prej_erresires

NËNË, KAM VENDOSUR, DUA QË TA BESOJ ALL-LLAHUN

Gratë e Perëndimit janë duke pranuar Islamin në numër gjithnjë e më të madh. Kay Jardine zbulon se përse ato dëshirojnë të bëhen muslimane

Ashpërsia, depresioni dhe pagjumësia ishin ato që Kimberli Mekgrindëlit (Kimberley McCrindle) ia bënë vitet e adoleshencës veçanërisht të vështira. Ngacmimet nga shokët e klasës për peshën dhe dukjen e saj, bënë që studentja 19 vjeçare të ketë ndjenjën se vërtetë nuk takon aty, dhe gjithmonë të kërkon diç që do ta bëjë të ndihet e lumtur, që do t’ia krijojë ndjenjën se i përket atij rrethi.
McCrindle, e cila rrjedhte nga një familje ateiste, nuk ishte ndeshur me religjionin përderisa nuk filloi studimet religjioze në shkollën e lartë në Penicuik, atëherë kur interesimi i saj i ri e nxiti atë që të fillojë të shkojë në kishën lokale gjatë meshave të së dielës. Por paqen dhe lumturinë që kërkonte nuk e gjeti aty, përderisa nuk filloi të vijojë kolegjin në Edinburg, ku u takua me disa muslimanë dhe e zbuloi Islamin.
“Isha duke kërkuar paqen”, tha ajo. “Kam pasur një të kaluar të vështirë. Vitet e mia të adoleshencës nuk kanë qenë aq të mira: isha e keqtrajtuar në shkollë, njerëzit më quanin “trashalluke dhe e shëmtuar”, kurse unë kërkoja diç që do të më bënte të lumtur. U mundova të shkoj në kishë njëherë në javë, por nuk dëshiroja që ta klasifikoj veten si krishtere; unë isha vetëm e interesuar rreth kishës dhe fesë. Por ajo nuk ishte për mua, nuk e ndjeja se i takoj atij vendi.
Kur të shkosh në xhami, e ndjen veten shumë të qetë. Lutja pesë herë në ditë është vërtetë përmbledhëse. Ajo i jep qëllim jetës tënde. Kur’ani është si udhërrëfyes për t’ju ndihmuar juve: kur e lexoni atë, ai ju bën që të ndjeheheni më mirë”.
McCrindle u bë muslimane para tre viteve dhe tani është e njohur me mbiemrin e burrit të saj, Tasnim Salih. Ajo është njëra prej grave britaneze që janë duke pranuar Islamin në numër gjithnjë e më të madh kohëve të fundit, e për të cilin mendohet se është religjioni me rritje më të shpejtë në botë. Edhe pse tani për tani asnjë personalitet zyrtar nuk flet rreth kësaj, nuk ka dyshim se numri i atyre që janë duke konvertuar në Islam është në ngritje dhe se shumica e tyre janë gra, konstatim ky i Nicole Bourque, pedagoge universitare në lëminë e antropologjisë sociale në Universitetin e Glazgovit dhe eksperte rreth çështjes së konvertimit në Islam në Britani.
“Këtu njerëzit me të madhe konvertojnë në Fenë Islame”, thotë ajo. “Mund të vlerësoj se vetëm në qytetin e Glazgovit janë rreth 200 njerëz që kanë pranuar Islamin, por ky është vetëm një vlerësim i shpejtë. Të dhënat është  vështirë të sigurohen”. Vlerësimet tjera flasin për rreth 500 personalitete nga Glazgovi që kanë përqafuar Islamin.
Tërheqja dhe joshja që ju bën Islami grave të lira të Perëndimit është vështirë e kuptueshme për shumë njerëz, edhe atë kryesisht për shkak të botëkuptimit të përhapur në Perëndim se Islami e trajton gruan në mënyrë të keqe. Një film dokumentar që është në disponim, Nënë, unë jam bërë muslimane, i kushtohet kësaj çështje duke biseduar me gratë e konvertuara në Islam në Sheffield rreth eksperiencës së tyre. Në një parapremierë në Glazgov, e pyeta një grup të konvertuarave në Islam nga Glazgovi dhe Edinburgu se çka i shtyri ato që të ndryshojnë çdo aspekt të jetës së tyre, përfshirë këtu edhe emrat e tyre, për t’u bërë muslimane.
Për 27 vjeçaren Bahiya Malik, ose Lucy Norris për prindërit e saj, është vështirë që të sqarohet kjo. Bahiya, e cila jeton në Edinburg, motra e saj binjake, Viktoria, dhe vëllau i saj, Mathew, u rritën në frymën praktikuese krishtere në një ambient rural në West Midlands, ku ata vizitonin shkollën e së Dielës në kishën e vogël në fund të rrugës së tyre. Ashtu si edhe rriteshin, ata tre ndërprenë shkuarjen në kishë dhe para shtatë viteve, në moshën 20 vjeçare, të dyjat, Bahiya dhe motra e saj, pranuan Islamin - gjashtë muaj pasi që këtë e kishte bërë vëllau i tyre.
