prej_erresires

NJOHJA DHE ZGJIDHJA

Nga Aminah Assilmi

Unë isha duke kompletuar fakultetin e rekreacionit kur takova muslimanin e parë. Ishte viti i parë që ne mundeshim të para-regjistrohemi përmes kompjuterit. U para-regjistrova dhe shkova në Oklahoma për t’u kujdesur për një biznes familjar. Biznesi zgjati më shumë se sa mendoja, ashtuqë u ktheva në shkollë dy javë pasi që kishte filluar semestri.
Nuk isha e brengosur për arritjen e mësimit të humbur. Ulesha në pjesën e përparme të klasës, në fushën time. Edhe pse isha student, kisha fituar mjaft çmime në gara me njerëz profesional.
Tani ju duhet të kuptoni se përderisa isha duke ndjekur kolegjin dhe dallohesha si student i mirë, kisha biznesim tim dhe kisha shumë shokë të ngushtë, unë isha tepër e turpshme. Isha shumë e ngadalshme në njoftimin e njerëzve dhe rrallë i flisja ndokujt, veçse kur isha e detyruar për një gjë të tillë ose kur tanimë i njihja ata. Orët që i ndjekja kishin të bëjnë me administrim dhe planifikim qyteti, plus programe për fëmijë. Fëmijët ishin njerëzit e vetëm me të cilët ndihesha e rehatshme.
Por, t’i kthehemi tregimit. Kompjuteri kishte përgatitur një befasi të madhe për mua. Unë isha e regjistruar në klasën e Teatrit... klasë ku duhet të aktroj në skenë, para njerëzve. Isha e tmerruar! Prej turpit unë nuk mundesha të parashtroj pyetje në klasë, e si tani do të dal në skenë para njerëzve? Bashkëshorti im ishte person i qetë dhe i arsyeshëm. Ai më sugjeroi që të flas me profesorin, t’ia sqaroj problemin dhe të vendosi të ngjyrosi skenën ose të qepi kostumet. Profesori pranoi që të gjejë ndonjë mënyrë për të më ndihmuar. Kështu, të martën e ardhshme shkova në klasë.
Kur hyra në klasë, unë u ballafaqova me befasinë e dytë. Klasa ishte përplot me ‘arabë’ dhe ‘kalorës të deveve’. Unë asnjëherë nuk kisha parë asnjë prej tyre, përveçse kisha dëgjuar për ta.
Nuk kishte asnjë gjasë që unë të ulem në një dhomë përplot me paganë të fëlliqur! Për më tepër, mund të marrësh ndonjë sëmundje të tmerrshme prej këtyre njerëzve. Çdo kush e dinte se ata janë të papastër, dhe se nuk mund t’ju besohet. E përplasa derën dhe u ktheva në shtëpi. (Tani, këtu është një çështje e vogël që ju duhet ta dini. Isha e veshur me pantollone të ngushta prej lëkure, kapistër (bluzë grash që në anën e prapme duken krahët dhe trupi) dhe kisha një gotë me verë në duart e mia... Por ata ishin të këqinj sipas mendimit tim).
Kur i tregova bashkëshortit tim për arabët në klasë dhe se nuk do të kthehesha më assesi aty, ai u përgjigj në mënyrën e tij të zakonshme, të qetë. Ai më përkujtoi se unë çdo herë kisha pohuar se Zoti ka arsye për çdo send dhe se ndoshta unë duhet të kaloj një kohë duke menduar rreth kësaj para se të vendosi. Ai poashtu më përkujtoi se unë kisha sponzor që paguante harxhimet e mia shkollore dhe se nëse dua të vazhdoj këtë bursë, duhet ta ruaj mesataren. Një notë e dobët do të shkatërronte të gjitha gjasat e mia.
Dy ditë e ardhshme u luta për udhëzim. Të enjten u ktheva në klasë e bindur se Zoti më ka dërguar atje që t’i shpëtoj këta paganë të gjorë e injorantë nga zjarri i ferrit.
