prej_erresires

DËSHMI E CELINE LUDIC

U bëra muslimane gati tre vjet më parë, menjëherë pas muajit të Ramazanit, mes dy Bajrameve

Gjurmimi im shpirtëror ka zgjatur më shumë se tridhjetë vite. Jam e lindur si katolike dhe kam hasur në shumë gjëra me të cilat nuk pajtohesha: kam besuar në Jezu Krishtin, por nuk kam besuar që ai është djalë i Zotit, apo se është Zot. Në vetvete kam konkluduar se ai është Rabin, pasi që ishte çifut i ditur dhe ishte mësues. Për këtë arsye shkova dhe studiova te rabinët dhe mësova Tanakhën, Torën dhe disa nga ligjet e judaizmit. I kam mësuar ligjet e Kosherit dhe mënyrën më të përshtatshme të përgaditjes së ushqimeve dhe rregullat e të qenurit grua. U bë e zakonshme që gruaja dhe burri të luten ndaras, pasi që gratë ishin bashkë. Edhe pse hebreizmi nuk ishte përgjigje për mua, pata përfituar një kuptim për rrugët religjioze dhe spirituale të tij.
Unë atëherë shikoja në spiritualizmin e gruas, por e pashë se i mungon diç, nuk ishte gjithmonë monoteiste në praktikë, pasi që ato besojnë në Hyjnesha dhe shtrembëruan shumë mësime duke zgjedhur rrugë të reja të jetës. Kam pasur shumë vështirësi me Zotin unë si grua, përderisa nuk kuptova se Ai nuk është as burrë. E pëlqeva besimi hebre se Zoti është i padukshëm dhe i panjohur. Për këtë arsye nuk mundesha t’i kuptoj mësimet e tyre, por pajtohesha me çështjen e barazisë së gruas dhe burrit. Andaj i respektoja gjurmimet e tyre, por metodat e tyre nuk më tërhoqën.
Në vitin 1990 mësova mbi spiritualizmin indigjen. Edhe pse ata besojnë në Krijuesin dhe në një botë, unë e kisha patjetër ta gjej spiritualizmin tim. Isha e shokuar kur shteti im Kanadaja shkoi në luftë kundër Mohokëve në vitin 1990. U gjetëm ballë për ballë me ata për pesë vjet të plota. Isha duke punuar në atë kohë, por njëkohësisht mu dha rasti që të zgjedhi, pashë dy rrugë para meje: njëra ishte rruga e Zotit, kurse tjetra ishte rruga e njeriut. E bëra një besëlidhje të vetëdijshme drejt Zotit, se do t’i shërbej Atij dhe do ta shfrytëzoj tërë talentin tim për të përhapur fjalën e Tij dhe porositë e Tij.
E zgjodha rrugën e Zotit në vend të rrugës së “njeriut” - në këtë rast njerëzor. Kur kriza mbaroi pas 5 viteve, Zoti më drejtoi prapë te rrënjët e mia spirituale.
Në pjesën më të madhe të jetës sime kisha shokë dhe shoqe që vinin nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme. Ata ishin çifutë, krishterë dhe muslimanë, por mua nuk më interesonte se vallë a e praktikonin ata religjionin e tyre apo jo, pasi që unë nuk besoja në religjion të organizuar. Tërë jetën time kam qenë shumë e bindur se një ditë do të bisedoj drejtpërdrejt me Zotin, do ta pyes për gjërat që më interesojnë dhe do ta falënderoj për gjithçka që më ka dhënë në jetë. Unë gjithashtu fort besoja në barazinë mes gruas dhe burrit, në barazinë e të gjitha racave para Zotit dhe para njerëzve. Krishterizmi më mësoi për Jezu Krishtin, të cilit i besoja më parë, hebreizmi më tregoi se unë mund të flas drejtpërdrejtë me Zotin, se gratë dhe burrat duhet ta adhurojnë Atë veçmas, dhe se Zoti ka ligje të të ushqyerit. Mohokët më treguan se gratë dhe burrat janë të barabartë, edhe pse kishin obligime të ndryshme. Por ku mund t’i gjej të gjitha këto. Asnjë religjion, asnjë mësim nuk kishte mundësi të mi ofrojë të gjitha këto, por Zoti ishte aty për të më udhëhequr.
Kur isha në moshën njëzetepesë vjeçare, u njoftova me një djalë të ri dhe u dashurova në të. Ai ishte irakian për nga vendlindja, çifut për nga religjioni dhe kishte jetuar në Izrael shumë vite. Ai kishte ardhur në Kanada në vitin 1970, dhe ne u njoftuam dhe u dashuruam. Atëherë kishte luftë mes Izraelit dhe Libanit. Ne duhej që të martoheshim, por ai vendosi të kthehet prapa dhe t’i bashkangjitet ushtrisë izraelite për luftë.
