fetva

A I PRANOHET AGJËRIMI BRAKTISËSIT TË NAMAZIT

PYETJA: A pranohet agjërimi prej lënësit të namazit? Apo të gjitha ibadetet (adhurimet) janë të ndërlidhura njëra me tjetrën, ashtu që nuk pranohet asgjë nga to nëse lihet ibadeti tjetër?

PËRGJIGJJA: Muslimani është i obliguar që t’i kryejë të gjitha ibadetet: të falë namazin, të japë zekatin, të agjërojë Ramazanin dhe të kryejë haxhxhin kur të ketë mundësi. Kush e lë njërin prej këtyre obligimeve (farzeve) pa kurrfarë arsye, All-llahu e llogarit atë. Dijetarët islamë për këtë çështje kanë mendime të ndryshme. Prej tyre ka që mendojnë se ai bën kufr (mosbesim) me lënien e njërit prej këtyre ibadeteve. Ka prej tyre që e konsiderojnë pabesimtar lënësin e namazit dhe atë që nuk e jep zekatin dhe ka prej atyre që e konsiderojnë pabesimtar vetëm lënësin e namazit, për shkak të vendit apo pozitës së tij në fenë e All-llahut, ashtu siç transmetohet në hadith: “Ndërmjet robit dhe ndërmjet mosbesimit është lënia e namazit”.1
Ata që ndajnë mendimin se lënësi i namazit me qëllim është pabesimtar, ata nuk mendojnë t’i pranohet agjërimi i tij, për arsye se pabesimtarit esencialisht nuk i pranohet asnjë ibadet.
Ka prej dijetarëve islamë që ia pranojnë atij besimin dhe Islamin e tij përderisa beson në All-llahun dhe në Të dërguarin e Tij dhe për atë me çka ka ardhur ai nuk është mohues (injorues) dhe as i dyshimtë. Ky grup i dijetarëve mjaftohet duke e cilësuar atë mëkatar ndaj urdhrit të All-llahut.
Ndoshta ky mendim – All-llahu e di më së miri – është fjala më e drejtë dhe më afër të vërtetës. Në bazë të kësaj, në qoftë se ai nuk i kryen disa ibadete për shkak të përtacisë apo epsheve, por nuk është mohues e as që tallet me këto ibadete – dhe i kryen disa ibadete të tjera, në këtë rast ai konsiderohet musliman jo i plotë, besimtar i dobët dhe ekziston rreziku për besimin e tij në qoftë se vazhdon në lënien, por All-llahu nuk ia humbë shpërblimin e ndonjë vepre të mirë që e ka kryer. Pra, ai te All-llahu është i pranuar në bazë të veprës së tij: Ai shpërblehet për atë që e ka kryer (nga urdhrat e All-llahut), ndërsa dënohet (ngarkohet me mëkat) për ato urdhra (obligime) që nuk i ka kryer: “Dhe çdo vepër, qoftë e vogël dhe qoftë e madhe është radhitur (evidentuar në Levhi Mahfudh) (El Kamer: 53).
“E kush bëri ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë” (Ez Zelzele: 7-8).

Fusnotë:

1 Transmeton Muslimi.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>