fetva

RRETH KADASË DHE KADERIT

PYETJA: Çdo gjë që i ndodh njeriut në këtë botë a i është caktuar atij që më parë (në ezel – diturinë e Zotit), suksesi dhe dështimi, lumturia dhe fatkeqësia në këtë botë dhe nëse është prej xhennetlinjve apo banorëve të zjarrit... Atëherë, çfarë rëndësie ka mundi i njeriut? Po ashtu, a ka mundësi që mjekët ta shpëtojnë ndonjë njeri nga vdekja në ndonjë aksi­dent? A ka lidhje me shtimin e rizkut (furnizimit) përpjekja dhe puna e vazhdueshme apo udhëheqja e suksesshme e tregtisë apo bujqësisë, apo rizku është i përcaktuar dhe fiksuar, pa marrë parasysh se a punojmë apo jo?

PËRGJIGJJA: Kjo pyetje, është pyetje e vjetër dhe e njohur. Më duket se kushedi sa të zgjatë koha, kjo do të vazhdojë t’i preokupojë mendjet dhe të përmendet.
Nuk ka nevojë të habitemi për të, ngase Islami ka dhënë përgjigje të mjaftueshme dhe të qartë…
a. Për sa i përket asaj se çdo gjë në këtë gjithësi është e shënuar dhe regjistruar, kjo është prej gjërave të njohura domosdo në fé dhe nuk ka dyshim në të, edhe pse ne nuk e dijmë mënyrën e shkrimit, esencën e tij, por e gjithë ajo që e dijmë është se All-llahu i Madhërishëm e ka krijuar këtë kozmos, me qiejt dhe tokën, gjallesat dhe objektet tjera, sipas për­cak­timit të Tij në ezel (eternitet), dhe se All-llahu i Madhërishëm di çdo gjë dhe përfshinë çdo gjë në dijen e Tij, dhe çdo gjë që ndodh në këtë kozmos të gjerë, ngjan sipas diturisë dhe vullnetit të Tij: “… Zotit tënd nuk mund t’i fshihet as në Tokë e as në qiell as sa grimca e as më e vogël se ajo e as më e madhe, por vetëm sa është evidentuar në librin e sigurt.” (Junus: 61) … Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është (shënuar) në librin e qartë (Lehvi Mahfudh).” (El-En’am: 59) “Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në shënime (libër - Lehvi Mah­fudh) para se të ngjajë ajo, e kjo për All-llahun është e lehtë.” (El-Hadid: 22)
b. Kjo dituri përfshirëse dhe njohuri precize, si dhe ky regjistrim i cili i përmbledh sendet dhe ndodhitë para se të ngjajnë, nuk e mohon mun­din në punë dhe marrjen e masave (marrjen parasysh të shkaqeve).
All-llahu i Madhërishëm, ashtu siç i ka shkruar pasojat, i ka shkruar edhe shkaqet, dhe ashtu siç i ka caktuar rezultatet, i ka caktuar edhe faktorët. All-llahu i Madhërishëm nuk ia shkruan nxënësit vetëm suk­se­sin ashtu që ta arrijë këtë sukses me çdo mënyrë, por ia shkruan atij suk­sesin me mjetet e nevojshme si: zelli, elani, kujdesi, pjekuria, durimi, qëndrueshmëria dhe shkaqet tjera. Edhe e para është e caktuar dhe e shkruar, po ashtu edhe këto të dyjat janë të përcaktuara dhe të shkruara.
Aplikimi i shkaqeve nuk është në kundërshtim me caktimin (kaderin), por të kundërtën, po ashtu edhe ky vet është prej kaderit.
Për këtë, kur u pyet Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] për bar­nat dhe faktorët të cilët e pengojnë të padëshirueshmen, se a kthejnë diçka prej caktimit të Zotit, përgjigjja e tij decide qe: “Vetë ato janë prej caktimit të Zotit”.1
Kur në vendet e Shamit u përhap epidemia, Omeri [radijall-llahu anhu] pas konsultimit me sahabët vendosi që mos të hyjë atje, por të kthehet me muslimanët që ishin me të. Atëherë i thanë: “O udhëheqës i besimtarëve, a ikim prej caktimit të Zotit?” Omeri tha: “Po, ikim prej caktimit të Zotit, në caktimin e Zotit. Çka mendon, nëse ndalesh në dy lugina të tokës, njëra pjellore, kurse tjetra jopjellore, nëse kullot në pjelloren, a nuk e ke kullotur me caktimin e Zotit, dhe nëse e kullot të thatën, a nuk e ke kullotur me caktimin e Zotit?!”
c. Caktimi (kaderi) është çështje metafizike, e pakapshme për ne. Ne nuk e dijmë se një çështje është e caktuar, por e kuptojmë vetëm pasi të ndodhë, ndërkaq para se të ndodhë, ne jemi të urdhëruar t’i ndjekim ligjet (e Zotit) e jetës dhe porositë fetare që ta fitojmë lumturinë fetare dhe të kësaj bote.

