prej_erresires

O ZOT, NËSE EKZISTON, MË UDHËZO!
(AbdulWahid Pedersen)

Si musliman i Skandinavisë shpesh ballafaqohen me pyetjen përse e kam pranuar Islamin. Po, edhe unë kohë pas kohe e pyes veten, përse All-llahu më zgjodhi mua në mesin e aq shumë njerëzve dhe më udhëzoi në këtë rrugë të bekuar të Islamit.
Kur shikoj jetën time përpara, mund të përfundoj se situata ime e tanishme është pasojë logjike e shumës së veprimeve dhe mendimeve të mia deri sot e kësaj dite, por kjo, natyrisht, nuk është rast për secilin. Kështu, konvertimi im në Islam - apo thënë më mirë pranimi i faktit se përbrenda gjithmonë kam qenë musliman - ishte bërë gjë e pashmangshme. 
Rrëfimin tim mund ta filloj me faktin se në moshën 16-17 vjeçare kam dalë nga Kisha daneze. Ajo nuk më kënaqte, si intelektualisht, ashtu edhe shpirtërisht, sepse sinqerisht kam dëshiruar që të lirohem nga çdo lloj lidhshmërie me ndonjë bashkësi kur fillova me kërkimin tim të përgjigjeve për çështjet kyçe ekzistenciale të jetës.
Shumë vjet pas këtij vendimi isha i lirë. Nuk jam lidhur me “religjion të organizuar”. Isha besimtarë i denjë në një Fuqi të Lartë e cila mundej të njihej në gjithçka. Besoja vetëm në Një Zot dhe ngurroja në besimin se Zoti nuk ka shok, se Ai gjithçka përfshinë dhe se ka energji të pakufishme, se është pa kufij apo pa emra.
Në vitet e vona të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar më tërhiqte Hipi-lëvizja dhe jetën time e fokusova në parimet e prodhimit të dashurisë dhe paqes për vete dhe shërimin e mbarë botës. Gjithashtu, njëkohësisht ndërpreva ngrënien e mishit. Por kjo nuk ishte rezultat i të menduarit të gjatë dhe të thellë, por më parë përmes inspirimit të befasishëm.
Thjesht, u zura në vepër duke mbajtur copën e mishit të ngulur në pirun dhe në rrugë për te goja, kur përnjëherë vendosa se do të duhej të ndërpres së ngrëni. Në atë moment nuk kisha ide pse më ra diçka e tillë ndërmend. Por prapë ishte diç e fuqishme dhe e qartë, ashtu që mishin menjëherë, pa kurrfarë hamendje, e lashë. Momentin vijues iu drejtova prindërve dhe u përgatita një befasi, duke u thënë se kjo ishte hera e fundit që të kem ngrënë mish kafshe.
Kur kisha 21 vjet e lëshova Danimarkën, ashtu që me një mik të afërt bëra një xhiro përreth botës. Ky vendim nuk kishte për qëllim kërkimin shpirtëror, ishte kjo një dëshirë e thjeshtë për lëvizje.
Udhëtonim nëpër Afrikë, Azi, Lindje të Afërt. Parimi që na udhëhiqte në udhëtimin ishte jeta në bazë të ligjeve natyrore të Yin-Yangut (parime nga filozofia natyrore kineze, me rëndësi të madhe sidomos në daoizëm; Te Yangu bëhet fjalë për parimin e Qiellit, kurse te Yini për parimin e Tokës; kalimi prej një parimi në tjetrin është dinamik). I zbatonim në të ushqyerit tonë, që ishte jashtëzakonisht vegjetarian, si dhe në lëvizjet tona gjatë udhëtimit. Përkrahnim dhe ndihmonim njëri-tjetrin në mënyrë harmonike dhe frymëzuese e cila na hyri në zemër.
Gjatë udhëtimit ne natyrisht se kemi jetuar me njerëz të ndryshëm të cilët i përkisnin kulturave dhe religjioneve të ndryshme. Kjo më frymëzoi në dëshirën që të mësoj se në cilën skemë kam hyrë. Çka është religjioni im? Ku përkas unë? Tani e ndjeva se duhet të definoj vetveten dhe mënyrën time të jetës në një mënyrë pak më specifike.
Siç thashë më parë, në moshën 17 vjeçare kam arritur deri te përfundimi për besimin tim: nëse asgjë, së paku e dija se çka nuk jam, por deri tani nuk kam kaluar shumë kohë duke menduar për atë se çfarë do të mund të isha.
Së shpejti pasi që arritëm në Indi, plotësisht i impresionuar me pamjet e atij vendi të bukur, u thellova në kulturën dhe jetën hinduse dhe u bëra hinduist praktikues. Kjo përvojë zgjati disa vjet. Këto vite zgjuan interesimin tim për Zotin dhe filloi kërkimi im formal. Kjo më solli deri te disa përfundime për veten time.
