fetva

SHËRIMI PËRMES HAJMALIVE DHE LEXIMIT

PYETJA: Unë jam një i ri 27 vjeçar. U martova me një vajzë, kaloi një vit i martesës sonë dhe ne ishim tejet të lumtur. Rastësisht bashkëshortes sime iu shfaqën dukuri të çuditshme pas gjithë asaj qetësie e mirëkupti­mi, që ishin elemente të shtëpisë sonë. Gjendja u kthye në erëra të ashpra dhe vërshime të tmerrshme. Qielli i shtëpisë u mbush përplot britma dhe fjalë të kota të pafrytshme, madje edhe për punët më të vogla. Fillova të mendoj e të mendoj, mirëpo pa ndonjë zgjidhje… Pas një vuaj­t­jeje të gjatë, anëtarët e familjes më këshilluan… Dhe insistonin që këtë çështje t’ia paraqes “El-Mutaviut” (individ që në mënyrë vullne­ta­re fryen, lexon lutje). Nga ky insistim i tepërt iu përgjigja kërkesës së famiijes sime dhe ia shfaqa problemin atij. M’u përgjigj me fjalët se xhin­ni e ka pushtuar kokën e saj… dhe nevojitet t’i lexohet pese­mbë­dhje­të ditë derisa xhinni ta braktisë atë, pas kësaj kohe asaj do t’i për­ga­tisë një “Xhamiatun” (grumbull fjalësh), me ç’rast do t’i bartë në qafë…! Punës ia filloi me të shpejtë… Kaloi afati i caktuar, kurse ajo nuk u shërua… Mbeti ashtu siç ishte më parë… Cili është mendimi juaj rreth këtyre gjërave, a kanë bazë në fé apo janë formë e intrigave, sharllatanëve dhe manipuluesve?

