fetva

KUFIZIMI I PROFITIT TË TREGTARËVE

PYETJA: A lejohet të kufizohet profiti i tregtarëve, gjegjësisht profiti të jetë i kushtëzuar me përqindje dhe sasi të caktuar pa të drejtë për t’u tejkaluar, apo tregtari është i lirë në përqindjen e fitimit, qoftë e lartë apo e ulët?
Shpresojmë që të përgjigjeni detajisht në dritë të argumenteve të sheriatit, sepse shumë njerëz pyesin mjaft për këtë.

PËRGJIGJJA: Para se të kalojmë në shtjellimin e problemit, duhet të përcaktohet objektivi i tij, sepse shumë prej atyre që flasin për problemin e shtruar mund të kujtojnë se me këtë synohet që autoritetet zyrtare të përcaktojnë përqindjen e fitimit.
Mendoj se këtu nuk aludohet në këtë që përmenda, sepse sikur të aludohej në këtë, atëherë do të shtjellohej në kuadër të një çështje tjetër më speciale, gjegjësisht çështjen e diktimit zyrtar të çmimeve - “et-tesi’r”. Por, duhet patur parasysh se përcaktimi i çmimeve nuk i referohet vetëm tregtarëve, por edhe prodhuesve, bujqëve, fabrikantëve e të ngjashme.
Poashtu, disa prej atyre që flasin për problemin në fjalë e përziejnë çështjen e profitit dhe përqindjes së tij me çështjen e “mashtrimit”. Te disa juristë është dëgjuar fjala se mashtrimi falet nëse nuk e tejkalon një të tretën, e nëse e tejkalon këtë, atëherë konsiderohet mashtrim i madh i palejuar, konform hadithit autentik në çështjen e testamentit: “Lëre testament vetëm një të tretën, madje edhe një e treta është shumë”.
Mirëpo, duhet theksuar dallimin ndërmjet profitit dhe mashtrimit - këto nuk kanë asgjë të përbashkët mes vete, sepse ekziston mundësia që tregtari të profitojë 50% ose 100%, por me këtë nuk do të thotë se e ka mashtruar blerësin, sepse malli i ekspozuar në treg edhe vlen kaq, madje ndoshta edhe më tepër, madje ka mundësi që krahas profitit të madh të jetë treguar tolerant me blerësin.
Në anën tjetër, mund të ndodh që tregtari t’i shet blerësit diçka me një profit shumë të vogël, ose pa profit, ose me humbje të madhe ose të vogël për të, mirëpo, edhe përskaj gjithë kësaj, tregtari të konsiderohet se e ka mashtruar blerësin.
Këtu duhet sqaruar dallimin ndërmjet tregtisë dhe profitit.

Tregtia dhe profiti
Tregtia është: shitblerja e mallrave me qëllim të profitit.
Tregtar është: ai i cili blen një mall për ta shitur, me qëllim që të profitojë.
Profiti është: dallimi pozitiv ndërmjet çmimit të shitjes së mallit dhe çmimit të blerjes së tij, duke ia shtuar profitit harxhimet tregtare.
Në Kur’anin famëlartë qëndron: “O ju që besuat, mos hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete…” (En-Nisa: 29)
Poashtu, në ajetin e huazimit, ku urdhërohet regjistrimi i borxhit, thuhet: “Vetëm nëse është tregti e menjëhershme (dora-doras) që e praktikoni mes jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat të mos e shënoni…” (El-Bekare: 282)
Kur’ani famëlartë foli edhe për tregtinë shpirtërore, sikur që thuhet në ajetin: “…ata e shpresojnë një fitim që kurrë nuk humbet.” (Fatir: 29)
Poashtu thotë: “… a t’ju tregoj për një tregti të bujshme që ju shpëton prej një dënimi të dhëmbshëm.” (Es-Saf: 10)
Ja si i cilëson All-llahu i Madhërishëm hipokritët në ajetin vijues: “Të tillët janë që e ndërruan të vërtetën (besimin) me të pavërtetën (mosbesimin), pra tregtia e tyre nuk pati fitim dhe ata nuk qenë të vetëdijshëm (në punën e tyre).” (El-Bekare: 16)
Kjo, thamë, mbështet konstatimin se në tregti parimisht profitohet, e nëse nuk ndodh kjo, atëherë duhet konkluduar se ai nuk e ka zgjedhur si duhet mallin e tregtisë apo partnerin në tregti.
