prej_erresires

PREJ PRIFTI E DERI NË THIRRËS
Abdullah Muhammed Faruk

Si fëmijë i vogël jam edukuar me frikë të thellë ndaj Zotit. Që atëherë kisha u bë pjesë e jetës sime; pjesërisht jam edukuar nga gjyshja ime, e cila ishte fundamentaliste protestante. Qysh në moshën gjashtëvjeçare i kam njohur të gjitha dhuntitë të cilat do të më presin në Xhennet nëse bëhem fëmijë i mirë, dhe dënimet në Xhehennem të cilat i pritnin fëmijët e padëgjueshëm. Gjyshja ime më mësonte se të gjithë gënjeshtarët do të shkojnë në zjarrin e Xhehennemit ku përgjithmonë do të digjen.
Nëna ime punonte dy punë. Me vetë këtë nuk ka pasur shumë kohë për ne, por gjithmonë na ka përkujtuar për atë çka më ka mësuar gjyshja ime. Vëllai im më i vogël dhe motra më e vjetër nuk i merrnin me seriozitet fjalët që kishin të bëjnë me ahiretin, ashtu siç ishte rasti me mua. Më kujtohet se kur shihja hënën e plotë, e cila kishte ngjyrë të kuqe, filloja të qajë, sepse kjo është një prej shenjave të Ditës së Gjykimit, që hëna do të jetë e kuqe si gjaku.
Si tetëvjeçar kisha një frikë të thellë prej atyre shenjave të Ditës së Gjykimit, saqë shihja ëndrra të këqija. Shtëpia jonë ishte pranë rrugës nëpër të cilën kalonin kamionë. As stacioni hekurudhor nuk ishte aq larg. Më kujtohet se zhurma dhe sirena e lokomotivave shpesh më zgjonin, andaj shpesh mendoja se tani më kam vdekur dhe se sërish jam ringjallur, pasi që të jetë fryrë në buri.
Këto mësime janë skalitur në kokën time, me kombinimin e mësimeve gojore dhe leximin e librave biblikë.
Çdo të diele shkonim në kishë, të veshur me rrobat tona më të bukura. Gjyshi ynë na çonte me makinë deri te kisha. Në kishë gjithmonë qëndronim gjatë, arrinim rreth orës 11 paradite kurse në shtëpi shkonim rreth orës 3 pasdite. Më kujtohet se ngandonjëherë nga lodhja më zinte në gjumë në krah të gjyshes. Gjyshi im nuk shkonte në kishë, ai ishte pjesërisht i palëvizshëm nga infarkti të cilin e kishte përjetuar. Kjo periudhë kohore ishte prej më të rëndësishmeve në zhvillimin tim.

