fetva

AGJËRIMI I ASHURES A I PASTRON MËKATET E MËDHA?

PYETJA: A është e vërtetë se agjërimi i Ashures i mbulon mëkatet e një viti? Në këtë mbulim (falje) a hyjnë edhe mëkatet e mëdha?

PËRGJIGJJA: Për agjërimin e Ditës së Ashures janë transmetuar hadithe të shumta, e në mesin e tyre hadithi që e ka regjistruar imam Muslimi dhe të tjerët të transmetuar nga Katade i cili ka thënë: “I dërguari i All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Agjërimi i Ditës së Arafatit mbulon (mëkatet) e dy viteve: të kaluar dhe atij që vjen, kurse agjërimi i Ditës së Ashures mbulon (mëkatet) e vitit të kaluar”.
Urtësia e All-llahut të Madhërishëm është që njerëzit të jenë të gabue­shëm dhe mëkatarë, e gjithashtu mëshira e All-llahut të Madhërishëm është që i dhuroi njeriut disa veprime që konsiderohen mbulesa dhe shlyerje për mëkatet e tyre, siç është namazi, sadakatë, haxhxhi, umreja dhe punët të tjera të mira. All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “… S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat…” (Hud: 114) Kurse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në një hadith tjetër ka thënë: Pas çdo të keqe, pasoje një veprë të mirë, e ajo e shlyen atë (të keqen).
Agjërimi konsiderohet prej veprave më të mëdha që bëjnë shlyerjen (mbulimin) e mëkateve, sepse në agjërim ekziston braktisje e pasioneve dhe epsheve, lufta shpirtërore dhe ngushtimi i depërtimit të shejtanit, i cili te njeriu lëvizë me lëvizjen e gjakut. Nuk është e drejtë e njeriut që nga All-llahu i Madhërishëm të kërkojë shtimin e faljeve të mëkateve të një apo dy viteve me agjërimin e një dite. Vërtetë All-llahu i Madhërishëm është Bujar dhe Falës. Ai ka zgjeruar faljen dhe mëshirën, dhe ka thënë: “Dënimi im, me të e përfshij atë që dua, kurse mëshira Ime ka përfshirë çdo gjë“.
Hadithi që e kemi me ne, faljen nuk e ka përkufizuar, atë nuk e ka për­caktuar me mëkate të vogla, por shumica e dijetarëve e kanë ndërlidhë atë me mëkatet e vogla. Për këtë i ka nxitur hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra, i regjistruar në përmbledhjen e Imam Muslimit, ku thotë: “Pesë namazet, namazi i xhumasë deri në namazin e xhumasë, Ramazani deri në Ramazanit tjetër, mbulojnë mëkatet mes tyre, nëse janë mënjanuar mëkatet e mëdha”.
Përderisa këto të mira madhështore kushtëzohen për faljen e mëkateve me largimin nga mëkatet e mëdha, atëherë më parësore është që ky kusht të jetë evident edhe në agjërimin e Ashures.
Imam Neveviu ka thënë: “Nëse nuk ka mëkate të vogla, atëherë mbu­lohen (falen) të mëdhatë, e nëse nuk ka edhe mëkate të mëdha, atëherë shtohet shkalla e të mirave”.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>