Tirmidhiu shënon prej Ebu Hurejres se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nëse e shihni ndonjë duke shitur apo blerë në xhami, thuani: Zoti mos të dhashtë fitim në tregtinë tënde”. Tirmidhiu thotë: Hadithi është i gradës hasen (i mirë) garib (i pa njohur)1. Kjo dhe pasi me tregtinë synohet profiti, atëherë kur luten besimtarët kundër tij që mos të japë All-llahu profit në tregtinë e tij, atëherë qëllimi i tregtisë është humbur dhe mundi i tij ka shkuar huq.
All-llahu i Madhërishëm në këtë mënyrë i ka cilësuar tregtarët besimtarë: “Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zekatin; ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet.” (En-Nurë: 37)
Pasi tregtia është shitblerje, Kur’ani e përmend shitjen në kontekst të demantit kamatdhënësve malverzues: “Këtë ngase ata thanë: ‘Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata!’ E All-llahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën.” (El-Bekare: 275)
Kur’ani e përmend shitjen në kontekst të shtytjes për të nxituar në namazin e xhumasë: “… ecni shpejt për aty ku përmendet All-llahu (dëgjoni hutben, falnie namazin), e lini shitblerjen…” (El-Xhumua: 9)
Kur’ani e përmend shitjen edhe në sferën e çështjeve shpirtërore: “Ka nga njerëzit të cilët për hirë të All-llahut e flijojnë2 vetveten, e All-llahu është shumë i mëshirshëm për robtë e vet.” (El-Bekare: 207)
Poashtu thotë: “Le të luftojnë në rrugën e All-llahut, ata që japin3 jetën e kësaj bote për botën tjetër.” (En-Nisaë: 74)
Poashtu folja “shitje” është përmendur edhe në çështjet materiale në rrëfimin e Jusufit të sinqertë: “Dhe e shitën atë (Jusufin) për një çmim të vogël, për disa dirhemë (masë argjendi) të numëruar, sepse në mesin e tyre pati asish që nuk lakmuan (për çmim të lartë).” (Jusuf: 20)
Në disa ajete kur’anore All-llahu i Madhërishëm sinjalizon pranueshmërinë e tregtisë nga ana e Tij, edhe atë duke e cilësuar atë “kërkim të begative të All-llahut”. Ja se çka thotë në ajetin vijues: “E, kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut.” (El-Xhumua: 10)
Poashtu, në një ajet tjetër thotë: “… dhe të tjerë që gjallërojnë nëpër tokë duke kërkuar nga begatitë e All-llahut.” (El-Muzzemil: 20)
Kur’ani nuk e ndalon kërkimin e këtyre të mirave, madje edhe në kohën e haxhxhit kur është për qëllim kryerja e ritualit të haxhxhit. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhxhit).” (El-Bekare: 198)
Kur’ani thekson edhe dy udhëtimet e njohura të kurejshëve ndërmjet Jemenit dhe Shamit, dhe thotë: “Për hirë të garantimit që e gëzojnë kurejshitët! Garantimin e udhëtimit të tyre të lirë dimrit dhe verës! Pra, le ta adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie.” (Kurejsh: 1-3)

Synimi i profitit për kryerjen e obligimeve dhe mbrojtjen e kapitalit
Tirmidhiu shënon në koleksionin e tij hadithin e përcjellë prej Amër ibn Shuajbit, e ky prej babait dhe gjyshit të vet, e ky prej Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] se ka thënë: “Kush e merr nën mbikqyrje një bonjak i cili posedon pasuri, le të bëjë tregti me këtë pasuri e mos ta len të bllokuar ashtu që ta harxhojë zekati”.4
Edhe pse ky hadith konkretisht kontestohet, megjithatë në mbështetje të kuptimit të tij Taberaniu transmeton në përmbledhjen e vet El-Euset prej Enes ibn Malikut se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Bëni tregti me pasurinë e bonjakëve, e mos e leni ta harxhojë zekati”.5 Hadithin në fjalë shkencëtari i njohur El-Iraki e vlerëson të saktë.
