fetva

KTHIMI I PASURISË NË MËNYRË TË NDALUAR

PYETJA:  I shkruaj hirësisë suaj për një çështje shumë të rëndësishme apo vitale për mua në këtë periudhë të jetës sime.
Unë jam arkitekt dhe jetoj në Amerikë. Më në fund arrita të doktoroj në inxhinieri në Britani. Para pak kohe m’u dha rasti të bëhem partner me një arkitekt amerikan për ta formuar një kompani arkitekture në Amerikë. Por kjo lyp që unë të marr kredi nga ndonjë bankë. Natyrisht, unë e di se shikuar globalisht kjo është e ndaluar, por për mua kjo mund të jetë një e keqe e domosdoshme, e në veçanti kur dihet se unë kam harxhuar shumë që të vij deri në një rast të tillë.
I shkrova bankës islame “EL BEREKE” në Londër, e ajo ma ktheu përgjigjen pas katër muajsh!? Ishte ajo një përgjigje e paqartë, ndërkaq unë i shkrova edhe një herë, por kësaj rradhe nuk mora përgjigje. Trokita në të gjitha dyert dhe i përdora të gjitha metodat, por pa rezultat. Unë jam një i ri plot elan dhe nuk dua ta humbi këtë rast. Qëllimi im është i pastër dhe kam dëshirë të pasurohem dhe t’i ndihmoj kësaj popullate të zhytur në vështirësi, e jo për të jetuar në pallat luksoz pa mos u interesuar për të tjerët, siç veprojnë shumë pasanikë tanë. Unë e pres me padurim përgjigjen tuaj. All-llahu ju shpërbleftë me shpërblimet më të mira.

Es-selamu Alejkum ve Rahmetullah!