Vazhdova që t’ju sqaroj atyre se si do të digjen në zjarrin e ferrit përgjithmonë nëse nuk e pranojnë Jezu Krishtin si shpëtues personal. Ata ishin shumë të sjellshëm, por nuk u kthyen (në fenë krishtere). Pastaj iu sqarova se sa Jezu Krishti i do ata dhe se ai vdiq në kryq për t’i shpëtuar nga mëkatet. E tëra që ata duhet të bënin ishte që ta pranojnë atë në zemrat e tyre. Ata ishin shumë të sjellshëm, por ende nuk u kthyen në fenë krishtere. Atëherë vendosa që ta lexoj librin e tyre, në mënyrë që t’ju tregoj se Islami ishte religjion jo i vërtetë dhe se Muhammedi ishte Zot jo i vërtetë.
Një nga studentët më dha një kopje të Kur’anit dhe një libër tjetër për Islamin. Unë vazhdova me hulumtimin tim. Isha e sigurtë se do të gjej shumë shpejt faktet që më duheshin. E lexova Kur’anin dhe librin tjetër. Pastaj lexova edhe 15 libra tjerë dhe Sahihul Muslimin, dhe përsëri iu ktheva Kur’anit. Isha e vendosur që t’i kthej ata në fenë krishtere. Studimi im vazhdoi edhe një vit e gjysmë.
Gjatë asaj kohe fillova të kem disa probleme me bashkëshortin tim. Isha e ndryshuar vetëm në disa imtësira, por mjaft që ta shqetësoj atë. E kishim zakon të shkojmë në bar çdo të premte dhe të shtunë, ose nëpër mbrëmje gazmore, kurse unë tanimë nuk doja të shkoj. Isha më e qetë dhe më e largët. Ai ishte i sigurtë se unë kisha lidhje dashurie me ndonjë tjetër, ashtuqë më përzuri jashtë. U vendosa në një apartament me fëmijët e mi dhe vazhdova me përpjekjet e mia të vendosura që t’i kthej muslimanët në fenë krishtere.
Një ditë dikush trokiti ne derë. E hapa derën dhe pashë një njeri me xhybe të gjatë e të bardhë dhe me turban kuq e bardhë në kokë. Ai ishte i shoqëruar me tre njerëz në pixhame. (Ishte hera e parë të shoh veshjen e tyre kombëtare). Isha pak e ofenduar nga këta njerëz me veshje nate në derën time. Ç’farë tip i gruas menduan se jam? A nuk kishin krenari ose dinjitet? Imagjinoni befasinë time kur njëri prej tyre më tha se kishte dëgjuar se kinse unë dëshiroj të bëhem muslimane. Shpejt i informova se nuk dua të bëhem muslimane. Unë isha krishtere. Sidoqoftë, kisha disa pyetje. Nëse ai kishte kohë...
Emri i tij ishte Abdul-Aziz Al-Sheik, dhe gjeti kohë. Ai ishte shumë i durueshëm dhe diskutoi për çdo pyetje me mua. Asnjëherë nuk më bëri që të ndihem si budalla ose të më thotë se pyetja është qesharake. Më pyeti se a besoj se ekziston vetëm një Zot, e unë thashë po. Pastaj më pyeti se a besoj se Muhammedi është i Dërguari i Tij. Prap thash po. Pastaj ai më tha se unë tanimë jam muslimane!
Unë e binda se jam krishtere, unë vetëm doja që ta kuptoj fenë islame. (Në brendi timen mendoja: nuk mund të bëhem muslimane! Unë jam amerikane dhe racë e bardhë! Çfarë do të thoshte bashkëshorti im? Nëse jam muslimane, duhet që ta prish martesën me bashkëshortin tim. Familja ime do të vdes!)
Vazhduam të bisedojmë. Më vonë ai më sqaroi se arritja deri te dituria dhe kuptimi i natyrës shpirtërore është sikurse hipja në shkallë. Nëse hipë në shkallë dhe përpiqesh që t’i kërcesh disa sosh, ka mundësi që të rrëzohesh. Shehadeti ishte vetëm hapi i parë në shkallët. Ne ende duhej të flasim për gjërat tjera.
