fetva

MOSAGJËRIMI I PLAKUT, SHTATZËNËS DHE GJIDHËNËSES

PYETJA: A lejohet për plakun në moshë të shtyer të mos agjërojë në Ramazan dhe me çka obligohet në këtë rast ai? A i lejohet gruas shtatzënë të mosagjërojë në Ramazan duke u frikuar për foshnjen se mund të vdesë? Me çka obligohet ajo në këtë rast? Dhe a lejohet përdorimi i parfumit në Muajin e Ramazanit?

PËRGJIGJJA: Sa i përket pyetjes së parë, përgjigjja është se lejohet për plakun në moshë të shtyer, të cilin e lodhë agjërimi dhe e mundon atë me mundim të madh, dhe sikurse ai është edhe plaka në moshë të shtyer. Natyrisht pra, u lejohet atyre dyve të mos agjërojnë në Ramazan dhe sikurse ata dy është edhe çdo i sëmurë që nuk ka shpresë për shërimin e sëmundjes së tij. I sëmuri me sëmundje kronike, për të cilin mjekët kanë ardhë në përfundim se ai nuk mund të shërohet, apo ajo sëmundje i është rrënjosur atij - dhe për këtë arsye i lejohet atij të mos agjërojë. Këta persona, nëse nuk agjërojnë janë të obliguar për kompen­sim, ushqim ditor i një të varfëri, që është mirësi (leje) dhe lehtësim prej All-llahut. All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju”. (El-Bekare: 185); “Dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi”. (El-Haxhxh: 78)
Ibn Abbasi [radijall-llahu anhu] ka thënë: “I është lejuar plakut në moshë të shtyer të mos agjërojë dhe të ushqejë për çdo ditë nga një të varfër, pra ai nuk obligohet me kaza (agjërim të mëvonshëm)”. 1
Ka transmetuar Buhariu nga ai përafërsisht nga kjo: Sa për plakun në moshë të shtyer dhe të ngjashmit me të është shpallur ajeti kur’anor, ku All-llahu thotë: “E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor) i një të varfëri, e ai që nga vull­neti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të”. (El-Bekare: 194)
Domethënë kush shton më tepër se ushqimi i një të varfëri, kjo është më e vlefshme dhe e përjetshme për të tek All-llahu. Pra, plaku i shtyer në moshë, gruaja e shtyer në moshë dhe i sëmuri që nuk ka shpresë për shërim të sëmundjes së tij, të gjithë këta nuk duhet të agjërojnë dhe janë të obliguar për kompensim ushqimin ditor të një të varfëri.
Sa i përket pyetjes së dytë: A i lejohet gruas shtatzënë të mos agjërojë në Ramazan, nëse i frikohet vdekjes së foshnjes? Po…, ajo nuk duhet të agjërojë. Madje, nëse vërtetohet kjo frikë, apo ia ka vërtetuar këtë mjeku musliman i besueshëm në mjekësinë dhe fenë e tij, e ka për obligim të mos agjërojë, për të mos i vdekur foshnja e palindur. All-llahu i Madhë­ri­shëm ka thënë: “Të mos i mbytni fëmijët tuaj…” (El-En’am: 151) Ky është shprit i nderuar, për çka nuk i lejohet burrit e as gruas që të jenë të pamatur (të pakujdesshëm) për të dhe në këtë mënyrë ta sjellin atë deri në vdekje.
All-llahu i Madhërishëm nuk i ka detyruar robërit e Tij me vështirësi (vuajtje) asnjëherë. Është transmetuar nga Ibn Abbasi po ashtu se shtatzëna dhe gjidhënësja përfshihen në ajetin kur’anor: “E ata që i rëndon agjërimi (nuk mund të agjërojnë) janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor) i një të varfëri”.
Nëse shtatzëna dhe gjidhënësja frikohen për vetveten, shumica e dijetar­ve thonë se ato nuk duhet të agjërojnë, por e kanë të obliguar agjërimin - kaza (më vonë). Ato të dyja në këtë gjendje janë në pozitën e të sëmurit.
Ndërsa, sa i përket shtatzënes dhe gjidhënëses nëse frikohen për fatin e foshnjes, përkatësisht fëmijës në këtë gjendje të njëjtë, dijetarët janë kundërshtuar, pasi ia kanë lejuar asaj mosagjërimin me bashkëpëlqim, a obligohet ajo me kaza, apo obligohet me ushqim të një të varfëri për çdo ditë të mosagjërimit, apo obligohet me kaza dhe ushqim për të varfërin së bashku. Pra, janë kundërshtuar në këtë: Ibn Umeri dhe Ibn Abbasi ia lejojnë asaj ushqimin për një të varfër, ndërsa shumica e dijetarëve thonë se ajo obligohet me kaza, ndërsa disa dijetarë ia obligojnë asaj kazanë dhe ushqimin së bashku. Mua më duket se vetëm ushqimi ditor i një të varfëri është i lejuar, pa kazanë, për sa i përket gruas të cilës i renditen një pas një shtatzënia dhe gjidhënia, kështu që nuk mund të gjejë kohë për kaza. Ajo një vit është shtatzënë, pastaj vitin tjetër është gjidhënëse dhe pas atij viti përsëri është shtatzënë e kështu me radhë… I renditen një pas një asaj shtatzënia dhe gjidhënia, kështu që nuk mund të gjejë rast apo kohë për kaza. Pra, nëse e obligojmë atë me kaza për të gjitha ditët të cilat nuk i ka agjëruar për shkak të shtatzënisë apo gjidhënies, do të thotë se pos kësaj ajo obligohet të agjërojë disa vjet me radhë. Në këtë ka shumë vështirësi, ndërsa All-llahu nuk dëshiron vështirësi për robërit e Tij.
Kjo është përgjigjja e pyetjes së dytë.
Ndërsa sa i përket pyetjes së tretë për përdorimin e parfumit në Muajin e Ramazanit, ai është i lejuar dhe nuk e ka ndaluar askush përdorimin e tij në Ramazan, e as që ka thënë dikush se ai e prish agjërimin.
All-llahu e di më së miri.

Fusnotë:

1 Kanë transmetuar Darakutni dhe Hakimi, të cilët e kanë vërtetuar.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>