Kthimi në krishterizëm
Fakti se nuk duhej shkuar në kishë për mua paraqiste lehtësim, por kohë pas kohe ndjeja nevojë për të shkuar atje. Si 16 vjeçar fillova të shkoj në kishë, në të cilën babai i shokut tim ishte prift. Kjo ishte një kishë e vogël, në të cilën anëtarët e vetëm ishin familja e shokut tim, unë dhe ndonjë shok shkolle. Pas disa muajve kisha u mbyll. Pasi që mbarova gjimnazin dhe nisa studimet, fillova përsëri me aktivitete fetare. Në mënyrë intensive u thellova në mësimet protestante. Pas disa kohëve përsëri u pagëzova dhe “u mbusha me Shpirtin e Shenjtë”, siç quhej kjo atëherë. Në universitet shpejt u bëra “krenaria e kishës”. Të gjithë shpresonin te unë, kurse edhe unë isha i lumtur që përsëri jam “në rrugë të shpëtimit”.
Në kishë shkoja sapo hapeshin dyert. Ngandonjëherë me ditë dhe javë nuk ngritja kokën nga studimi i Biblës. Shkoja në ligjërata të cilat i mbanin dijetarë të krishterë. Në moshën njëzetvjeçare u bëra prift.
Fillova të mbaj mesha dhe u bëra shumë i njohur. Në qëndrimet e mia isha shumë ekskluziv: kisha bindjen se askush nuk mund të jetë i shpëtuar nëse nuk i bashkëngjitet bashkësisë sime kishtare. E llogaritja për të humbur secilin që nuk shkon shtigjeve të njëjta sikur unë. Kisha bindjen se Jezu Krishti (Paqja e All-llahut qoftë mbi të) dhe All-llahu i Gjithëfuqishëm janë një. Bashkësia e atëhershme kishtare në të cilën isha unë nuk besonte në trini, por se Jezusi (Paqja e All-llahut qoftë mbi të) ishte edhe Ati edhe Biri edhe Shpirti. Këtë mësim as vet asnjëherë nuk e kuptova.
Respektoja veshjen e grave dhe sjelljen e devotshme të njerëzve. Më pëlqente ajo se gratë duhej të visheshin me rroba që mbulonin trupin. Gratë nuk “lyenin” fytyrat e tyre me makijazh dhe mbaheshin si përfaqësuese të vërteta të Krishtit. Pa kurrfarë dyshimi, kisha bindjen se përfundimisht kisha gjetur rrugën e vërtetë deri te lumturia e përhershme.
Isha i gatshëm që të debatoj me këdo qoftë tjetër nga sektet tjera krishtere, të cilat kishin botëkuptime tjera, dhe me diturinë time nga Bibla mundesha “t’ua mbyllë gojët”. Edhe pse ndjehesha i sigurt në rrugën e vërtetë, një pjesë e imja edhe më tej e kërkonte atë. Ndjeja se duhet të jetë e vërtetë më e madhe se kjo.
Kur isha vetë, lutja Zotin që të shpie drejt fesë së vërtetë dhe të më falë nëse kam gabuar.
Asnjëherë nuk kisha kontakte me muslimanët. Njerëzit e vetëm që për vete pohonin se janë muslimanë ishin pasuesit e Elijah Muhammedit, të ashtuquajturit “Muslimanët e zi”. Në periudhën e viteve të vonshme të shtatëdhjeta të shekullit 20 prijësi i këtij grupi, Louis Farrakhan, deshi të përforcojë lëvizjen. Njëherë shkova ta dëgjoj, ishte ky një përjetim i cili plotësisht ma ndryshoi jetën. Asnjëherë në jetë nuk kisha dëgjuar ndonjë zezak tjetër se si flet në mënyrën sikur e bënte ky. Menjëherë desha të caktoj një takim me të dhe të mundohem ta kthej në fenë time. Misionarizmin e doja, me shpresë se do të mund të gjej njerëz të cilët duan të shpëtojnë nga zjarri i Xhehennemit - pa marrë parasysh se kush janë.
Pasuesit e Elijah Muhammedit i shikoja me respekt, sepse mundoheshin ta çlirojnë njeriun e zi nga e keqja që e shkatërronte. Fillova ta blejë literaturën e tyre, me qëllim që në këtë mënyrë t’u ndihmoj dhe me shpresë që me ta të filloj bisedë. I vizitoja ligjëratat e tyre që të kuptoj se në çka besojnë ata. Sado që ata të jenë të sinqertë, nuk mundesha ta pranoj idenë se Zoti është zezak - ajo në çka ata besonin. Nuk pajtohesha me ta, mënyrën se si shtrembëronin Biblën që t’i vërtetojnë disa mendime të tyre. Biblën e njihja shumë mirë, më pengonte se si ata e interpretonin në mënyrë të tyren. Unë i vizitoja shkollat ku mësohej Bibla dhe u bëra mjaft i njohur në ato qarqe.
Pas gjashtë viteve u shpërngula në Texas. Atje u bëra anëtar i dy kishave. Prifti i njërës kishë ishte i ri, pa përvojë dhe nuk kishte njohuri të mëdha. Dituria ime për librat krishtere në atë kohë ishte e pamasë, thjesht isha i pasionuar me mësimet e Biblës. Dituria ime ishte më e madhe se dituria e atij prifti, por në shenjë respekti iu bashkëngjita kishës në një qytet tjetër, ku mundesha të mësoj më shumë. Ky prifti tjetër kishte dituri mjaft të madhe. Ai ishte mësues i shkëlqyeshëm, po kishte disa ide të cilat nuk ishin në pajtim me mësimet e grupit tim. Gjithashtu ai përfaqësonte disa pikëpamje më liberale, por edhe më tej dëshiroja të vijoj ligjëratat e tij. Së shpejti e mësova leksionin më të rëndësishëm të jetës sime të krishterë, e kjo është se “nuk është ar gjithçka që shkëlqen”. Përkundër pamjes së jashtme, e keqja kishte zënë vend në vendin në të cilin assesi nuk mundja ta supozoj - kishën. Këto të këqija më nxitën që për disa gjëra të mendoj mirë dhe atëherë fillova të shqyrtoj mësimet të cilave u isha përkushtuar.