Atë pasdite, me 21 maj 1977, në kohën e ikindisë, unë e thashë Shehadetin. Sidoqoftë, këtu kishte akoma disa gjëra që nuk mund t’i pranoja dhe ishte natyra ime që të jem plotësisht e sinqertë, ashtuqë shtova edhe një mohim. Thashë: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër pos All-llahut dhe Muhammedi është i dërguari i Tij. Por, asnjëherë nuk do t’i mbuloj flokët dhe nëse burri im martohet me ndonjë grua tjetër, unë do ta tredhi (kastroj)”.
Dëgjova disa zëra nga njerëzit tjerë që ishin me të në dhomë, por Abdul-Azizi i heshti. Më vonë kuptova se ai u kishte thënë vëllezërve që asnjëherë mos të diskutojnë këto dy çështje me mua. Ai ishte i sigurtë se unë do të vij deri te kuptimi i vërtetë.
Shehadeti ishte vërtetë hapi i parë në shkallët e diturisë shpirtërore dhe afërsisë te Zoti. Por ishte kjo hipje e ngadalshme. Abdul-Azizi vazhdoi edhe më tej që të më vizitojë dhe t’u përgjigjet pyetjeve të mia. All-llahu e shpërbleftë për durimin dhe tolerancën. Anjëherë nuk më qortoi ose nuk më tha se ndonjë pyetje imja ishte pa vend ose e pa logjikshme. Çdo pyetje timen e trajtoi me dinjitet dhe më tha se pyetja e vetme budallaqe ishte pyetja që asnjëherë nuk ishte parashtruar. Hmmm... gjyshja ime e kishte zakon të thotë këtë.
Ai sqaroi se All-llahu na ka thënë që të kërkojmë dituri dhe se pyetjet ishin një nga rrugët për të përfituar atë. Kur ai shpjegonte diçka, ishte sikur të shohësh një trendafil duke u hapur - fletë pas flete, përderisa të arrijë bukurinë e tij të plotë. Kur i thoja se nuk pajtohem me diçka dhe shkakun e kësaj, ai çdo herë thoshte se jam korrekte për atë çështje. Pastaj më tregonte se si të shikoj më thellë dhe prej pikëpamjeve tjera të arrij kuptimin e plotë. Elhamdulilah!
Gjatë këtyre viteve kisha shumë mësues. Secili prej tyre ishte i posaçëm. Të gjithë ata i falënderoj për diturinë që më dhanë. Secili mësues më ndihmoi në rritjen e besimit tim dhe për shtimin e dashurisë ndaj Islamit. Ashtu si rritej dituria ime, ndryshimet në mua u bënë më shumë të dukshme. Brenda një viti unë isha duke mbajtur hixhab. Nuk kam idenë fare se kur fillova. Erdhi natyrishëm, me shtimin e diturisë dhe kuptimit. Me kohë u bëra ithtare e poligamisë. E dija se nëse Zoti e ka lejuar atë, me siguri se aty ka diçka të mirë:
“Madhëroje larg të metave Zotin tënd, më të lartësuarin! I Cili krijoi dhe përsosi. Dhe i Cili përcaktoi e orientoi. Dhe i Cili mundësoi mbirjen e kullosës. E pastaj atë e bëri mbeturinë të zezë. Ne do ta lexojmë ty e nuk do të harrosh (Kur’anin). Përveç asaj që All-llahu dëshiron. Ai e di të haptën e të fshehtën. Dhe Ne do të drejtojmë ty në më të lehtën. (A’la: 1-8)
Kur fillova të mësoj fenë islame, nuk shpresoja që të gjej aty çfarëdoqoftë që kisha nevojë apo që doja për jetën time personale. Nuk e dija se feja islame do ta ndryshojë jetën time. Asnjë njeri nuk do të mund të më bindte se së fundi do të jem në paqe dhe e mbushur me dashuri dhe gëzim për shkak të fesë islame.
Ky libër fliste për VETËM NJË ZOT, KRIJUESIN E UNIVERZIT. Ai përshkruante mënyrën e bukur në të cilën Ai e kishte organizuar botën. Ky Kur’an i mrekullueshëm i përmbante të gjitha përgjigjet. All-llahu është i Përzemërt! All-llahu është Burim i Paqes! All-llahu është Mbrojtës! All-llahu është Falës! All-llahu është Furnizues! All-llahu është Ruajtës! All-llahu është Bujar! All-llahu është Përgjegjës! All-llahu është Mëshirues! All-llahu është Zgjërues!
