prej_erresires

DYMBËDHJETË ORË E VJETËR

Kanadezja Katherine Bullock mahnitet se si u bë muslimane

Çfarë jam duke bërë unë këtu poshtë? Habitem, hunda dhe balli im janë të shtypur në dysheme përderisa jam e gjunjëzuar në namaz. Kupat e gjurit më dhëmbin, muskujt e krahëve më janë të shtrënguar dhe të lodhur, duke u munduar të largoj shtypjen e ballit tim. I dëgjoj shprehjet e huaja të personit që është duke u falur afër meje. Është në gjuhën arabe, dhe ata kuptojnë atë që thonë, edhe pse unë nuk e kuptoj. Kështu unë i formuloja fjalët e mia, duke shpresuar që Zoti do të jetë i mëshirshëm ndaj meje, një muslimane e vjetër vetëm dymbëdhjetë orë. Mirë. O Zot, unë e kam pranuar Islamin për shkak se të besoj Ty, dhe për shkak se Islami ka domethënie për mua. Vallë e thashë me të vërtetë unë këtë? Dhe përnjëherë fillova të qaj. Çka do të thonë shokët dhe shoqet e mia nëse më shohin të tillë, duke u përkulur, duke shtypur hundën time në dysheme?... Ata do të qeshnin me mua. Ata do të më pyesnin se mos vallë jam çmendur. Do të më pyesin se vallë a jam serioze në këtë punë, në religjiozitetin tim… Religjioze… Unë isha dikur një “ateiste medituese” e lumtur, e si tani u ktheva në një besimtare, edhe atë muslimane? E pyes veten. E kthej mendjen time në të kaluarën, dhe sikur vërej një perudhë të rrufeshme në këtë udhëtim timin. Por kur filloi e tërë kjo? Ndoshta atëherë kur për herë të parë takova muslimanë që e praktikonin Islamin. Kjo ishte në vitin 1991, në Universitetin e Mbretëror në Kingston, Ontario, Kanadë. Unë isha një grua me arsye të shëndoshë, tolerante dhe liberale. Isha 24 vjeçare. I vërejta disa gra muslimane duke shëtitur në qendrën ndërkombëtare dhe më erdhi shumë keq për ato. E dija që janë të shtypura. Pikëllimi im u shtua kur i pyeta se pse i kanë mbuluar flokët e tyre, pse mbajnë mëngë të gjata gjatë verës, pse janë aq të keqtrajtuara në shtetet muslimane, kurse ato më thanë se mbajnë shaminë dhe janë të veshura në atë mënyrë sepse Zoti ka kërkuar prej tyre ashtu! Krijesa të gjora! E çka sa i përket trajtimit të tyre në shtetet muslimane? Ajo është kultura jonë, do të përgjigjen ato. E kuptoja në vete sikur ato ishin të mashtruara, me tru të shpërlarë që nga mosha e re, për të besuar në këtë mënyrë të ligë të trajtimit të gruas. Por gjithashtu e vërejta se sa të lumtura ishin, sa të shoqërueshme ishin, sa të qëndueshme që dukeshin.
Pastaj pashë disa burra muslimanë duke shëtitur nëpër qendrën ndërkombëtare. Në mesin e tyre ishte një nga Libia - toka e terroristëve. U shqetësova shumë kur i pashë, më mbuloi një frikë se mos vallë do të më bëjnë diç në emrin e Zotit. M’u kujtuan fotografitë televizive të masave të shumta të njerëzve arabë duke i djegur fotografitë e Presidentit Bush, dhe e gjithë kjo në emër të Zotit. Çfarë Zoti mund të kenë këta njerëz, mendoja. Sa krijesa të gjora që madje edhe besojnë në Zotin, mendoja unë, e sigurtë në të vërtetën se Zoti ishte vetëm një projektim antropomorf i dobësisë sonë si qenie njerëzore. Por e vërejta se këta njerëz ishin shumë të shoqërueshëm. E vërejta sa shumë ndihmoheshin mes vete. Më kaploi një aureolë e qetësisë.
