prej_erresires

AMALIA RAHMAN - ÇIFUTJA E CILA PRANOI ISLAMIN

Para lindjes së diellit, familja e Amalia Rahmanit bëhet gati në dhomën e ndejës për lutjen e parë të ditës: burri i saj Habibi, vajza 14 vjeçare Ilana dhe djali 11 vjeçar Musa. “All-llahu ekber” përsërit Musa dhe familja bashkërisht fillon lëvizjet ritmike. Pas namazit, Amalia zgjon dy çunat më të vegjël: Mikailin 7 vjeçar dhe Danielin 4 vjeçar dhe i përgatit për në shkollë (meqë fëmijët nën 10 vjet nuk janë të obliguar të falen, ata vetë mund të zgjedhin që të kyçen në ndonjë nga namazet e ditës). Pasi që i krehë, ua lidh këpucët dhe i disponon për ditën e re shkollore, Amalia shkon në shkollën islame në North Austin, ku volonton si arsimtare në mënyrë që t’i mbulojë shpenzimet e shkollimit për fëmijët. Ilana vijon shkollën shtetërore në Leander. Para daljes nga shtëpia, Amalia i mbulon flokët me shami të gjelbër të satenit, kurse mbi rroba vesh xhilbabin e zi, veshje tradicionale muslimane.
Kështu ndoshta fillon mëngjesi tipik për një familje muslimane në krejt SHBA-të, por rrëfimi i Amalias assesi nuk është tipik. Ajo tani ka 43 vjet dhe jeton në Leander. Është çifute e lindur në Izrael, e cila e ka pranuar Islamin para më shumë se 20 viteve. Për të, muslimani nuk është kundër çifutëve, izraeliti kundër arabëve, e as që shikon politikisht në këtë. Për të, kjo është çështje e fesë. Ajo duhej të luftonte me familjen e saj, me vëllezërit muslimanë, me shoqërinë, e krejt kjo vetëm që të fitojë të drejtën e praktikimit të fesë së vet. Por ajo thotë se mundi nuk i ka shkuar huq. “Kur i kisha 7 vjet, i lutesha Zotit të më bëjë më të mençurën në botë, të di gjithçka”, na tregon ajo më vonë po atë ditë, gjatë shujtës së pasdites me ëmbëlsira. “Për herë të parë në jetë mund të them se nuk di gjithçka, por se e di të vërtetën”. Ajo të vërtetën e vet e kishte gjetur në Islam.
Nëna e Amalias është çifute amerikane nga Mattapana Mass, kurse babai çifut izraelit. Si tinejxher, babai i saj, Abraham Zadok, luftoi në ushtrinë ilegale e cila kishte ndihmuar në formimin e kombit izraelit në vitin 1948. Ai, tani, në moshën 70 vjeçare, mban në kokë një kapelë të gjelbër të vjetruar konduktori dhe një kuti cigare Marlboro në xhepin e këmishës. Derisa flet, mustaqet e gjera dominojnë fytyrën e tij të plakur. “Atëherë Jerusalemi i takonte arabëve”, thotë ai me një theks të vrazhdët izraelit. “Me karvanin duhej të dërgonim ushqim për në Jerusalem. Çifutët nuk kishin as ushqim, as ujë; ata vuanin”.
Edhe pse prindërit e saj rridhnin prej familjeve religjioze, Amalia dhe dy vëllezërit e saj ishin edukuar në mënyrë tradicionale dhe ata ishin bërë çifutë joortodoksë: në sinagogë shkonin vetëm për festa të rëndësishme dhe hanin mishin e derrit. Kur i kishte mbushur 13 vjet, kishte vendosur që më shumë t’i përkushtohet fesë. “Ishte fëmijë ambicioz”, thotë Abrahami. “Gjithmonë dëshironte që të jetë më e mira, më e mençura”. E qëndrueshme në përpjekjet e saj, filloi të mësojë për judaizmin. Megjithatë, asnjëherë nuk kishte gjetur përgjigjet që i kërkonte. Ka vijuar shkollë çifute, por ka ndjerë huajtësi nga judaizmi. Edhe më tej kërkonte lidhje me fenë, atëherë kur më vonë ishte regjistruar në orë të Talmudit. Në atë kohë duhej të diplomonte psikologjinë në Universitetin Chicago. Për të kjo ishte periudha më e lumtur e jetës, në të cilën kishte ndjerë se ishte e mundshme të vë lidhje me fenë e paraardhësve të saj. Por, prapëseprapë, së shpejti kishte hasur në probleme të njëjta sikur herën e parë derisa ishte tinejxhere. “Çifutët nuk e citojnë Torën, ata pasojnë rabinët, e jo fjalën e Zotit. Gjithçka bazohet në atë se kë ti e konsideron se ka të drejtë. Kjo ishte e tepërt. Kjo nuk ishte feja e vërtetë. Kjo nuk ishte e vërteta”.
