prej_erresires

NGA HINDUIZMI NË ISLAM
(Rrëfim i një çifti bashkëshortor)

Përse Indrani dhe Chandara nga hindiuzmi kaluan në Islam?

Motra Nishani (emri i saj i mëparshëm Indrani) dhe burri i saj, vëlla Refiku (emri i tij mëparshëm Chandara) rrëfyen rrugën e tyre drejt Islamit.

Indrani kishte 6 vjet kur vdiq babai i saj. Nëna e saj ndërpreu lutjet sepse ndjente se Zoti është i padrejtë kur e bëri të vejë me pesë fëmijët e vegjël.
Indrani dhe vëllezërit e saj u edukuan si hindusë vetëm me emër. Nuk kishin fotografi të perëndive në shtëpinë e tyre, ashtu siç mbanin shumë hindusë.
Kur Indrani i kishte 10 vjet, filloi ta dojë Zotin. Ajo mblidhte fotografi të hindu perëndive dhe perëndeshave dhe i adhuronte në shtëpi. Ndjente nevojë për lutje, kurse ishte e çuditshme se familja e saj dallohej prej shumë familjeve të tjera hindu, sepse kryenin shumë pak hindu rituale.
Gjatë periudhës tinejxhere, Indrani filloi ta vizitojë tempullin tri herë në javë. Kishte nxitur disa miq të saj që të shkojnë në tempull me të, meqë së shpejti u bë gjithnjë e më e interesuar për hinduizëm.
Merrte pjesë në aktivitetet bhajanai (këndim shugurues) dhe ishte anëtare e Komitetit të Ayyapan Grupit në tempull disa vjet me radhë.
Një ditë Indrani u sëmurë. U konsultua me disa mjekë, por i thanë se nuk ka kurrfarë sëmundje. Megjithatë, gjendja e saj përkeqësohej. Pastaj u konsultua me Swam-in (prift hindu), i cili duhej të bëjë sevanai (pastrim nga shpirtrat e këqinj), për të cilat ajo dyshonte se jetojnë brenda saj. Swami dhe asistenti kishin ardhur që ta vizitojnë. Asistenti ishte Chandara, i cili merrej me rituale religjioze në kishën e saj dhe i cili gjithashtu organizonte udhëtime religjioze në Malajzi për Indranin dhe për miqtë e saj.
Indrani ishte shumë e impresionuar nga dituria të cilën e tregonte ky djalosh gjatë asistimit të swamit.
Pas asaj vizite, Chandara ëndërroi perëndeshën e saj shumë të dashur Kaliamma, e cila i tha që të martohet me Indranin. Pas shumë bindjeve, familja e tij e kërkoi Indranin për të. Indrani nuk mund të besonte se ëndrrat e saj për t’u martuar për një hindus të devotshëm u realizuan.
Për dallim nga Indrani, Chandara ishte i edukuar në një familje religjioze hindu. Ç’është me rëndësi, Chandara ishte më religjiozi në familjen e tij. Shpesh binte në trans duke recituar mantra të shenjta për nder të perëndive të cilët e magjepsnin dhe bisedonin me të. Në hinduizëm konsiderohet se është nder të jesh magjepsur nga ana e perëndive apo perëndeshave.
Chandara dhe anëtarët e tjerë të grupit të tij shpesh takoheshin për të dëgjuar mësimet e swamit. Gjithashtu ata vizitonin njerëzit nëpër shtëpia që të dëbonin shpirtrat e këqinj nga shtëpitë dhe nga trupat e të tjerëve. Kështu Chandara u caktua që të jetë asistent i swamit.
Indrani asnjëherë nuk kishte rënë në trans, por kishte parë Chandarën kur e kishte magjepsur perëndia e elefantëve, Vinayagar. Chandara sillej pikërisht sikur elefant dhe i hante pemët që i han elefanti. Derisa ishte në trans, Chandarës i afroheshin njerëzit që ai t’ua zgjidhë problemet. Ata që iu afroheshin, iu përkuleshin atij, sepse e konsideronin “perëndi”. Vibuthi (hiri i bardhë) për shënimin e ballit i sillej Chandarës që ta bekojë.
Krahas tërë kësaj, Chandara nuk ndjehej i kompletuar. I pakënaqur, e dinte se ekziston diçka e gabueshme në jetën e tij. Nuk arriti që të shohë dritën dhe gjithmonë ndjente se rruga e tij është bllokuar me një lloj errësire të cilën dëshironte ta heqë qafe për ta parë dritën. Ai e dinte se ekzistojnë 3360 hindu perëndi dhe i lutej disave prej tyre.
