fetva

DREJTËSIA HYJNORE DHE DALLIMI NË FURNIZIM

PYETJA: Ua paraqes një problem timin që përjetova para një viti. Djalli bëri nxitje në zemrën time dhe tek unë filluan të shfaqen pamje të ndryshme që kishin të bënin me dyshimin në Drejtësinë Hyjnore. Fillova ta pyes veten: “Përse Zoti disa njerëzve u jep pasuri, e disa të tjerëve nuk u jep?”, gjë që shkaktoi të hamendem mes humbjes së vizionit të qartë dhe fantazmave… dhe e braktisa namazin… Më në fund iu ktheva vetes. Ndërgjegjja filloi të më mundojë… ende kam dhimbje shpirtërore dhe skepticizëm, që janë rezultat i nxitjeve dhe mendimeve. Pra, cila është forma për ta rikthyer vendosmërinë dhe bindjen, si dhe për ta braktisur insistimin e djallit të mallkuar që të veproj keq?

PËRGJIGJJA: Besimtari mund t’u ekspozohet cytjeve (vesveseve) e t’i shfaqen dertet, por nëse është posedues i besimit dhe bindjes dhe ka pëlqimin e Zotit të Madhërishëm, me të shpejtë mund të eliminohen ato nxitje dhe të zhduken dertet, ndërsa atij t’i rikthehet logjika e imanit, drita e besimit të drejtë dhe qetësia shpirtërore. Ky djalosh, kur iu shfaqën ato nxitje, ka krijuar bindje të gabuar mbi dy gabime trashanike:
I pari: Besimi i tij se pasuria materiale është gjithçka apo gjëja më ma­dhë­shtore në këtë botë dhe se drejtësia kërkon që All-llahu t’i barazojë njerëzit në varfëri dhe pasuri, në kapital dhe pasuri të pakufishme. Ky është gabimi i parë.
Le të dijë ai vëlla se pasuria nuk është mbi të gjitha në këtë botë, asse­si… Sa e sa të pasurve u mungon intelekti, apo u mungon urtësia, u mun­gon shëndeti, mirësitë, ose u mungon gjiri i ngrohtë famiijar, ose u mungojnë fëmijët, e nëse kanë fëmijë, u mungon fëmija i mirë, gruaja e ndershme… dhe u mungojnë shumë elemente.
Shumica e pasanikëve ëndërrojnë të hanë siç ha i varfëri i cili nuk pose­don pos ca dirhemë, ngase mjekët ia kanë ndaluar rreptësisht të konsu­mojë ushqim të pasur me yndyrëra, sheqer apo diç të ngjashme me to, kurse ky posedon arka që lëkunden nga sasia e madhe e floririt dhe argjendit…
Çfarë të bëjë me këto arka? Pra, edhe sikur të jetë i shëndoshë, a mund të hajë më tepër se sa ta mbushë barkun? Ç’është barku? E ç’është lukthi? Pëllëmbë në pëllëmbë, ose më pak. Supozo që njeriu të posedojë një arkë përplot gurë të çmueshëm, a thua i han këto njeriu? A mos i merr me vete në varr? Kurrsesi… Pasuria është mekanizëm i njeriut.
Ai që posedon më tepër ka përgjegjësi më të madhe se të tjerët, në Ditën e Gjykimit do të llogaritet më tepër: “Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.” (Esh-Shuara: 88-89)
“Ditën kur këmbët nuk do të hapërojnë para se të pyetet për katër gjëra: Për jetën si e ka harxhuar, në rini çfarë ka vepruar, për pasurinë prej nga e ka fituar dhe në çka e ka shpenzuar dhe për diturinë çfarë ka vepruar me të”.
Do të thotë, posedimi i pasurisë nuk na qenka gjithçka… njeriu mund të posedojë gjëra tjera të shumta pos kapitalit, e që janë më me vlerë e më të shtrenjta, mirëpo njeriu i ngutshëm, që shpejton tepër, sipërfaqësor, harron mirësitë me të cilat e ka pajisur All-llahu.
Sikur njeriu t’i numëronte mirësitë, do të lodhej dhe nuk do t’i përfshinte të gjitha.
Dhuntinë e të pamurit… sa e vlerëson? Sikur t’i thuhet, ja prej kësaj një mijë ose një milion për t’i marrë sytë e tu… a do të pranosh?!
Sikur njeriu t’i llogarit gjërat dhe dhuntitë që i posedon vetëm në trupin e tij, duke i përfshirë dhe vlerësuar të gjitha, do të arrinin miliona, por realiteti është se këto dhunti nuk mund të vlerësohen drejt e as të gjithëpërfshihen: ”Edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër). (Ibrahim: 43)
Prandaj, përqëndrimi i njeriut vetëm në anën materiale ndikon që ky të bëjë gabimin më të madh, me ç’rast e ndjekin nxitjet dhe brengat e dhimbshme.
Pastaj, a beson ky vëlla që pyet se urtësia qëndron në bara­zinë ndërmjet njerëzve? Vallë, ndoshta urtësia është që njerëzit të jenë të barabartë? Jo pasha All-llahun, nuk është kjo urtësia, nuk është urtësi që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë në çdo gjë. Por urtësia qëndron në dallimet, që të shfaqen fatkeqësitë, të realizohen sprovimet, për t’u karakterizuar mirënjohësi nga mohuesi, i ngutshmi nga durimtari, ai që kryen vepra të mira nga tjetri që vepron ndryshe, ky është zinxhiri që e tërheq qenien e njeriut. Kjo është jeta... arenë e luftës së shenjtë dhe mbrojtjes.
