fetva

SHPËRBLIMET E NDËRMARRJEVE KOMERCIALE

I nderuari Dr. Kardavi!
Dua që me këtë rast t’ua parashtroj dy pyetje.
E para:
Një kompani - fjala vjen për tesha dhe mobilje - vendosi që disa konsumatorëve t’u japë një sasi të hollash. Andaj, a u lejohet atyre që t’i marrin këto të holla?
E dyta:
Kjo i referohet mënyrës se si zgjidhen fituesit e këtyre shpërblimeve:
Përfaqësuesi i kompanisë bën tërheqjen e disa numrave të cilët ua dërgon disa konsumatorëve, si për shembull 100 konsumatorëve, pastaj tërheq numra tjerë, për këtë, nëse numrat e dytë janë identik me të parët, konsumatori i cili merr dy numra të njëjtë e fiton shpërblimin. Me këtë rast kompania ua dërgon këto numra konsumatorëve duke i lajmëruar për shpërblimet apo paratë që i kanë fituar.
Këtu duhet theksuar se konsumatori nuk ka marrë pjesë aspak në lojën shpërblyese, as që ka marrë pjesë në tërheqjen e numrave, poashtu ai nuk ka dhënë asnjë të hollë për të marrë pjesë në lojën shpërblyese, por ai është konsumator i rregullt i rregullt i prodhimeve të kësaj kompanie.
Për këtë, pyetja është: A i lejohet konsumatorit në rastin konkret që t’i marrë shpërblimet apo paratë që i fiton në këtë mënyrë?
Poashtu, kjo mënyrë a konsiderohet lotari - edhe pse lotaria përbëhet prej fitimit dhe humbjes – e poashtu dihet se fati ka hise në këtë lojë, andaj a ka ndikim në tretmanin juridik të lojës në fjalë, gjegjësisht a ndikon ta bëjë hallall apo haram?
Na sqaroni këtë çështje, All-llahu ju bekoftë.

PËRGJIGJJA: Falënderimi i takon All-llahut, përshëndetjet dhe lavdërimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
Unë kam bindjen se shpërblimet të cilat i ndajnë kompanitë dhe marketet e ndryshme për konsumatorët e vet, të cilët janë të rregullt në blerje prej vendeve përkatëse, pa marrë parasysh a janë këto shpërblime në të holla, artikuj apo sende tjera, nuk bëjnë pjesë në grupin e bixhozit të ndaluar i cili i ka të patjetërsueshme dy elemente: humbjen dhe fitimin për njërën palë, në të cilin grup bën pjesë edhe lotoja që doli në Perëndim e pastaj u kopjua edhe në vendet tona.
Kjo, ngase shpërblimet që i japin kompanitë e ndryshme jepen nga një palë, ndërkaq pala tjetër, gjegjësisht konsumatorët, nuk pëson asnjë humbje. Për sa i përket zgjedhjes së disa konsumatorëve si fitues përmes shortit, kjo nuk paraqet ndonjë problem në aspektin fetar sipas pjesës dërrmuese të dijetarëve, kurse në dobi të të njëjtës gjë flasin edhe disa hadithe të cilët e legjitimojnë zgjedhjen përmes shortit.
Këtu mund të përjashtohet vetëm ai i cili blen në një shitore apo kompani thjesht vetëm për shkak të shpërblimit, e përndryshe nuk e ka për qëllim blerjen e as artikullin, sepse personi në fjalë bën një vepër që është shumë e logjikshme të shihet si bixhoz i ndaluar apo i përafërt me të.
Unë personalisht nuk u preferoj kompanive islame që t’i tërheqin konsumatorët përmes kësaj mënyrë të huaj që i ka fascinuar shumë tregtarë të kohës sonë, sepse të hollat që u jepen disa konsumatorëve në fund përsëri llogariten prej harxhimeve të mallit dhe haraçin e tyre e paguan përsëri blerësi. Pra, me një analizë më precize del se shpërblimin të cilin e fiton konsumatori e paguajnë blerësit tjerë, gjë që te unë ngjall një dozë rezerve, ndërkaq disa tregtarë këtë e arsyetojnë me atë se ata këtë e mbulojnë duke ndarë një pjesë prej profitit të tyre, por kjo duhet të diskutohet.
Sidoqoftë, nuk shoh ndonjë pengesë për marrjen e shpërblimit të përmendur derisa qëllimi esencial është blerja, sikundër që kuptohet prej pyetjes.
All-llahu e di më së miri.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>