Në këtë kuptim përmendet edhe një hadith i gradës “mursel”, e poashtu edhe një thënie e të dërguarit të All-llahut e përcjellë prej Jusuf ibn Mahekut. Në këtë kuptim kemi edhe deklarata autentike prej Omerit [radijall-llahu anhu].6
Gjithë këto hadithe flasin për një çështje mjaft të rëndësishme në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, gjegjësisht faktin se shkalla më e ulët që duhet ta realizojë tregtia e suksesshme është që profiti ta mbulojë sasinë obligative të zekatit në pasurinë përkatëse, e poashtu edhe harxhimet e bëra nga pronari dhe ata që i ka nën mbikqyrje.
Pra, sikur që pasuria pakësohet me nxjerrjen e zekatit, ashtu që njëqindëshi bëhet 97.5, poashtu pasuria pakësohet edhe nga harxhimet që bëhen për nevojat e pronarit.
Kjo i imponon pronarit që posedon pasuri jo gjithaq të madhe që të fitojë sa më shumë, qoftë përmes futjes në lëvizje të pasurisë sa më tepër, ose përmes rritjes së përqindjes së profitit, ashtu që profiti të mund t’i mbulojë harxhimet e tij të vazhdueshme, sepse përndryshe harxhimet jetësore do ta hanin kapitalin e tij.
Kjo nuk është rast me atë që ka pasuri të madhe, sepse sa herë që të ketë nevojë, atij i mjafton një pjesë e vogël nga profiti.

A e kanë përcaktuar tekstet juridike përqindjen e profitit?
Pasi Sunneti ka stimuluar tregtinë me pasuri me qëllim të realizimit të profitit për mbulimin e harxhimeve e kapitali të mbetet i pa prekur, atëherë a ka sinjalizuar Sunneti dikund në përcaktimin e përqindjes së caktuar të profitit që tregtari ia imponon vetes apo që atij këtë ia imponon shoqëria, ashtu që ai nuk lejohet ta tejkalojë?
Nga një analizë e mirëfilltë e Sunnetit të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe praktikes së shokëve të tij të drejtë, por para kësaj të vet Kur’anit famëlartë, dalim me përfundim se nuk ka ndonjë tekst i cili do të obligonte ose më së paku do të preferonte përqindje të caktuar profiti të cilës duhej t’i përmbahej e assesi nuk guxon ta tejkalojë, qoftë 3%, 5%, 10% etj.
Ndoshta fshehtësia e kësaj qëndron në atë se përcaktimi i përqindjes fikse për të gjitha mallrat, për të gjitha vendet, për të gjitha kohët, rrethanat dhe grupet nuk do të ishte në funksion të realizimit të drejtësisë.
Kjo, ngase ka dallim në mes mallit i cili frekuenton me shpejtësi të madhe në treg sipas natyrës së tij, fjala vjen si ushqimet dhe mallrat tjerë të ngjashëm me ushqimet, dhe në mes mallit të ngadalshëm në frekuentim i cili frekuenton në treg një herë në vit, e madje mund të ndodhë që të kalojë më tepër se një vit pa mos lëvizur fare. Për këtë, profiti në të parin duhet të jetë më i vogël prej profitit në të dytin.
Poashtu, ekziston dallim në mes atij i cili shet me pakicë dhe atij i cili shet me shumicë, si dhe në mes kapitalit të paktë e të parëndësishëm dhe kapitalit të shumtë dhe me vlerë. Kjo dhe profiti i vogël bëhet i madh në pasurinë e shumtë.