Sot, miqtë dhe familja e saj besojnë se ajo ka kaluar në Islam me insistimin e burrit të saj të tanishëm, Habibit. Rrëfimi i Amalias, megjithatë, ka filluar shumë më herët, menjëherë pas kolegjit, kur u shpërngul në Kaliforni ashtu që të jetë me familjen e saj. Atëherë u miqësua me një grup arabësh të cilët vinin në stendën me pemë të terura të cilën e mbante babai i saj në vetëshërbimin “San Jose Farmer’s”. “Kisha një mendim mjaft të keq për arabët”, thotë Amalia përderisa qet qumësht në gotë për birin e saj më të vogël, ashtu që ta pijë me ëmbëlsirat. “Nëse rriteni si çifut, duhet të keni mendim të atillë. Kjo është si diçka e trashëguar nga fëmijëria”.
Përkundër këtyre ndjenjave të rrënjosura, diçka e ka tërhequr kah ata dhe besimi i tyre. Andaj edhe ka filluar të kalojë pasditet me ta në banesën e tyre. “Kam hetuar një gjë te njerëzit të cilët i kam takuar: edhe pse i kisha tërë ato paragjykime mbi ta, ata ishin shumë të sjellshëm ndaj njëri-tjetrit, aq sa dëshiroja që edhe unë të jem pjesë e kësaj, pjesë e asaj ndjenje të përkatësisë ndaj diçkahit aq të bukur”.
Në jetën e vet Amalia ndjehej gjithfare, vetëm jo e pranuar. Judaizmi i së kaluarës së saj e la pa lidhje të thellë me fenë, kurse pas kthimit nga Chicago raporti me nënën e saj ishte i tensionuar. “Njerëzit thonë se unë e kam pranuar Islamin sepse ky ishte ngushëllimi i vetëm për mua, vendi i vetëm i hapur për mua, sepse gjithçka që e kisha të njohur deri atëherë, ishte e mbyllur”. Amalia pranon se këtu ka diç të vërtetë, por ajo beson se All-llahu e ka udhëzuar në vendin në të cilin do të njoftohet me Islamin.
Derisa Amalia dhe miqtë e saj një mbrëmje shikonin TV, në lajme treguan se një mushkës i kishte lindur një i vogël. “Kjo është shenjë se po afrohet fundi i botës”, tha njëri prej tyre. Kjo deklaratë tek Amalia ofroi mundësinë për aspektin e Islamit për të cilin asnjëherë nuk kishte ditur - gjurmimin për argumentimin e vërtetësisë së pohimeve kur’anore. Epshi i saj skolastik u ndez dhe edhe një herë gufoi. “All-llahu u afrohet njerëzve në atë mënyrë në të cilën do të duhej t’u afrohet, ashtu që te unë u zgjua kureshtja, përpjekja ime për dituri, përpjekja ime për të vërtetën mbi jetën dhe vdekjen, për kuptimin e jetës”.
Një ditë tha: “Mendoj që të bëhem muslimane”. Habia dhe gëzimi në fytyrat e miqve të saj muslimanë e përforcuan në vendimin e saj. Por familja e saj nuk ndau këtë gëzim me të. Edhe pse prindërit e saj ndoshta nuk e kishin kuptuar plotësisht se Amalia e kishte deklaruar shehadetin, fjalë këto pas të cilave bëhesh musliman, ata ishin dëshmitarë të miqësisë së saj intensive me një mashkull. Amalia dhe njeriu i cili për familjen e saj ishte “arab”, kishin gjashtë vjet martesë dhe kishin një vajzë, Ilanën.
