fetva

NË CILAT PASURI TË TREGTARËVE JEPET ZEKATI?

PYETJA: Pasuritë (kapitali) në mallrat e tregtisë dhe të tjerat të cilat janë të llojeve të ndryshme, disa prej tyre janë transportuese si: automjetet, traktorët dhe mjetet e llojeve të ndryshme, mallrat tregtare të ushqimeve, rrobave dhe të ngjashmeve me to. Pasuritë e lujtshme (tund­shme) si: zyrat (kabinetet), automjetet që shfrytëzohen në mbarëvajtjen e rrjedhës së punës, mjetet e shkrimit dhe llogarisë, mjetet e ndryshme të shitblerjes dhe orenditë që shfrytëzohen, të cilat arrijnë vlerë të pasurisë së madhe. Pasuritë e palujtshme (patundshme): si ndërtesat tregtare, dyqanet dhe tokat e papunuara.
Borxhet: Nuk janë të gjitha në një shkallë të njëjtë. Disa prej tyre arrijnë me vite, disa të njohura me afat të caktuar dhe disa prej tyre të cilat te njerëzit e llogaritjes njihen si borxhi i vdekur. Pastaj ka pasuri që paraqitet në mallrat e përfaqësive tregtare.
Pra, si jepet zekati për të gjitha këto. Për disa që u përmendën është e njohur dhënia e zekatit të tyre me kushte të njohura në librat e të drejtës islame, ndërsa sa u përket disa të tjerëve, sidomos borxheve të ngrira, ato kanë nevojë për më shumë kuptim dhe sqarim. Për arsye se disa firma (ndërmarrje) dhe disa pronarë të kapitaleve që sinqerisht dëshi­rojnë dhënien e zekatit të pasurisë së tyre në mënyrën që u garan­ton kryerjen e këtij kushti madhështor islam përmes rrugës legjitime dhe të shëndoshë, për vete veç kanë gjetur rrugëdalje për shpëtim duke u mbështetur në autorin e librit “Kuptimi i zekatit”. Shpresoj në përgjigjen tuaj prej të cilës do të kem dobi unë dhe të gjithë muslimanët.
                                                                                   
