

PËRGJIGJJA: Përgjigja ndaj pyetjes së parashtruar përfshin disa pika:
1. Verifikimi i besueshmërisë dhe argumentimit të hadithit në fjalë.
2. Përmendja e teksteve tjera kur’anore dhe të Sunnetit që e mbështesin jopreferimin e shkurorëzimit.
3. Sqarirni i rregullave juridike islame që e mbështesin këtë.

E PARA: Hadithi: “Gjëja e lejuar por më e urrejtur te All-llahu është shkurorëzimi”.
Këtë hadith e transmetojnë Ebu Davudi, Ibn Maxhe dhe Hakimi prej hadithit të Muharib ibn Detharit, e ky e përcjellë prej Ibn Omerit, të atribuar Të dërguarit të All-llahut.
Hadithin e transmetojnë edhe Ebu Davudi dhe Bejhekiu të ndërprerë - mursel1, në të nuk qëndron Ibn Omeri, ndërkaq Ebu Hatimi, Darekut­ni në librin e tij El-I’lel dhe Bejhekiu e preferojnë këtë të ndërprerin - murselin.
Po ashtu hadithin e përmend edhe Ibn Xheuzij në librin El-I’lel el-mu­tenahije me zinxhirin e transmetuesve që e thekson Ibn Maxhe, por e vlerëson të dobët për shkak të transmetuesit Ubejdull-llah ibn El-Velid El-Vesafi, i cili është i dobët.
Hafidh Ibn Haxheri në librin e tij Et-Telhis thotë: “Mirëpo ky nuk është i vetmi që e ka transmetuar, por këtë e ka pasuar Ma’ruf ibn Vasil, mirëpo me transmetimin e tij të pashkëputur është veçuar Muhammed ibn Halid El-Vehbij.
Nga analizat përkitazi me hadithin në fjalë, pohoj se Muhammed ibn Halidin Axhuriu përmend nga Ebu Davudi se ky transmetues nuk është problematik (la beëse bihi).2 Po ashtu në plejadën e të besueshmëve e rendit edhe Ibn Hibbanin, kurse Darekutni për këtë thotë: “Ky është i besueshëm”.3
Hadithin e shënon edhe Hakimi përmes rrugës së Muhammed ibn Othman ibn Ebu Shejbes, të pa ndërprerë, me tekstin vijues: “All-llahu nuk ka lejuar diçka e ta urrejë më tepër se shkurorëzimin”. Pastaj vazhdoi: “Senedi i këtij hadithi është autentik (sahih)”. Me këtë vlerësim u pajtua edhe kritiku i njohur imam Dhehebiu, madje shtoi se ky hadith i plotëson kushtet e imam Muslimit për pranimin e haditheve.4
Ibn Turkemani thotë: “Kjo imponon preferimin e hadithit të pandër­pre­rë, sepse në të vërtetë flet për diçka të re (shtesë), po ashtu ka ardhur në disa versione (kjo e shtyri Sujutiun që përkitazi me hadithin të përdor iniciale në librin e tij El-Xhamius-sagir, që flasin se është autentik, ndër­kaq me këtë nuk pajtohej Menavi në librin e tij Fejdu-l-Kadir, sikur që përmend Ibn Haxheri).5
Hadithi në fjalë, edhe po qe se zbret një shkallë më poshtë prej autenti­ci­te­tit, nuk zbret më poshtë prej gradës “hasen” i mirë. Disa këtë hadith e kanë konsideruar të dobët për nga kuptimi dhe përmbajtja, sepse sipas tyre, si mund të jetë një gjë edhe e lejuar edhe e urrejtur te All-llahu? Sipas tyre, kjo kundërthënie flet për dobësinë e hadithit.
Disa në këtë kanë thënë: “Hadithi flet se të lejuarat ndahen në dy pjesë: E preferuar dhe e urrejtur, varësisht nga pozita, që do të thotë se çdo gjë e lejuar nuk do të thotë se është edhe e preferuar”.
El-Hatabiu në veprën e tij Me’alimu es-sunen thotë: “Urrejtja në këtë hadith i referohet shkakut që motivon ndarjen bashkëshortore, gjegjë­sisht sjelljen jonjerëzore dhe mosgjetjen e gjuhës së përbashkët, e jo vetë shkurorëzimin”.