“Nuk i dua muslimanët. Shoqërinë e tyre primitive. Ata gjuajnë raketa kundër Izraelit. Mbysin çifutët. Unë nuk u besoj”, sqaron Abrahami në mënyrë të shqetësuar. Amalia thotë se të gjithë rreth saj kanë menduar se ajo thjeshtë është çmendur. Nëna e saj nuk fliste me të dhe pas disa viteve vdiq, e asnjëherë nuk u pajtuan. “Nëna e Amalisë e konsideronte atë si armike”, thotë Abrahami. “Ajo ishte sioniste dhe kishte një disponim të ashpër armiqësor ndaj Islamit”.
Është vështirë të rrëfehet se çfarë ka ndodhur atëbotë me jetën e saj. Amalia nuk fliste për babain e Ilanës, apo për atë që kishte ndodhur ato vite. Ekzistojnë vetëm shenja të paqarta të vuajtjes. “Gjithmonë ka qenë e hapur, por nuk e ka treguar brengën e vet të brendshme. Dukej sikur nuk ka kurrfarë brenga”, thotë Emma Barron, mikesha e saj e afërt nga Kalifornia.
Pas disa viteve u njoftua me Habibin, një musliman nga Pakistani. “Më kujtohet që kishte thënë se Habibi dukej më i vjetër (ishte 9 vjet më i vjetër se ajo), por edhe atë se burrat më të vjetër më mirë sillen ndaj grave” thotë Emma. Feja e Amalisë filloi të lulëzojë pas atyre viteve të hershme, pranë shenjtërisë që i ofronte martesa.
Raportet me familjen u përmirësuan pak, por edhe më tej mbeten të tensionuara; kontakti me vëllezërit ishte minimal. “Sipas tyre, kjo që po e bëj është tradhti; ata këtë nuk e konsiderojnë çështje fetare. Më parë do të më kishin pranuar si motër nderi, sesa sikur muslimane. Për ta të jesh musliman domethënë të kesh disponim antiçifut, antiizraelit”. Abrahami këtë e përjeton shumë personalisht. “Ajo është sikur armiku im. Por, mendoj se e fitoni atë që meritoni. U përpoqa që të bëj atë që është më së miri që mundem për familjen time, por nuk ia arrita”, thotë ai duke ofshëtinë.
Amalia tani mendon se hidhërimi i nënës saj lidhur me kalimin e saj në Islami ka ndikuar edhe te babai i saj dhe raporti i tij ndaj saj. Sot edhe Amalia edhe babai i saj raportin e tyre e konsiderojnë “të mirë” duke iu falënderuar edhe Annettës, gruas së dytë të Abrahamit, e cila ka rolin e paqeruajtësit. “Ata e kishin më vështirë derisa nëna e saj ishte gjallë”, thotë Annetta 38 vjeçare, e cila nga krishterizmi ka kaluar në hebraizëm para se të martohet me Abrahamin. “Tani janë të afërt dhe kënaqen gjatë kohës sa janë bashkë. Por Abrahamit edhe më tej nuk i pëlqen Habibi”.
Amalia dhe Annette (e cila është për 5 vjet më e re) janë shoqe të afërta. Annette është dëshmitare e ndryshimeve shumëvjeçare të Amalias, të cilat kishin ndodhur derisa zhvillohej besimi i saj. “Ajo me të vërtetë duhej të shikonte thellë në vete atëherë kur njerëzit përreth saj filluan të sillen ndryshe”. Ajo e përshkruan si bindëse, por të qetë në fenë e vet, të aftë të ballafaqohet me komentet fyese të Abrahamit.
Rrëfimi i Amalias, edhe pse me siguri jo tipik, nuk është i vetëm.
Muhammed Ghounem, një musliman egjiptian i cili tani jeton në SHBA, mban web-faqen “Jews for Allah” (Çifutët për All-llahun). Ai lavdërohet se faqja numëron më shumë se 400 anëtarë, kryesisht amerikanë, të cilët ndajnë përvojën e Amalias. “Më së vështiri për familjen është kur dikush prej hebraizmit kalon në Islam”, thotë Ghounem. “Shumica e humbin familjen dhe mbështetjen financiare”.