Duhet zënë në gojë edhe dallimin që ekziston në mes atij që shet me para në dorë dhe atij që shet me pagesë të prolonguar. Dihet mirë se shitja me para në dorë sjell profit më të vogël se sa shitja që bëhet me çmim të prolonguar; në të dytën përqindja e profitit është më e madhe sepse edhe rreziqet janë më të mëdha, si pamundësia e blerësit që ta bëjë pagesën, shtyrja e pagesës, humbja e pasurisë në ndonjë mënyrë, e me këtë humbet pasuria e shitësit krahas bllokimit të pasurisë së tij gjatë kësaj kohe. Pjesa dërrmuese e dijetarëve e kanë lejuar rritjen e çmimit nëse prolongohet pagesa për një kohë, por me atë që kjo të kumtohet që në fillim të transaksionit dhe përcaktohet qartë. Ky lloj transaksioni është e kundërta e transaksionit të quajtur “selem”, ku malli shitet i prolonguar më pak prej çmimit të tij.
Poashtu, ekziston dallim në mes mallrave të domosdoshëm apo të nevojshëm për të cilët kanë nevojë shtresat më të gjëra të popullatës, e në veçanti nevojtarët dhe të varfërit, dhe mallrave luksoze të cilat blehen vetëm nga të pasurit.
Për mallrat e parë profiti duhet të jetë më i vogël, për t’u kursyer dhe solidarizuar me të varfërit dhe të ngratët, ndërkaq në mallrat luksoze nuk prish gjë nëse profiti është më i madh, sepse nuk janë të patjetërsueshëm.
Nisur nga kjo, Ligjvënësi ka qenë më i rreptë në ndalimin e monopolit të artikujve ushqimorë në veçanti, se sa në mallrat tjerë, sepse nevojat e njerëzve janë më të mëdha, madje të patjetërsueshme, andaj monopoli mbi këto mallra është i ndaluar me koncenzus të dijetarëve, e poashtu në këto mallra ka edhe kamatë me koncenzus dhe obligohet zekati me koncenzus, poashtu.
Njëherit, duhet bërë dallim në mes tregtarëve të cilët me lehtësi sigurojnë mallra dhe tregtarëve të cilët japin mund ta sigurojnë atë prej burimit. Poashtu, duhet theksuar dallimin në mes atij që e shet mallin të gatshëm dhe atij i cili intervenon në mallin përkatës duke bërë ndryshime, ashtu që të len përshtypjen se e ka shndërruar në mall tjetër.
Poashtu, ka dallim ndërmjet atij që blen mall me lirim, si për shembull ta blen mallin drejtpërdrejt prej prodhuesit pa ndërmjetësim, dhe atij i cili e blen pasi ka kaluar malli nëpër disa dorë, me çmim të ngritur. I pari përfiton më tepër se i dyti.
Me këtë synohet të tregohet se nuk ekziston në Kur’an dhe Sunnet ndonjë argument që do ta kufizonte profitin me ndonjë përqindje dhe sasi të caktuar, por është evidente se kjo i është lënë ndërgjegjes së muslimanit dhe rrethanave shoqërore, duke i patur parasysh rregullat e drejtësisë dhe mirësisë, si dhe mosdëmtimin e tjetrit, rregulla këto që i rregullojnë veprimet dhe sjelljet e muslimanit.
Islami nuk bën dallim ndërmjet ekonomisë dhe moralit, për dallim prej filozofisë kapitaliste e cila “profitin” e sheh si qëllim parësor dhe lëvizës më të madh të aktivitetit ekonomik, dhe e cila nuk i përfill shumë parime të miratuara në Islam përkitazi me aktivitetet ekonomike. Kështu, sipas kësaj filozofie, nuk do të thotë gjë poqese don të profitosh përmes kamatës apo monopolit, shitjes së pijeve dehëse apo gjërave tjera që e dëmtojnë bashkësinë por që i sjellin profit individit.
Për dallim nga kapitalizmi, Islami parasheh rregulla dhe kushte fetare, morale dhe sistemore që e obligojnë çdo tregtar që t’i respektojë dhe t’i përfillë, sepse në të kundërtën profiti i tij do të ishte haram apo i përzier me haram.