“A nuk ta hapëm Ne gjoksin tënd? Dhe Ne hoqëm prej teje barrën tënde e cila shtypte shpinën tënde. Dhe Ne ta ngritëm lart famën tënde? E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.” (Al Inshirah: 1-6)
Kur’ani drejton të gjitha çështjet e jetës dhe tregon rrugën e qartë për sukses. Është sikur hartë për falje, udhëzim për jetë.

Si e ndryshoi Islami jetën time

“Sa shumë e duam dritën... Nëse dikur kemi jetuar në errësirë”.

Kur në fillim e përqafova Islamin, vërtetë nuk kam menduar se jeta ime do të ndryshojë aq shumë. Feja Islame jo vetëm që ndikoi në jetën time, por e ndryshoi atë plotësisht.
Jeta familjare: Bashkëshorti im dhe unë e donim shumë njëri-tjetrin. Ajo dashuri reciproke akoma ekziston. Kur fillova të mësoj fenë islame, filluam të kemi disa vështirësi. Ai e vërejti se jam duke u ndryshuar dhe nuk e kuptonte se ç’farë po ndodh. Poashtu, as unë nuk e kuptoja. Ai mendonte se gjëja e vetme që mund të më bëjë të ndryshoj ishte ndonjë burrë tjetër. Nuk kishte mënyrë që ta bindi atë se as vetë nuk e dija se ç’ishte ajo që më ndryshonte.
Pasiqë vërtetova se isha muslimane, kjo fare nuk ndihmoi në çështjet. Në fund të fundit... arsyeja e vetme që një grua të ndryshojë diçka fundamentale si religjioni i saj është ndonjë tjetër burrë. Ai nuk mund të gjente të dhëna për atë burrë tjetër... Por, sipas tij, ai duhet të ekzistonte. Përfundimi ynë ishte shkurorëzimi shumë i neveritshëm. Gjyqi vendosi se feja joortodokse do të mund të ishte e dëmshme për zhvillimin e fëmijëve të mi, ashtuqë ata i larguan prej mbikqyrjes time.
Gjatë shkurorëzimit, ishte kjo një kohë kur unë duheshte të bëj zgjidhje. Mund ta braktisja Islamin dhe të jetoj me fëmijët e mi, ose t’i braktis fëmijët e mi dhe të jetoj me fenë time, Islamin. Isha në një gjendje shoku. Për mua kjo nuk ishte zgjidhje e mundshme. Nëse e braktis Islamin... me këtë do t’i mësoja fëmijët e mi si të bëhen mashtrues. Në asnjë mënyrë nuk mundesha ta mohoj atë që ishte në zemrën time. Nuk mundesha ta mohoj All-llahun, jo vetëm atëherë, por asnjëherë. Fala namazin si asnjëherë më parë. Pasi kaluan tridhjetë minuta, e dija se nuk ka vend më të sigurt për fëmijët e mi sesa në mbrojtjen e All-llahut. Nëse e mohoj Atë, nuk do të kishte asnjë mënyrë në të ardhmen që t’iu shpjegoj fëmijëve të mi mrekullitë e Islamit. I thashë gjyqit se do t’i lë fëmijët e mi në mbrojtjen e All-llahut. Ky nuk ishte refuzim i fëmijëve të mi!
E braktisa gjyqin duke e ditur se jeta pa fëmijët e mi do të jetë shumë e vështirë. Zemra ime qante, edhe pse e dija, në brendinë time, se kam bërë gjënë e drejtë. Gjeta lehtësim në Ajetul-Kursij:
“All-llahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij. Ai është mbikqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm. Atë nuk e kap as kotja as gjumë, gjithçka ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij; e di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen; nga ajo që Ai di, tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar, Kursija e Tij (dija-sundimi) përfshijnë qiejt dhe tokën. Kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë, Ai është më i larti, më i madhi.” (El Bekare: 255)
Ky ajet më shtyri që të shikoj në të gjitha cilësitë e All-llahut dhe të zbuloj bukurinë e secilës prej tyre.