Mund të thuhet: “Shkurorëzimi në vetvete është i lejuar, ndërkaq urrejt­ja pason si rezultat i qorrsokakut në të cilin si zakonisht çon veprimi i këtillë”.
E DYTA: Kur’ani e stimulon burrin që të mos ndahet prej gruas që e përbuz dhe të jetë i durueshëm për hirë të mosshkatërrimit të familjes dhe ekzistimit të saj. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim, pse ndodh që All-llahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni”. (En-Nisa: 19)
Nuk është e logjikshme që të dëm­to­het me ndarje gruaja e sjellshme dhe e dëgjueshme, e të preket dinjiteti i saj me shkurorëzim, pasi për këtë nuk ka arsye. Nëse ndodh e kundërta, atëherë komentohet vetëm si lloj arrogance, e në veçanti nëse kanë fëmijë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “… e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sil­l­ni keq ndaj tyre. All-llahu është më i larti, më i madhi”. (En-Nisa: 34)
Nëse sjellja arrogante është e ndaluar madje edhe ndaj grave të padë­gjue­­shme nëse janë përmirësuar, atëherë çka mund të thuhet për gratë e ndershme, të devotshme, që e mbrojnë nderin në mosprezencë ashtu sikur që i ka urdhëruar All-llahu?!
Shejhu-l-Islami6 Ibn Tejmijje thotë: “Parimisht shkurorëzimi është i ndaluar, por është lejuar vetëm aq sa ka nevojë”. Në hadith autentik të përcjellë prej Xhabirit, e ky prej të dërguarit të All-llahut, qëndron se: “Iblisi e shtrinë fronin e vet mbi ujë dhe i dërgon ekspeditat e tij luftarake në misione. Pozitë më të lartë tek ai ka djalli që shkakton më së shumti trazira, derisa vjen para tij një dreq dhe i thotë: ‘Iu ngjita njërit derisa e çova të ndahet me gruan’. Atëherë iblisi këtë dreq e afron edhe më afër vetes dhe i thotë: ‘Ti e paske bërë punën më të madhe’, dhe hyn në suitën e tij!”
All-llahu i Madhërishëm magjinë e përbuz me fjalët: “E mësonin (njerë­zit) prej atyre dyve atë (magji) me çka e ndanin burrin prej gruas së vet….” (El-Bekare: 102)
Në përmbledhjet e haditheve të quajtura “Es-Sunen”7, transmetohet prej Të dërguarit të All-llahut se: “Ndarje prej burrit kërkojnë vetëm gratë hipokrite”.
Po në të njëjtat burime e hasim transmetimin tjetër prej Të dërguarit të All-llahut, ku thotë: “Secila grua që kërkon ndarje prej burrit të vet pa u ngush­tuar, era e Xhennetit është e privuar (haram) për të”.
Nisur nga kjo, shkurorëzimi është i lejuar deri në tre herë, e pas herës së tretë gruaja atij i bëhet haram (i ndalohet) dhe nuk mund ta martojë derisa nuk martohet ajo me një burrë tjetër.
“Kur kemi parasysh faktin se shkurorëzimi është lejuar në rast nevoje, atëherë duhet ditur se nevoja evitohet me një shkurorëzim të njëher­shëm, që do të thotë se më tepër se njëherë vazhdon të jetë parimisht e ndaluar”.8
E TRETA: Në aspektin e metodologjisë dhe rregullave të sheriatit (juridike):
1. Sipas autorit të librit të fik’hut sipas Drejtimit Hanefij, El-Hidaje, shkurorëzimi e ndërpret kurorën për të cilën janë të lidhura interesat materiale dhe fetare.9
2. Sipas asaj që e përcjell juristi i njohur i Drejtimit Hanbelij, Ibn Kudame, autor i veprës kapitale juridike islame El-Mugnij, shkurorëzimi u sjell dëm edhe burrit edhe gruas, e anashkalon interesin e përbashkët që e realizojnë të dy palët pa patur nevojë për këtë, andaj edhe është i nda­lu­ar duke e krahasuar me shkatërrimin e kotë të pasurisë dhe duke u bazuar në hadithin e Të dërguarit të All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Nuk lejohet që kot të bëhet dëm ndaj të tjerëve, e as në formë hakmarrjeje”.10
3. Sipas juristit të shquar të Drejtimit Hanefij prej brezave më të von­shëm, Ibn Abidin, nëse shkurorëzimi është pa kurrfarë shkaku, atëherë në të vërtetë nuk ekziston nevojë për t’u liruar nga gruaja, por në këtë rast shkurorëzimi paraqet naivitet dhe mendjelehtësi dhe thjesht mohim të të mirave dhe dëmtim i paarsyeshëm i gruas, familjes dhe fëmijëve të saj… Meqë ai nuk ka mbështetje të fortë që e arsyeton në aspektin juri­dik, për të mbetet të vlejë dispozita parimore - ndalimi i shkurorëzimit. Për këtë All-llahu i Madhërishëm thotë: “… nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre…“, gjegjësisht mos kërkoni të ndaheni.11
Nga kjo që u tha kuptohet se hadithi është valid që të merret si argu­ment në çështje të ndryshme. Atë në këtë temë e mbështesin edhe argu­mente të tjera të dala prej Kur’anit dhe Sunnetit, e njëkohësisht në dobi të tij janë edhe bazat dhe rregullat juridike të të Drejtës islame.