Çfarë besimi kanë këta njerëz, mendoja. Më futi në mëdyshje e tërë kjo. E kisha lexuar Kur’anin dhe nuk kisha hasur asgjë të veçantë në të. Kjo ishte më herët, në kohën kur filloi lufta e Gjirit. Çfarë Zoti mund të jetë ky që i detyron njerëzit të shkojnë në luftë, të vrasin qytetarë të pafajshëm të një shteti tjetër, të dhunojnë gra, të demonstrojnë kundër SHBA-ve? Pata vendosur se është më së miri që ta lexoj Librin e Shenjtë në të cilin ata deklarohen se mbështeten për sjelljet e tyre. Fillova të lexoj një libër fetar me vlerë, por nuk arrita ta përfundoj, disi nuk më pëlqeu shumë. Aty përshkruhej Parajsa me gra virgjëra në të për gratë e ndershme (çfarë kishin për të bërë gratë e ndershme me gratë e virgjëra në Parajsë?); aty ishte një Zot që i shkatërronte qytetet me një goditje. Dhe aspak çudi që gratë janë të shtypura, dhe që këta fanatikë sillen përreth duke e djegur flamurin e Amerikës, mendoja…
Papritmas, personi të cilin isha duke e pasuar në namaz u ngrit në këmbë. Unë poashtu u ngrita, kurse këmbët e mia u penguan nga fustani i gjatë që kisha veshur; pothuajse të ngatërrohem. U teshtita, duke u munduar që t’i mbaj lotët. Duhet të fokusohem në lutjen time ndaj Zotit. O Zot i dashur, unë jam këtu sepse besoj në Ty, dhe sepse gjatë gjurmimit tim të Krishterizmit, Judeizmit, Islamit, Hinduizmit, Sikhizmit dhe Budizmit, Islami më la më së tepërmi përshtypje. Duke u kërrusur, duke vendosur duart e mia në gjunjë, orvatem më shumë që të bindi veten. O Zot, të lutem më ndihmo që të bëhem muslimane e mirë. Muslimane! Kathy, si mundesh – një grua e bardhë perëndimore dhe e edukuar – të konvertohesh në religjionin i cili i konsideron gratë si qytetarë të kategorisë së dytë! Por muslimanet e Kingstonit u bënë shoqe të mia, kundërshtoj unë. Ata më dëshiruan mirëseardhje në shoqërinë e tyre ngrohtësisht, pa asnjë pyetje. Kam harruar që ato ishin të shtypura dhe terroristë. Kjo sikur duket të jetë fillimi i udhëtimit tim. Por unë akoma isha ateiste. Apo nuk isha? Shpeshherë kam shikuar në natën e ndritshme, dhe kam medituar mbi universin. Yjet nga diamanti të shpërndarë nëpër qiellin e errët sikur më vezullonin porosi misterioze mua. Ndjeja sikur të jem e ngritur në diç më të madhe se vetja ime. Vallë a ishte kjo vetëdija kolektive njerëzore? Paqe dhe qetësi rrjedhnin mbi mua nga yjet. A mund ta injoroj veten time nga kjo ndjenjë dhe të deklaroj se këtu nuk ka Qenie më të lartësuar? Se nuk ka vetëdije më të lartësuar?