Braktisja e fëmijëve dhe shkurorëzimi nuk ishin problemet e vetme me të cilat ballafaqohesha. Edhe anëtarët tjerë të familjes sime, gjithashtu, nuk e pranonin zgjidhjen time. Shumica e tyre nuk donin të kenë asgjë me mua. Nëna ime besonte se kjo ishte vetëm një fazë e jetës sime dhe se do të kalojë shpejt. Motra ime, ‘ekspert i shëndetit psikik’, ishte e sigurtë se unë e kisha humbur mendjen dhe se duhet të shkoja në spital. Babai im besonte se duhet të mbytem para se të futem më thellë në ferr. E gjeta veten pa bashkëshort dhe pa familje. Çka mund të pasojë?
Shokët: Shumica e shokëve të mi u larguan gjatë vitit parë. Nuk isha më argëtuese. Nuk doja të shkoj nëpër mbrëmje gazmore apo nëpër bare. Nuk isha e interesuar që të gjej dashnor. Sipas tyre, e vetmja gjë që bëja ishte të lexuarit e atij libri ‘budalla’ (Kur’anin) dhe biseda rreth Islamit. Sa njeri i mërzitshëm. Fatkeqësisht, unë akoma nuk kisha dituri të mjaftueshme që t’u ndihmoj atyre të kuptojnë se pse Islami është aq i bukur.
Puna: Puna ime ishte gjëja tjetër që kisha për të humbur. Megjithëse kisha fituar gati se çdo çmim në lëminë time dhe njihesha si njeri i vendosur dhe fitues i të hollave, dita kur e vura hixhabin ishte fundi i punës sime. Tani isha pa familje, pa shokë dhe pa punë.

Në gjithë këtë, drita e parë ishte gjyshja ime. Ajo e pëlqeu zgjidhjen time dhe më përkrahu në të. Ç’farë befasie! Gjithmonë e dija se ajo kishte shumë urtësi, por kjo! Vdiq shumë shpejt pas kësaj. Kur ndalem dhe mendoj rreth kësaj, pothuajse bëhem xheloze. Ditën kur ajo e deklaroi Shehadetin, të gjitha mëkatet e saj u fshinë, ndërsa punët e mira ishin të ruajtura. Ajo ndërroi jetë aq shpejt pasi pranoi fenë islame, ashtuqë e dija se ‘LIBRI’ i saj ishte përplot me punë të mira. Kjo më bëri të jem shumë e gëzuar!
Përderisa dituria ime rritej dhe isha më e aftë dhe më e përgatitur që t’u përgjigjem pyetjeve, shumë gjëra ndryshuan. Por, ndryshimet ishin ato që më bënë mua si person që pati ndikim të madh. Disa vite pasi vendimi im u bë publik, nëna ime mu lajmërua dhe më tha se nuk e kishte ditur se çka është ky ‘send Islam’, por shpresonte se unë do të qëndroj si muslimane. Ajo e pëlqente atë që Islami kishte bërë për mua. Disa vite më vonë ajo mu lajmërua prap dhe më pyeti se çka duhet të bëjë personi që të bëhet musliman. I thashë se gjëja e vetme që personi duhet të bëjë është që ta kuptojë se ka vetëm një Zot dhe se Muhammedi është i Dërguar i Tij. Përgjigjja e saj ishte: “Çdo budalla e di këtë. Por çka tjetër duhet bërë?” Ia thashë të njëjtën gjë, kurse ajo tha: “Pra... mirë. Por tani le t’i tregojmë babait tënd”.
Ajo nuk e dinte se ai kishte kaluar përmes bisedës së njëjtë disa javë më parë. Babai im i vërtetë (ai i cili mendonte se unë duhet të mbytem) e kishte bërë këtë gati dy muaj më parë. Pastaj, motra ime, personi i shëndetit psikik, ajo më tha se unë isha personi më i ‘lirë’ që ajo njihte. Ky ishte komplimenti më i madh që kisha pranuar prej saj.  
Në vend që t’ju tregoj se në ç’farë mënyrë secili person e pranoi Islamin, le të them vetëm se shumë anëtarë të familjes sime vazhduan ta gjejnë Islamin për çdo vjet. Isha posaqërisht e gëzuar kur një shok i nderuar, vëllau Qaiser Imam, më tregoi se ish-bashkëshorti im kishte deklaruar Shehadetin. Kur vëlla Qaiseri e kishte pyetur atë pse, ai kishte thënë se më kishte vëzhguar mua për 16 vjet dhe kishte shprehur dëshirë që vajza e tij të ketë atë që unë kisha. Ai erdhi dhe më kërkoi falje për gjithë atë që kishte bërë. Unë ia pata falur shumë kohë më parë.
