prej_erresires

DËSHMIA E MADONNA JOHNSON

Duke u përkujtuar në të kaluarën time, them se kthesa që u bë në jetën time është momenti kur unë linda vajzën time. Para lindjes së vajzës, e jetoja jetën sot për sot, duke përqëndruar kohën dhe vëmendjen time në çfarëdo lloj problemi ku mund të inkuadrohesha. Nëse nuk kishte ndonjë problem, atëherë unë vet do të bëja diç të tillë. Vetëm sa për preokupim.
Kur mbeta shtatzënë, isha e vetëdijshme se duhet të kujdesem vetë për fëmijun tim. Sikur të mos të ishte këtu dashuria, devotshmëria dhe vendosshmëria e nënës sime, të gjitha gjërat do të ishin ndryshe.
Kur vajza ime mbushi 5 vjet, ajo vdiq nga “Sindromi i vdekjes së menjëhershme të fëmijës”, term ky mjekësor që përdoret për shkakun e panjohur.
Asnjëherë më parë nuk kisha ndier aq dhembje, panikë dhe zbrazëti të plotë. Megjithatë, gjatë varrimit, unë isha ajo që i ngushëlloja njerëzit tjerë, duke iu thënë se unë me gjithë zemër besoja se Zoti nuk do të më kishte shkaktuar aq dhembje të madhe sikur Ai të mos kishte përgaditur për mua diç të mrekullueshme në të ardhmen; e tëra që unë duhej të bëj ishte që të qëndroj në rrugën e vërtetë, kurse Zoti do të më tregojë kur do të jem gati.
Shoqet më thonin, “Do ta shohësh sërish vajzën një ditë”. Dhe unë do t’i pyesja haptazi: Si mund ta dijë dikush se unë do të shkoj në Parajsë? Vetëm sepse unë isha krishtere nuk ishte garancë, pasi që unë edhe nuk mundesha që ta kapërdijë tërë krishterizmin. Kishte këtu shumë pyetje pa përgjigje.
Pra, gjurmimi im për “Një religjion të vërtetë” filloi nga dëshira ime që me të vërtetë mund ta shoh vajzën time përsëri.
Isha një krishtere e zellshme. Duke qenë krishtere tërë jetën time, e kisha shumë vështirë të shikoj se ç’po ndodh jashtë kishës, edhe pse zemra ime nuk ishte plotësisht krishtere.
Njerëzit më thonin gjëra si për shembull “Jezusi ka folur sot me mua” apo “Jezusi është me ty, dhe e tëra që duhet të bësh është që ta thërasësh atë në zemrën tënde dhe do ta shohësh vajzën tënde në Parajsë”.
Fillova të mendoj se mos vallë isha e dënuar. Fillova të shikoj në letrat Tarot, nëpër kristale, e madje të zhvilloj bindjen se të gjitha religjionet do të dërgojnë në Parajsë, poqese i ndjek besimet e tyre.
Pastaj pushova me gjurmimet e mia për një kohë dhe u punësova në një kafene në Indianapolis. Aty u njoftova me një vajzë, e cila më vonë u bë shoqja ime më e mirë.
Një ditë, më pyeti nëse vallë dëshiroja të shkoj në Malezi. Më tha se dëshironte që unë t’i bëja blerjen e disa rrobave me stil malezian, t’i fotografoja ato, dhe të gjeja një importues-eksportues për të realizuar biznesin. Pa menduar fare thashë: “Unë jam atje!”
Arrita në Kuala Lumpur gjatë mesit të muajit të Ramazanit. Asnjëherë më parë nuk kisha dëgjuar për Islamin, dhe as që më shkonte ndërmend se Malezia është një shtet islam. Pothuajse secila grua që takova kishte shami të vendosur në kokën e vet në atë temperaturë të lartë!
Unë poashtu vërejta se njerëzit ma lironin rrugën dhe silleshin mirë me mua. Aty ishte një shok shumë i veçantë i cili më sqaroi se Malezia është shtet islam, dhe se muslimanët besojnë se çdoherë që bëjnë ndonjë vepër të mirë për hir të All-llahut, pastaj do të shpërblehen për atë vepër të mirë në Ditën e Gjykimit.
Megjithatë, e tërë ajo që unë mund të shihja ishin aspektet negative të Islamit, gjërat e njëjta që edhe të tjerët i shohin, ata që janë injorues ndaj Islamit. Kështu që unë bleva disa libra mbi Islamin (duke përfshirë edhe Kur’anin) dhe fillova të studijoj Islamin.