Sa kam arritur unë të gjurmoj, nuk kam gjetur që juristët islamë ta kenë kufizuar përqindjen e profitit me ndonjë sasi të caktuar të cilës duhet t’i përmbahet tregtari në tregtinë e tij. Ndoshta përjashtim do të bënte pohimi i dijetarit të shquar të shkollës juridike hanefite, Ez-Zejleijut, në sqarimin e tezave të autorit të veprës juridike në drejtimin hanefit, El-Hidaje, dhe disa juristëve tjerë përkitazi me ligjshmërinë e përcaktimit të çmimeve - “tesi’r” nëse pronarët e mallrave ushqimore i tejkalojnë kufijtë.
Imam Ez-Zejleiju tejkalimin e kufijve e definon si shitje me vlerë të dyfishtë. Mirëpo ky nuk e sqaron se në çka aludohet me vlerën: a aludohet në vlerën identike në treg në këtë kohë? Në këtë rast, nuk ka varshmëri në mes vlerës dhe profitit. Apo me vlerën aludohet në çmimin e blerjes së mallit? Në këtë rast profiti do të jetë i kufizuar që mos të jetë më tepër se qind për qind?
Ka shumë që mendojnë se disa prej dijetarëve të shkollës juridike malikite e kanë përcaktuar që profiti të jetë në tre për qind, por unë nuk e kam hasur askund këtë supozim, por ma merr mendja se këtu është bërë përzierje në mes profitit dhe mashtrimit, që nuk korrespondojnë mes veti, siç përmenda në fillim të këtij trajtimi.
Shpresoj që njohësit e drejtimit malikij të më ofrojnë të dhëna për çështjen në fjalë.
Unë, falë Zotit, kam hasur dëshmi nga Sunneti dhe veprimet e sahabëve që mbështesin konstatimin se nëse profiti është i pastër prej haramit, është i lejuar deri në qind për qind, madje edhe më tepër se kaq. Ja argumenti për këtë konstatim:

Lejimi i profitit 100%:
Transmetohet hadith i saktë prej Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] që legjitimon profitin 100%, gjegjësisht kjo konfirmohet në hadithin që e regjistrojnë Ahmedi, Buhariu, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe prej Urve ibn Xha’d El-Barikij [radijall-llahu anhu].
Imam Ahmedi në Musnedin e tij transmeton prej Urves i cili thotë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] pa një kope, më thirri, më dha një dinarë dhe më tha: “Urve, shko te kopeja dhe bleje një dele”. Unë shkova te kopeja dhe fillova të bëj pazarllëk me pronarin e tyre dhe arrita të blej dy dele për një dinarë. I mora t’i çoj te Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], por në ndërkohë më takoi një person dhe mi kërkoi t’i blejë, e unë hyra me të në pazarllëk dhe një dele ia shita për një dinarë. Kështu, unë solla edhe një dinarë edhe një dele te Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe i thashë: “O i dërguar i All-llahut, ja ky është dinari që ma dorëzove dhe kjo është delja që më porosite ta blej!” Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Si e arrite këtë?!” Urveja tha: Ia tregova rastin, e ai tha: “O Zot, jepi sukses në shitblerjet e tij”. Pastaj më shihje se si qëndroja në kopetë e Kufes dhe përfitoja dyzet mijë para se të kthehem në shtëpi7.
Në këtë kuptim transmeton edhe Tirmidhiu8.
Imam Buhariu transmeton në librin e vlerave “Kitabu-l-menakib” të koleksionit të haditheve autentike Sahihu-l-Buhari prej Urves se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i kishte dhënë atij një dinarë që t’i blejë një dele, ndërkaq ky blejti për një dinarë dy dele dhe pastaj njërën dele e shiti për një dinarë, kështu ia ktheu Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] një dinar dhe i solli edhe një dele, ndërsa Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu lut All-llahut që t’ia bëjë të bereqetshme tregtinë e tij. Kështu, Urveja sikur të blente madje edhe dhé, do të përfitonte nga ai9.
Poashtu hadithin e transmeton edhe Ebu Davudi në koleksionin e tij të haditheve Es-Sunen, në librin e shitblerjeve, e poashtu e përmend edhe Mundhiriu në librin Muhtesaru Sunen10 dhe thotë: Hadithin e transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe11.