Me kthimin tim në Evropë, nuk solla aq shumë nga praktika ime hinduiste. Gjëja e vetme të cilën e kisha mbajtur në praktikë ishte Joga. Atëherë hetova edhe ngjashmëritë ndërmjet të gjitha religjioneve të botës dhe instinktivisht e dija se të gjitha dikur ishin të njëjta. Të gjitha ato bartnin mesazhe paqeje. Të gjitha ishin udhëzim origjinal për njeriun, që të dimë se si ta drejtojmë këtë makinë të bukur, me të cilën ishim të pajisur që të udhëtojmë në të ekzistuarit tonë. Mua më duket se bartja e tyre gjatë kohës dhe mjedisit është ndryshuar. Në disa raste, mesazhit origjinal i është shtuar diçka, e në disa raste i është marrë. Unë u deshtë që të kërkoj burimin nga i cili kishin rrjedhur të gjitha religjionet. Vendi në të cilin mund të pi ujin më të pastër. E dija se ajo duhet të jetë atje diku jashtë, por nuk e dija ku dhe si ta kërkoj. Sapo ndërmora hapin e parë dhe isha në prag të botës.
U vendosa në një fshat në Danimarkë, ku kam kaluar shumë kohë duke rregulluar kopshtin. U mundova që t’ia drejtoj vëmendjen time Zotit tim për gjithçka që kam bërë. Kohë pas kohe do të tërhiqesha në dhomën time, rrija i qetë, këmbëkryq, duke u lutur dhe duke kërkuar udhëzimin e Tij. U frikova që të kërkoj udhëzim prej kujtdo qoftë tjetër, sepse e dija se bota është përplot mashtrues dhe hopshtaplerë, të cilët shumë lehtë do të më kishin mashtruar, kështu si axhami që isha. Prandaj kërkoja vetëm prej Zotit. I drejtohesha Zotit duke thënë: “Nëse je këtu, më dëgjon. Nëse je këtu, më sheh. Nëse je këtu, Ti i din nevojat e mia. Unë jam i verbër, i shurdhër dhe i marrë dhe unë nuk e di atë që është mirë për mua dhe atë që nuk është mirë. Tregoma rrugën. Hapmi dyert. Ma jep udhëzimin!”
Miqve të mi shpesh u tregoja për Zotin dhe parimet e përhershme të Zotit. Dhe meqë isha muzikant, shkruaja këngë për dëshirën time ndaj Zotit. Një ditë iu afrova një mikut tim të vjetër të cilin nuk e kisha parë me vite të tërë. Ai, ndërkohë, ishte bërë musliman. U takuam disa herë, gjithnjë e më shumë duke biseduar për religjionin dhe temat lidhur me të. Ai përgatitej për të udhëtuar në Saharë, që të mësojë më shumë për fiset tuareske. Më pyeti që ta shoqëroj, sepse e dinte se tani më veç unë kisha kaluar nëpër Saharë. Unë u pajtova menjëherë. Shkretëtira gjithmonë më fascinonte. Para se të niseshim, theksova se aspak nuk jam i interesuar të bëhem musliman. Nuk më pengon asgjë që të jetoj me ta, por nuk dua të kaloj në Islam.
Disa ditë më vonë shkova prej shtëpisë sime në fshat dhe erdha në Kopenhagë, që të marr pjesë në përgatitjet e fundit për rrugë. Ai jetonte në një shtëpi bashkë me muslimanë tjerë. Unë kalova tek ata dhe aty prita që të përgatitemi për rrugë për në jug.
Nata e parë të cilën e kam kaluar me ta ishte në muajin maj të vitit 1982. Në mes të natës befasisht dëgjova se si dikush po bërtet. Pas shokut fillestar, mendova se ai njeri kishte “pëlcitur”. Por të tjerët qetë u ngritën, filluan të lahen dhe të përgatiten për lutje. Isha i turpëruar më tepër se asnjëherë më parë. Me vite të tëra dëshiroja të lutem, dhe lutesha kohë pas kohe, por gjithmonë duke i dhënë Zotit diç më shumë nga koha e tepërt, pasi që i kryeja nevojat e mia personale. Kurse këta djem këtu ia kushtonin kohën e tyre më të çmuar. Ia kushtonin kohën atëherë kur është më e këndshme të flihet, para lindjes së diellit. I pyeta se a mund të më lejojnë që të lutem bashkë me ta, për çka ata u pajtuan. Në mendimet e mia e kuptova se ata i luten “Zotit arab” të tyre, kurse unë ndërkohë do të mundohem ta rregulloj çështjen me “Zotin tim”. Nuk e kuptova se jam duke u përpjekur që ta zë vendin tim të përhershëm në sixhade.
Duke jetuar me ta, duke u lutur me ta, duke ngrënë me ta dhe duke diskutuar me ta, përfundimisht e kuptova se prej çkahit deri tani isha i izoluar. Tani sapo arrita në fillim. Tani mundesha ta kthej në praktikë atë për të cilën zemra ime tërhiqte përbrenda. Kalimi në Islam ishte vetëm vërtetim i asaj që e dija se është e vërtetë. S’kishte zgjedhje tjetër: zemra ime nuk gënjente për atë që e njihte. Dyert u hapën dhe unë ndërmora hapin e marrë të bekuar kah brenda. Pas hyrjes, e kuptova se kjo nuk ishte vetëm ajo që kisha kërkuar gjithmonë, por ajo që në realitet unë tani më veç isha. Gjithmonë në zemrën time kam qenë mysliman. Tani dhe gjithmonë do të jem i falënderuar që më është dhënë rasti të jem i nderuar me këtë rrugë dhe që më është siguruar fisnikëria e përhershme e Zotit tim.
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>