A keni pasur ndonjëherë dyshim në ekzistimin e Zotit? Pata pyetur shokët e mi besimtarë, krishterë e muslimanë. Jo, m’u përgjigjën ata. Jo? Jo? Kjo më futi në mëdyshje. Vallë ishte Zoti aq i dukshëm, i kuptueshëm? Si është e mundur atëherë që unë nuk mund ta shihja Zotin. Më dukej e tërë kjo si ekzagjerim i imagjinatës sime. Qenie, jashtë nga këtu dikund, duke ndikuar në mënyrën time të të jetuarit. Si është e mundur që Zoti të dëgjon lutjet e miliarda njerëzve, dhe të ketë parasysh çdo sekondë të jetës së atyre njerëzve. Kjo është e pamundur. Ndoshta Shkaku i Parë, por kush ishte ai që kishte ndërhyrë? Dhe çka për vazhdimësinë e padrejtësisë në botë? Për fëmijët që vdesin në luftë. Zoti i mirë nuk do lejonte një gjë të tillë... Zoti nuk kishte kuptim. Zoti nuk mund të ekzistonte. Për më tepër, ne evoluam, ashtu të predispozuar nga Shkaku i Parë, dosido…
Ne përsëri ramë në gjunjë, dhe këtu jam unë, duke teshtitur, duke shikuar tërthorazi në gishtërinjtë e mi në gjelbërsinë e hasrës (sexhades) sime të re ku falem. Më pëlqen hasra ime e lutjes. Kishte një prekje kadifeje në të, ndërsa edhe ngjyrat ishin që më pëlqenin mua: një xhami është ngjyrë hiri në prapavijë të gjelbërt. Këtu është edhe një rrugë që shkon drejt hyrjes së zezë të xhamisë dhe më bën me shenjë të hyj aty. Hyrja e xhamisë duket sikur përmban të vërtetën, është e pakapshme, por është aty. Jam e lumtur që jam e ftuar nga kjo hyrje.
Kur isha shumë e re, kisha albumin e kompletuar me fotografi të botës. Dhe ajo botë u la mënjanë diku gjatë vitit të tretë apo të katërt të studimeve të mia. Në Kingston më kujtohet vetja se njëherë isha e rregullt në shkuarjen në kishë, disi e sikletosur, që kur kuptova se njerëzit religjioz ishin të butë, të çuditshëm, të mërzitshëm, njerëz demode. Por prapseprapë Zoti më dukej si një gjë e qartë atëherë. Gjithësia nuk kishte kuptim për mua pa Krijuesin e vet, i cili është i Gjithëfuqishëm poashtu. Kur largohesha nga kisha, gjithmonë kam pasur ndjenjën e lehtësimit dhe gëzimit. Pastaj disi e humba atë ndjenjë. Vallë a është e mundur që njëherë isha në relacion me Zotin, e që tani ky relacion është humbur? Ndoshta ky ishte fillimi i udhëtimit tim? U mundova që përsëri të lutem, por ja që më dukej shumë vështirë. Krishterët më kanë thënë se njerëzit që nuk i besojnë Zotit Jezu Krisht janë të mallkuar. Por çka për njerëzit që nuk kanë dëgjuar asnjëherë për Jezu Krishtin? Apo për njerëzit që i ndjekin religjionet e tyre? Dhe shoqëria historikisht tregon se gratë ishin inferiore sepse Krishterizmi na ka mësuar që kjo është nga ndëshkimi i Evës; gratë ishin të penguara të studiojnë, të votojnë dhe të jenë pronare të tokave. Zoti ishte një burrë i tmerrshëm me një mjekër të gjatë e të bardhë. Nuk mundesha të bisedoj me Të. Nuk mundesha ta ndjek Krishterizmin, kështuqë Zoti nuk mund të ekzistonte.
Por pastaj zbulova feministet të cilat besonin në Zotin, gratë krishtere që ishin feministe, dhe gratë muslimane që besonin se Islami nuk ka harruar shumë nga gjërat për të cilat mendoja se janë përbërëse e besimit të tyre. Fillova të lutem dhe ta quaj vetveten “besimtare feministe post-krishtere”. E ndjeva atë lehtësi përsëri; ndoshta Zoti vërtetë ekziston. Me shumë kujdes i studijova ngjarjet e jetës sime dhe vërejta se koincidenca dhe fati ishin bekimet e Zotit për mua, dhe se asnjëherë nuk e kam konstatuar këtë, apo thënë falënderit. Jam e mahnitur që Zoti që ishte aq i mirë dhe këmbëngulës përgjatë kohës që nuk isha besnike…
Veshët e mi dhe këmbët e mia vezullojnë këndshëm nga pastrimi që sapo u kam bërë, pastrim ky i cili më pastroi dhe më lejoi që t’i afrohem Zotit në lutje. Zoti. Kjo madhështi marramendëse. Ndjehem e mahnitur, për mrekulli dhe ndjej qetësi. Të lutem tregoma rrugën!
