VEPRA logo
Logo link

ISLAMI - FE E MODERUAR DHE RRUGËS SË MESME

Abdulvaris RIBO

Islami është fé që thërret në butësi, tolerancë dhe mesatari. Mesataria është tipari më i dalluar prej veçorive të besimit islam, e me këtë edhe karakteristika më e rëndësishme e pjesëtarëve të tij – myslimanëve:
“Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në Ditën e Gjykimit) ndaj njerëzve…” (El-Bekare: 143)
Prandaj do të shohim se Islami ofron mesatarinë dhe maturinë në të gjitha aspektet e jetës njerëzore. Dhe jo vetëm aq, por ai paralajmëron për të dy llojet e ekstremizmi: edhe teprimin në fé dhe lënien pas dore të fesë. Shembujt e mesatarisë dhe maturisë të fesë islame janë të shumtë dhe i përfshijnë të gjitha aspektet e jetës së njeriut. Të gjitha dispozitat islame janë, në fakt, në përputhje me të vërtetën, drejtësinë dhe natyrën njerëzore. Duke pasur parasysh se jetojmë në kohën e materializmit, si shembull të mesatarisë dhe maturisë së rrugës islame do të përmendi shembullin e pasurisë materiale apo pronës. Në aspekt të mirave materiale të kësaj bote kemi dy qëndrime të skajshme. Disa e marrin materien si preokupim dhe qëllim kryesor të jetës. Këta janë hebrenjtë, për të cilët Kur’ani thotë: “Është e sigurt se njerëzit më lakmues për të jetuar, ti ke për të gjetur ata (jehuditë)...” (El-Bekare: 96)
Në skajshmërinë tjetër sa i përket materies kanë shkuar të krishterët, të cilët ia kishin ndaluar vetes dhuntitë e Zotit dhe futën murgërinë si risi në fé:
“... ndërsa murgësinë ata vetë e shpikën. Ne atë nuk ua bëmë obligim atyre, mirëpo edhe pse kishin për qëllim me të vetëm ta arrijnë kënaqësinë e All-llahut...” (El-Hadid:27)
Kur është fjala për materien, Islami mori qëndrim mesatar dhe gjithçkaje i dha të drejtën që i takon:
“Dhe me atë që të ka dhënë All-llahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lë mangu atë që të takon nga kjo botë...” (El-Kasas: 77)
“Thuaj: “Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që All-llahu i krijoi për robtë e vet?...” (El-A’raf: 32)
Në anën tjetër, Islami e ndaloi dashurinë e tepruar ndaj materies dhe preokupimin me të:
“Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer, e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga All-llahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues.” (El-Hadid: 20)

Islami është i lehtë dhe e thjeshtë

Nëse mendojmë më thellë për normat dhe dispozitat islame, do të përfundojmë se Islami është fé që nuk i kalon kufijtë dhe mundësitë e natyrës njerëzore. Islami është rrugë e lartësuar dhe e natyrshme, e cila merr në konsideratë natyrën e njeriut me të gjithë elementet e saj. Mënyra islame e jetës nuk i kalon kufijtë e fuqisë dhe mundësisë të shpirtit njerëzor, përkundrazi, është në gjendje të gjejë rrugën deri tek ai dhe që mundësitë e tij të pastra dhe konstruktive t’i orientojë drejt qëllimeve fisnike dhe të larta.
Ata që mendojnë se Islami është fé jo e natyrshme dhe joreale, dhe se shpirtit njerëzor i imponon mundime të cilat ai nuk mund t’i përballojë, të tillët bindjet e tyre i nxjerrin nga problemet me të cilat ballafaqohen muslimanët, si në Perëndim, ashtu edhe në vendet muslimane, si dhe nga të kuptuarit e Islamit prej atyre grupeve dhe individëve të cilët e paraqesin Islamin si fé e dhunës, gjakderdhjes dhe terrorit.
Kur’ani dhe Sunneti, si burimet kryesore të mësimeve islame, në mënyrë të qartë theksojnë se Islami, me dispozitat e veta, erdhi që njerëzimit t’ia lehtësojë rrugën e lumturisë dhe mirëqenies në të dy botët, e jo që t’ia vështirësojë jetën. Këtë e vërtetojnë shumë ajete kur’anore, e gjithashtu edhe hadithe të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
“ All-llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij...” (El-Bekare: 286)
All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju.” (El-Bekare: 185)
“All-llahu nuk dëshiron (me obligim për abdest e larje) t’ju sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë (prej mëkatëve), t’ua plotësojë të mirën e Tij ndaj jush e që t’i falënderoheni.” (El-Maide: 6)
Kur Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i dërgoi Muadhin dhe Ebu Musain në Jemen, si misionarë të vet, u tha atyre: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos tmerroni.”1
Në një hadith tjetër ka thënë: “Ky besim është, me të vërtetë, i lehtë, dhe askush nuk do të garojë me të, e që ai mos ta mundë.”2
Mendoj se në këtë kontekst është shumë e dobishme të përmendet një përshkrim shumë i bukur i rrugës islame, të cilin e ka bërë mendimtari i respektuar islam, Sejjid Kutbi, i cili thotë: “Rruga e Islamit është e lehtë dhe e butë. Ai inkurajon natyrën njerëzore për të marrë një drejtim, e dekurajon të mos shmanget prej saj, kurse e forcon kur dobësohet. Por, ai kurrë nuk thyen, as që shkatërron, e as që mundohet ta bëjë këtë... Islami e mbjellë farën e vet dhe vigjilon mbi të, duke e lënë të rritet në qetësinë e natyrshme, i sigurt në qëllimin përfundimtar.”3
Është fakt se ekstremizmi fetar ose teprimi në fé është i pranishëm që nga shekujt e parë të Islamit dhe se edhe sot e kësaj dite është i pranishëm në shoqëritë muslimane. Prandaj është shumë me rëndësisë që të shkruhet dhe flitet për këtë problem, si dhe të bëhet përpjekje që të tregohet për shkaqet e ndryshme të tij dhe për zgjidhjet efikase.

Fusnota:

1 Buhariu (5/24) dhe Ahmedi (4/417).
2 Buhariu (1/16) dhe Nesaiu (1/121).
3 Sejjid Kutb, Rrugët e Islamit, f. 25.