prej_erresires

RRËFIMI I AMINËS

Një zonjë irlandeze rrëfen udhëtimin e vet të gjatë dhe të ngadalshëm që kulminoi me konvertimin e saj nga katolicizmi në Islam gjatë verës së vitit 2001

Në emër të All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Këto fjalë më tingëllojnë në kokë që prej kur fillova të falem, diç që jam duke e bërë vetëm gjashtë javë me radhë tani, por kjo është kulminacion i një udhëtimi të gjatë dhe të ngadalshëm deri tek rruga e vërtetë. I falënderohem All-llahut që më në fund e gjeta paqen dhe që më dha forcë për të vazhduar gjurmimin tim për dituri të reja mbi Islamin në formën e tij të vërtetë dhe të pastër, i pa njollosur nga traditat kulturore dhe ndarjet racore, por ashtu si është pastër i sqaruar në Kuranin Fisnik, Hadithin Pejgamberik dhe mësimet tjera.
Jam e lindur në Irlandë dhe e edukuar si katolike. Kam mësuar në shkollën katolike që udhëhiqet nga “Motrat e Mëshirës” dhe atëherë nuk isha aq e interesuar për religjionin, megjithatë në kohët e krizës, si për shembull kur ishte koha e provimeve, unë gjithmonë përshpërisja ndonjë lutje për të kërkuar ndihmë. Në meshë isha e rregullt çdo të dielë, si dhe për Pashkët dhe Kërshëndellat, por këto ceremoni nuk kishin ndonjë peshë të veçantë për mua dhe unë vetëm ngritesha e ulesha dhe i përsërisja lutjet, por sapo ndahesha nga mesha, kjo ishte fundi i obligimeve të mia religjioze. Fillova të punoj në vitet e tetëdhjeta në drejtimin e kompjuterëve dhe të vazhdoj me jetën time, ndërpreva shkuarjen në meshë dhe fillova ta kënaqi veten përmes pushimeve jashtë vendit dhe duke u “shoqëruar”, e që në Irlandë kjo më së shumti nënkupton shkuarjen nëpër kafiteri dhe klube të ndryshme.
Vitet e tetëdhjeta dhe fillimin e viteve të nëntëdhjeta i kalova duke u shoqëruar me shoqërinë time, por e ndjeja se më mungonte diç fundamentale. Fillova ta studjoj Ligjin Evropian, Biznesin dhe Satistikën, gjithçka që do të mund t’i sillte mendjes sime ushqimin që i mungonte, ngase me të vërtetë e ndjeja sikur jeta ime po kalonte dalëngadalë pa asnjë kuptim, ndërsa e tërë kjo po ndodhte atëherë kur kafiteritë ishin të mbushura plot me të rinjë, kurse unë brengosesha se mos është vallë kjo ajo? Vallë është kjo e tëra ajo që kjo jetë duhet të jetë?
Jam takuar me muslimanë gjatë këtyre viteve, por asnjëri nga ata nuk ishte shumë religjioz, ata konsumonin alkool dhe pinin cigare dhe për mua nuk dalloheshin shumë nga shokët dhe shoqet tjerë që i kisha. Pastaj në vitin 1996 u shpërngula në një qytet të vogël mjaft larg nga shtëpia ime për arsye të punës dhe aty nuk njihja shumë njerëz. Kjo nuk shkaktonte vështirësi për mua, pasi që isha shpërngulur shumë herë për të njëjtën arsye. Deri sa qëndroja aty, u njohtova me një person i cili më vonë edhe u bë bashkëshorti im. Ai nuk pinte alkool e as cigare, ishte i sjellshëm e i butë dhe kishim shumë ngjashmëri në nostalgjinë që e ndjenim për familjet tona, edhe pse ai ishte shumë më larg saj se unë. Jo shumë kohë pasi që u njoftuam ai më propozoi martesë dhe unë e pranova, por duhej që t’ju tregoj prindërve të mi dhe kjo për mua nuk ishte aspak e lehtë krahas filmit që ishte përhapur mjaft “Jo pa vajzën time”. Ata refuzonin që të takohen me të, përderisa u thashë se unë nuk do të vij në shtëpi derisa ata nuk pajtohen me vendimin tim. Ishte ky një kërcënim emotiv, pasi që e dija se në momentin kur do të njoftohen me të do të shohin se sa i veçantë është ai. Ata erdhën në shtëpinë tonë pas telefonatës dhe kanosjes sime dhe tani ata janë shumë të lumtur me të. Mendoj se sikur diçka do të ndodhte, ata do të kishin anuar kah ai e jo kah unë!!!
U martuam pak kohë pas njoftimit tonë dhe filluam jetën tonë të përbashkët. Ai i kaloi disa vite radhazi duke më folur mbi Islamin, por gjithmonë kur fliste unë kisha një qëndrim mbrojtës dhe ndjeja se ishte kritikë për mua nëse ai mendonte diçka të keqe për kulturën në Irlandë. Gjatë tërë kësaj kohe nuk kam pasur asnjë kontakt me ndonjë grua muslimane, edhe pse disa shokë të burrit tim ishin të martuar dhe gratë e tyre jetonin afër neve. Kisha dëgjuar shumë gjëra të këqija për statusin e femrës dhe për tre vite martesë nuk u njoftova me asnjë sosh e cila do të sqaronte se artikujt të cilat i lexojmë nëpër mediat zakonisht janë të stërmbushur me ide të gabuara. Përkundër kësaj, unë gjithnjë e më shumë i afrohesha Islamit. E lexova Kur’anin por, për dallim të rrëfimeve tjera konvertuese që pata dëgjuar, për mua ishte vështirë që ta lexoj atë dhe m’u deshtën disa muaj që ta mbaroj. Për dallim prej të tjerëve, unë nuk isha e goditur nga ndonjë shkëlqim apo nga ndonjë dëshirë e flaktë për ta pranuar Islamin, por ja që në Kur’an hasa në shumë gjëra që kishin kuptim.
