prej_erresires

PSE E PËRQAFOVA FENË ISLAME?
SUMAYYA (EVELYN) TONNELLIER

Shumica e njerëzve mund të pyesin se pse vallë një vajzë e re kanadeze e përqafon një fe e cila jo vetëm që e keqtrajton dhe shtyp gruan, po ia merr gjithë lirinë dhe pavarësinë e saj dhe e trajton atë si qytetare të rendit të dytë?
Unë i refuzova akuzat e tilla dhe ua parashtroj këtyre njerëzve pyetjen vijuese: “Pse ndodh ajo që aq shumë gra të cilat kanë lindur dhe janë rritur në të ashtuquajturat ‘shoqëri të civilizuara’ të Kanadasë, SHBA-ve dhe Evropës janë në gjendje ta refuzojnë lirinë dhe pavarësinë e tyre dhe ta përqafojnë një fe ‘e cila ka gjasa që t’i shtypë ato dhe mund të jetë e dëmshme për to’?”
Si femër kanadeze që konvertova në Islam, unë mundem vetëm të prezentoj përvojën time personale dhe të paraqes shkaqet e mia për refuzimin e lirisë të cilën gratë deklarojnë se e kanë në shoqërite perëndimore, në favor të fesë së vetme e cila me të vërtetë i çliron gratë duke ua dhënë një status dhe pozitë e cila është plotësisht e veçantë kur të krahasohet me vlerat jomuslimane.
Si fëmijë i rritur në një familje jo-fetare, unë shpesh i kam pyetur prindërit e mi: “Nëse Zoti ekziston, atëherë kush është Ai dhe prej nga vjen?” Përgjigjja e tyre gjithmonë ishte: “Beso në atë që dëshiron të besosh”. Kjo më hutonte mua, sepse shumica e shoqeve të mia dhe shokëve të mi kishin fenë e tyre. Dhe nuk mund të kuptoja se pse unë nuk kisha.
Më kujtohet kur isha në moshën gjashtë apo shtatë vjeçare, fillova të shkoj kohë pas kohe në Shkollën e së Dielës në kishë me shoqet e mia. E gjeta veten aty shumë të mërzitshme. Nuk ndihesha rehatshëm në mesin e fëmijëve tjerë dhe ndjeja një lloj presioni nga mësuesi dhe fëmijët tjerë për shkak se nuk dija asgjë për Jezu Krishtin. Duke u ndier kështu, ndërpreva shkuarjen në atë shkollë dhe vazhdova të rritem pa fe, pa njohuri për Zotin, gjë që më bëri të ndihem shumë e vetmuar.
Kështu ishte përderisa nuk u regjistrova në shkollën e mesme. Aty mësova mbi fenë në orët e shkencave shoqërore dhe e mbaj mend sikur sot kur mësuesi ynë na tha se gratë në Fenë Islame nuk kanë aspak të drejta, se ato janë të penguara nga arsimimi, se ato janë të obliguara të sunetohen (circumcision) dhe se duhet t’u nënshtrohen burrave, përndryshe burrat mund t’i rrahin ato.
Kjo më bëri të mendoj.
Pavarësisht se çka tha ky mësues, diçka në mendjen time më thoshte se kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Për ironi, pothuajse në të njëjtën kohë kur mësova këtë, takova një musliman, i cili quhej Halid (e që tani është burri im), në vendin ku punoja dhe e pyeta atë lidhur me atë që na kishte rrëfyer mësuesi. Ai u trondit kur dëgjoi se drejtoria e shkollës ishte duke ua mësuar nxënësve këtë mbi fenë Islame dhe më tha se gjithë këto fjalë janë të pavërteta. Kur e diskutoja pastaj këtë me mësuesin tim para shokëve të klasës, mësuesi më thoshte se burimi im i informatave është i gabuar dhe ai i merr këto gjëra nga libri i tij, sepse përndryshe nuk do të mund të na i mësonte këto gjëra. Mësuesi im më bëri që të dukem e marrë. Sidoqoftë, disa nga shokët e mi më besuan.
Vazhdova të bisedoj edhe më tej në punë me Halidin lidhur me gratë muslimane dhe isha shumë kureshtare të di për rolin e gruas muslimane. Më duhet të pranoj se nuk isha çdoherë dakord me atë që thoshte Halidi. Në atë kohë unë akoma isha jobesimtare dhe nuk kuptova tërësisht se ç’është është feja Islame. Isha (dhe akoma jam) gjithnjë e magjepsur me faktin se si gratë muslimane e mbulojnë vetveten, ato gjithnjë duket sikur kanë një shikim të paqes në fytyrat e tyre. Asnjëherë nuk kam besuar se një ditë do të jem njëra nga ato gratë që janë të mbuluara tërësisht.
Dy vite më vonë, unë dhe Halidi u martuam dhe patëm fëmijën tonë të parë, elhamdulilah. Pastaj erdhi në jetë edhe fëmiu i dytë. Pothuajse një vit pas kësaj fillova të ndihem e dëshpruar dhe e dështuar, ndjeja një zbrazëtirë të madhe shpirtërore. Ndjeja sikur një pjesë e madhe e jetës sime akoma më mungonte. Kjo ishte koha kur fillova të lexoj për fetë e ndryshme. Kështu ishte përderisa e bleva përkthimin e Kur’anit Famëlartë, kur definitivisht e kuptova domethënien e vërtetë të jetës dhe se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut. Kur’ani iu përgjigj të gjitha pyetjeve që më mundonin deri atëherë.
Një javë para se të fillonte muaji i shenjtë i Ramazanit, vendosa që të mësoj përmendësh dy sure dhe të mësoj të falem. Në atë kohë e thashë shehadetin, dëshminë se nuk ka Zot tjetër pos All-llahut. Më nuk ndihesha e deshpëruar dhe besoja në Zotin Një. Ishte kjo një ndenjë e papërshkruar e udhëzimit prej All-llahut të Madhërishëm.
Vërja e shamisë për herë të parë më bëri që të ndihem sikur në vete kam më shumë paqe, unë isha dikushi, dhe jo vetëm dikushi, por muslimane. Isha (dhe jam) duke e mbrojtur veten nga mëkatet. Ndihesha shumë më afër All-llahut, sepse Ai në Kur’anin Famëlartë ka urdhëruar gratë që të mbulohen.
E di në zemrën time se e ka shqetësuar shumë burrin tim fakti që të ketë një grua që jo vetëm se e ka përqafuar fenë Islame, por ta shohë atë duke e praktikuar fenë atëherë kur ai nuk e bënte këtë. Burri im dhe unë tani më nuk kemi dallime në edukimin e fëmijëve tanë (si muslimanë) dhe asnjëherë nuk kemi qenë aq të lumtur, që kur ai dhe unë filluam ta praktikojmë Islamin.
Jeta ime ka ndryshuar shumë që prej kur unë kam përqafuar Fenë Islame (gjithnjë për të mirë) dhe e dua çdo minutë të saj! E këshilloj çdonjërin, qoftë musliman, krishter, jehud apo hindus që ta merr një kopje të Kur’anit Famëlartë dhe ta lexojë të tërin, e jo vetëm një pjesë të tij.
Zoti ua dhashtë të gjithëve fuqinë dhe kurajon që më dha mua gjatë viteve të kaluara.
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>