Tani, djali im më i madh, Whittney, më ka thirrur dhe më ka njoftuar se edhe ai dëshiron të bëhet musliman. Ai planifikon ta deklaron Shehadetin në Kongresin e ISNA-së pas disa jave. Tani për tani ai është duke mësuar sa më shumë që të mundet. All-llahu është Mëshiruesi më i madh.
Gjatë viteve unë jam bërë e njohur për bisedat e mia rreth Islamit dhe shumë dëgjues kanë vendosur që të bëhen muslimanë. Qetësia ime e brendshme ka vazhduar të shtohet me diturinë dhe besimin tim në Urtësinë e All-llahut. E di se All-llahu gjithmonë do të jetë me mua dhe asnjëherë nuk do të më refuzojë. Për çdo hap që bëj drejt Tij, Ai bën 10 hapa drejt meje. Sa dituri e mrekullueshme.
Vërtetë All-llahu më ka sprovuar, siç është e premtuar, dhe më ka shpërblyer aq shumë sa që asnjëherë nuk kam shpresuar. Para disa viteve mjekët më thanë se kam kancer që është i pashërueshëm. Ata më sqaruan se nuk ka ilaç, se kanceri ishte përhapur shumë dhe vazhduan të më ndihmojnë që të bëhem gati për vdekjen time, duke më sqaruar se si sëmundja do të zhvillohet. Kisha ndoshta edhe një vit që të jetoj. U merakosa për fëmijët e mi, veçanërisht për më të voglin. Kush do të kujdeset për të? Por nuk isha e dëshpëruar. Të gjithë do të vdesim. Isha e sigurt se dhimbjet që do të kem përmbajnë në vete bekime.
Më kujtohet një shok i mirë, Kareem Al-Misawi, i cili vdiq nga kanceri kur ishte ende në vitet e njëzeta. Pak para se të vdesë, ai më tha se All-llahu është me të vërtetë i Mëshirshëm. Ky njeri kishte dhimbje tepër të mëdha dhe ndriçonte me dashurinë ndaj All-llahut. Ai tha: “All-llahu dëshiron që unë të shkoj në ahiret me libër të pastër”. Vdekja e tij më bëri që të mendoj rreth diçkasë. Ai më mësoi për dashurinë dhe mëshirën e All-llahut. Kjo ishte diçka për të cilën askush tjetër nuk kishte diskutuar ndonjëherë. Dashuria e All-llahut!
Nuk më mori shumë kohë që të jem e vetëdijshme për Bekimin e All-llahut. Shokët dhe shoqet që më donin dolën në pah nga askund. Edhe më e rëndësishme, mësova se sa ishte e rëndësishme për mua që ta përhap të Vërtetën e Islamit. Nuk kisha dert nëse njerëzit, muslimanë apo jomuslimanë, ishin dakord me mua apo më pëlqenin. Miratimi i vetëm që doja ishte prej All-llahut. Dashuria e vetme që doja ishte prej All-llahut. Tashmë gjeta shumë e shumë njerëz të cilët më duan për hirë të Zotit. U gëzova kur mu kujtua se kisha lexuar se nëse All-llahu të do, Ai do t’i shtyjë të tjerët që të duan. Unë nuk jam e denjë për gjithë këtë dashuri. Kjo do të thotë se kjo duhet të jetë ndonjë dhuratë tjetër prej All-llahut. All-llahu është më i Madhi!
Në asnjë mënyrë nuk mund ta përshkruaj tërësisht se si ndryshoi jeta ime. Elhamdulilah! Jam shumë e lumtur që jam muslimane. Islami është jeta ime. Islami është rrahja e zemrës sime. Islami është gjaku që qarkullon nëpër venët e mia. Islami është fuqia ime. Islami është jeta ime e mrekullueshme dhe e bukur. Pa Islamin unë jam asgjë dhe nuk do të mund të jetoj pa të.
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>