“Ndoshta gjatë tërë viteve të adoleshencës nuk kemi qenë aq të lumtur. Me të vërtetë nuk di të them se cila ishte arsyeja. Nuk di nëse kishim ndjenjën se diç na mungonte apo se nuk i përkisnim krishterizmit. Ne ishim pak të turpshëm dhe nuk ishim nga ata që dilnin në mbrëmje”, thotë ajo. Në atë kohë, Bahiya kishte gati dy vjet që vijonte një kurs për media dhe televizion në Edinburg, por aty ndihej e pafrymëzuar. Pas gati 6 muajve të  mësimit për Islamin, ajo e kishte kuptuar se të jetuarit e jetës së saj në përputhje me rregullat e Islamit ishte ajo që do ta bënte atë të lumtur dhe, gjatë një vizite emocionale që i bëri xhamisë në Londër, ajo deklaroi dëshminë e besimit islam - shehadetin.
“Mendoj se kjo është diçka që ju e ndjeni në zemrën tuaj, diç që ju tërheq”, thotë ajo. “Vërtetë ju nuk mund ta sqaroni atë me fjalë. Kjo është sikur të flet zemra juaj, diçka që ndjeni në brendësi tuajën dhe që e dini se është për ju. All-llahu e ka zgjedhur këtë për ju, dhe kjo është jashtë fuqisë suaj”.
Gratë që e pranojnë Islamin janë të vetëdijshme për mendimin e përhapur perëndimor se ato janë të shtypura dhe të diskriminuara, por insistojnë të sqarojnë se ky përshkrim është i gabuar. Për shumë prej tyre ky është një udhëtim shpirtëror, i cili, larg nga të shtypurit e tyre, e përmirëson gjendjen e tyre shoqërore dhe u jep të drejta të reja.
“Ju vërtetë ndjeheni sikur të keni një përkujdesje më të madhe”, thotë Tasnim. “Si grua muslimane, burrat muslimanë vërtetë ju respektojnë; ata do të bëjnë gjithçka për ju. Juve ju kushtohet vëmendje e madhe dhe jeni të mbrojtura”. Bahiya thotë: “Unë e kam ndier këtë pasi kam vënë mbulesën islame - hixhabin. Sepse kur ju mbuloni trupin tuaj, ju nuk dukeni sikur simbol i seksit dhe njerëzit nuk do të mund t’ju gjykojnë juve për pamjen tuaj të jashtme, por do të duhet t’ju gjykojnë si qenie njerëzore. Dhe kjo duket plotësisht e lirë”.
Si një veprim modest, shumë prej grave muslimane nuk vënë makijazh kur dalin jashtë shtëpisë, dhe kjo zakonisht mbetet vetëm pjesë e jetës së tyre të vjetër të cilën femrat e sapo konvertuara në Islam janë të kënaqura ta largojnë, si rezultat i ndjenjës së lirisë që vie nga të kuptuarit se dukja e tyre e jashtme nuk është edhe aq me rëndësi. Ata refuzojnë të ekspozojnë veten ashtu sikur që e kanë bërë këtë para se të bëheshin muslimane.
Hafsa Hashmi, e cila jeton në Glazgov, ka pranuar Islamin para 24 viteve dhe tani ajo as që mund ta paramendon jetën e vet jashtë Islamit. Tani në Islam, ajo thotë: “Qëllimi i juaj nuk është për këtë jetë, qëllimi juaj është për jetën pas vdekjes. Disa njerëzve kjo iu tingëllon shumë tmerrshëm: ata nuk guxojnë të mendojnë për vdekjen, por në Islam besimi në jetën pas vdekjes është një nga karakteristikat kryesore të tij, ngase e dini se nëse jeni duke bërë atë që duhet, juve ju pret një jetë më e mirë. Andaj, përse pra të shkohet verbërisht pas gjërave materiale?”
Përqafimi i Islamit zakonisht nënkupton ndryshim komplet i mënyrës së jetës për ata që zhyten në të, duke u nisur që nga ushqimi, zgjedhja e emrit musliman, rregullimi i orarit ditor brenda pesë kohëve të namazeve etj. Në vendin e punës, muslimanët bëjnë marrëveshje me punëdhënësit e tyre për të pasur një dhomë ku ata do të munden në qetësi dhe rehati të falen. Kudo që janë ata në botë, fytyrat e muslimanëve janë të kthyera në drejtim të Qabes së shenjtë në Mekë.