PËRGJIGJJA: Hadithet ekzistuese e qortojnë muslimanin për këto çështje dhe ia ndalojnë atij të mbështetet në kërkimin e ilaçeve dhe shërimit në këto hajmali. Islami i quajti “temaim”, e ato janë gjëra që ua vëndonin në qafë fëmijëve dhe të tjerëve për të zbrapsur xhinnin apo syrin e keq dhe të ngjashmet me këto. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Vërtetë rukja, hajmalitë dhe tevleja1 janë idhujta­ri”.2 Rukja është t’i lexohen atij që synohet fjalë që fare nuk i kupton… Ky lloj është i ndaluar… pos asaj që është transmetuar paraprakisht nga Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] si fjalët: “O Zoti im, Zoti i njerëzve, largoi tronditjet, kërkojmë prej Teje shërim, ngase Ti je Ai që shëron, nuk ka shërim pos shërimit Tënd, e që nuk mbetet sëmundje pa u shëruar”.3
Dijetarët kanë thënë se rukja lejohet me tre kushte:
1. Të bëhet përmes të përmendurit të All-llahut dhe emrave të Tij;
2. Të bëhet në gjuhën arabe, në gjuhën që domethëniet e saj janë të qarta;
3. Të besohet se ajo vetvetiu nuk shëron, por shërimi arrihet me cakti­min e All-llahut të Madhërishëm.
Hajmalitë që i mbanin, e që edhe shumë njerëz të këtyre ditëve i mbajnë, që i quajti “El-Xhamiatu”, e disa të tjerë i quajnë mburojë apo mbulesë etj., të gjitha këto i ndaloi Islami. Një delegacion i përbërë prej dhjetë anëtarëve erdhi te Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] për t’i dhënë besëlidhjen. Me nëntë prej tyre lidhi besëlidhjen kurse me njërin jo, e kur u pyet pse veproi kështu, u përgjigj: “Ngase në një pjesë të supeve të tij bart hajmali”. Njeriu e futi dorën e tij brenda, e këputi atë dhe Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ia dha besëlidhjen këtij, me ç’rast tha: “Ai i cili bart hajmali ka bërë shirk”, do të thotë e bartë dhe zemra e tij është e lidhur për të. Transmetoi Imam Ahmedi nga Umran bin Husajni se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e pa në supet e njeriut dhe i tha atij: “Ç’është kjo?” (duke e urrejtur veprimin e tij). Ai u përgjigj: “E barti për shkak të “El-Vahines” (sëmundje që i kishte kap­lu­ar supet e tij)”. I tha: “Ajo vetëm se ta shton edhe më tepër rraskapitjen. Lar­goje prej vetes, ngase nëse vdes, e ajo duke qenë varur te ti, asnjëherë nuk do të shpëtosh”. Duke iu referuar kësaj, sahabët dhe tabi’inët në masë të madhe e kanë urrejtur këtë, saqë Hudhejfeja, kur pa një njeri i cili kishte pasur një pe të këtij lloji, ia lexoi fjalët e All-llahut të Madhërishëm: “Dhe shumica e tyre nuk e beson ndryshe All-llahun, vetëm se duke i shoqëruar (zota të tjerë).” (Jusuf: 106) Transmetohet nga Seid bin Xhubejri se ka thënë: “Ai i cili mënjanon nga qafa e njeriut hajmalinë, i ka shpërblimet sikur të lirojë një rob”, do të thotë sikur vetë të ketë liruar një rob. Transmetohet nga Ibrahim En-Nehaiu - njëri nga tabi’inët e mëdhenj - se ka thënë: “Të gjitha hajmalitë i urrenin, ato që përmbajnë citate të Kur’anit dhe ato që nuk përmbajnë”. Madje edhe hajmalitë që përmbajnë citate të Kur’anit… do të thotë nëse bartin edhe ajet kur’anor dhe të ngjashme. Disa njerëz e lejuan këtë, kurse të tjerët e ndaluan, e që është edhe konkludimi se të gjitha llojet e hajmalive nuk janë të lejuara, duke i patur parasysh argumentet e rëndësishme:
1. Hadithet që ndalojnë janë të përgjithshme dhe nuk kanë bërë dallim ndërmjet llojit të hajmalive dhe tjerave. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur ia urrejti veprën njeriut që kishte varur hajmalinë, nuk i tha: “A ka në të Kur’an apo jo?”, por ia urrejti hajmalinë, pavarësisht se çfarë është ajo.
2. Nga këndi Sedu Dherai, mbyllja e rrugicave, ngase ai që e varë Kur’anin bartë edhe të tjerat, sepse ai që sheh nuk e di a është prej Kur’anit apo jo.
3. Këto gjëra e vënë Kur’anin në sprovë dhe degradim… ngase ai do të futet me to në vende të ndyta, me ç’rast kryen nevojën dhe pastrohet. Ndonjëherë njeriu mund të jetë xhunub (i papastër) ose gruaja të jetë me të përmuajshmet, e ata e bartin këtë me vete, në të cilën figurojnë ajetet fisnike të Kur’anit Famëlartë.
Për këto arsye, është më se e vërtetë se të gjitha llojet e hajmalive janë rreptësisht të ndaluara. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në këtë kontekst, duke u lutur kundër atyre që bartin hajmali me vete, ka thënë: “Ai që bartë hajmalinë, All-llahu kurrë mos ia plotësoftë atij, e ai që vëndon rruza, All-llahu kurrë mos ia realizoftë atij”4, gjegjësisht All-llahu kurrë mos e lejoftë të jetojë i qetë.
Këto janë mësimet e Islamit. Ky vëlla qe pyet kishte obligim të domos­doshëm që gruan e vet me këtë diagnozë ta dërgojë për te mjeku, ngase ose do ta shëronte ose do ta drejtonte te ndonjë specialist që e shëron këtë lloj sëmundjeje. Ai Doemos duhet t’i para­qitet mjekut që ta shërojë atë. Në këtë kontekst Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Shërohuni o robër të All-llahut, ngase All-llahu për çdo sëmundje ka caktuar edhe ilaçin e saj…”5
Në Sahihun e Buhariut është regjistruar hadithi i Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Shërimi është në tri gjëra: ngrënien e mjaltit, apo në mehxhemin, apo në kejin me zjarr”.6
Pra, shërimin nuk e ka paraparë në hajmalitë, as në leximin e as në gjëra tjera të ngjashme, por në gjërat e natyrës së realtë, e ato janë gjithë­për­fshi­rëse të mjekësisë, që konsumohen përmes gojës. Sot kemi injeksio­nin dhe të ngjashmet me të, mehxhemin: intervenimet kirurgjike, El-Kejin: terapitë me rrymë elektrike. E tërë kjo është mjekësi që e solli Islami dhe e porositi i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i cili është shëruar duke u shërbyer me hixhamen si dhe me vizitën e mjekut. Ai urdhëroi sahabët dhe popullin e tij që të shërohen. Pra, më parësore për ne është ta pasojmë Sunnetin e të Dër­gua­rit të All-llahut, e t’i flakim këto farë lloj mekanizmash, ngase ato janë, siç tha edhe pyetësi, “mekanizma për të jetuar manipuluesit”.
Lusim All-llahun të jetë i kënaqur me veprat tona dhe të na përgatit udhë­zim të drejtë në të gjitha çështjet tona, të na ndihmojë ta kuptojmë fenë tonë derisa të mësojmë ta ndjekim rrugën e drejtë, shtegun e vërte­të. Vërtet Ai dëgjon dhe është afër nesh.

Fusnotat:

1Et-Tevletu” është lloj i sihrit me ç’rast gruaja, siç supozojnë, shërbehet me të për t’u bërë më e dashur te burri i saj.
2 Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Davudi, Bejhekiu, Hakimi e vlerësoi te vërtetë dhe Dhehebiu e vërtetoi këtë.
3 Transmetuar nga Ahmedi dhe Buhariu prej Enesit.
4 Transmetuar nga Ahmedi, Hakimi dhe Ebu Ja’la me sened të mirë.
5 Transmetuan Ahmedi, As’habu Sunen dhe Ibn Hibbani.
6 Mehxhemi është vend ne qafë me ç’rast nxirret gjaku përmes gotës, (shënim i përkthyesit).
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>