“NXITIMI ËSHTË PREJ DJALLIT”

PYETJA: Shpeshherë dëgjojmë që njerëzit në raste të ndryshme t’i përdorin dy fjali që nuk përkojnë njëra me tjetrën. Fjalia e parë është “Nxitimi është prej djallit”. Fjalia e dytë është “Mirësia më e mirë është ajo që bëhet më me shpejtësi”. Për atë më intereson, këto dy fjali a janë hadithe të të Dërguarit të Zotit, apo jo? Nëse janë fjalë të tij, atëherë si mund t’i harmonizojmë mes veti? Nëse nuk janë fjalë të të Dëguarit të Zotit, atëherë cila fjali është e saktë, e cila e gabuar?

PËRGJIGJJA: Thënia e parë është një pjesë e hadithit: “Maturia është prej All-llahut, kurse nxitimi prej djallit”.1
Lavdimi i durimit dhe përbuzja e nxitimit janë çështje e njohur nga vetë natyra e njerëzve dhe për këtë janë unanim të gjithë, si në të kaluarën po ashtu edhe tash, saqë në fjalët e urta është thënë: “Kush duron, e arrinë atë që e do… Në durim ka shpëtim, kurse në nxitim pendim”.
Markeshi në një varg thotë:
“O miku im që qortohesh, mos u ngut,
sepse suksesi varet nga mosngutja”.
Një tjetër thotë: “Ai që duron, diçka arrinë, kurse ai që ngutet, vetëm gabon”.
Amër ibn El-Asi thotë: “Njeriu prej ngutjes çdoherë vjel vetëm pendim”.
Nxitimi është prej djallit, sepse ai, siç thekson Ibn Kajjimi, te njeriu shkak­­ton hamendje, mendjelehtësi dhe gjaknxehtësi, e ndalon nga kujdesi, maturia dhe butësia, e detyron të bëjë hapa të gabuar, i sjell të liga dhe e privon nga të mirat. Ai është rezultat i dy veseve të shëmtua­ra: përtacisë dhe nxitimit para kohe.
I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ka thënë: “Lutja e robit pranohet, nëse nuk ngutet”.2
Sa i përket thënies tjetër: “Mirësi më e mirë është ajo që bëhet më shpejtë”, hadithologu i njohur El-Axheluni në librin e tij Keshfu-l-hafa thotë: “Kjo thënie nuk është hadith, por është përcjellë në këtë kuptim prej Abbasit [radijall-llahu anhu]. Mirësia kompletohet vetëm atëherë kur realizohet në shpejtësi, sepse kur nxiton me të, atëherë ia sheh hajrin”.
Ka një thënie tjetër që është mjaft e njohur dhe shpesh përdoret: Pritja është më e keqe se vdekja!
El-Birr (mirësia e përmendur) në hadith është nocion shumë më i gjerë sesa thjesht të bërit mirë dikuj. Ky nocion përfshinë çdo vepër të mirë me të cilën afrohemi te Zoti apo u sjellim dobi njerëzve.
Nxitimi në punë të mira dhe bamirësi është vepër e lavdëruar në të cilën na nxisin edhe vetë Kur’ani dhe Sunneti. Në Kur’an gjejmë ajete ku lavdërohen njerëzit e këtillë: “Të tillët janë duke nxituar drejt të mirave dhe të parët do t’i arrijnë ato” (El-Mu’minun: 61); “… përpiqen për punë të dobishme, edhe ata janë prej të mirëve” (Ali Imran: 114); “… andaj ju (besimtarë) përpiquni për punë të mira…!” (El-Maide: 48);  “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në mëkatesh nga Zoti juaj dhe për në Xhennet…!” (Ali Imran: 133)
Thënia e fundit ka kuptim të drejtë dhe nuk bie ndesh me hadithin: “Nxitimi është prej djallit”. Kjo, ngase logjikisht mund të gjykohet për kun­dërthënie ndërmjet dy mendimeve apo çështjeve vetëm atëherë kur konstatohet kolizioni i tyre nga çdo aspekt, ashtu që të mos mund të për­puthen në asnjë mënyrë. Ndërkaq, nëse njëra prej këtyre çështjeve kush­të­zohet me referimin e saj një pozite apo rasti të caktuar, atëherë nuk ka kundërthënie ndërmjet tyre.
Shkencëtarët e hadithit kanë theksuar se maturia lavdohet ndërkaq nxitimi përbuzet nëse plotësohen tre kushte:
I pari: Puna që duhet të kryhet mos të jetë transparente në tregimin e nënshtrueshmërisë ndaj All-llahut; nëse puna është e këtillë, atëherë më mirë është të nxitojmë në kryerjen e saj, që në këtë mënyrë t’i përgjigjemi urdhrit të All-llahut për nxitim në kryerje të punëve të mira. Sa’d ibn Ebu Vekasi transmeton prej të Dërguarit të All-llahut se ka thënë: “Mos­ngu­t­ja është e dobishme në çdo gjë, me përjashtim të punëve të ahiretit”.3
Një njeri i devotshëm njëherë, derisa ishte në nevojtore, e thirri shërbë­torin e vet dhe e urdhëroi që t’i japë lëmoshë një personi të caktuar. Shër­bëtori i tha: “A nuk ke durim sa të dalish prej nevojtore?!” Ai iu përgjigj: “Tash më erdhi ky mendim, për këtë dua të shpejtoj, se nuk jam i sigurt se nuk mund të ndryshoj pasi të dal!”
Transmetohet prej Aliut [radijall-llahu anhu] se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “O Ali, tre gjëra mos i vono: namazin kur të hyjë koha e tij, pëgatitjen e xhenazes kur vdes njeriu dhe fejesën e vajzës beqare, kur për këtë gjen person adekuat”.4
Për këtë hadith tregohet një rrëfim që e shënojnë Ibn Durejdi dhe Aske­riu: Se Muaviju, një ditë, në prani të El-Ehnef ibn Kajsit tha: “Maturia nuk zëvendësohet me kurrgjë”. El-Ehnefi tha: “Përveç tri gjërave: “T’i paraprishë me vepra të mira vdekjes, të shpejtosh në lajmërimin e vdek­jes së dikuj, si dhe ta fejosh vajzën beqare me djalin që është mentor për të”. Njëri prej tyre tha: “Për këtë nuk kemi nevojë për El-Ehnefin”. Një tjetër tha: “E pse?” I pari u përgjigj: “Sepse ne këtë e kemi të trans­me­tuar drejpërdrejt prej të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]”, dhe pastaj e përmendi hadithin në fjalë.5
Gazaliu përmend prej Hatim El-Esamit se ka thënë: “Ngutja është prej djallit, përpos në pesë gjëra të cilat janë prej Sunnetit (rrugës) të të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Të ushqyerit e njerëzve, përgatitja e të vdekurit, martesa e vajzës beqare, pagimi i borxhit dhe pendimi nga mëkatet”.
Ebu-l-A’janasë i është thënë: “Mos u ngut, se ngutja është prej djallit!” Ai tha: “Sikur të kishte qenë ashtu, atëherë Musai nuk do të thoshte: “… e unë u nguta te Ti, o Zoti im, që të jeshë i kënaqur ndaj meje!” (Ta Ha: 84)
I dyti: Ngutja është e shëmtuar nëse është e paprovuar, e paanalizuar dhe e pasqaruar. Ndërkaq, pasi të provohen gjërat, të sqarohen dhe të bëhen analizat dhe konsultimet e duhura, si dhe të falet namazi për kërkim ndihmë prej Zotit të të udhëzojë në ndonjë punë që dëshiron ta bësh - istihare, atëherë nuk ka pse të vonohesh dhe ta ngadalësosh pu­nën, sepse në këtë rast vlera e maturisë shndërrohet në përbuzje heziti­mi dhe ngurrimi. Çdo gjë që e kalon kufirin e vet normal shndërrohet në kundërthënie, për këtë edhe është thënë: Mos u ngut sikur mendje­leh­tët, e as mos hezito sikur frikacakët!
Poeti thotë:

