fetva

PËRPUTHSHMËRIA ME JEHUDËT NË AGJËRIMIN E ASHURES

PYETJA: Në hadith thuhet se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur erdhi në Medine i gjeti jehuditë duke agjëruar Ditën e Ashures, ai agjëroi dhe urdhëroi me agjërimin e saj. Si mund të pajtohet kjo me urdhrin e tij që të mos veprojmë si ithtarët e feve të shpallura në shumë çështje?

PËRGJIGJJA: Hadithi për të cilin na sinjalizon pyetësi është hadith i përfshirë në përmbledhjet e Buhariut dhe Muslimit nga Ibn Abbasi [radijall-llahu anhu] i cili ka thënë: Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] erdhi në Medine dhe i pa jehudët duke agjëruar Ditën e Ashu­res, dhe tha: “Ç’është kjo?” Ata thanë: “Ditë e mirë në të cilën All-llahu e kishte shpëtuar Musain [alejhis-selam] dhe Beni Israilët nga armiqtë e tyre, dhe për këtë agjëroi Musai”. (Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]) Tha: “Unë kam më shumë të drejtë për Musain se ju”, dhe e agjëroi ai atë ditë dhe urdhëroi të tjerët të agjërojnë.
Nuk është çudi se pyetësi pyet, si mund që agjërimi i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] të jetë në harmoni të plotë me agjërimin e jehudëve, kur dihet se ai kishte kujdes të madh në mosngjasim të vepri­meve me ata të cilët nuk besuan, me ithtarët i librit të shpallur dhe me mushrikët. Ai kishte urdhëruar për këtë mosngjasim në disa hadithe si: “Ndryshoni (mos veproni) nga jehudët dhe krishterët… dhe ndryshoni nga pabesimtarët”.
Praktikuesit e haditheve të transmetuara nga Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] shohin se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] këtë ditë e kishte agjëruar para emigrimit. Madje arabët në xhahilijet e agjëronin dhe e madhëronin këtë ditë, e po në këtë ditë e mbulonin Qaben. Thuhet se ata këtë e kishin mësuar nga Sheriati i mëparshëm. Transmeton Akremete se kurejshët bënin mëkate në xhahilijet, e ajo madhë­rohej në gjoksat e tyre, e u tha atyre: “Agjëroni Ditën e Ashures, ju falen ato mëkate nga ju”.
Atëherë del se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] agjërimin e Ashures nuk e filloi në Medine, e as që agjëroi që t’u bashkangjitet jehu­dëve, por e tha atë që e tha: ”Ne kemi më shumë të drejtë në Musain se ju”, urdhëroi në atë që urdhëroi duke vërtetuar madhërinë e tij, duke përforcuar dhe duke u treguar jehudëve se feja e All-llahut të Madhëri­shëm në të gjitha kohët është një, kurse pejgamberët janë vëllezër dhe secili prej tyre kishte vënë nga një tullë në ndërtimin e të vërtetës. Gjith­ashtu u tregoi atyre se muslimanët kanë më shumë përparësi në nderi­min dhe respektin e çdo të dërguari të All-llahut Madhërishëm. Ata (jehudët) janë që bënë devijimin e shpalljes së Tij dhe e ndërruan fenë e tyre. Nëse Dita e Ashures ishte dita e shkatërrimit të Faraonit dhe dita e ngadhnjimit të Musait [alejhis-selam], ajo gjithashtu nënkupton ngadh­nji­min e të vërtetës me të cilën e ka dërguar All-llahu i Madhërishëm Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Atëherë, nëse Musai [alejhis-selam] këtë ditë e ka agjëruar në shenjë falënderimi All-llahut të Madhërishëm, muslimanët kanë më shumë të drejtë të pasojnë Musain [alejhis-selam] se sa jehudët.
Dita e Ashures është ditë madhështore, ngase këtë ditë ndodhën shumë fitore dhe ngadhnjime të së vërtetës mbi të pavërtetën, fitore të imanit mbi kufrin. Imam Ahmedi ka regjstruar nga Ibn Abbasi se këtë ditë ka shpëtuar edhe anija e Nuhit [alejhis-selam] e për këtë në shenjë falën­derimi ndaj All-llahut të Madhërishëm agjëroi Nuhi [alejhis-selam].
Kjo ngjashmëri e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me jehudët në agjërim ishte në fillim të periudhës medinase, kur dëshironte ngjashmëri me ithtarët i librit në ato çështje për të cilat nuk ndalohet për t’i përfituar ata, për t’i përfituar zemrat e tyre. E kur u përforcua shoqë­ria islame dhe doli në skenë armiqësia e ithtarëve të librit ndaj Islamit, ndaj Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe familjes së tij, ai urdhëroi në ndryshime. I sqaroi në hollësi ndryshimet, duke e ruajtur esencën e agjërimit të kësaj dite në formë të manifestimit, për vlerën madhështore të kësaj dite. Në këtë rast Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Agjërone Ditën e Ashures, por mos u ngjasoni jehudëve. Para saj agjërone një ditë dhe pas saj një ditë”.1
Në ndryshimin e agjërimit prej jehudëve ndërhynë edhe sahabët e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Nga fundi i periudhës medi­nase, pikërisht për këtë që pyet pyetësi, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] urdhëronte që muslimanët t’i ndryshojnë veprimet e tyre nga jehudët. Imam Muslimi transmeton nga Ibn Abbasi [radijall-llahu anhu] i cili ka thënë: Meqë i Dërguari i All-llahut agjëronte Ditën e Ashures dhe urdhëroi për agjërim të kësaj dite, sahabët i thanë: “O i Dërguari i All-llahut, ajo ditë është që e madhërojnë jehudët dhe krishte­rët”, e Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Vitin e ardhshëm, nëse don All-llahu, do të agjërojmë edhe ditën e nëntë”. Mirëpo kur erdhi viti i ardhshëm Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kishte ndërruar jetë.
Në fund ajo që kuptohet nga kjo përgjigje dhe nga shumë hadithe tjera është se, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk ishte përqën­dru­ar vetëm në agjërimin e kësaj dite, por të njëjtës ia shtoi edhe agjë­ri­min e ditës së nëntë, me qëllim që muslimanët të mos u ngjasojnë jehudëve dhe krish­terëve.
Ibn Kajjimi thotë: “Shkallët e agjërimit të Ashures janë tri: Shkalla më e lartë është që të agjërohet një ditë para dhe një ditë pas Ashures bashkë me Ashuren, shkalla e dytë është të agjërohen dita e nëntë dhe e dhjetë, e për këtë ka shumë hadithe, dhe shkalla e fundit është që të agjërohet vetëm dita e dhjetë e Ashures”.

Fusnotë:

1 Transmeton Ahmedi.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>