prej_erresires

DUKE GJETUR RRUGËN TIME...
(KONVERTIMI NË ISLAM I LYNETTE WEHNER)

Në çfarë mënyre një mësuese e pakënaqur amerikane katolike gjeti plotësimin shpirtëror dhe udhëzimin përmes punës së saj të re në shkollën muslimane

Vendi im i ri i punës në shkollën islame u prit me një entuziazëm të rezervuar nga familja ime katolike. “Vetëm bëhu e sigurtë në vete që mos të konvertosh në Islam”, më tha vjehrri im kur kuptoi për punën time të re. Vjehra ime ishte e tmerrur nga ideja që unë do të jem e rrethuar me diç “të huaj”. Isha në dyshim se vallë dua të punoj në këtë shkollë. Megjithëse do të kisha klasën time (të cilën aq shumë e dëshiroja), do të isha aty vetëm në një orar të punës dhe do të duhej të vishem në mënyrë islame (të mbuloj flokët e mia). I tërë ky koncept ishte shumë i huaj për mua. Debatova me vetveten një ditë apo dy derisa vendosa definitivisht që të marr përsipër detyrën e profesoreshës në atë shkollë. Isha e qetë dhe e vendosur se kjo do të ishte një përvojë e re për mua. Dhe vërtetë ishte ashtu...
Në ditën e parë, profesoreshave të reja “jomuslimane” u mbahet një orë mësimi se si duhet të vehet “shamia”. Atë orë e ligjëroi një nga profesoreshat muslimane në zyrën e profesorëve. Qeshnim tërë kohën përderisa provonim modele të ndryshme. Akoma e mbaj mend atë mëngjez se si isha e relaksuar dhe ishte ky momenti kur e kuptova se muslimanët nuk janë të ashpër dhe të rëndë siç kam menduar gjithmonë. Është për t’u çuditur se si njeriu mund të krijojë paragjykime për njerëzit tjerë fare pa i njohur ata. Kjo ishte një ide e gabuar…
Gjatë vitit të parë të punës sime aty, unë mësova shumë gjëra. Isha shumë e impresionuar nga fakti se si nxënësit e mi e njihnin religjionin tim (Krishterizmin) më mirë se unë që e njihja. Ishte interesante se si ata i dinin ngjarjet. Nxënësit e mi gjithmonë më parashtronin pyetje rreth besimit tim dhe ata më bënë që të mendoj. Në çka besoj unë?
Isha e edukuar në frymën katolike dhe në moshën madhore fillova t’i largohem katolicizmit. Nuk e dija se ç’ishte ajo që më bënte të mos ndjehem mirë, por vetëm e dija që diçka nuk ishte në rregull. Bëra një përpjekje të vogël edhe në Dhjatën e Re edhe në Dhjatën e Vjetër, por për shumëçka aty në një farë mënyre nuk e gjeta veten. Vetëm e dija se kisha dëshirë të lidhem me Zotin. Nuk dëshiroja që religjioni im të jetë si rezultat i  tentimit vetëm sa për t’u dukur si “njeri i mirë” në sytë e farefisit (siç ishte rasti me burrin tim). Unë dëshiroja që atë ta ndiej në zemrën time. Shikuar në të kaluarën tani, unë isha e humbur, por nuk e dija këtë atë kohë.
Fëmijët janë fëmijë dhe nxënësit e mi muslimanë nuk ishin më të ndryshëm se fëmijët tjerë. Ata i linin librat e tyre në klasë në vend që t’i marrin me vete në shtëpi. Ky veprim i tyre ishte në një farë mënyre një bekim i fshehur, pasi që pas orëve të mësimit fillova t’i lexoj ato libra. Dhe shumëçka aty më la përshtypje. Për të më ndihmuar në kuptimin e lëndës, një vëlla dhe një motër muslimane ishin më se të lumtur që t’ju përgjigjen të gjitha pyetjeve të mia, kurse unë kisha shumë sosh! Ne diskutonim mbi Islamin dhe religjionet tjera me orë të tëra. Ishte ajo koha kur pata filluar t’i lexoj librat që më dhanë një kuptim në jetë.