PËRGJIGJJA: Sa i takon pjesës së parë të pyetjes, e ajo ka të bëjë me pasu­ritë për mjetet transportuese si automjetet, traktorët, mjetet e lloje­ve të ndryshme dhe mallrat tregtare, të gjitha ato hyjnë në atë që e quaj­në juristët (fukahatë) me emrin “Mallrat tregtare” dhe me to kanë për qëllim çdo gjë që konsiderohet për shitblerje me qëllim të fitimit. Pra, derisa këto gjëra janë të destinuara për shitblerje, ato janë mall tregtar ku obligohet dhënia e zekatit.
Sa i përket pasurisë së lujtshme (tundshme), që e përmendi pyetësi në pjesën e dytë, si: zyrat dhe automjetet që përdoren në mbarëvajtjen e pro­cesit të punës, pastaj mjetet e shkrimit dhe llogarisë, mobiliet etj., këto nuk hynë në mallrat tregtare, sepse ato nuk janë gjëra që konsi­de­rohen për shitblerje, por ato janë të destinuara për përdorim (shfrytë­zim). Juristët e kanë theksuar një gjë të këtillë dhe kanë thënë: “Nuk konsiderohen (mallra tregtare për shitblerje) tezgat ku vendosen mallrat tregtare, e as hambaret, peshojat dhe mjetet tjera matëse, e as kafshët për punë të domosdoshme për tregti, për shkak të mbetjes së pasurisë, thelbit të tyre dhe u ngjasojnë mallrave të arritura (të fituara)”1 d.m.th. pronave personale të cilat nuk konsiderohen për rritje (zhvillim). Disa prej tyre (dijetarëve) kanë sqaruar (kanë bërë ndarje) dhe kanë thënë: “Në tezgat në të cilat vendosen mallrat tregtare, si p.sh. llojet e parfu­meve, gjërat e bukura dhe qeset, të cilat i shfrytëzon tregtari i sendeve të bukura; pastaj shala (e kalit) dhe freri, të cilat i shfrytëzon tregtari i kuajve dhe të ngjashme me to: nëse dëshirohet shitblerja e tyre me këto sende, atëherë ato janë pasuri tregtare të konsideruara. Por, nëse me to nuk dëshirohet shitblerja e tyre - por mallrat shiten, ndërsa ato mbeten për shfrytëzim - atëherë ato nuk vlerësohen, çështja e tyre është sikur çështja e mallrave të arritura (fituara). Kjo është ajo çka titullohet në traditën tatimore dhe tregtare me emrin kapitalet themelore.
Sa u përket pasurive të palujtshme (patundshme) të cilat pyetësi i ka paraqitur, si p.sh. ndërtesat tregtare, dyqanet dhe tokat e papunuara, pyetja nuk e ka sqaruar në mënyrë të plotë të vërtetën dhe qëllimin e saj: Ai a bën tregti në këto gjëra? Në kuptimin që ai i blen ato apo i ndërton në llogari të tij, që pastaj të bëjë shitjen e tyre dhe në fund të ketë fitim prej tyre. Nëse këtë të fundit e ka për qëllim, atëherë këto po ashtu janë mallra tregtare dhe ai obligohet në dhënien e zekatit të mallrave tregtare, edhe atë 2,5 për qind të vlerës së tyre.
Nëse shet apo ndërton ndërtesë apo dyqan për ta shfrytëzuar me qira, ky nuk është mall tregtar për vlerën e të cilit duhet të jepet zekat, por zekati obligohet në atë çka e merr prej fitimit (të të ardhurave), në ana­logji me zekatin e tokës, nga e cila jepet zekat nga të ardhurat bujqësore.
Sa i përket asaj se sa obligohet në atë përfitim: a është 2,5 për qind, siç është zekati i të hollave, apo 5 për qind në analogji të prodhimeve të tokës së ujitur me mjete teknike, apo 10 për qind prej përfitimit të pastër pas mënjanimit të shpenzimeve në raport me harxhimet e tij, ekzistojnë disa mundësi, e ndoshta mesatarja është më e afërt, edhe pse e para është më e lehtë dhe më e afërt te njerëzit dhe në atë çka është e njohur tek ata dhe që ka aspektin e vet.
Sido që të jetë, personi musliman duhet që të japë zekat për atë që e ka në dorën e tij të përfituar nga këto shtëpi ose ndërtesa pas marrjes së tyre, në çdo fillim të muajit, dhe mos të presë plotësimin e një viti të hixhretit, duke u mbështetur në argumentet e përgjithshme dhe sipas analogjisë së prodhimeve bujqësore, ku për to All-llahu i Madhërishëm në Kur’an thotë: “Dhe ditën e korrjes (të vjeljes) së frutave jepne atë pjesë që është obligim.” (El-En’am: 141)
Sa u përket borxheve, nëse janë prej atyre që shpresohet kthimi i tyre, atëherë ato konsiderohen sikurse veç i posedon ai ato, kështu që obligohet borxhdhënësi me dhënien e zekatit, për arsye se zekati është pjesë e pronës së plotë dhe në këtë rast prona e tij është e plotë dhe për këtë shkak ai obligohet me dhënien e zekatit çdo vit.
Ndërsa sa u takon borxheve që nuk shpresohet në kthimin e tyre, sikur­se ato të holla që i janë dhënë njeriut që ka falimentuar, apo ndonjërit që e mohon atë, apo nëse s’ka kurrfarë vërtetimi dhe diç të ngjashme me të dhe këtë e bën borxh të vdekur, siç thotë vet pyetja, për këtë nuk jepet zekat, sepse ajo është pasuri jo e sigurtë, siç thonë juristët dhe ai nuk ka posedim të plotë mbi të, sikurse faktikisht nuk është pasuri në zhvillim (rritje) dhe as me forcë, e në qoftë se ai e merr atë më vonë, më së miri është të japë zekatin kur e merr në dorë të vet atë, edhe atë për një vit.
Pasuritë e firmave tregtare - ato mund të jenë në cilësi të sendit të besueshëm (emanet) dhe send i dhënë për ruajtje te përfaqësuesi (vekili). Nëse dora e tij mbi atë pasuri është dora e besnikut, i cili nuk i jep në shitje, për këto pasuri nuk jepet zekat me plotë siguri, ose atij i është dhënë veprim i lirë që të veprojë me atë pasuri si të dojë, pra ai është garantuesi i tyre, atëherë ai është borxhli me çmimin e tyre. Fjala më e pranuar është se nuk ka zekat mbi borxhliun në sasi të borxhit të tij, sepse kjo sasi nuk është e tij. Pra, ai në të vërtetë nuk e posedon atë, e zekati nuk obligohet përveç për atë pasuri që është në posedim të plotë (të personit).
All-llahu e di më së miri!

Fusnotë:

1 Shiko librin tonë “Kuptimi i zekatit” pjesa 1. f. 335, 366.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>