Por me siguri ju mund të shihni se bota është shumë e ndërlikuar, shumë e bukur, shumë harmonike për të qenë një rastësi? Për të qenë rezultat i verbër i forcave evolutive? A nuk e dini se shkenca është duke iu kthyer besimit në Zotin? A nuk e dini se shkenca nuk e ka kundërshtuar Islamin në asnjë mënyrë? Jam e irrituar me jurinë time imagjinare. A nuk i kanë hulumtuar ata këto gjëra?
Ndoshta kjo ishte rruga më vendimtare. Kisha dëgjuar në radio një intervistë me një fizikan i cili sqaronte se si shkenca moderne ka braktisur supozimet e veta materialiste të shekullit XIX shumë më parë, dhe ka ardhur deri te konkludimi shkencor se shumë dukuri e fenomene nuk do të kishin asnjë kuptim pa një Qenie inteligjente që ka projektuar gjithë ato. Në realitet, eksperimentet shkencore nuk ishin vetëm një vrojtim pasiv i fenomeneve fizike, por vrojtim i cili ndryshoi rrugën që fizicientët përfundimisht duhet pasuar, dhe vuri në dukje se inteligjenca ishte gjëja më kryesore e gjithësisë. Unë vazhdova të lexoj gjithnjë e më shumë. Kam zbuluar se vetëm antropologët më kokëfortë akoma besojnë në teorinë e evolucionit, edhe pse asnjëri nuk e ka thënë këtë me zë të lartë, nga frika se mos e humbasin punën e tyre. Albumi im filloi të bëhet copë-copë.
Mirë, pra, ke vendosur se Zoti ekziston. Ti ishe monoteiste. Por edhe Krishterizmi është monoteist. Ai është trashëgimia jote. Pse për ta lëshuar atë? Akoma këto pyetje janë enigmë. Por ju duhet të kuptoni se kjo është pyetja më e lehtë prej të gjithave për t’u përgjigjur. U buzëqesha. Kam mësuar se si Kur’ani nuk e kundërshton shkencën në mënyrën që Bibla e bën këtë. Kam dashur të lexoj rrëfimet biblike fjalë për fjalë, por e zbulova se nuk mundesha. Faktet shkencore kundërshtonin imazhet biblike. Por faktet shkencore nuk kanë kundërshtuar imazhet kur’anore, madje shkenca disa herë edhe i ka sqaruar versetet e pashpjegueshme deri tani të Kur’anit. Kjo ishte hutuese. Ishte këtu një verset kur’anor që flet mbi atë se si uji nga ujërat e freskëta të lumejve, që derdhen në det, nuk  përzihet  me ujin e detit; pastaj vargjet që përshkruajnë shtatzëninë me saktësi; apo vargjet që u referohen orbitave të planeteve. Shkenca e shekullit të shtatë nuk ka ditur asgjë nga këto gjëra. Si është e mundur që Muhammedi të ketë qenë aq i mençur? Mendja ime më drejtonte kah Kur’ani, por unë e refuzoja.
