prej_erresires

KHADIJAH WATSON

Një ish-pastore fundamentaliste protestante, misionare dhe pedagoge e Kolegjit Biblik me gradën profesor në lëminë e teologjisë. Kontakti i saj me një person që kishte konvertuar në Islamin e nxiti atë që në mënyrë serioze të shqyrton Islamin dhe të konkludon se “shumica e krishterëve janë të sinqertë, por ja që sinqerisht janë në gabim”

“Çka ka ndodhur me ty?” Ky ishte zakonisht reagimi i parë me të cilin ndeshesha kur ish shoqet dhe shokët e klasës, shokët në përgjithësi apo ish-kolegët e mi pastorë më takonin pas kalimit tim në Islam. Mendoj se nuk mund t’i fajësoj ata, unë isha personi në të cilin më së paku dyshohej se do të ndërroj religjionin. Më parë unë isha profesoreshë, pastore, çifligare e kishës dhe misionare. Nëse dikush ishte fundamentaliste radikale, ajo isha unë.
Sapo kisha diplomuar me doktoraturën time në degën e teologjisë në një shkollë elite për prift pesë muaj më parë. Ndodhi që pas kësaj të takohem me një grua që kishte punuar në Arabinë Saudite dhe kishte përqafuar Islamin. Gjithsesi që e pyeta atë mbi trajtimin e gruas në Islam. Isha e shokuar nga përgjigja e saj, kjo nuk ishte ajo që unë prisja, ashtu që vazhdova t’i parashtroj pyetje tjera lidhur me All-llahun dhe Muhammedin (Paqa dhe mëshira qoftë mbi të). Ajo më informoi se do të më dërgonte te Qendra Islame, ku ata do të jenë në gjendje që më mirë të përgjigjen në pyetjet e mia.
I lutesha Jezu Krishtit që të më mbrojë nga shpirtrat e djallëzuar, duke pasur parasysh faktin se ne kishim mësuar mbi Islamin se ai është religjion djallëzor dhe satanik. Duke pasur njohuri mbi Evangjelizmin, unë isha tërësisht e shokuar nga afrimi i tyre, ishte i drejtpërdrejtë dhe i çiltër. Nuk kishte kërcënim, nuk kishte ngacmim, nuk kishte manipulim psikologjik, nuk kishte ndikim të subkoshiencës! Asnjë nga këto, “le të bëjmë një studim kur’anor në shtëpinë tuaj”, si një homolog i studimit të Biblës. Nuk mundesha të besoj! Ata më dhanë disa libra dhe më thanë se nëse kam ndonjë pyetje, ata do të jenë të gatshëm të më përgjigjen lidhur me to në zyre. Atë natë i lexova të gjitha librat që m’i dhanë. Kjo ishte hera e parë që lexova libra mbi Islamin të shkruara nga muslimanët, pasi që deri atëherë kisha lexuar libra mbi Islamin të shkruar vetëm nga të krishterë. Ditën e nesërme i kalova tri orë në zyren e tyre duke iu parashtruar pyetjet që më interesonin. Kjo filloi të përsëritet për çdo ditë të javës, përgjatë së cilës kohë unë i lexova dymbëdhjetë libra mbi Islamin dhe kuptova se përse muslimanët janë njerëzit të cilët është më së rëndi t’i konvertosh në Krishterizëm. Pse? Sepse Krishterizmi nuk ka çfarë t’ju ofrojë atyre!!! Në Islam ata kanë lidhjen e drejtpërdrejtë me All-llahun, të falurit e mëkateve, shpëtimin dhe premtimin e jetës së amshueshme.
Natyrisht, pyetja ime e parë kishte të bëjë me hyjninë e All-llahut. Kush është ky All-llah që muslimanët e adhurojnë? Neve na kanë mësuar si të krishterë se ky është një Zot tjetër, Zot i rrejshëm. Kurse në fakt Ai është i Gjithëdijshmi - Njohësi i përgjithshëm, i Plotfuqishmi - i aftë për gjithçka, dhe i Gjithëpranishmi - kudoqoftë. Një dhe vetëm një, pa asnjë shok apo të barabartë si Ai. Është interesant të përmendet se gjatë treqind viteve të para të kishës kishte priftërinj që mësonin ashtu siç besojnë muslimanët, se Jezu Krishti (paqa dhe mëshira qoftë mbi të) ishte Pejgamber dhe mësues!!! Ndryshimi ndodhi vetëm pas përqafimit të perandorit Konstantin të Krishterizmit, me ç’rast ai ishte njëri prej atyre që përhapi doktrinën e Trinisë së shenjtë. Ai, si një i konvertuar në Krishterizëm që nuk dinte asgjë nga kjo fé, e futi në Krishterizëm konceptin pagan i cili shkon prapa deri në kohën e babilonasve. Pasi që hapësira nuk më lejon këtu që të shkruaj në detaje rreth kësaj çështjeje, shpresoj që këtë ta bëj në ndonjë rast tjetër, me lejen e All-llahut. Tani vetëm dua të theksoj se, fjala TRESHI I SHENJTË nuk gjendet në Bibël në asnjërin nga përkthimet e tij të shumtë, e as që gjendet në gjuhën origjinale greqishte apo hebreishte!