Kurdo që ndjehej i hutuar, shkonte në bibliotekë që të mësojë më shumë për hinduizmin. Mësonte prej më të moshuarve, por e dinte se kishte ende për të mësuar. Shumë hindu priftërinj nuk donin të ndajnë atë që dinin: dituria ishte ena e tyre me ushqim dhe nuk dëshironin që t’u merrej burimi. Ishte vështirë që për hinduizmin të mësohej vetvetiu, meqë pjesa më e madhe e literaturës ishte e shkruar në sanskrit. Chandara nuk mund të gjente asnjë libër të shenjtë i cili do të kënaqte hulumtimin e tij. Të gjitha librat ishin të shkruara nga autorë të ndryshëm dhe secili prej tyre kishte ide të ndryshme për atë se si dhe kur është formuar hinduizmi. Madje edhe Bhagavat Gita (i cili më shumë e theksonte Vishnën), Ramayana dhe Mahabharata ishin shumë të kufizuar. Këta libra të shenjtë ishin më shumë libra letrarë të cilët mësonin se duhet qenë të mirë dhe t’i lutemi perëndive. Mbi të gjithë këta zotëra ishte perëndesha Aadhi Parasakhti. Ajo kontrollon tërë universin. Thelbi i hinduizimit është përpjekja për të fituar reinkarnim të mirë dhe ta adhurosh Zotin dhe t’i lutesh Zotit përmes gjysmëperëndive. Gjatë këtij hulumtimi për ngritje shpirtërore, te Chandara erdhi një misionar i krishterë në Toa Payoh. Filloi të merret me krishterizëm me shpresë për shpëtim dhe ngritje shpirtërore.
Megjithatë, krishterizmi nuk i pëlqeu, kryesisht për shkak të sjelljes së njerëzve në kishë: hetoi se meshkujt dhe femrat e reja kanë sjellje të pahijshme. Krishterizmi nuk ishte ai të cilin e kërkonte, andaj hoqi dorë prej tij. Prapëseprapë, Chandara nuk mundi më që t’u lutet një numri aq të madh të zotrave. Ai mundej të adhurojë shpirtërisht vetëm një Zot, kurse idhujt e tjerë vetëm fizikisht, por nuk e dinte se kush është ai Zot Një. Edhe më tej ngandonjëherë binte në trans.
Chandara kishte miq kureshtarë nga Malajzia të cilët e pyetnin për hindu adhurimin. Ata nuk i flisnin për Islamin, por i kishin thënë se ata, për dallim nga ai, i luten një Zoti: All-llahut.
Chandara, i cili ishte prijës në mesin e kolegëve të tij, shkonte me miqtë e tij malajas kur ata e falnin namazin e drekës, duke pritur derisa të falen ata. Njëkohësisht, ai i lutej Zotit dhe e pyeste për rrugën e drejtë.
Chandara ishte shumë i impresionuar me ezanin, i cili te ai kishte ndikim shumë qetësues. Ezani preku zemrën e tij aq thellë, sidomos kur ishte i përcjellë me namazin të cilin miqtë e tij dhe muslimanët tjerë e falnin. Ai ndjente se është shumë lehtë të njihet Zoti i vërtetë. “Adhuroje vetëm Atë. Përse njeriut do t’i nevojiteshin të gjithë këta idhuj dhe ndërmjetësues?” Nuk kaloi gjatë kohë, derisa nuk e kuptoi se ai pikërisht hulumtonte pas Islamit dhe All-llahut.
Pas kurorëzimit të tyre, bashkëshortja e tij Indrani edhe mëtej ishte mjaft aktive në aktivitetet e saj në tempull. Ajo ishte e hutuar kur burri i saj, hindusi më i devotshëm se ajo, filloi pandërprerë të flasë mbi ekzistimin e një Zoti të Lartësuar, për lutjen vetëm të një Zoti, si dhe atë se religjioni i vërtetë nuk do të duhej të ketë aq shumë zotëra. Vjehrra e saj mendonte se biri i saj më parë i devotshëm, i ka fyer perënditë.