Për gratë që pranojnë Islamin, përvoja përfshin edhe ndryshimin e tërësishëm në pamjen e jashtme. Rregullat e Islamit parashikojnë që gruaja të vishet në mënyrë modeste. Mbulesa islame, hixhabi, është një çështje e posaçme dhe mund të paraqet një element kyq dhe jo aq të lehtë për muslimanen e re për ta praktikuar. Dr. Bourque mendon se kjo është kështu sepse mbulesa është shenjë e qartë e besimit. Tasnimi e kishte vënë mbulesën menjëherë, edhe pse ajo në fillim kishte ndjerë një frikë nga veshja e tillë në vend publik, sepse disi ishte ndier sikur njerëzit janë duke shikuar vetëm atë. Në fillim ajo ishte e detyruar që ta heqë mbulesën kur dilte në vende publike, për shkak të komenteve të ndryshme që i ishin drejtuar asaj.
“Njerëzit do të bërtisnin: ‘Kthehuni prapë në shtetin tuaj’. Njëherë një njeri madje edhe më pështyri në fytyrë kur isha duke qëndruar në stacionin e autobusit pranë kolegjit tim”, thotë ajo.
Tani ajo e mban të veshur atë tërë kohën dhe thotë: “Njerëzit nuk më thonë asgjë dhe tani ndjej më shumë besim në vetvete”. Bahija ishte e lumtur sa i përket veshjes së mbulesës islame që nga fillimi, por për prindërit e saj kjo ishte pak e vështirë. Ajo thotë se motra e saj, vëllau dhe ajo ishin me fat, pasi që prindërit e tyre ishin “mjaft të mirë dhe të kuptueshëm” rreth çështjes së pranimit të tyre të Islamit. Për të konvertuarit tjerë, megjithatë, familjet nuk ishin zakonisht aq tolerante, sepse ato dinin shumë pak nga religjioni dhe nuk kishin dëshirë që fëmijët e tyre ta ndjekin atë.
Për Tasnimin, çasti kur ajo u kishte treguar prindërve të vet, të cilët janë ateistë, ishte një moment i vështirë. “Ata menduan në fillim se kjo ishte vetëm një fazë nëpër të cilën jam duke kaluar, por ata kuptuan se e kisha seriozisht kur e vura shaminë në kokë. Ata m’u hidhëruan kur iu fillova të flas mbi martesën time. Nuk ishin shumë të kënaqur me faktin se unë kisha njoftuar një djalë më të moshuar se unë, i cili ishte musliman dhe me kombësi tjetër”. Përderisa Tasnimi dhe nëna e saj ende janë të afërta dhe kanë lidhje të mira, ato mundohen që të mos flasin shumë për besimin e saj. Ajo dhe babai i saj nuk flasin më.
Për Hafsën, momenti kur ajo iu tregoi prindërve të saj, para 24 viteve, nuk kishte ndonjë vështirësi të veçantë, sepse pranimi i Islamit në atë kohë ishte një ngjarje e zakonshme. Reagimi i prindërve të saj ishte plotësisht i kundërt. “Mendoj se nëna ime kishte ndjenjën se unë bëhesha muslimane për shkak të bashkëshortit tim, por kjo nuk ishte e vërtetë, sepse unë isha njoftuar me Islamin rreth katër vite më parë, edhe pse nuk isha konvertuar përderisa nuk u martova. Në të vërtetë, ajo disi nuk mundeshte që ta përballojë atë. Kur u martuam, nëna ime më tha: ‘Nëse ti je e lumtur, edhe unë do të jem e lumtur’, por me sa duket nuk ishte ashtu. Babai im poashtu e pat thënë të njëjtën fjalë, por dallimi mes tyre ishte që ai vërtetë e kishte menduar atë”.
Tasnimi është e martuar me Sabirin, i cili është sudanez, për plotë dy vite, dhe thotë se asnjëherë nuk ka qenë më e lumtur se tani. “Jam njoftuar me burrin tim në fakultet dhe më dukej se është një vendim i drejtë martesa me të. Unë ia mësoja atij gjuhën angleze, kurse ai më fliste për Islamin, dhe në këtë mënyrë ne u dashuruam”, thotë ajo.
Burri i Bahisë, Sherafedini, është gjithashtu person që ka pranuar Islamin, dhe i cili më parë kishte emrin Kameron. Ata kanë dy fëmijë, njërin katërvjeçar dhe tjetrin dyvjeçar.
Për Tasnimin, Bahinë dhe Hafsën jeta rrotullohet rreth pesë kohëve të namazit, ata nuk përdorin disa lloje të ushqimeve dhe nuk konsumojnë alkool. Ato thonë se nuk ju mungon asgjë nga jeta e tyre që kishin para se të pranojnë Islamin. “Islami është i mjaftueshëm për mua. Juve nuk ju nevojitet asgjë tjetër kur ta keni gjetur Islamin”, thotë Bahiya.
Të bërit muslimane e kishte pajisur Tasnimin me lumturinë dhe përkatësinë që ajo kishte kërkuar. “Është një ndryshim komplet në qëndrimin dhe sjelljen tuaj, në mënyrën e të menduarit tuaj”, thotë ajo. “Tani kam më shumë vetbesim, jam më e lumtur dhe më e kënaqur. E kam arritur përfundimin që kam kërkuar”.

Kay Jardine
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>