All-llahu e di më së miri.

Fusnotat:

1 Në terminologjinë e shkencës së hadithit “mursel” është hadithi që transmeton tabi’iu (shok i shokut Të të dërguarit të All-llahut) – i brezit të dytë, e që ia atribuon këtë Të dërguarit të All-llahut, pa mos jetuar në kohën e tij. Ndërkaq sipas juristëve dhe shken­cë­tarëve të fundamenteve (metodologjisë) të të drejtës, “mursel” është hadithi që ia atribuon Të dërguarit All-llahut çdokush tjetër pos shokëve të tij. Shih: Dr. Muhammed A’xhaxh El-Hatib, Usulu-l-hadith, f. 337-338. (B. A.).
2 Kjo shprehje për cilësimin e transmetuesve nënkupton se është i drejtë, por pa u nda­lur në saktësinë dhe përpikërinë e tij në përcjelljen e lajmeve. Transmetuesit e këtillë filli­misht nuk merren si argument, hadithet e tyre shkruhen dhe krahasohen, gjegjësisht vlerësohen dhe saktësia e tyre në bartjen e hadithit duke e krahasuar hadithin e tyre me hadithet e transmetuesve të besueshëm dhe preciz, nëse hadithi përputhet me hadithet e tyre pranohet, e nëse jo, refuzohet. Shih: Dr. Mahmud Et-Tahan, Usulu et-tehrixh ve dirasetu-l-esanid, f. 144, 145. (B. A.)
3 Tehdhibu Et-Tehdhib, vëll. IX, f. 143.
4 El-Mustedrek ve telhisuhu, vëll. II, f. 196.
5 El-Xheuherun-nekijj me’a es-sunen el-kubra, vëll. VII, f. 222, 223.
6 Shejhu-l-Islam është njeri nga epitetet që u jepen shkencëtarëve të mëdhenj islam të cilët kanë lënë gjurmë të thella dhe kanë dhënë kontribut të madh në shkencat islame. Në përkthim të lirë ky term do të ishte: Mësuesi islam. (B. A.)
7 Es-Sunen në terminologjinë e hadithit quhen veprat që janë të sistematizuara sipas ka­pi­tujve të fik’hut (jurisprudencës) dhe këto libra përfshijnë vetëm thënie Të të dër­gua­rit të All-llahut, pa mos lëshuar ndonjë thënie të shokëve të tij apo transmetim tjetër të ndërprerë, sepse këto të fundit në terminologjinë e tyre nuk quhen sunnet por hadith. Shih: Dr. Mahmud Et-Tahan, Usulu et-tehrixh ve diraseti-l-esanid, f. 115. (B. A.).
8 Shejhu-l-Islam Ibn Tejmijje, Mexhmu’u-l-fetava, vëll. XXXIII, f. 81.
9 Reddu-l-muhtar, vëll. II, f. 572, botim i Stambollit.
10 Ibn Kudame, El-Mugnij, vëll. VII, f. 77. Hadithin e transmetojnë Ibn Maxhe dhe Dare­kut­ni dhe shikuar sipas të gjitha rrugëve përmes të cilave është transmetuar, hadithi është autentik.
11 Reddu-l-muhtar, burimi i përmendur.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>