Gajbi është libër
që Zoti i botëve e fshehi nga sytë e krijesave
njerëzit prej tij e shohin
vetëm faqen e aktualitetit kohë pas kohe

Ligjet e All-llahut në jetë dhe fé na imponojnë që t’i kemi parasysh shkaqet, siç veproi në këtë mënyrë njeriu me besim më të fortë në All-llahun e Madhërishëm, caktimin dhe vendimin e Tij, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ai u përgatit, i përgatiti ushtritë, dërgoi vëzhgues të situatës, e veshi këmishën e hekurt, e vuri helmetën në ko­kë, i vendosi shigjetarët në hyrje të bregut, i hapi hendeqet rreth Medi­nes, u lejoi muslimanëve të emigrojnë në Abisini dhe Medine, e edhe vet emigroi, i mori të gjitha masat e parapara të sigurisë në shpër­ngul­jen e tij, i përgatiti kafshët që t’i ngarkojë, e mori treguesin e rrugës i cili do ta shoqërojë, e ndërroi rrugën, u fsheh në shpellë. Mori ushqim të mjaftueshëm, e po ashtu edhe familjes së vet i la ushqim të mjaftue­shëm, nuk priti t’i zbresë furnizimi prej qielli; atij i cili e pyeti: “A ta lidh devenë apo ta lë dhe të mbështetem në Zotin”, i tha: “Lidhe dhe mbështetu”.2  Po ashtu ka thënë: “Ik prej atij i cili e ka leprozën, sikur prej luanit”.3, dhe: “Le mos t’u japë ujë të sëmuarave me të shëndoshat”.4 Gjegjësisht, mos t’i përziejë pronari i deveve të sëmura devetë e veta me të shëndoshat, me qëllim që t’i mbrojë ato nga sëmundja.
ç. Atëherë, pra, besimi në caktimin e Zotit nuk është në kundërshtim me punën, mundin dhe orvatjen për arritjen e asaj që dëshirojmë dhe t’i ikim të padëshiruarës; asnjë person i cili ka stagnuar apo është përtac nuk guxon t’ia hudh caktimit të Zotit mundimet dhe fajet e veta, gabi­met dhe mëkatet e veta, ngase ky është argument i paaftësisë dhe ikjes nga përgjegjësia. All-llahu e mëshiroftë Muhammed Ikballin, i cili thotë: “Muslimani i dobët arsyetohet me vendimin dhe caktimin e Zotit, ndër­kaq muslimani i fortë beson se ky është vendimi i All-llahut i cili nuk kthe­het dhe caktimi i Tij i cili nuk mposhtet”.
Kështu besonin muslimanët e parë. Në betejat e çlirimeve islame, Mugire Ibn Shu’be hyri te njëri nga komandantët romakë, i cili i tha: “Kush jeni ju?” Tha: “Ne jemi caktimi i Zotit, All-llahu ju ka sprovuar me ne, sikur të kishit qenë edhe në mjegulla, do t’u hipnim atje apo do të na zbritnit këtu!!”
Njeriu nuk duhet të strehohet në arsyetimet me caktimin e Zotit, për­veç­se pasi ta japë mundin e vet dhe të mundohet maksimalisht, e pas kësaj mund të thotë: Ky është gjykim i Zotit.
Një njeri e rrëzoi një tjetër para Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. I rrëzuari tha: “Më mjafton All-llahu”. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u hidhërua, dhe e pa se ana e jashtme e kësaj fjale flet për besim, ndërkaq ana e brendshme për paaftësi, por t’i duhet të jeshë mendjemprehtë, nëse ndonjë çështje të okupon, thuaj: “Më mjafton All-llahu”.5
d. Prej fryteve të besimit në gjykimin dhe caktimin e Zotit - pasi ta jep njeriu tërë mundin e vet dhe e pret atë që ia ka përgatitur All-llahu - është që të ketë vullnet në rast pesimizmi, vendosmëri me rastin e luftës, trimëri në momentet e rrezikshme, durim kur e godet diçka dhe kënaqje me fitimin hallall kur ndryshojnë hiset e kësaj bote.
Gjatë konfrontimeve do të thotë: Neve do të na godet vetëm ajo që ka caktuar All-llahu.
Në rastin e luftës do të thotë: “… Sikur ne të kishim diçka në dorë në këtë çështje, ne nuk do të mbyteshim këtu…” (Ali Imran: 154)
Në fatkeqësi do të thotë: Zoti ka caktuar dhe çka ka dashur ka bërë.
Udhëheqësit tiranë do t’i thotë: Ti nuk mund ta shpejtosh fundin tim dhe as që do të mund ta ndalosh furnizimin që më takon mua.
Nëse kuptohet kredoja e kaderit (caktimit të Zotit) ashtu si duhet dhe drejtë, ajo mund të formojë prej Ummetit tonë ummet luftëtar dhe të qëndrueshëm, meritor t’i ketë në duar frenat e historisë.

Fusnotat:

1 Transmetojnë Ahmedi, Ibn Maxhe, Tirmidhiu dhe e klasifikon si hadith të gradës “Hasen - i mirë”.
2 Transmeton Ibën Hibani me sened të vërtetë dhe Taberani me sened te mirë.
3 Transmeton Buhariu.
4 Transmeton Buhariu.
5 Transmeton Ebu Davudi.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>