prej_erresires

NJË GRUA E RE DËGJON ZEMRËN E SAJ DHE KONVERTOHET NË ISLAM

Nje grua e re me mbulesë roze dhe sy të kaltër nuk flet asgjë gjatë grupit studjues të Kur’anit në Shoqatën Islamike të Michianit.
Ajo vetëm buzëqeshet dhe përcjell me vëmendje se si tri gratë tjera të grupit diskutojnë mbi Kur’anin, duke përcjellur shumicën e fjalëve të tyre angleze me frazën arabe “Insha’Allah”, e cila do të thotë “Nëse Zoti dëshiron”. Kjo grua e qetë është 21 vjeçarja Brandy Korman. Por së shpejti ajo do të jetë Zahra Abaz. Në pranverë Kormani përqafoi Islamin, e pastaj u martua për një musliman nga Egjipti. Ajo ka zëvendësuar xhemperat dhe farmerkat e saj me fustana të gjatë dhe mbulesë, dhe kaloi prej një femre të lirë në një grua e cila takoi burrin e saj jo gjatë kohë para se vendosi të martohet me të.
Kurioziteti e shpiu atë në besim menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA. Korman, atëherë një vajzë 18 vjeçare që ishte duke shkuar në kishën Katolike të Penn universitetit shtetëror, shtypi fjalët “Islam” dhe “Kur’an” në Google. “Këtë e bëra vetëm sa për kuriozitet”, tha ajo gjatë disa intervistave të zhvilluara me të. “Isha duke menduar, ç’farë është ai religjion që u thotë njerëzve të vet që të vrasin?”, kishte shtuar ajo. Pastaj kishte filluar të lexojë mbi Islamin. Kishte hulumtuar në Web sajte të ndryshme libra të shumtë islamë, e pastaj edhe Kur’anin. Ajo thotë se kishte lexuar me  mijëra faqe. Dhe me çdo faqe të re që lexonte, ideja se Islami është fé që përkrah vrasjet vinte e shuhej. Ajo fillon ta shikojë Islamin si rrugë jetësore e përkushtimit ndaj Zotit - Zotit i Cili ndalon vrasjen e njerëzve të pafajshëm, madje edhe në emër të fesë. “Ashtu sikur që Zoti ka vënë ligje e rregulla për natyrën, poashtu ai ka vënë ligje dhe rregulla edhe për neve përmes shpalljeve të Tij”, thotë ajo. “Kur e lexova Kur’anin, vërtetë nuk gjeta gjëra me të cilat nuk mund të pajtohesha, sikur që për shembull pata gjetur kur e lexoja Biblën”, shton ajo.
Ajo kishte ardhur në përfundim se muslimanët nuk besojnë në Trini. Ajo gjithmonë kishte dyshime rreth Trinisë.
Disa muaj pas atij gjurmimi fillestar, ajo i pakësoi mësimet për Islamin për t’i kushtuar pak më tepër kohë mësimeve të shkollës. Në vend që të shpenzonte tërë ditën duke lexuar rreth tij, ajo filloi të lexonte disa orë në javë. Ndërkohë, ajo dhe nëna e saj u shpërngulën nga Pensilvania në Bendin Jugor. Kormani e shtoi intenzitetin e mësimit të vet mbi Islamin sërish në janar të vitit të kaluar, kur filloi të bisedojë me disa shokë muslimanë në Departamentin e Biznesit në Universitetin e Bendit Jugor. Në pranvere Korman i dërgoi një letër kolegut të vet Usame Abaz, 24 vjeçar, i cili ishte nga Aleksandria, Egjipti, dhe e luti që ta shoqërojë deri te xhamia. Ajo u ul në pjesën e pasme të xhamisë së Shoqatës Islamike në Michiana dhe vështronte gratë dhe burrat duke u falur sipas rregullave islame, gjegjësisht duke qëndruar në këmbë, duke u gjunjëzuar dhe duke lëshuar fytyrat e tyre në tokë. Kur’ani urdhëron muslimanët që të falen në këtë mënyrë pesë herë në ditë, pa marrë parasysh vendndodhjen e tyre. Pasiqë ajo tani më kishte hulumtuar gjatë, ajo tregon se ndihej rehatshëm në xhami dhe nuk kishte parë as nuk kishte dëgjuar diçka të papëlqyer nga anëtarët e xhamisë.
Ajo filloi ta vizitojë xhaminë për çdo javë me kolegun e vet Usame Abaz. Gjatë këtyre vizitave, ajo bisedoi gjatë me Usamen rreth Islamit. Usame ishte në mes të rizgjimit të vet islam. Para se ta lëshonte Egjiptin dhe të vinte në SHBA, para katër viteve e gjysmë, Usame nuk e konsideronte veten si një musliman të devotshëm. Vetëm pasi erdhi në Amerikë ai filloi të shkojë rregullisht në xhami. Rreth kësaj ai thotë: “E kisha një ndjenjë se kisha nevojë t’i përkas diçkaje në një shoqëri të tillë me shumë grupe etnike, kurse nuk ka ndjenjë më të mirë se t’i përkasësh Zotit”. E inspiruar pas hulumtimeve të gjëra dhe bisedave me Usamen, gati tre muaj pasiqë ajo kishte vizituar për herë të parë xhaminë, Brandy Korman e kishte deklaruar dëshminë e besimit islam në  gjuhën arabe dhe angleze në prani të dy dëshmitarëve. Kështu ajo u bë muslimane.
