prej_erresires

PANORAMË E MENDIMTARËVE BOTËRORË QË PËRQAFUAN ISLAMIN

Disa nga emrat e poshtëshënuar mbase u janë të njohur lexuesve shqiptarë, por kjo është një pasqyrë panoramike për ata që nuk kanë pasur rastin të dëgjojnë ose lexojnë diçka rreth tyre.
Në botë po shtohet dita-ditës numri i muslimanëve të rinj, po rritet gjithnjë e më shumë interesimi i mendimtarëve të fushave të ndryshme, pastaj i priftërinjve e qeveritarëve, pa mos përmendur me këtë rast njerëzit e rendomtë.
Edhe në Francën konservatore, me një disponim antiislam të kamotshëm, ky numër po rritet dita-ditës.

EVA DE VITRAY-MEYROVITCH

Hulumtuese dhe drejtoreshë e Shkencave mbi Njeriun në CNRS (Qendra Nacionale për Hulumtime Shkencore).
U lind në një mjedis aristokratësh francez, e rritur në një mjedis fetar. Autore e shumë librave. Përqafoi Islamin si fe në vitin 1950.
Ndërroi jetë tani vonë, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të.

“Kur’ani është Shpallja e fundit e Zotit dhe Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ështe vulë e pejgamberve....
... Jam e gëzuar se nuk isha e vetmja, por u  ndodha në një traditë të madhe, pa ditur fare. Dhe kështu  pa  mos mohuar asgjë. Nuk e mohova as Tevratin as Ungjillin. I lashë anash, si diçka që gjithmonë më kanë bezdisur, vendimet dogmatike të zotërinjve të tubuar në Romë për të vendosur se Zoti është i këtillë ose i atillë...
Nuk është ky kthim (konvertim) në Islam ose ndërrim feje, por njeriu përqafon një Fe e cila i përfshin të gjitha të tjerat”.
(Fragment nga libri Islami, një faqe tjetër, Eva de Vitray, Ed.Albin Michel, 1995)

MARGARET MARCUS  (Merjem Xhemila)

Amerikane me prejardhje çifute. Shkrimtare, gazetare, autore e shumë librave. E përqafoi Islamin në vitin 1962.
Rreth kalimit të saj në Islam, ajo thotë:
“Familja ime dhe miqtë e mi ishin borgjezë të nderuar dhe të kulturuar. Njerëz që vështronin dhe besonin bindshëm në njëfarë baze morale. Megjithatë, hidhnin poshtë të gjitha lidhjet me etikën, pra moralin dhe teologjinë .
Autoriteti dhe morali musliman rrjedhin nga Zoti i Gjithëfuqishëm. Kënaqësia dhe lumturia në Islam nuk janë vetëm fryte të kënaqësisë emotive me kryerjen e vetëdijshme të obligimeve për të vetmen dëshirë të Zotit, për ta arritur kështu shpëtimin. Në Islam detyrat gjithmonë ngriten mbi të drejtën. Ja që vetëm në Islam mua më kënaq kërkimi i vlerave absolute. Më në fund, vetëm në Islam gjeta të gjitha vlerat e njëmendta të asaj që është e bukur dhe e mirë, duke i dhënë një kahje dhe një domethënie vdekjes dhe jetës njerëzore”.

LEOPOLD WEIS (Muhammed ASAD)

Njeri i shtetit austriak, gazetar dhe autor, korrespondent i huaj i kamotshëm në gazetën e njohur “Franfuerter Zeitung”, autor i librit Rruga për në Mekke dhe përkthyes i Kur’anit .
E përqafoi Islamin në vitin 1926.
“Islami më duket si një vepër monumentale e arkitekturës. Të gjitha pjesët e tij janë ndërtuar në mënyrë harmonike që të kompletohen dhe të përmbahen ndërmjet veti. Këtu asgjë nuk është e tepërt dhe asgjë nuk mungon, andaj kemi si rrjedhim një baraspeshë të shkëlqyer të një ndërtimi të pa të metë”.
Ndërroi jetë më 20 shkurt 1992. Paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të.