Nëse ke menduar, atëherë vendos,
sepse mendimi e humb vlerën me dilema.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “… e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosin, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që i mbështeten.” (Ali Imran: 159)
I treti: Nxitimi preferohet nëse njeriu frikohet se do t’i kalojë ajo që dëshiron ta realizojë. Nëse është në pyetje ndonjë çështje që është e kufizuar me kohë të caktuar, atëherë njeriu nuk duhet ta teprojë duke u vonuar për shkak gjykimit të ngadalshëm dhe vërtetimit të hollësishëm, ashtu që në këtë mënyrë t’i kalojë koha e caktuar dhe rasti i volitshëm që pastaj të pendohet kur veç më është vonë për këtë.
Për këtë një poet thotë:

Shfrytëzoje rastin, sepse rasti i pashfrytëzuar të bëhet i hidhur.

Fusnotat:

1 Hadithin e transmeton Tirmidhiu prej Sehl ibn Sa’d Es-Saidijut, të atribuar të Dër­gua­rit të All-llahut (merfu’), dhe për hadithin tha se është i gradës “hasenun garib - i mirë i panjohur”. Këtë hadith e transmetojnë Ibn Ebi Shejbe, Ebu Ja’la, Ibn Meni’ë dhe Harith ibn Ebi Usame në përmbledhjet e tyre të haditheve të quajtura “El-Mesanid” të përcjellë prej Enesit: “Maturia është prej All-llahut…” Këtë hadith prej Enesit e transmeton edhe Bejhekiu. Mundhiriu në librin e tij Et-Tergib thotë: “Transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm”. Buhariu dhe Muslimi shënojnë një hadith të përcjellë prej Ibn Abbasit, i cili është dëshmi konfirmuese për hadithin në fjalë. I Dërguari i All-llahut i ka thënë Eshexh Abdu-l-Kajsit: “Ti ke dy veti që i do All-llahu: Butësinë dhe maturinë”.
2 Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi prej Ebu Hurejres.
3 Hadithin e transmetojnë Ebu Davudi, Bejhekiu në librin e tij Shu’abu-l-iman dhe Hakimi. Ky i fundit thotë: “Hadithi është i vërtetë konform kushteve të Buhariut dhe Muslimit”.
4 Hadithin e transmeton Tirmidhiu dhe thotë: Ky është hadith garib hasen-i panjohur i mirë. Po ashtu e transmeton edhe Ahmedi në “Musnedin” e tij. Shejh Ahmed Shakiri thotë: “Senedi i tij është i vërtetë (sahih)”. Shih: Vëll. II, hadithi nr. 828. Këtë hadith edhe Irakiu e klasifikon tê gradës i mirë-hasen, mirëpo Ibn Haxheri pohon se senedi i tij është i dobët në librin e tij mbi verifikimin e haditheve të librit “El-Hidaje”. Shih: Ed-Diraje, vëll. II, f. 63; dhe Fejdu-l-Kadir, vëll. III, f. 310.
5 Fejdu-l-Kadir, burimi i përmendur.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>