Fillova ta studjoj Islamin veçanërisht në lëminë e gruas duke shfrytëzuar internetin si një mjet gjurmues. Kaloja orë të tëra në internet duke kërkuar rrëfime të ngjashme me këtë timin, duke lexuar atë që shkruante për të drejtat e gruas, e pastaj fillova të diskutoj mbi këto gjëra me burrin tim. Ndjehesha disi e lumtur ngase njohuritë e mia mbi Islamin filluan të shtohen. Gjithashtu fillova të porosis libra mbi Islamin (ngase brenda disa javëve i lexova të gjitha librat e bibliotekës lokale e cila ishte e varfër sa i përket literaturës islame) prej librarive, duke shikuar titujt e librave në internet dhe duke i porositur ato. Ishte kjo një gjë interesante për mua, pasi gjeta edhe libra të shkruar prej jomuslimanëve të cilët shpeshherë kundërshtonin kur ishte fjala për çështjen e gruas në veçanti. E gjeta vetveten duke i mbrojtur muslimanët gjithmonë kur dëgjoja njerëzit duke e kritikuar atë ose duke thënë diç për të cilën e dija se nuk është e vërtetë.
Etja ime për të vërtetën filloi të më kaplojë në tërësi dhe para gjashtë javëve unë e deklarova shehadetin dhe fillova të falem, pasiqë disa javë më parë tani më kisha filluar t’i mësoj lutjet me theksim të drejtë. Në zemrën time mendoj se gjithmonë e kam ditur që një ditë do ta pranoj Islamin, por ja që e prisnja momentin më të përshtatshëm. Kryelartësia vërtetë është gjë e tmerrshme, pasi që disa herë më pengoi nga deklarimi i shehadetit, gjë për të cilën gjithmonë do të pendohem. Kur më në fund i thashë fjalët e dëshmisë islame, ishte kjo sikur një barrë e madhe të ishte hequr nga kraharori im dhe më në fund publikisht mund të deklaroja atë që e kam ndjerë në shpirtin tim për shumë kohë.
E kam agjëruar muajin e Ramazanit tre vite me rradhë para kësaj dhe gjithmonë kam pasur një ndjenjë të posaçme shpirtërore, por këtë vit do të jetë Ramazani i parë që do ta agjëroj si muslimane dhe mezi pres që të vie ky muaj. Dua të shkoj të falem, e veçanërisht kur mund ta bëj këtë me bashkëshortin tim. E kam vizituar xhaminë e Dablinit vetëm njëherë pasi jam kthyer në Islam, pasi që ajo për fat të keq është pesë orë larg udhëtim nga vendi ku banoj, kurse xhamia tjetër që e kam më afër nuk i nxitë gratë që ta vizitojnë atë. Një gjë që më ka mbetur pa realizuar është që të njoftohem me ndonjë grua muslimane prej të cilës do të mund të mësoj më tepër. Shpresoj që edhe kjo do të realizohet në të ardhmen dhe unë duhet ta ushtroj veten që të jem e durueshme, pasi që ne nuk e dimë se çfarë plane ka All-llahu për neve.
Familja e burrit tim ishin shumë të lumtur dhe ata përgaditën një ceremoni festive në shtëpi për të festuar pranimin tim të Islamit. Burri im gjithashtu ishte shumë i lumtur për faktin që unë u bëra muslimane, edhe pse ndjehej pak fajtor që nuk më ka treguar më herët rrugën e Islamit. Unë tani u flas për fenë shoqeve të mia, por flas nga pak pasi që nuk dua t’i largoj ato me biseda të gjata. Por gjithsesi kam filluar t’ua sqaroj Islamin dhe t’ua afroj atyre çështjen e besimit. Një shoqe e cila poashtu është e martuar për musliman ka filluar të shfaqë interes ndaj Islamit dhe unë Insha’All-llah do të jem e gatshme t’i ndihmoj asaj për të mbledhur forcë që të pranojë atë (Islamin).
Akoma nuk kam filluar të mbaj hixhabin, veshjen islame për gruan, edhe pse vishem në mënyrë modeste - kam filluar të vishem me rroba të gjata dhe të gjëra, duke ngelur me shpresë që një ditë do të gjejë forcë për ta plotësuar edhe këtë kusht të Islamit për gruan muslimane. Asnjëherë nuk jam takuar me ndonjë grua që mban hixhabin në vendin ku punoj, në industrinë e kompjuterëve në Irlandë, për të biseduar mbi përvojën e tyre në Irlandë, por shpresoj që edhe kjo do të ndodh shpejtë.
Do të kisha dashur ta përfundoj këtë rrëfim timin duke ju thënë: nëse shpirti juaj është i etur dhe dëshironi ta gjeni rrugën e vërtetë, ejani në Islam - mos lejoni që injoranca apo kryelartësia t’ju largojnë nga kjo rrugë. Nëse njihni ndonjë musliman, folni me të dhe lejoni atij që t’u flasë juve se sa i bukur është Islami.
Shpresoj që njerëzit tjerë që janë duke u ndier sikur unë dhe gjurmojnë do ta gjejnë këtë rrugë të drejtë. Nëse jeni duke lexuar rrëfimin tim, ndoshta e keni gjetur atë që keni kërkuar. Kalova gati tridhjetë vjet në këtë tokë pa mos e kuptuar bukurinë dhe paqen që tani e kam dhe shpresoj se do të mundem t’i ndihmoj dikujt tjetër që ta gjej atë që e gjeta unë - qetësinë dhe paqen. Amina
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>