fetva

NDIKIMI I MËKATEVE NË AGJËRIM

PYETJA: Çfarë është dispozita e agjëruesit të Ramazanit nëse përgojon ose gënjen, ose shikon në ndonjë femër të huaj me pasion. A është i shëndoshë agjërimi i tij apo prishet?

 
PËRGJIGJJA: Agjërimi i dobishëm dhe i pranuar është ai që e pastron shpirtin, e përforcon vullnetin e mirësisë dhe rezulton me devotshmërinë e përmendur në fjalën e Të Lartësuarit: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm” (Bekare: 183). Është obligim i agjëruesit të largohet nga çdo fjalë ose vepër që nuk përputhet me agjërimin e tij, në mënyrë që mos të jenë fati i agjërimit të tij vetëm uria, etja dhe privimi. Në hadithin e tij, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Agjërimi është mbrojtje, e ai që është duke agjëruar nuk guxon të flasë fjalë të turpshme e as ta ngrejë zërin, ndërsa në qoftë se dikush e ofendon (shanë) ose e kundërshton (fjaloset me të), le të thotë: “Unë jam agjërues”.1 Gjithashtu, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Ka ndonjë agjërues që ndoshta prej agjërimit të tij nuk ka asgjë përveç urisë dhe ka adhurues që ndoshta prej adhurimit të tij nuk ka asgjë përveç mosfjetjes”.2 Poashtu, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kush nuk largohet nga gënjeshtra dhe veprimi me të, All-llahu nuk ka kurrfarë nevoje që ai të largohet nga ushqimi dhe pija e tij”.3 Ibnul-Arebiu ka thënë: “Kuptimi i këtij hadithi është që ai nuk shpërblehet për agjërimin e tij”, don të thotë se shpërblimi i agjërimit nuk vihet në peshojë për shkak të mëkatit të gënjeshtrës dhe asaj çka u përmend me të.
Ibn Hazmi mendon se këto gjëra e prishin agjërimin, ashtu sikur e prishin ngrënia dhe pija dhe është transmetuar nga disa sahabë dhe tabi’inë çka kuptohet prej tij.
Ndërsa sa na takon neve, mendojmë se mëkatet e humbin (zhdukin) vlerën e agjërimit dhe e prishin qëllimin e obligueshmërisë së tij. Për këtë shkak brezat e parë të besimtarëve të mirë të ummetit i kanë kushtuar rëndësi agjërimit nga fjala dhe vepra jo e mirë (e kotë) dhe nga ndalesa-harami sikurse i kanë kushtuar rëndësi agjërimit nga pijet dhe ushqimet. Omeri [radijall-llahu anhu] ka thënë: “Agjërimi nuk është vetëm largim nga pijet dhe ushqimet, por ai është edhe të larguarit nga gënjeshtra, e pavërteta dhe fjala ose vepra e kotë”. Nga Aliu [radijall-llahu anhu] është transmetuar e njëjta porosi. Transmetohet nga Xhabiri, i cili ka thënë: “Nëse agjëron, le të agjërojnë veshi yt, syri yt dhe gjuha jote nga gënjeshtra dhe mëkatet. Largoja mundimet shërbëtorit dhe të kesh durim dhe qetësi ditën e agjërimit tënd dhe mos e bën të njëjtë ditën e mosagjërimit tënd me ditën e agjërimit tënd”. Ebu Dherri i ka thënë Talik bin Kajsit: “Nëse agjëron, ruaju sa të mundesh”. Kështu që, Taliku kur agjëronte hynte brenda dhe nuk dilte, përveç se për namaz. Ebu Hurejre dhe shokët e tij kur kanë agjëruar janë ulur në xhami dhe kanë thënë: “Po e pastrojmë agjërimin tonë”. Transmetohet nga Mejmun Ibn Mehran, i cili ka thënë: “Agjërimi më i dobët është abstenimi nga ngrënia dhe pija”.
Sido që të jetë çështja, agjërimi e ka ndikimin dhe shpërblimin e tij, ndërsa përgojimi dhe gënjeshtra e kanë dënimin dhe ndëshkimin e tyre te All-llahu i Madhërishëm i Cili në Kur’an thotë: “Tek Ai çdo send është me masë të caktuar” (Er Rrad: 8).
Pra, çdo vepër është me llogari dhe masë (peshojë): “Zoti im nuk gabon e as nuk harron” (Ta Ha: 52).
Dhe analizoje këtë hadith pejgamberik që flet për saktësinë e llogarisë së All-llahut në botën tjetër. Do ta gjesh aty përgjigjen e duhur të kësaj pyetjeje dhe dy pyetjeve tjera të më poshtme: Transmetojnë Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu nga Aisheja [radijall-llahu anha] se një njeri nga shokët e Të dërguarit të All-llahut, [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], është ulur pranë tij dhe ka thënë: “O I dërguari i All-llahut unë kam disa shërbëtorë të cilët më gënjejnë dhe më kundërshtojnë. Unë i rrahë ata dhe i qortoj, e si është pozita ime ndaj tyre?” (d.m.th. Ditën e Gjykimit). I dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] atij i tha: “Llogaritet ajo çka të kanë tradhtuar, kundërshtuar dhe gënjyer, pastaj dënimi yt ndaj tyre. Nëse dënimi yt ndaj tyre ka qenë (më i vogël) më pak se gabimet e tyre, është mirësi për ty, ndërsa në qoftë se dënimi yt ndaj tyre ka qenë aq sa gabimet e tyre, kjo do të ishte e mjaftueshme jo për ty dhe as mbi ty, e në qoftë se dënimi yt ndaj tyre ka qenë më tepër (më i madh) se gabimet e tyre, ata do ta marrin prej teje mirësinë e cila pat mbetur para teje”. Pas kësaj njeriu filloi të qajë në prani të Të dërguarit të All-llahut dhe të bërtasë, ndërsa I dërguari i All-llahut [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Çka ka ai që nuk e lexon Librin e All-llahut?”:
“Në Ditën e Gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës” (El Enbija: 47).
Pastaj, njeriu tha: “O I dërguari i All-llahut: Nuk gjej zgjidhje më të mirë se lirimi i këtyre (shërbëtorëve) – Unë të dëshmoj se të gjithë ata janë të lirë”.

Fusnotat:

1 Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
2 Transmetojnë Nesaiu, Ibn Maxhe dhe Hakimi i cili ka thënë se është i shëndoshë sipas kushtit të Buhariut.
3 Transmetojnë Buhariu, Ahmedi dhe As’habu Sunen.
Shko te faqja: Fetva bashkëkohore>>>>>