Mirë se erdhët në botën e vërtetë të kishës
Së shpejti kuptova se përbrenda hierarkisë së kishës mbretëron një xhelozi e madhe. Gjërat ishin më ndryshe se sa ato me të cilat isha mësuar. Gratë visheshin në mënyrë për të cilën mendoja se është e turpshme. Njerëzit visheshin me qëllim që vetëm të tërheqin vëmendjen e gjinisë tjetër. Pashë se në vend të parë të aktiviteteve kishtare gjithmonë qëndronin paratë dhe lakmia. Më është thënë se nëse kisha nuk ka numër të caktuar anëtarësh, nuk duhet të humbi kohë me mesha, sepse nuk do të marrë kompensim të mjaftueshëm financiar për atë. U përgjigja se nuk punoj për para dhe se do të vazhdoj së mbajturi mesha, madje edhe nëse kam vetëm një anëtar të pranishëm që do të më dëgjojë. Kjo shkaktoi tollovi. M’u bë e qartë se të hollat, fuqia dhe pozita për ta ishin më të rëndësishme se të mësuarit për Biblën. Meqë Biblën e kisha studiuar mirë, e dija se në të ka gabime, kundërthënie dhe gjëra të shpikura. Mendoja se është koha që njerëzve t’u thuhet e vërteta për Biblën. Por kjo nxjerrje e të vërtetës konsiderohej si punë e shejtanit. Përkundër kësaj, fillova që publikisht mësuesve të mi t’u parashtroj pyetje, të cilave asnjëri prej tyre nuk mund t’u përgjigjej. Asnjëri prej tyre nuk mund të sqaronte se si Jezusi në të njëjtën kohë mund të jetë edhe At edhe Bir edhe Shpirt i Shenjtë. Si ashtu që të tretë në të njëjtën kohë mund të jenë edhe tre edhe një. Disa priftërinj ma pranuan se as ata vetë nuk kanë mundur ta kuptojnë atë, por thanë se prej neve kërkohet që thjeshtë të besojmë në të. Rastet e amoralitetit asnjëherë nuk janë sanksionuar. Disa priftërinj kanë konsumuar drogë, duke shkatërruar kështu jetët e tyre dhe jetët e familjeve të tyre. Prijësit e disa kishave kanë qenë homoseksualë. Madje ka pasur të tillë të cilët kanë bërë amoralitet me vajzat më të reja anëtare të kishës. Kur krejt kjo të merret parasysh, atëherë nuk është për t’u habitur se përpjekjet e mia që të marr përgjigje të vërteta ishin gjykuar në humbje. Kjo u ndryshua atëherë kur pranova një punë në Arabinë Saudite.