PËRGJIGJJA: Nuk është e ndaluar që muslimani të kërkojë pasuri dhe të mundohet për të, sepse pasuria në këndvështrimin islam nuk është krim, e as punë e ligë. Në Islam nuk pranohet ajo që e pohon krishterizmi: Pasaniku nuk hynë në Mbretërinë e qiejve derisa të kalojë dunjanë për birën e gjilpërës.
Por, përkundrazi, All-llahu e begatoi Pejgamberin e vet dhe i tha: “Dhe të gjeti të varfër, e Ai të begatoi.” (Ed Duha: 8)
Prej lutjeve të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka qenë edhe kjo: “O Zot, unë të lus të më udhëzosh, të më bësh të devotshëm, të ndershëm dhe të pasur.” 1
Transmetohet nga Sa’d ibën ebi Vakasi: “All-llahu e don robin e vet të devotshëm, të pasur e të fshehur.” 2
Amër ibën Asit i tha: “Lum pasuria e ndershme për njeriun e devotshëm.” 3
Por dëshiroj t’ia ceki pyetësit disa të vërteta:
1. Pasuria, edhe nëse nuk është e mbrapshtë, ajo është sprovë nga e cila duhet patur frikë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “S’ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë.” (Et Tegabun: 15) E veçanërisht kur pronari i pasurisë ndjen se ai nuk ka nevojë për të tjerët: “Jo, është e vërtetë se njeriu i kalon kufijtë, për shkak se e ndien veten të pavarur.” (El Alek: 6-7)
2. Pasuria materiale nuk është gjithçka. Njeriu mund të posedojë miliona dollarë, por të jetë i varfër në shpirt. Në hadithin e vërtetë thuhet: “Pasuria nuk është të kesh shumë kapital, por pasuri e vërtetë është pasuria e shpirtit.” 4
Transmetohet prej Ali ibën ebi Talibit se ka thënë: “Pasuria e shpirtit forcohet edhe nëse pakësohet kapitali, e njeriu mund të ketë shumë pasuri, por të jetë i nënçmuar!”
Një fjalë e urtë thotë: “Pasuria e paktë që të mjafton, është më e mirë se pasuria e shumtë që të devijon.”
3. Disa njerëz mendojnë në vete, apo u thonë njerëzve, bile i zotohen All-llahut se sikur të vinin në ndonjë pasuri do të bënin shumë gjëra. Mirëpo kur i realizohet ëndrra e tij, ai e then zotimin dhe nuk e çon në vend fjalën e dhënë. Kjo është metodë e munafikëve, për një grup të të cilëve na ka treguar All-llahu në suren Et Tevbe ku thotë: “E prej tyre (hipokritëve) pati sish që i patën dhënë besën All-llahu që: Nëse na jep (All-llahu) nga mirësia e Tij, ne do të ndajmë lëmoshë dhe do të bëhemi prej punëmirëve. Kur ju dha (All-llahu) nga të mirat e Veta, ata bënë koprraci me atë (që u dha), e thyen besën dhe u zbrapsën nga respekti ndaj All-llahut.” (Et-Teube: 75-76) Ndërkaq muslimani ruhet të mos e godet ndonjë damkë e hipokrizisë, dhe e lut All-llahun ta pastrojë prej saj.
4. Rreziku i lakmisë së njeriut për pasuri mund ta shtyjë njeriun të nxitojë ta përvetësojë atë para kohe. Ndërkaq ligjet natyrore dhe juridike të All-llahut janë se: Kush dëshiron ta arrijë një gjë para kohe, dënohet me ndalimin e saj.
po ashtu, lakmia e madhe ndaj pasurisë mund të shkaktojë që njeriu mos t’i përfillë dhe t’i len pasdore gjërat që janë të domosdoshme fetarisht. Prej gjërave të domosdoshme që duhet të mirren në konsideratë janë: kushtet e fitimit të pasurisë, kushtet e zhvillimit dhe harxhimit të saj. Andaj, obligim i pakontestueshëm është që pasuria të fitohet në mënyrë të ndershme (hallall), të harxhohet në gjëra të lejuara, dhe që njeriu të mos jetë koprrac në obligimet që ka në të. Ndërkaq praktikimi i këtyre rregullave është prej gjërave më të vështiara për njeriun.
Në dritë të këtyre fakteve e analizojmë pyetjen e vëllaut tonë, i cili dëshiron ta fillon jetën e tij ekonomike me marjen e kamatës nga banka, për të cilën të gjitha institucionet shkencore islame janë unanime se është vepër e ndaluar (haram).
Por, ai këtë ia lejon vetes me pretekst se është e keqe e domosdoshme, dhe se ai është i detyruar për një gjë të tillë, me qëllim që ta arrijë standardin që e ka planifikuar për vete. Ai e konsideron këtë domosdoshmëri e cila ia lejon atij ta përdorë kamatën në transakcione. Por, a është e vërtetë se kjo gjendje është e domosdoshme?
Vërejtje e patjetërsueshme rreth pretekstit të domosdoshmërisë:
Ekziston një parim i pakontestueshëm: se gjendjet e domosdoshme i kanë dispozitat e tyre të parapara me sheriat. Si për shembull, në raste të domosdoshmërisë ua ka lejuar individëve ta hanë cofëtinën, gjakun dhe mishin e derrit në rast urie të jashtëzakonshme, siç e potencon këtë qartë Kur’ani, por e kushtëzoi që të jetë jo për shije dhe pa e tepruar: “… e kush detyrohet nga uria (të hajë nga të ndaluarat), duke mos anuar dhe duke mos pasur për qëllim mëkatin, All-llahu falë shumë dhe është mëshirues.” (El Maide: 3); “… e kush shtërngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet All-llahu falë, është mëshirues.” (El Bekare: 173)
Nisur nga kjo, dijetarët miratuan një kriter tjetër plotësues, gjegjësisht: Ajo që është e lejuar për shkak të domosdoshmërisë, e ka masën e vet sipas nevojës, sepse përndryshe do të ishte lakmues i të ndaluarës dhe kalues i kufijve.
po ashtu, duhet pasur parasysh edhe tre gjëra:
1. Realisht të jetë prezente domosdoshmëria, e jo të jetë kjo thjesht pretekst për lejimin e të ndaluarës së qartë. Kjo i ka argumentet dhe dëshmitë te dijetarët dh ekspertët. Për këtë duhet t’i pyesë dijetarët dhe ekspertët objektiv të ekonomisë dhe financave, njerëz këta që nuk i ndjekin pasionet dhe nuk e shesin botën e ardhshme për interesat materiale: “… e askush nuk të informon ty si i dijshmi (All-llahu).” (Fatir: 14)
2. Nëse mbyllen, para atij që ka nevojë - qoftë individ apo qeveri – të gjitha dyert e hallallit, edhe përskaj orvatjes së hapjes së tyre, si dhe mospasjes alternativa legjitime që e plotësojnë nevojën. Në këtë rast mund t’i shfrytëzojmë gjërat e urrejtura me qëllim që të dalim nga gjendja e ngushtë dhe presioni i saj i ashpër. Ndërkaq, nëse ekzistojnë alternativa tjera dhe hapet ndonjë derë e hallallit, në asnjë mënyrë nuk lejohet të drejtohemi në haram.
3. Që ajo e cila lejohet për raste të jashtëzakonshme të mos shndërrohet në parim të përgjithshëm dhe kriter konstant, por duhet ditur se kjo është një përjashtim i përkohshëm i cili shfuqizohet me eliminimin e domosdoshmërisë. Për këtë, dijetarët ia shtuan rregullës: “Gjërat e domosdoshme i lejojnë ndalesat” një rregull tjetër plotësuese, e që është: “Ajo që lejohet për shkak të domosdoshmërisë, i ka kufijtë e veta.” Kjo është bazuar në ajetin: “… e kush shtërngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat…”  E ai i cili e tejkalon kufirin e të domosdoshmes në kohë ose sasi, ai e ka tepruar.
Më mirë për vëllaun që pyet, e që është plot elan, është që të veprojë gradualisht, gjë që është prej ligjeve të All-llahut në kozmos dhe sheriat, të ngjitet shkallëve prej të parës, një nga një, mos ta kapërcejë realitetin dhe të mundohet t’i përfshijë të gjitha periudhat në një hap, sepse kjo mund ta çojë vetëm në humbjen e fesë dhe të kësaj bote, bashkërisht.

Fusnotat:

1 Transmetojnë Muslimi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Ahmedi në Musned
2 Transmeton Muslimi në kreun e asketizmit dhe ibën Hibani 1/168
3 Transmeton Ahmedi me sened të mirë dhe Hakimi ia konfirmoi autenticitetin
4 Transmeton Buhariu 8/118; Muslimi: Libri i zekatit - kreu 120, dhe të tjerët
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>