Parashtroja shumë pyetje, si për shembull pse gratë e mbulojnë tërë trupin e tyre, me përjashtim të duarve dhe fytyrës? Pse njerëzit janë aq të lumtur dhe kanë gjithë atë vullnet për të agjëruar tërë ditën? Si mundet dikush të jetë i lumtur duke lodhur veten me uri? Më dukej sikur askush nuk flet mjaft mirë gjuhën angleze për të kënaqur kërshësrinë time, kështu që iu ktheva sërish Kur’anit.
Që kur e mbaj në mend, e kam ndjerë veten sikur të jem jashtë krishterizmit, sikur të isha unë e vetmja që nuk e kuptoja se çështja ishte në mua.
Sa më shumë që e studjoja Islamin, gjithnjë e më tepër fillova të mendoj se mos vallë kjo ishte rruga deri te vajza ime, dhe vallë ky religjion do të më dërgon në Parajsë?
Edhe pse pengesa ime më e madhe ishte koncepti i Islamit mbi Jezusin, dhe fakti se si do t’ia sqaroja këtë secilin në shtëpi, unë gjeta përgjigje në shumë nga pyetjet e mia dhe e kuptova se Islami ishte ajo që unë kam kërkuar.
Por kishte një problem, që unë duhesha ta zgjedh…të bëhem muslimane dhe të eci drejt rrugës së vërtetë, drejt Parajsës… apo ta mohoj të vërtetën që e kuptoja në zemrën time, nga frika e mospajtimit dhe refuzimit nga familja ime dhe shoqëria, dhe t’i qëndroj besnike zjarrit përgjithmonë?
Çdoherë kam pasur ndjenjën e ankthit dhe shqetësimit diku skutave të shpirtit tim. Dhe kjo ishte gjendja ime e përditshme gjatë kohës kur duhej të vendosi vallë ta pranoj Islamin apo jo.
Për mua ky nuk ishte vendim i lehtë. Islami nuk është religjion që për kohë të caktuar; muslimani i vërtetë nuk e praktikon Islamin vetëm një ditë në javë. Islami është thirrje me orar të plotë dhe me dobi të shumta. Sa më shumë që të mësoni dhe të kuptoni, aq më tepër ju do të jeni të vetëdijshëm se sapo keni filluar të gërvishni sipërfaqen, gjë që ju bën juve të orvateni që të të mësoni edhe më shumë.
Një ditë u zgjova me fjalët: “Mirë, unë besoj, dhe do të shkoj ta pranoj Islamin”, dhe që prej atij momenti shqetësimi dhe ankthi u larguan nga shpirti im, elhamdulilah.
E gjithë dhembja që kisha ndier në të kaluarën time, përfshirë këtu edhe vdekjen e vajzës sime, u larguan nga momenti kur përqafova Islamin. Ankthet e natës u ndërprenë, dhe fillova të ndjej një qetësi dhe paqe të pabesueshme.
Shkova në PERKIM, Organizata Muslimane Maleziane e Mirëqenies, dhe e thashë shehadetin – dëshminë e Njëshmërisë së All-llahut, duke plotësuar kështu jetën time me paqe dhe dashuri ndaj All-llahut të Madhërishëm.
Duke rikujtuar të kaluarën time, mund të them se të gjitha gjërat që i kam përjetuar në rrugën time drejt Islamit, përfshirë këtu edhe të gjitha mundimet dhe dhembjet, ishin diç e vlefshme, pasi që tani, me lejen e All-llahut, do të jem në gjendje ta shoh dhe ta mbaj në kujtesë vajzën time sërish, nëse arrij të qëndroj në rrugën e drejtë.
Gjithsesi, unë akoma përballohem me sfida, të qenurit musliman nuk do të thotë që unë në të ardhmen nuk do të kem probleme. Por të qenurit musliman do të thotë që, për çdo sfidë me të cilën do të ballafaqohem, zgjidhja qëndron në vijimin e rrugës së Vërtetës. Dhe në fund të asaj rruge qëndron Parajsa (Xhenneti), vajza ime dhe kënaqësi tjera të panumërta që truri i njeriut as që nuk mund t’i paramendojë.
I gjithë falënderimi i takon All-llahut të Madhërishëm që më udhëzoi në rrugë të vërtetë dhe që më bëri muslimane.
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>