Madje edhe pas kurorëzimit, Chandara e vazhdoi hulumtimin e vet për ngritje shpirtërore. U përpoq që të kërkojë Zotin Një në hinduizëm, duke u munduar që të jetë i vetëdijshëm që shpirtërisht t’i lutet Zotit Një. Më nuk ishte i interesuar për aktivitete në tempull, më nuk binte në trans. Nëna e tij tha se shkak për ndryshimin në sjelljen e të birit të saj është pikërisht fakti se ai ishte i magjepsur.
Chandara nuk dinte asgjë për Islamin, përveç se në Islam ka një Zot. Ai meditonte për çdo ditë. Zakonisht i këndonte emrat e perëndive të ndryshëm. Mirëpo, njëherë kur i shqiptoi emrat e tyre, ndjeu se diçka nuk është në rregull, andaj vetëm tha: “Zoti i Lartësuar, Zoti i Lartësuar...” Në meditimin e vet e dinte se muslimanët i luten Zotit të vërtetë.
Problemi më i madh i Chandarës për praktikimin e Islamit ishte Indrani. Ajo nuk i donte muslimanët dhe ishte shumë aktive në tempull. U mundua të ndikojë te gruaja e tij, duke shikuar programe islame malajziane në televizion. Indrani ankohej se nuk ka nevojë që burri i saj aq shumë të merret me Islam. Ai e shfrytëzoi këtë rast që t’i thotë se më nuk beson në hinduizëm, duke i sqaruar se hinduizmi nuk ka libër të shenjtë dhe bazë të besimit. Meqë nuk arriti të gjejë se si është themeluar hinduizmi, kjo thjesht ndikonte si kulturë përplot kompleksitete, të cilën e kanë bartur paraardhësit e tij.
Bleu përkthimin e Kur’anit prej Jusuf Aliut dhe ishte thellë i impresionuar kur lexoi për pejgamberët, për krijimin e njerëzimit, për Xhennetin dhe Xhehennemin. Gjeti shumë gjëra që janë të nevojshme t’i dijë çdo qenie njerëzore dhe e nxiti Indranin që të lexojë. Kur lexoi se të gjithë idhujtarët do hidhen në Xhehennem, i nxori të gjithë idhujt dhe fotografitë nga shtëpia e tyre.
Chandara tani u përqendrua në mësimin e Islamit nga burime të ndryshme. Gjithashtu u mundua që të mësojë më shumë për Islamin nga miqtë e tij malajas. Mirëpo, ata zakonisht nuk mund të përgjigjeshin në pyetjet e tij. I propozuan që të pyesë ndonjë dijetar fetar. Asnjëri prej tyre nuk ndërmorri iniciativë që ta dërgojë te ndonjë dijetar, përderisa Chandara nuk u njoftua me një anëtar të grupit Al-Arkam. Ky person Chandarës i transmetoi gjithçka që dinte për Islamin.
Chandara filloi të sjellë libra mbi Islamin, por edhe për krishterizëm dhe hinduizëm, duke i folur gruas së vet që t’i lexojë dhe të bëjë krahasime. Indrani nuk ishte e interesuar. Ishte e kënaqur me besimin e saj dhe hinduizmin. I tha vetvetes se nuk ka shansë që ai të ndikojë te ajo me idenë e tij për Zotin Një të Lartësuar dhe u betua në zemrën e vet se ajo do ta kthente burrin në rrugën e vet.
Indrani nuk kishte ndërmend që t’i lexojë librat të cilat burri i saj i sillte në shtëpi. Prapëseprapë, ngandonjëherë kur natën nuk mund të flinte, për ndonjë arsye merrte Kur’anin dhe e lexonte. Sërish dhe sërish, saherë që nuk mund të flinte, Kur’ani ishte ai të cilin e merrte dhe e lexonte. Ndjehej e humbur qëkur burri i saj nxori hindu hyjnitë nga shtëpia e saj, ashtu që nuk mundej t’u lutej atyre.
Indrani filloi të shohë ëndrra. Gjatë shtatzënisë së parë, ëndërroi Qaben. Ajo këtë ëndërr ia rrëfeu një koleges së saj muslimane, kurse shoqja ëndrrën ia tregoi babait të vet. Babai tha se Indrani është e lumtur se e ka ëndërruar Qaben.