Fatkeqësisht, ai u vra në atë luftë. Për shumë vite me radhë e kam mbajtur dhembjen të shtypur në thellësinë e shpirtit. Por All-llahu e mbrojti zemrën time dhe më dha një dhuratë të madhe. U njoftova me një vajzë libaneze, ajo ishte një shia muslimane. Ajo nuk ishte shumë religjioze, por ishte krenare që ishte muslimane. Ne biseduam dhe unë i tregova se çka kishte ndodhur, kurse ajo më shikoi me lot në sy dhe më tregoi se edhe ajo e kishte humbur vëllaun e saj në të njëjtën luftë. Deri sot e kësaj dite ne ende nuk e dimë se athua vëllau i saj ka vrarë të dashurin tim, apo i dashuri im vëllaun e saj, apo ndoshta është ndonjë variantë krejt tjetër, që ata të mos jenë vrarë mes vete, gjë që edhe është më e mundshme. Ajo që doli prej tërë kësaj ishte se, pas lotëve dhe dhembjes ne u bëmë shoqe shumë të mira, dhe ajo më ndihmoi mua që dalëngadalë ta shëroj shpirtin tim të lënduar. Me këtë rast unë poashtu pashë tmerrin dhe ligësinë e luftës, se si njerëzit vriten mes vete.
Në vitin 1995 ishte një polemikë në Montreal lidhur me gratë që mbajnë mbulesën islame (hixhabin), kështuqë unë vendosa ta dokumentoj këtë rast për nevojat e mia, dhe fillova të intervistoj njerëzit përderisa punoja në një radio për katër vjet, ku përgadisja lajmet nga vendi, Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme. Përmes një shoqeje u njoftova me një grua shumë të mirë irakiane, e cila fliste mbi rëndësinë e veshjes së hixhabit dhe çka nënkuptonte hixhabi për të. Gjëja që më la mbresë tek ajo ishte përkushtimi i thellë i saj ndaj Zotit të cilin ajo e quante All-llah. Isha e impresionuar nga sinqeriteti dhe nga shpirtdëlirësia e saj.
Ajo më sqaroi se çka ishte Islami. Ajo më tha që “Nuk ka Zot tjetër përveç Zotit”, se gruaja dhe burri janë të barabartë, se të gjitha racat njerëzore janë të barabarta para Zotit, se Jezu Krishti ishte i Dërguar i Zotit e jo Zot, se Merjemja, nëna e tij, ishte një shembull i shkëlqyeshëm, dhe se ligjet e Islamit ishin më toleruese se ato çifute. Për habinë time, e gjithë kjo ishte ajo që unë në të vërtetë besoja. Fillova të shoqërohem me të dhe brenda një muaji e deklarova shehadetin dhe u bëra muslimane sikur ajo.
Kjo ishte para tre viteve. Tani unë mbaj mbulesën islame (hixhabin) dhe jam shumë e lumtur. Jam kthyer sërish në Universitet dhe jam duke studjuar religjionet. Lëmia ime është Islami, dhe dua që të arrij sa më shumë, madje edhe të doktoroj dhe të bëhem e aftë në fushën e të drejtave të gruas dhe mbi hadithin. Momentalisht jam duke shkruar një libër në gjuhën angleze mbi gruan dhe Islamin në shekullin e shtatë. Tani kam një Show në radio të cilin e realizoj bashkë me shoqen time përmes së cilës e pranova Islamin. Showi zgjat gjysmë orë. Përmes tij iu drejtohemi grave nga e tërë bota dhe të religjioneve të ndryshme që dominojnë në botë. Jam duke u munduar që me ndihmën e profesorëve dhe udhëheqësve fetarë ta sqaroj Islamin dhe porosinë e tij. Poashtu jam duke u munduar që ta dokumentoj në film jetën e grave muslimane dhe rolin e tyre në shoqëri.
Emri im musliman është Um-Kulthum, njëjtë sikur e ka pasur vajza e Pejgamberit Muhammed. Ajo më inspiroi mua që të bëhem muslimane e mirë.
Ky është rrëfimi im. Dashuria ime e parë ishte për një djalë të ri irakian çifut, i cili vdiq në luftë, me ç’rast u thye zemra ime. Atëherë isha e ndarë në shumë copëza në Liban, përderisa  një grua muslimane libaneze e filloi procesin e shërimit tim. Por zemra ime u shërua nga një person tjetër irakian, kësaj rradhe nga një grua muslimane, pasi që ajo më njoftoi me Islamin dhe më thirri të bëhem muslimane. Fuqia e All-llahut është e madhe - nga dhembja e humbjes së të fejuarit, e gjeta lumturinë në rrugën e jetës e cila më afroi më afër All-llahut.
All-llahu i udhëzoftë të gjithë ata njerëz që kanë zemra të thyera. Dhe mos harroni se porosia e Islamit është ajo e paqes dhe harmonisë. Para se të fillojmë të shërohemi, ne duhet të flasim për dhembjen, duhet të flasim për atë që na mundon, dhe All-llahu do t’i shërojë zemrat tona duke vendosur njerëzit e drejtë në rrugën tonë drejt kërkimit të Tij.
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>