Sikur të dëshironte All-llahu, do t’i krijonte njerëzit në trupa pa ushqim… ku s’do të kenë nevojë për ushqim, pije e as për pasuri, mirëpo madhëria e Tij bëri që njeriu të përbëhet nga instinkti dhe fuqia shtyrëse, që njeriu të ketë nevojë për haje dhe pije, nevojë për shumim, për takime… etj. I Lartësuar qoftë All-llahu që e krijoi njeriun në këtë përbërje. Sikur të gjithë njerëzit të ishin të barabartë, jeta nuk do ta kishte shijen e vet, e as që do të kishte në të urtësi. Për t’u ditur durimi, duhet ekzistuar çështje që të shtynë të durosh; për t’u ditur nxitja dhe bami­rë­sia, duhet ekzistuar çështja që duhet vepruar mirë. Këto vlera njerëzore nuk mund të vijnë në shprehje, pos nëse ekzistojnë dallimet në jetë. Sikur kjo jetë të jetë e tëra ditë dhe dritë, nuk do të ishte nata, të cilën All-llahu e bëri mbulesë për njerëzit.
Doemos të jenë drita dhe errësira, doemos të jenë nata dhe dita… doe­mos të ekzistojnë të gjitha këto.
Gabimi i dytë që bëri ky vëlla është parafytyrimi i gabuar mbi urtësinë e All-llahut, si dhe parafytyrimi i gabuar mbi drejtësinë e All-llahut. Para­fy­tyrimi i drejtësisë dhe urtësisë sipas kritereve të mendjes së tij të kufizuar. A thua kemi të drejtë ne njerëzit t’ia definojmë All-llahut botë­kuptimin e urtësisë, ashtu që urtësia e Tij t’i përshtatet pasioneve tona: “E sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt dhe toka dhe çdo gjë që gjendet në to.” (El-Mu’minun: 71)
Çdo njeri mendon që urtësia do të duhej të përputhej me dëshirat e tij. Sikur kjo të ndodhte me të vërtetë, jeta nuk do të ishte në binarë të vërtetë. I riu i cili natën e dhëndërisë hyn te nusja për herë të parë, thotë: “O Zot, zgjate këtë natë!!” Ndërsa i sëmuri kërkon ndihmë dhe lutet duke thënë: “O Zot, kur do të agojë mëngjesi?!” Cilit prej këtyre t’i për­gjigjet All-llahu?! Ai posedon urtësinë, mund ta dimë, por mund edhe të mos e dijmë se sa fshehtësi të Zotit fshihen.
Po ua shtjellojmë me një shembull të këtij të riu: Tregohet që një njeri me të birin e tij rrinin ulur në kopsht nën një hurmë. Djali dëshiroi të pole­mizojë me babain e vet, prandaj edhe i tha atij: “O babai im, shiko këtë dallim që po shohim, ku qëndron urtësia të cilën po e thua ti, si All-llahu është i urtë dhe i gjithëdijshëm!? Shiko këtë farë të vogël, fara e shalqirit jep fryt shumë të madh, ndërsa hurma, duke e patur në konsi­deratë gjatësinë dhe madhësinë e saj, ka frytin tepër të vogël, i cili as që mund të krahasohet me madhësinë e shalqirit. Do të ishte e udhës ose më racionale që fryti i hurmës të jetë në formën (madhësinë) e shalqirit, për t’u përshtatur me dimensionet e pemës, kurse fryti i shalqirit të jetë në dimensionet e hurmës!” I ati iu përgji “Ndoshta urtësia e All-llahut fshihet në të, e ne nuk kemi dijeni për të”. Më vonë djaloshi u mbështet në shpinë për të pushuar, e gjithashtu edhe i ati i tij u mbështet afër tij. Djaloshit, sapo i mbylli pak sytë, prej së larti i ra një hurmë, me ç’rast e goditi fytyrën e tij dhe i shkaktoi dhimbje. Djaloshi filloi të bërtasë. Babai e pyeti se çfarë ndodhi me të, e ky iu përgjigj: “Më goditi një hur­më nga maja e pemës”. Në këtë babai i tha: “O djali im, falëndero All-llahun që ajo nuk ishte shalqi!” Ky është një shembull konkret që e krista­lizon urtësinë e All-llahut të Madhërishëm, ngase njeriu është i kufizuar dhe i paaftë që ta përkapë tërë këtë urtësi dhe ta përfshijë tërë atë. Kështu atij nuk i mbetet asgjë, pos të thotë siç thanë engjëjt: “Ti je i pa të meta, ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na e mësove Ti. Vërtetë, Ti je i gjithëdijshmi, i urti!” (El-Bekare: 32) Ose të thotë atë që e thanë të devotshmit që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë të ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës: “Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i Lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!” (Ali Imran: 191)
Ky i ri të cilin e kishte pushtuar dyshimi dhe ka vepruar siç ka vepruar, medoemos t’i kërkojë falje All-llahut, t’i pendohet Atij dhe ta ripërtërijë besimin në Të, bindjen e tij në Zot, t’i kthehet namazit, të kontaktojë me dijetarët dhe autoritet fetare, e ndoshta All-llahu e pranon pendimit prej tij e do ta bëjë prej të rinjve të ndershëm… All-llahu është Ai që jep dënimin.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>