HERBERT HOBOHM  (Aman HOBOHM)

Diplomat gjerman, zyrtar publik dhe misionar. Është një intelektual i cili ka shërbyer në cilësinë e misionarit diplomatik të Gjermanisë anekënd botës. 
“Jetova në hapësira të ndryshme gjeografike me mënyra të ndryshme jetese dhe pata rastin të studioj ideologji të ndryshme, por erdha në përfundim se asgjë nuk mund të krahasohet me Islamin. Asnjëra nga ato sisteme nuk kanë një kod jetese aq të plotë dhe fisnik. Vetëm Islami e ka këtë dhe pikërisht për këtë arsye edhe aq shumë njerëz  me sinqeritet të plotë e përqafojnë Islamin. Islami nuk është teorik, ai është praktik. Islam do të thotë nënshtrim i plotë Vullnetit të All-llahut”.

VENGATACHALAN ADIYAR (Abdoullah ADIYAR )

Adijari është një gazetar dhe shkrimtar indian, një Tamil i njohur.
Ka punuar si redaktor në një të përditshme të Dr. M. Kirunaidhi, “Murasoli”, për 17 vjet me radhë. Ka punuar po ashtu edhe me tre ministra të lartë të “Tamil Nadu”. Ka marr shpërblimin “Kalaimamani” (Big Gem of Arts) nga Qeveria “Tamil Nadu” më 1982.
E përqafoi  Islamin më 1987.
“Në Islam gjeta kënaqësinë dhe qetësimin lidhur me pyetjet të cilat e bezdisnin ndërgjegjen time mbi teorinë e Krijimit, krijimin e gjithësisë, mbi statusin e femrës etj. Më ka magjepsur  shumë historia e Pejgamberit Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe kjo ma lehtësoi krahasimin e tij me liderët tjerë fetarë dhe me filozofitë e tyre”.

BOGDAN KOPANSKI (Bogdan Ataullah KOPANSKI)

Është një amerikan me prejardhje polake, doktor i Historisë Politike. Rrugëtimi tij kah Islami është shumë interesant. Ka kaluar nëpër sprova të rënda, kurse dy herë u burgos nga regjimi komunist polak (1965 dhe 1981-82). E përqafoi Islamin më 1974.
“Në moshën 12 vjeçare kundërshtova besimin kundërthënës të Kishës. Dy vjet më vonë, më 1962, u mahnita me luftën fitimtare të muslimanëve algjerian kundër kolonializmit francez. Kjo ishte “shigjeta e parë e Islamit” që më pat prekur. Gjatë studimeve të mia në shkollën e mesme dhe Universitet isha një shembull tipik i gjeneratës së revoltuarve të kuq (komunist).
Rrugëtimi im drejt së Vërtetës së Kur’anit ishte i ngadaltë dhe i papritur...
Me 1974 vizitova Turqinë, ku po përgatisja tezën time mbi qëndrimin e halifit Sylejman Kanunii ndaj shtetit polak. U mahnita me zërin më melodik që mund të prodhonte Ezani, thirrja në namaz nga muezini. Flokët mu ngritën përpjetë! Një fuqi e madhe, por e panjohur për mua, më shtyri që ta vizitoj xhaminë e vjetër të Stambollit. Turq të moshuar, me mjekra, gjithmonë të buzëqeshur, më mësuan si të marr abdes. Deklarova Shehadetin (dëshminë e Njëshmërisë së Zotit) me lotë dhe e kreva namazin tim të parë, namazin e akshamit. Atëherë hoqa dorë nga të gjitha ideologjitë e mia të pavlera. Për herë të parë në jetën time provova një lumturi të tillë dhe ndjeva kënaqësinë e dashurisë së All-llahut në zemrën time. Tanimë isha një musliman”.

Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>