Një ndryshim tjetër ndodhi jo gjatë kohë pasi Brandy përqafoi Islamin. Usameja një ditë e ftoi për drekë në restoranin “Olive Garden”. Ajo rrëfen se nuk e kishte konsideruar këtë takim si diç të veçantë, për arsye se kishte menduar se Usame është i martuar. “Pastaj ai filloi të flasë se si ne jemi duke shkuar përgjatë një rruge të njëjtë”, përkujtohet Brandy. “Ai në të vërtetë nuk më propozoi drejtpërdrejtë të martohem me të. Shkonte disi tërthorazi”.
Më vonë po atë ditë, Usame e thërret në telefon Kormanin dhe i propozon martesë. Kormani përnjëherë u trullos dhe u frikësua. Ajo nuk e njihte mirë Usamen. Biseduan rreth idesë së martesës gati dy javë, e pastaj Kormani thotë se e kishte vërejtur se ata dy vërtetë ishin duke shkuar rrugës së njëjtë dhe dëshironin gjëra të njëjta. Ajo kishte ndjerë se Usameja do të mundej t’i ndihmonte asaj që të bëhej një muslimane e mirë. Ai poashtu kishte qëllimet e njëjta në jetë sikur ajo: të ketë fëmijë dhe t’i edukojë ata si muslimanë, si dhe të jetojë jashtë SHBA-ve. Kështu, disa javë pas konvertimit të saj në Islam, Brandy Korman u martua me Usamen me një ceremoni islame. Të dy e përshkruajnë martesën si “fillim” i afërsisë së tyre. Ata akoma nuk ishin kurorëzuar para ligjit: plani i tyre ishte që së shpejti ta bëjnë këtë në Las Vegas, ndonëse akoma nuk kishin vendosur datën.
Gjatë ndërrimit të identitetit të banesës së vet, Korman vesh pantallonat farmerka dhe pulloverat e rëndomtë. Tani sikur muslimane ajo nuk duhet të vishet me këto tesha kur del jashtë shtëpisë, veshje këto që tregojnë figurën e saj. Në fillim ajo nuk e kishte mbuluar kokën e saj me shami as në shkollë e as në punë, por vetëm në xhami. “Isha shumë e brengosur se ç’farë do të mendonin njerëzit rreth kësaj”, thotë Korman. Por tani ajo e mbulon kokën e saj me shami kudo që të shkojë. “Ndonjëherë i sheh njerëzit duke shikuar në ty”, thotë ajo. “Kjo më bënte të ndjehem jo rehatshëm nganjëherë”. “A kisha dëshirë të mbulohem?”, pyet ajo duke përsëritur pyetjen e intervistuesit. “Ky është urdhër kur’anor”, përfundon ajo. Mbulesën ajo e kupton si një mbrojtje kur gjendet jashtë shtëpisë.
Biseda me Kormanin përmban shumë sqarime. “Nëna ime më pyeti se si kam mundur të konvertohem në Islam kur nuk jam nga Lindja e Mesme”, thotë ajo me një buzëqeshje. Ditët e fundit, një shitës në një ushqimore me shpejtësi i hodhi një sy kredit kartelës së saj, e pastaj shikoi edhe mbulesën e saj dhe e pyeti se si emri i saj mund të jetë Brandy. Ajo në fakt është në proces të ndërrimit të emrit të saj në Zehra, që në gjuhën arabe do të thotë “lule”.
Një gjë për të cilën ajo është shumë këmbëngulëse është deklarata e saj se konvertimi i saj në Islam ka ndodhur pavarësisht nga martesa e saj me Usamen. “Islami nuk është për mua vetëm religjion, ai është sistem i jetës. Njeriu në Islam duhet të ndryshojë mënyrën e veprimit, mënyrën e veshjes”, thotë ajo.
Për Kormanin, kjo mënyrë e re e jetës nënkupton që mos të kremtojë Lutjet e Falënderimit. “Ishte rëndë kur më thërrisnin familjarët e mi dhe më tregonin se të gjithë janë bashkë e unë nuk mundesha të jem aty”, thotë ajo. “Mirëpo nuk ishte festa ajo që më mungonte, por qëndrimi larg familjes time është i rëndë për mua në përgjithësi”.
Për krishtlindje ajo do të shkojë ta vizitojë familjen e saj në Floridë. “Mirëpo unë do të shkoj atje me qëllim të përforcimit të lidhjeve familjare, e jo për të festuar krishtlindjen”, thotë ajo. Në kontest të braktisjes së mënyrës së vjetër të jetës, ajo ndjen se duhet kaluar një rrugë të gjatë për t’u bërë një muslimane e mirë. Për këtë arsye ajo viziton studimet e Kur’anit për çdo të enjte dhe e përkujton Usamen që të përdor sa më shpesh të jetë e mundur fjalët e lehta arabe që ajo i kupton. “Këtu ka çdo herë e më shumë gjëra që ju duhet bërë”, thotë Korman. “Shumë prej muslimanëve e ndjejnë këtë, e jo vetëm të konvertuarit e rinj”, thotë Parveen Basher, një anëtare e grupit të studimeve të Kur’anit që vijon Kormani në Shoqatën Islamike të Michianit.
“Është përulësia ajo që na bën të shkojmë përpara”, thotë Basher. Në kontest të kësaj, Korman thotë se ajo nuk pëlqen që të mbyten njerëz të pafajshëm në emër të besimit, sikur që disa terroristë pretendojnë të bëjnë. “Por, në anën tjetër, nuk mund të pajtohem as me administratën amerikane e cila bombardon njerëzit në gjithë botën në emër të lirisë dhe demokracisë”, përfundon ajo.

Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>