Fillova të shkoj sërish në kishë, vetëm që ta bëj veten të qajë pothuajse në secilën meshë. Krishterizmi vazhdoi të jetë i vështirë për mua. Ishin aq të pakuptimta: Trinia, ideja se Jezu Krishti ishte Zot i mishëruar; adhurimi i shën Marisë, Shenjtërive, apo Jezu Krishtit, më shumë se Zotin. Priftërinjtë më kanë thënë që ta lë anash arsyen kur të meditojmë mbi Zotin. Trinia nuk kishte kuptim, dhe as që kishte ndërmend të ketë kuptim. Fillova të gjurmoj edhe më thellë. Në fund të fundit, si është e mundur që të largohem nga kultura ime, trashëgimia ime, familja ime? Askush nuk do të më kuptonte, dhe do të mbetesha vetëm. U mundova të bëhem krishtere e mirë. Mësova më tepër. E zbulova që Pashkët është bërë zakon disa qindra vjet pas vdekjes së Jezusit, se Jezusi asnjëherë nuk e ka quajtur veten Zot i mishëruar, dhe se shpesh herë kishte thënë se është djalë i njeriut; pastaj se doktrina e Trinisë ishte vendosur diku 300 vjet pas vdekjes së Krishtit; se Kredoja e Nikesë, të cilën unë besnikërisht e kisha recituar çdo javë, duke u fokusuar në çdo fjalë të saj, ishte e shkruar nga një njeri në një tubim politik për të konfirmuar pozitën e pakicës se Jezusi ishte Djalë i Zotit, dhe se pikëpamja e shumicës që Jezusi ishte i Dërguar i Zotit ishte shuar përgjithmonë. Isha aq e irrituar! Pse kisha nuk m’i mësoi këto gjëra. Po, e kuptova pse. Njerëzit do të kuptonin se do të mund ta adhuronin Zotin tjetërkund, dhe se aty adhurimi mund të ketë ndonjë kuptim për ta. Unë duhet të adhuroj vetëm një Zot, e jo tre, jo Atin, Birin dhe Shpirtin e shenjtë; jo Jezusin si Zot, as shenjtorët, as Shën Marinë.
Vallë a mund të jetë Muhammedi vërtetë i Dërguar i Zotit, a mundet Kur’ani të jetë fjalë e Zotit? Dhe vazhdova të lexoj Kur’anin. Ai më tregoi se Hava (Eva) nuk ishte e vetmja e fajësuar për “dështimin”; se Jezusi është i Dërguar i Zotit; se jobesimtarët do të më përqeshin nëse jam besimtare, se njerëzit do të vënë në dyshim vërtetësinë e deklarimit të Muhammedit mbi shpalljen, por që nëse ata do të mundoheshin për të shkruar diç aq të urtë, të përputhshme dhe racionale, do të dështojnë. Kjo dukej e vërtetë. Islami kërkoi nga unë që të shfrytëzoj inteligjencën time për të medituar mbi Zotin, ai më nxiti që të kërkoj dituri, më tregoi se secili që beson në një Zot (çifutët, krishterët, muslimanët, kushdoqoftë) do të shpërblehet; dukej si një religjion që i përfshinte të gjitha…
Ne ngritemi prap dhe qëndrojmë lartë, dhe përsëri ulemi poshtë në pozitën pushuese me duar të vendosura në prehërin tonë. Çka tjetër do të mund t’i thoja Zotit? Nuk më kujtohet asgjë, lutja më duket aq e gjatë. Shfryhem ngadalë, me një gërhitje të qetë, dhe prap marr frymë thellë, pasi që pas tërë atyre uljeve dhe ngritjeve disi mbetesha pa frymë. Pra, ju seriozisht mendoni se unë do të kisha hyrë vullnetshëm në një religjion që do të më bëjë mua qytetare të klasës së dytë? Unë kisha nevojë të parashtroj këto pyetje. Ju e dini që ka shumë keqpërdorime të grave në shtetet islame, sikur edhe në Perëndim, por ky nuk është Islami i vërtetë. Dhe mos e shpifni rastin me shaminë. A nuk e dini se gratë muslimane veshin hixhabin (mbulesën islame) sepse Zoti e kërkon atë prej tyre? Sepse ato besojnë në fjalën e Zotit. Qetësi. Si do të kem unë guxim të veshi hixhabin? Mbase do ta kem shumë vështirë. Njerëzit do të zgurdullojnë sytë kah unë, do të bëhem e dukshme. Ndoshta do të ishte më mirë të fshihem në turmën e njerëzve kur do të jem jashtë. Çfarë do të thonë shoqet e mia kur do të më shohin në atë mbulesë? Oh! O Zot! Më ndihmo!