Pyetja tjetër që më interesonte mua ishte mbi Muhammedin (paqa dhe mëshira qoftë mbi të). Kush është ky Muhammed? E kuptova që muslimanët nuk i luten atij, sikur që të krishterët i luten Jezu Krishtit. Ai nuk është ndërmjetësues dhe në realitet është e ndaluar që muslimanët t’i luten atij. Muslimanët luten për bekimin e All-llahut mbi të në fund të namazit të tyre, ashtu siç kërkojnë bekimin All-llahut mbi Abrahamin (Ibrahimin alejhis-selam). Ai është Pejgamber dhe i Dërguar i All-llahut, ai është Pejgamber i fundit dhe Vula e pejgamberisë. Në fakt, deri tani, mbi 1400 vjet pas tij, nuk ka pasur asnjë Pejgamber pas tij. Porosia e tij është për gjithë njerëzimin, për dallim nga porositë Jezusit (Isait alejhis-selam) apo Mojsiut (Musait alejhis-selam), të cilët ishin dërguar te jehuditë: “Dëgjoni o Izrail”. Por porosia ishte porosi e njëjtë e All-llahut: “Mbreti, Zoti juaj është Një Zot, dhe ju nuk do të keni zotëra tjetër përveç Meje”. (Mark 12:29)
Pasi që lutja ishte një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime krishtere, isha shumë e interesuar dhe kurreshtare të di se në çfarë mënyre luten muslimanët. Si krishterë ne ishim injorant sa i përket këtij aspekti të besimit të muslimanëve, sikur edhe në aspektet tjera në realitet. Ne kemi menduar dhe kemi qenë të mësuar se muslimanët i përkulen Qabes (në Mekke), se aty ishte Zoti dhe pika qëndrore e besimit të tyre të rrejshëm. Përsëri, isha e shokuar kur mësova se kjo mënyrë e lutjes i është dedikuar vetëm Atij, Zotit. Fjalët e lutjes janë fjalë të lavdërimit dhe lartësimit. Pastrimi me ujë - abdesti para fillimit të lutjes (namazit) është udhëzim prej All-llahut. Ai është Zoti i Shenjtë dhe nuk na përket neve që t’i afrohemi Atij në mënyrë arbitrare, por vetëm në mënyrë të pranueshme, ashtu si Ai na ka mësuar se si duhet afruar Atij.
Në fund të asaj jave, pasi që kisha harxhuar tetë vjet në studime formale teologjike, e kuptova në mënyrë të vetëdijshme (përmes njohurive mendore) se Islami ishte fé e vërtetë. Por nuk e pranova Islamin në atë kohë, sepse unë akoma nuk e besoja atë në zemrën time. Vazhdova të lutem, ta lexoj Biblën, të vizitoj ligjëratat në Qendrën Islame. Në mënyrë të sinqertë lutesha dhe kërkoja udhëzimin e Zotit. Nuk është punë e lehtë të ndërrohet religjioni. Nuk kisha dëshirë ta humbas shpëtimin, nëse aty kishte shpëtim për t’u humbur. Dhe vazhdoja të jem e befasuar dhe e habitur nga ajo që mësoja mbi Islamin, sepse kjo nuk ishte ajo që unë kisha mësuar për të. Gjatë kohës së doktoraturës, kisha një profesor i cili ligjëronte mbi Islamin dhe Krishterizmin, por në përgjithësi ai kishte ngërthyer në vete plot keqkuptime. Ai dhe shumë krishterë tjerë si ai janë të sinqertë, por ja që sinqerisht janë në gabim.
Dy muaj më vonë pasi që iu luta përsëri Zotit për udhëzimin tim, ndjeva sikur diçka pikoi në qenien time! U ngrita në këmbë… Ishte kjo hera e parë që përdora emrin e All-llahut, dhe thashë: “O All-llah, unë besoj se Ti je Një Zot dhe se je i Vetmi Zot i vërtetë”. Një ndjenjë e qetësisë dhe paqes zbriti mbi mua. Që prej asaj dite, katër vite të plota deri më sot, asnjëherë nuk jam penduar që kam përqafuar Islamin. Ky vendim nuk erdhi pa asçfarë gjykimi. Më larguan nga puna si profesoreshë e dy Kolegjeve Biblike në atë kohë, isha e izoluar nga ish shokët dhe shoqet e mia të shkollës, profesorët dhe kolegët e mi pastorë, e mohuar nga familja e burrit, e keqkuptuar nga fëmijët mi të rritur dhe e vënë në mesin e të dyshimtëve nga Qeveria ime. Pa besimin e plotë që i mundëson njeriut që t’u bëjë ballë forcave djallëzore, unë nuk do të isha në gjendje t’i përballoj të gjitha këto gjëra. Gjithmonë do t’i jem falënderuese All-llahut që jam muslimane dhe dhashtë Zoti që të jetoj dhe të vdes si e tillë.
“Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)!”  (El-En’am: 162-163)

Motra juaj në Islam,
Khadijah Watson
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>