Poashtu Ebu Davudi transmeton prej Hakim ibn Hizamit [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i dërgoi atij një dinarë që t’i blejë një kurban; ky e blejti atë për një dinarë dhe e shiti për dy dinarë, pastaj u kthye dhe blejti një kurban për një dinarë dhe një dinarë ia ktheu Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] këtë e dha lëmoshë dhe u lut që Zoti ta bekojë tregtinë e tij12.
Hadithin e transmeton edhe Tirmidhiu prej hadithit të Habib ibn Ebi Thabitit prej Hakim ibn Hizamit. Tirmidhiu thotë: Hubejjibi, sipas meje, nuk ka dëgjuar prej Hakimit13.

Lejimi që profiti të jetë më tepër se 100%:
Prej argumenteve që lejojnë profitin pa ndonjë limit të caktuar, nëse nuk është rezultat i manipulimit, monopolit, mashtrimit apo padrejtësisë në ndonjë mënyrë, është edhe transmetimi autentik se Zubejr ibn Avvami [radijall-llahu anhu], i cili është njëri prej dhjetë të përgëzuarve me Xhennet, njëri prej gjashtë anëtarëve të Këshillit konsultativ, shoku i ngushtë i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe djali i hallës së tij, blejti një tokë në Medine për njëqind e shtatëdhjetë mijë, ndërkaq djali i Abdullah ibn Zubejrit po të njëjtën tokë e shiti për një milion e gjashtëqind mijë, pra e ka shitur me çmim nëntë herë më të madh se sa çmimi i blerjes.    

Fusnotat:

1 Hadithin e transmeton në librin e transaksioneve, kapitulli: Ndalimi nga shitja në xhami, hadithi nr. 1321.
2 Përkthimi është marrë prej përkthimit me komentim të haxhi Sherif Ahmetit, ndërkaq që të përputhet me fjalët e Dr. Kardavit do ta përkthenim më afër kuptimit tekstual si vijon: “Disa njerëz me veten e tyre e blejnë kënaqësinë e All-llahut.” (B.A)
3 Në kuptimin tekstual përmendet folja “blejnë”. (B.A)
4 Hadithin e transmeton në kapitujt e zekatit, nr. 641, botim i Himsit. Por zinxhiri i transmetuesve të tij kontestohet.
5 Hafidh Hejthemiu në veprën e tij Mexhmeuz-zevaid thotë: Më ka lajmëruar mësuesi im i nderuar - aludon në dijetarin El-Iraki - se zinxhiri i transmetuesve të këtij hadithi është i saktë 3/67; poashtu hadithin e vlerësojnë të gradës “i mirë” (hasen) Ibn Haxheri dhe Sujutiju, sic thuhet në veprën Fejdu-l-Kadir 1/108.
6 Konsulto librin tonë Fikhuz-zekat 1/122,123. Botues: Vehbe, Kajro. Botimi i16.
7 Imam Ahmedi, El-Musned, 4\376. Botues: El-Mekteb el-Islamij.
8 Libri i shitblerjeve (bujuë), hadithi nr. 1258.
9 Shih: Fet’hu-l-Bari, 6\632, hadithi nr. 3642. Botues: Daru-l-Fikër me recenzimin e shejh Abdu-l-Aziz ibn Bazit.
10 Hadithi nr. 3244 në librin Muhtesaru Sunen i botuar me librin Mea’lim es-Sunen të Hatabit dhe librin Tehdhibu es-Sunen të dijetarit Ibn Kajjim, me recenzionin e Muhamed Hamid El-Fekij. Botues: Es-Sune el-Muhamedijje, Egjipt.
11 Hadithin e shënon Tirmidhiu në librin e shitblerjeve, hadithi nr. 1258, e poashtu edhe Ibn Maxhe në librin e lëmoshave, hadithi nr.2402, kapitulli: Njeriu besnik bën tregti me të dhe profiton.
12 Hadithin e transmeton në librin e shitblerjeve, nr. 3386, të transmentuar përmes rrugës së Sufjanit, e ky prej Ebu Husejnit, e ky prej një personi të Medines, pra është i panjohur. Me këtë hadithi është i dobët.
13 Hadithin e transmeton Tirmidhiu në librin e shitblerjeve, hadithi nr. 1257.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>