Kam ngelur në skajin e ndryshimit gati një muaj të plotë, kurse dilema ime shtohet për çdo ditë. Çfarë të bëj? Ta lë jetën time të vjetër dhe të filloj me një të re? Por në asnjë mënyrë unë nuk do të mund të dal në mjedis shoqëror me hixhab. Njerëzit do të drejtojnë sytë kah unë. U gjeta në rrugën e bidegëzuar në të cilën Zoti më ndihmoi të arrij. Kisha një dituri të re e cila përputhej rehatshëm me intelektin tim. Vallë të shkoj pas bindjes sime, apo të qëndroj në rrugën e vjetër? Si të qëndroj tek e vjetra, kur unë kam botëkuptim tjetër në jetë? Por si mund të ndryshoj, kur ai hap duket shumë i madh për mua? Do të përsërisja në vete fjalinë e pranimit të Islamit: “Nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe Muhammedi është i Dërguari i Tij”. Fjalë të thjeshta, unë besoj në to, pra kam pranuar Islamin. Por nuk mundem, dhe rezistoj. Kështu sillesha vazhdimisht në qark ditë pas dite. Zoti qëndronte në një nga rrugët e bidegëzuara, më dukej sikur më thirrte duke trokitur. Eja Kethy. Unë të kam sjellur deri këtu, por ti duhet ta kalosh vet rrugën. Qëndroja e palëvizshme, e gozhduar si kenguri i zënë në grackë nga dritat e automobilit në natën e vonshme.
E pastaj një natë, Zoti, supozoj, më dha shenjën përfundimtare. Isha duke kaluar pranë një xhamie me burrin tim. E kisha një ndjenjë aq të fuqishme në vete, sa që mezi përmbahesha. Nëse tani nuk e pranon Islamin si fé, nuk do ta pranosh asnjëherë, më tha zëri im i brendshëm. E dija se kjo ishte e vërtetë. Mirë, do ta bëj këtë. Nëse më lejojnë të hy në xhami, do ta bëj këtë. Por në xhami nuk kishte asnjë njeri. E thashë shehadetin nën drunjtë që gjendeshin jashtë xhamisë. Dhe prisja. E prisja ndonjë rrufe, ndjenjën e menjëhershme të lehtësimit, largimin e ngarkesës që kisha. Por nuk erdhi ajo ndjenjë. Ndjehesha përsëri njëjtë…
Dhe tani ulemi përsëri në namazin që jemi duke bërë. Bota duket aq e ndryshme prej këtu poshtë. Madje edhe fudbollistët më të mirë rraskapiten kështu, m’u kujtua duke shikuar anash në hijën e hixhabit tim i cili binte në sexhaden për falje. Të gjithë jemi të barabartë dhe njëjtë të përulur para Zotit… E tani jemi të ulur në pozitë të drejtë, kurse udhëheqësi i lutjes - imami është duke pëshpëritur diç në vete. Shikoj poshtë në sexhaden time. Ngjyra e gjelbërt, vjollcë dhe e zezë e sexhades sime duken sikur janë të njëjta. Ngjyra e zezë e hyrjes së xhamisë më lutë: “Unë jam këtu, vetëm qetësohu dhe do të më gjesh mua”. Lotët më janë tharë në fytyrën time dhe lëkura më duket e shtrënguar. Çfarë jam duke bërë unë këtu? O Zot i dashur. Unë jam këtu sepse besoj në Ty, sepse besoj në fjalët detyruese dhe madhështore të Kur’anit, dhe sepse besoj në pejgamberinë e të Dërguarit Tënd, Muhammedit (Paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të). Unë e di thellë në zemrën time se ky vendim imi është i drejtë. O Zot, të lutem më jep guxim që të vazhdoj me këtë jetë të re, ashtu që të jem sa më e dobishme dhe me besim të fortë… U buzëqesha dhe u ngrita, duke e palosur sexhaden time në gjysmë dhe duke e lënë në një raft, gati për takimin tim të ardhshëm me ngjyrën e gjelbërt të kadifesë. Tani ngarkesa filloi të largohet nga unë.

Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>