Fillimi i ri
Një kohë të shkurtër pasi që erdha në Arabinë Saudite, pashë dallimin në mënyrën e jetës së muslimanëve. Ata dallonin nga pasuesit e Elijah Muhammedit, në atë masë saqë muslimanët ishin të të gjitha ngjyrave të lëkurës dhe nacionaliteteve të ndryshme. Së shpejti tek unë u zgjua dëshira që sa më shumë të mësoj për këtë fé.
Isha i mahnitur nga jeta e të Dërguarit të Zotit, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Kërkova libra nga një musliman i cili ishte aktiv në da’vet. Sa libra që dëshiroja, aq edhe më jepte. Secilën prej tyre e kam lexuar. Kur mora Kur’anin, e lexova disa herë për katër muaj. Sa herë që kisha ndonjë pyetje, merrja përgjigje përkatëse.
Më pëlqente edhe ajo se askush prej muslimanëve nuk lavdërohej me diturinë e vet. Nëse dikush prej tyre nuk e dinte përgjigjen, më thoshte thjeshtë se tani nuk e di dhe se do të pyesë dikë që e di. Ditën e ardhshme çdoherë më sillnin përgjigjet e dëshiruara. Hetova se si modestia luan një rol të madh në jetën e këtyre njerëzve.
Në Islam më pëlqente edhe ajo se gratë duhet të jenë të mbuluara “nga koka deri në thembër”, si dhe fakti se nuk ka kurrfarë hierarkie, dhe ajo se askush nuk luftonte për kurrfarë “karrige”. Krejt kjo ishte mirë, por si ta hedhi poshtë besimin që e kisha që nga fëmijëria? Ç’është me Biblën?
E dija se në të ka edhe të vërteta, edhe pse shumë herë është ndryshuar dhe përmirësuar.
Atëherë mora video kasetën me një debat ndërmjet Shejh Ahmed Didatit dhe priftit Jimmy Swaggarta.
Pasi që e shikova deri në fund, menjëherë u bëra musliman.
Shkova te Shejh Abdullah ibn Abdulaziz bin Bazi që haptazi të kumtoj përkatësinë time në fenë islame. Atje mora këshilla, se si të përgatitem në rrugën e mëtejme të Islamit. Atë e përjetova si lindje të vërtetë nga errësira në dritë. Pyetesha se si krishterët të cilët i njihja do të reagojnë ndaj kalimit tim në Islam. Nuk zgjati shumë, edhe këtë e kuptova. Pasi që u ktheva në SHBA, isha i kritikuar për “jopërhershmërinë time në fé”. Më ngjitën shumë etiketa - prej “renegat” e deri në “tradhtar”.
Të ashtuquajturit “krerë kishtarë” ua ndaluan anëtarëve të vet që të më përmendin në lutjet e tyre. Edhe pse më vinte pak çudi, kjo aspak nuk pengonte. Isha tejet i lumtur se All-llahu i Gjithëfuqishëm ma tregoi rrugën e vërtetë, e të tjerat nuk ishin me rëndësi.
Tani dëshiroja të jem musliman besnik dhe i mirë, sikur që isha i tillë edhe si i krishterë. Në rend të parë ishte të mësuarit. Në Islam askush nuk ka monopol ndaj diturisë - secili që ka vullnet dhe qëndrueshmëri është në gjendje të mësojë aq sa dëshiron. Mora përkthimin e Sahihul Muslimit si dhuratë nga mësuesi im i Kur’anit. Atëherë kuptova domosdoshmërinë e mësimit mbi jetën, fjalët dhe veprat e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Sa hadithe që gjeja në anglisht, unë menjëherë i mësoja ato. E kuptova se diturinë time mbi Biblën mund ta shfrytëzoj për thirrje në Islam të krishterëve.
Për mua jeta kishte marrë kuptim të ri. Një nga njohuritë qendrore të jetës sime të re si musliman ishte që jeta në këtë botë duhet të shfrytëzohet si përgatitje për botën e ardhshme. Risi për mua ishte që njeriu do të jetë i shpërblyer madje edhe për qëllimet e veta. Kjo është në kundërshtim me mësimet e krishtera, ku thuhet se “rruga deri në ferr është e shtruar nga qëllimet e mira”. Sipas kësaj gjithmonë je në humbje. Nëse bën mëkat, atëherë duhet t’i rrëfehesh priftit, sidomos në bëhet fjalë për ndonjë mëkat të madh, siç është amoraliteti. Në krishterizëm njeriu gjykohet sipas veprave të tij.

E tashmja dhe e ardhmja
Në një bisedë që e bëra me gazetën Al-Madinah, më pyetën për aktivitetet e mia të tanishme dhe planet për të ardhmen. Tash për tash kam një qëllim, ta mësoj gjuhën arabe dhe të vazhdoj me kërkimin e diturisë, që sa më shumë të mësoj për Islamin. Jam i kyçur në fushën  da’vetit. Në veçanti u drejtohem jomuslimanëve të cilët kanë prapavijë krishtere. Nëse më jep jetë All-llahu i Madhërishëm, shpresoj se do të shkruaj më tepër rreth temës për fetë krahasuese.
Obligim i çdo muslimani është që ta zgjerojë diturinë mbi Islamin. Si një njeri i cili ka investuar mjaft kohë në të mësuarit e Biblës, ndjehem i obliguar që t’ua transmetoj njerëzve diturinë për gabimet, përrallat dhe shpikjet të cilat gjenden në atë libër në të cilën besojnë miliona njerëz.
Një nga kënaqësitë më të mëdha për mua është fakti se nuk duhet të mundohem shumë rreth diskutimit me krishterët, sepse vetë isha mësues i cili i mësonte metodat e diskutimit të cilat tani i përdorin ata. Në të njëjtën kohë njoh shumë argumente të cilat neve, priftërinjve, na ishin të ndaluara t’i shfrytëzojmë dhe përhapim.
Lutjet e mia ia drejtoj All-llahut, që të na falë për mosdijen tonë dhe të na udhëzojë në rrugën e cila shpie në Xhennet. Falënderimi i takon All-llahu. Paqja dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi Pejgamberin e Tij të fundit, Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], familjen e tij të ndershme, as’habët e tij dhe atyre që e ndjekin udhëzimin.

Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>