fetva

SHPEJTIMI NË NAMAZIN E TERAVIVE

PYETJA: Çfarë është dispozita e shpejtimit në namazin e teravive?

PËRGJIGJJA: Është vërtetuar në Sahihul-Buhari dhe Sahihul-Muslim se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kush e kalon Ramazanin në adhurim (fal namazin e teravive) me besim të plotë dhe sinqeritet, All-llahu ia fal atij mëkatet e mëparshme”.
All-llahu i Madhërishëm e ka obliguar agjërimin në ditët e Ramazanit dhe përmes gjuhës së Të dërguarit të Tij ka porositur teravitë në netët e agjërimit. Këtë (namazin e teravive) e ka bërë shkak për t’u pastruar nga mëkatet dhe gabimet, por me kusht që këtë namaz, me të cilin falen mëkatet dhe lahen ndytësirat, muslimani ta kryejë në mënyrë të plotë me të gjitha kushtet e tij, elementet, rregullat dhe normat e tij. Kurse e kemi të njohur se qetësia (mosshpejtimi) është kusht prej kushteve të namazit, sikurse janë: leximi i Fatihas, rukuja, sexhdeja etj.
Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur e ka parë dikënd nga njerëzit që faleshin para tij se është i pakujdesshëm në namaz dhe nuk ia jep namazit hakun e tij prej qetësisë, i ka thënë atij: “Kthehu dhe fale namazin, sepse vërtet ti nuk je falur”. Pastaj e mësoi si mund të jetë namazi i pranuar dhe i tha: “Bëne rukunë derisa të qetësohesh në ruku’ë, drejtohu derisa të qetësohesh në këmbë (kijam), bëne sexhden derisa të qetësohesh në sexhde, ulu në mes dy sexhdeve derisa të qetësohesh ulur dhe kështu me radhë”. 1
Qetësia (kujdesi) në të gjitha këto kushte është element i patjetërsueshëm. Dijetarët nuk janë në pajtim rreth shkallës së kujdesit (qetësisë) të kushtëzuar: Prej tyre ka që thonë se shkalla më e ulët është sa të thuhet një madhërim për All-llahun, si p.sh. të thotë një herë në sexhde: Subhane rabbijel-a’ëla, ndërsa disa prej tyre, si Imam Shejhul-Islami, Ibn Tejmijje, kanë kushtëzuar që shkalla e kujdesit në ruku’ë dhe sexhde të jetë rreth tre madhërime (tesbihë), sepse transmetohet në Sunnet se madhërimi i All-llahut (tesbihu) është tre herë. Kjo është shkalla më e ulët dhe patjetër e ke të qetësohesh derisa i thua tre tesbihët. All-llahu i Madhërishëm thotë: Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit” (El Mu’minun: 1-2).
Përulja është dy llojesh:
Përulja e trupit dhe përulja e zemrës.
Përulja e trupit: Është që të qetësohet trupi dhe mos të luajë (mos të tallet), si dhe njeriu mos të rrotullohet sikur rrotullimi i dhelprës, mos të shpejtojë gjatë rukuve dhe sexhdeve, por ta kryejë namazin me të gjitha kushtet dhe normat e tij, ashtu siç e ka obliguar All-llahu i Madhërishëm.
Pra, është e domosdoshme përulja e trupit dhe është e domosdoshme përulja e zemrës.
Përulja e zemrës: Është përkujtimi i madhështisë së All-llahut të Madhërishëm, e kjo realizohet nëpërmjet përcjelljes së kuptimeve të ajeteve të cilat lexohen, me përkujtimin e Ahiretit dhe me përkujtimin se namazxhiu gjendet në prani të All-llahut të Madhërishëm. All-llahu i Madhërishëm në hadithin-kudsijj thotë:
“E kam ndarë namazin mes Meje dhe robit Tim në dy pjesë: Kur të thotë robi: “Elhamdu lil-lahi rabbil-alemin” (Falëndërimi i takon vetëm All-llahut, Zotit të botëve), All-llahu i Madhërishëm thotë: “Më falënderoi robi Im”. E kur të thotë:“Err-rrahmanir-rrahim” (Bamirësit të përgjithshëm, Mëshirëbërësit), All-llahu i Madhërishëm thotë: “Më lavdëroj Mua robi Im”. E kur të thotë: “Maliki jevmid-din” (Sunduesit në Ditën e Gjykimit), All-llahu i Madhërishëm thotë: “Më madhëroi robi Im”. E kur të thotë: “Ijjake na’budu ve ijjake neste’in” (Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ti kërkojmë ndihmë!), All-llahu i Madhërishëm thotë: “Kjo është mes Meje dhe mes robit Tim”. E kur (robi) të thotë: “Ihdines-siratal-mustekim” (Udhëzona për në rrugën e drejtë), All-llahu i Madhërishëm thotë: “Kjo është për robin Tim dhe robit Tim i takon ajo për të cilën është lutur”. 2
All-llahu i Madhërishëm nuk është larg namazxhiut, por Ai i përgjigjet atij dhe është e domosdoshme që muslimani namazxhi të pëlqejë (t’i lutet) me All-llahun e Madhërishëm dhe ta përgatisë zemrën e tij në çdo lëvizje prej lëvizjeve të namazit, në çdo kohë prej kohëve të namazit dhe në çdo kusht prej kushteve të tij.
Ata të cilët falin namaz dhe synimi (vëmendja) i tyre është si të dalin më shpejtë nga namazi, të çlirohen më shpejtë prej tij dhe ta pranojnë atë si barrë mbi shpinën e tyre, atëherë ky namaz nuk është namazi i kërkuar. Shumë njerëz gjatë Ramazanit i falin 20 apo 23 rekate brenda disa minutave. Gjithë vëmendja e tyre është të kalojë namazi shumë shpejtë dhe ta përfundojnë atë sa më shpejtë që të jetë e mundur, pa plotësimin e rukuve, sexhdeve dhe përuljes së tij. Ky namaz është ashtu siç transmetohet në hadith: “Ngrihet në qiell, por ai (namaz) është me ngjyrë të zezë dhe i errët. I thotë namazxhiut të këtillë: Të humbtë All-llahu, ashtu si më humbe”.
Ndërsa namazi i kryer me përulje, qetësi dhe kujdes ngrihet në qiell i bardhë, i shkëlqyer, e i thotë namazxhiut të vet: “Të ruajtë All-llahu, ashtu si më ruajte”.
Këshilla ime për shumë imamë dhe namazxhi të cilët falen me këtë numër (20) rekate pa kurrfarë rregullsie, pa përulje, pa gatishmëri të zemrës dhe pa qetësi të trupit, është që t’i falin tetë rekate me qetësi, përulje dhe saktësi, dhe kjo është më mirë sesa njëzet rekatet të cilat i falin me pakujdes dhe me shpejtësi. Rëndësia (kuptimi) e namazit nuk qëndron në sasi dhe shumë rekate, por rëndësia e tij është në mënyrën se si kryhet dhe llojin e kryerjes… Rëndësia në vetë namazin, a është ai namaz i të (devotshmëve) përulurve, apo është namaz i grabitësve (mashtruesve)…
Lusim All-llahun e Madhërishëm që të na bëjë prej besimtarëve të devotshëm.

Fusnotat:

1 Transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe As’habus-Sunen nga Ebu Hurejre.
2 Transmeton Muslimi.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>