Në kuadër të bashkësisë hebraike, çështja e kalimit në ndonjë fe tjetër tërheq përgjigj të ndryshme fetare dhe shoqërore. Rabini Yosef Levertov nga Chabad House-Lubavich, bashkësia çifute ortodokse në Universitetin Texas në Austin, thotë se sipas ligjit strikt çifut të konvertuarit mbeten çifutë Zotit. “Ata edhe më tej kanë obligime, sepse janë çifutë. Edhe më tej janë përgjegjës para Zotit”. Rabini Samuel Barth, i cili udhëheq bashkësinë konservative Agudas Achim në Austin, thotë se të konvertuarit i shikon sikur ata që “jetojnë në devijim”, por të cilët edhe më tej mund të varrosen në varrezat çifute. Levertovi nuk pajtohet kur citon ligjin strikt çifut, por thotë se secilin rast duhet shqyrtuar veçmas. “Në kohët e mëparshme njerëzit mbanin zi kur vdiste ndonjë i konvertuar, por në ditët e sotme kjo nuk është kështu”.
Shikuar nga aspekti religjioz, kalimi në Islam në sytë e udhëheqësve çifutë paraqet shkelje më të vogël, për shkak të natyrës monoteiste të Islamit. Nëse dikush do të kalonte në ndonjë fe politeiste, për shembull, reagimet do të ishin më të ashpra. Por shikuar nga ana shoqërore, ndodhë e kundërta. “Kur është në pyetje Islami, ekziston dyshimi. Islami shikohet si fe antisemite, duke marrë parasysh se Islami është në luftë me Izraelin”, thotë Barthi. Levertovi pajtohet me këtë dhe thotë se beson se reagimet ndaj kalimit në Islam në kohën e sotme do të mund të ishin me më shumë gjykime.
Në kohën kur nuk ka komunikim të nevojshëm ndërmjet dy palëve që janë në kundërshtim të hapët, para neve gjendet një grua e cila në mënyrën e vet qetësuese me sa duket po vë lidhje ndërmjet tyre. Por ajo këtë nuk e sheh kështu. “Unë kalimin tim në Islam nuk e shoh si mënyrë të bashkimit të dy faktorëve kundërshtues. Unë këtë e shoh vetëm si çështje besimi”.
Në shumë gjëra që kanë të bëjnë me Lindjen e Afërt, ajo bashkëndjen me Izraelin dhe mendon se atij i përshkruhet një përgjegjësi shumë e madhe. Jerusalemi, si qyteti i dytë për nga rëndësia në Islam, për të paraqet problem të madh. “Për mua Jerusalemi ka rëndësi si muslimane çfarë jam tani, e jo si çifute çfarë kam qenë”, thotë Amalia derisa fillon të përgatit darkën. “Unë besoj se aty duhet të ekzistojë vend edhe për çifutët, por Jerusalemi do të duhej të jetë në duart e muslimanëve. Ashtu siç është Mekka”. Natyrisht, bëhet fjalë për të njëjtin Jerusalem, për çlirimin e të cilit babai i saj para disa dekadave kishte rrezikuar jetën e vet.
Përkundër faktit që pranon se jeta e saj është e komplikuar, Amalia ka gjetur rehatinë e vet të brendshme, ka gjetur lidhjen me Zotin. Ka gjetur të vërtetën e vet.
“Është qesharake që ajo ishte lutja e vajzës 7 vjeçare e cila tani është në të dyzetat... çfarë rruge të gjatë është dashur të kalojë deri te realizimi i ëndrrës përfundimtare të cilën e kishte si fëmijë”.
Shoqja dhe kolegia e saj në shkollën islame, Nicole Williams, na tha këtë të fundit, që simbolizon ngushëllimin e Amalias për situatën e saj të pazakonshme. Një ditë në shkollë të gjithë punëtorët nënshkruanin një kartelë, kurse Amalia ishte nënshkruar me shkronja të mëdha dhe kishte zënë edhe hapësirën e paraparë për të punësuarit tjerë. Njëra nga mësueset, e cila rastësisht ishte palestineze, erdhi te Amalia dhe Nicole dhe në shaka u ankua se si për të nuk ka vend. Amalia mori qëndrim mbrojtës. Kundërshtimi me shaka vazhdoi nja dy minuta, derisa Nicole nuk tha: “Mes juve dyjave do të ndërtoj një mur!” Tri gratë qeshën...
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>