Gjithashtu kishte ëndërruar hindu perënditë se si e qortojnë dhe i kërcënohen, por më shumë shihte ëndrra mbi Islamin dhe muslimanët e devotshëm. Vazhdoi t’u lutet hindu idhujve, por mendonte për ëndrrat e veta. Kur ishte shtatzëne në vajzën e saj të tretë, kishte parë edhe një ëndërr të çuditshme. Kishte dëgjuar një zë nga dritarja e hapur në dhomën e fjetjes. Zëri kishte thënë: “Unë jam Muhammedi, i Dërguari i All-llahut. Pasoje rrugën time dhe e keqja do të humbet. Nëse dëshiron të mësosh më shumë, pyete burrin tënd”. Ishte zgjuar pas kësaj ëndrre, por sërish kishte fjetur. Kishte parë edhe një ëndërr tjetër. Në këtë ëndërr, ëndërronte veten se si ia rrëfen ëndrrën e parë burrit të saj. E ka pyetur se çfarë ka qenë “rruga”, e ai i tha që të shikojë nga dritarja. Kur shikoi, e pa Jusuf Islamin të veshur si arab, duke mbajtur fjalim mbi Islamin, i rrethuar nga njerëz të cilët ishin të veshur sikur ai. Indrani asnjëherë nuk e kishte parë Jusuf Islamin, por kishte dëgjuar për të. Në ëndërr, disi e dinte se është ai.
Këto ëndrra kishin ndikim mjaft të fuqishëm në besimin e Indranit. Filloi gjithnjë e më shumë të interesohet për Islamin dhe dëshironte të ndjekë rrugën e Muhammedit, të Dërguarit të All-llahut. Dëshiroi që ta pranojë Islamin, por ishte e frikësuar sepse ishte shtatzënë me fëmijën e tretë. Frikësohej se mos po i ndodhë diç fëmijës së saj, pasi që ishte kujtuar në  kërcënimin e hindu perëndive në ëndërrat e saj. Pas lindjes, Indrani i tha burrit se ishte e gatshme.
Kishin marrë vesh për Darul Arkam - Asociacion i Singaporit për muslimanët që kishin kaluar në Islam, ku mund të regjistronin kalimin e tyre në Islam. Chandara në fillim refuzonte, meqë mendonte se Darul Arkam ka lidhje me Al Arkamin. Shkuan në Shoqatën Islame Teologjike të Singaporit dhe regjistruan emrat e tyre si Muhammed Refik dhe Nishani.
Kur shpallën kalimin e tyre në Islam, hasën në shumë probleme, sidomos kur Indrani filloi të veshë hixhabin. Prindërit e tyre, miqtë, farefisi të cilët i donin më parë, tani largoheshin. Të gjithë miqtë të cilët Indrani i kishte sjellë në hinduizëm, tani refuzonin të shiheshin me të, nga frika se ajo do të arrijë t’i sjellë edhe në Islam. Ishin shumë të befasuar, sepse e dinin se Indrani assesi nuk i donte muslimanët. Prindërit e Indranit ia tërhoqën vërejtjen se burri i saj me siguri ka interes të fshehur që të ketë më se një grua.
Indrani dhe burri i saj, prindërit e të cilëve kishin hequr dorë prej tyre, ndjenin se u mungonte dashuria të cilën e kishin më parë prej prindërve. Indrani pandërprerë i thoshte vetes, se pasi që All-llahu aq shumë e do, kjo sakrificë të cilën e bën për shkak të familjes së vet nuk është asgjë. Ajo e dinte se atë askush nuk mund ta dojë më shumë se Zoti.
Hindusët e ditur dhe gurutë mundoheshin që ta kthejnë Chandarën në hinduizëm, por ai me mirësjellje i refuzonte. Atëherë ata i ndërprenë lidhjet me të. Familja e Indranit u betuan se fëmijët Nisha, Nafisa dhe Natasha kur të rriten do të kthehen në hinduizëm, duke refuzuar që t’ua pranojnë emrat muslimanë nipërve të tyre. Tani fëmijët e tyre shkojnë në medrese dhe janë shumë të kënaqur me religjionin e tyre. Chandara i nxit që të vishen me hixhab edhe pse ende janë të reja, me qëllim që të mësohen me mbulesën. Prindërit hetuan se fëmijët e duan aq shumë hixhabin, saqë as vetë nuk duan ta heqin.
Edhe pse prindërit e tyre kishin hequr dorë prej tyre, Chandara dhe Indrani asnjëherë nuk ishin ndalur nga përpjekja që të mbajnë raporte të mira me ta.

Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>