Në vetvete e kisha ndjenjën sikur të kisha gjetur diç të humbur, diç që kërkoja gjatë kohë.
Ishte njëfarë qetësie që më kaplonte ngadalë dhe zgjerohej në shpirtin tim...
Në të njëjtën kohë fillova ta lexoj Kur’anin në shtëpi. Burrit tim (nga i cili jam e ndarë tani) nuk i pëlqente interesimi që unë kisha për Islamin. Andaj, kur e lexoja Kur’anin, këtë e bëja fshehurazi, pa dijen e burrit tim. Në fillim mendoja që jam duke bërë ndonjë mëkat. Më kujtohet se isha shumë e frikësuar dhe mendoja që ndoshta Zoti do të më hidhërohet.
Si është e mundur që përveç Biblës të ekzistojë ndonjë libër tjetër nga Zoti? Megjithatë kisha vendosur të dëgjoj zemrën time, kurse ajo më thoshte që të vazhdoj së lexuari. Disa nga pjesët e Kur’anit më dukeshin sikur të ishin shkruar vetëm për mua. Shumë herë kam qarë duke lexuar. Ndjehesha e qetë, por disi akoma isha në gjendje konfuze. Akoma kishte diçka që nuk më lejonte ta pranoj plotësisht Islamin.
Pas shumë muajsh lexim, pas një sërë bisedash me njerëz dhe pas shumë gjurmime shpirtërore, ishte një ngjarje që më bëri që unë ta pranoj Islamin, që ishte si faktor determinues. Isha në dhomën e djalit tim duke u hamendur që të lutem. E kisha një libër mbi Islamin që përmbante pjesën “Si duhet të lutemi”. Qëndroja aty në konflikt me vetveten. Nuk isha e mësuar që t’i lutem Zotit në mënyrë të drejtpërdrejtë. Tërë jetën time isha e mësuar që t’i lutem Jezu Krishtit dhe ai lutjen time t’ia tregojë Zotit (apo diç të tillë). Isha shumë e frikësuar se mos vallë jam duke bërë ndonjë gabim. Nuk dëshiroja që Jezu Krishti të më hidhërohet. Në atë moment diç më goditi në kokë, sikur të ishte ndonjë valë kohore. Vallë, mendoja, vërtetë Zoti do të më hidhërohet vetëm se dua të jem më afër Tij? Apo mos vallë Jezu Krishti do të më hidhërohet se unë dëshiroja të jem më afër Zotit? Vallë, a është kjo ajo që Zoti e dëshiron prej neve? Zoti e di qëllimin tim. Kisha një ndjenjë të fuqishme dhe një zë buçiste në kokën time, sikur Zoti fliste atë ditë me mua. Çka ishte ajo që unë i frikësohesha? Si ta refuzoj besimin në All-llahun? Në atë moment fillova të qaj. Dhe vetëm qaja. Ishte ai zëri që tingëlloi në zemrën time, e që unë dëshiroja ta dëgjoj. Në atë moment e dija që duhet të pranoj Islamin. Mendova se ky është vendimi i vërtetë dhe asgjë tjetër nuk është me rëndësi. Pas deklarimit të shehadetit para shkollës ku isha e punësuar, nuk ishte më e pranishme në mua ajo ndjenjë e hutisë se “ku takoj dhe në çka besoj”. Ajo ishte shuar plotësisht. E dija thellë në veten time që kam sjellur vendimin e drejtë. Unë asnjëherë nuk kam qenë më afër Zotit se sa që jam tani kur jam bërë muslimane. Tani jam shumë e lumtur. E falënderoj All-llahun për këtë dhunti.
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>