fetva

QËNDRIMI I MUSLIMANIT NË VËSHTIRËSI DHE TELASHE

PYETJA: Jam nxënës. Jetova pak vite të lumtura me familjen time. Pastaj më vdiq babai, ndërsa nëna ime pasi e përfundoi periudhën e pritjes (idetit) u martua me një tjetër. Jetova dy vite me nënën dhe burrin e saj, e pastaj ai më përzuri prej shtëpie. Mbeta pa baba dhe pa nënë që do të më mëshironin, nuk njoh të kem familje timen... Ç’të bëj, a të bëj vetëvrasje, apo të bëj durim? Apo çka tjetër?

PËRGJIGJJA: Ti o biri im nuk ke zgjidhje tjetër jashta se të durosh, sepse me këtë na ka urdhëruar All-llahu, që ta përdorim si armë, bashkë me namazin, në përballimin e vështirësive të jetës: “O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtetë All-llahu është me durimtarët.” (El-Bekare: 153) Durimi është çelës i heqjes së brengave, dhashtë Zoti.
Muslimani duhet ta përballojë jetën me gjakftohtësi, shpirt të fortë dhe vullnet të hekurt. Poashtu, ai duhet të jetë më i fortë se vetë ngjarjet, me mbështetjen në All-llahun, mbajtjen e fortë për litarin e Tij. Ai duhet të ketë bindje të plotë në All-llahun, të ketë besim se e nesërmja do t’i takon atij, se pas natës do të gdhijë mëngjesi dhe pas vështirësisë do të vijë lehtësimi. Gjendja e tillë e rëndë të vazhdojë pa kufi është absurd. Shumë prej atyre për të cilët dëgjojmë në histori janë edukuar në shkollën e dhimbjes dhe privimit. Qe caktim i Zotit për pejgamberët e Vet që të vuajnë prej fëmijërie, nuk kemi parë që ndonjë pejgamber të ketë lindur në bollëk apo luks.
Pjesa më e madhe e pejgamberëve lindën në djepin e dhimbjes dhe gjirin e vuajtjeve. Musai [alejhis-selam] që në momentet e lindjes u hudh në det, pasi All-llahu e inspiroi nënën e tij që ta gjuajë atë në det pa mos u frikësuar dhe pa mos u zemëruar. Pastaj atë e mori një armik i All-llahut dhe i tij, Faraoni, i cili për ta shporrur prej vetes Musain [alejhis-selam] i vriste djemt e Beni Israilëve. Por ndodhi mrekullia hyjnore, dhe Musai rritet në shtëpinë e Faraonit dhe rritet e zhvillohet në prehërin e tij.
Në Kur’anin famëlartë e lexojmë rrëfimin mbi Jusufin [alejhis-selam] dhe shohim se si ai iu ekspozua vuajtjeve që në fëmijëri... e xhelozuan vëllezërit, pastaj deshën ta mbysin që ta shporrin prej vetes. Për këtë propozuan ta gjuajnë në bunarë, dhe njëmend edhe e hudhën, e pastaj ai u nxorr prej atje dhe u dërgua në tregun e robërve ku u shit sikur që shiten delet. Më pas u shfrytëzua si shërbetorë nëpër shtëpi sikur përdoren edhe robërit, më vonë u akuzua për amoralitet të cilin nuk e kishte bërë, u veprua me të sikur që veprohet me të degjeneruarit, e më në fund mbaroi në burg sikur kriminelët.
E pas kësaj çka ndodhi?
Pas këtyre sprovave All-llahu e përforcoi në tokë, u bë autoritet i lartë në Egjipt, u bë njeri me ndikim, në dorë të tij ishin finansat, furnizimi dhe të gjitha çështjet e ekonomisë në ato rrethana të vështira dhe uri tmerruese e cila atëbotë i kishte kapluar vendet e Lindjes.
Kjo u realizua në saj të durimit, sikur që thotë All-llahu i Madhërishëm në rrëfimin e Jusufit: “...pse ai që ruhet dhe bën durim, s’ka dyshim, All-llahu nuk humb shpërblimin e punëmirëve.” (Jusuf: 90)
Devotshmëria dhe durimi janë dy çelësa të fitores dhe rruga e shpëtimit në këtë botë dhe botën tjetër.
Ndërkaq, për sa i përket vetëvrasjes, kjo është ide që nuk duhet të sillet në kokën e muslimanit.
Për fat të keq shumë tregime, përralla dhe drama që iu shkruhen muslimanëve mbarojnë me vetëvrasje, sikur nuk ekziston rrugë për shpëtimin e njeriut dhe strehim nga jeta e mundimshme, ose prej kurthave të kësaj jete, përpos vetëvrasjes.
Assesi... Shpirti i njeriut nuk është pronë e tij, por është pronë e All-llahut të Madhërishëm.
Andaj, njeriu në asnjë mënyrë nuk duhet ta nëpërkëmb këtë send të lënë në besë dhe këtë gjë që e ruan, e të ndahet prej kësaj jete me vetëvrasje.
Vetëvrasja është prej mëkateve më të mëdha, gati i afrohet kufrit – mosbesimit, Zoti na ruajt, sepse kjo në vete përmban mesazh të pesimizmit në mëshirën e Zotit. All-llahu  i Madhërishëm thotë: “... e mos e humbni shpresën nga mëshira e All-llahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në All-llahun.” (Jusuf: 87)
Këtë nxënës e porosis që të jetë durimtar dhe i përmbajtur, të formojë qëllim të fortë, vullnet të çeliktë, besim të fortë, t’i tejkalojë të gjitha pengesat, si dhe mos ta stopojnë vështirësitë e jetës dhe barrierat e saj.
Shpresat janë që All-llahu ta bëjë mëngjesin të gdhijë për të, sepse agimi vjen pasi të kaplohet nga terri i natës një kohë, agimi do të vijë me ndihmën e Zotit, nuk ka dyshim në këtë... Le ta pranon jetën me durim të mirë, All-llahu e ndihmon dhe e përqëndron në të vërtetën. Ndoshta do të ketë në shoqëri njerëz që do ta dëgjojnë këtë dhe do të kujdesen për të, sepse prej veprave më madhështore është ndihmimi dhe bamirësia ndaj bonjakut, dhe shtëpia më e mirë është ajo shtëpi në të cilën ka një bonjak të cilit i bëhet mirësi.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>