prej_erresires

SI TË MËSUARIT E KISHËS PËR JEZUSIN MË DËRGOI PREJ KATOLICIZMIT NË ISLAM?

Ibrahimi, një tinejxher nga Pensilvania, sqaron se si të mësuarit e kishës për Jezusin e dërgoi prej katolicizmit në Islam

Në jetën e secilit vjen momenti, së paku unë shpresoj se vjen, kur njeriu kupton se duhet braktisur bindjet e gabuara dhe besimin e gabuar, dhe që atë ta paraqesë edhe publikisht. Mua, për fat, kjo më ndodhi herët. Jam 17 vjeçar dhe Islami është feja për të cilën unë mundohem. Jam rritur si katolik. Më shumë formalisht sesa praktikisht. Kam ndjekur shkollën katolike të së dielës, e cila quhet CCD, por koncepti i Zotit nuk ka pasur ndonjë rol të rëndësishëm në fëmijërinë time. Kjo ishte më tepër vetëm një obligim javor (i së dielës) për mua.
Megjithatë, fillova të shkoj në meshë kur isha në klasën e shtatë dhe kjo gjë më pëlqente. Kisha ndjenjën se po bëj gjënë e vërtetë. Gjithmonë kam qenë person moral, por asnjëherë nuk i kam studiuar mirë bazat e katolicizmit. Vetëm e dija se ndjehem mirë kur i lutem Krijuesit.
Me të vërtetë e kam dashur katolicizmin, por disi më është dukur se ne (katolikët) bashkë me Jezusin duhet t’i lutemi Zotit, e jo edhe Zotit edhe Jezusit si një Krijuesi të vetëm. Jezusi (Paqja qoftë mbi të) ishte shembulli im në ndjekjen e vullnetit të Zotit dhe nënshtrimin ndaj Zotit, por assesi Zot.
Para se të vijoja klasën e tetë, në vjeshtën e vitit 1999, kisha mësuar shumëçka për katolicizmin. Katolicizmi kishtar e konsideron Jezusin për Zot. Kjo ishte diçka që nuk pajtohej me përfytyrimin tim për “Zotin e pacenueshëm të Cilit i lutesha dhe Jezusin si shembull”. Kjo ishte disi e palogjikshme dhe e habitshme dhe këtë nuk mund ta pranoja. Nuk ndjeja se kjo ishte e drejtë.
Megjithatë, vazhdova të shkoj në kishë dhe të lutem. Dhe bisedoja me shumë njerëz në kishë për ndjenjën time se Jezusi nuk është Zot, por i Dërguar i Zotit, shembull. Më thonin se duhet ta pranoj faktin se Jezusi është Zot etj. Por këtë nuk mundesha ta pranoj. U mundova që ta pranoj një gjë të tillë, por mendoj se më ka ruajt Zoti nga ajo, për të mirën time. Kishte diçka që është shumë më e mirë për mua se sa ajo. Por vazhdova të shkoj në kishë.
Diku kah mesi i dhjetorit të vitit 1999, pa ndonjë arsye të posaçme të cilën do të mund ta përmendi këtu, fillova të lexoj nëpër enciklopedi të ndryshme mbi Islamin. Më kujtohet se kam bërë listën e fjalëve kryesore për Islamin në Grolier World Book të vitit 1964, të cilin libër e gjeta në dollapin tim me libra. Për ndonjë arsye isha i mahnitur nga kjo fé, sepse në të flitet për Zotin dhe për atë në çka unë kisha besuar gjatë tërë jetës sime - krejt atë e kam gjetur pikërisht në këtë fé. Para kësaj më duhej të pajtohesha se nuk ekziston feja çfarë e ndjej në vete, andaj isha i mahnitur që e gjeta këtë fé. E kuptova se feja “ime” ka emër dhe miliona pasues tjerë!
Më 31 dhjetor të vitit 1999 e deklarova kelimei-shehadetin, dëshminë e Njëshmërisë së Zotit, e që asnjëherë para kësaj nuk kisha lexuar Kur’anin e as që kisha biseduar me ndonjë musliman! Ashtu siç kalonte koha, gjithnjë e më shumë mësoja. Kalova shumë faza të habisë, lumturisë, dyshimit dhe mahnitjes. Islami më dërgoi rrugës së iluminizmit. Por ajo rrugë ishte ngadalshme. Edhe pas pesë muajve të pranimit të Islamit, unë ende shkoja në meshë. Dhe çdoherë që prezantoja në meshë, e ndjeja se ndarja mes meje dhe bashkësisë kishtare thellohej gjithnjë e më shumë, kurse isha gjithnjë e më afër të Dërguarit Jezus dhe Zotit.
Gjatë Ramazanit të vitit 2001, gjatë kohës së pauzës për drekë zakonisht shkoja në bibliotekë (ishte ky Ramazani i dytë të cilin e agjëroja, sepse vitin e parë të pranimit të Islamit nuk e agjërova Ramazanin). Kjo ishte më mirë se sa të ulem me miqtë në tavolinë, e po ashtu edhe kisha punë në bibliotekë. Edhe notat e mia u përmirësuan. Atëherë vendosa kontakt me Johnin, i cili përveç meje ishte muslimani i vetëm në shkollën time. Ashtu siç kalonin ditët, gjithnjë e më shumë flisnim për Islamin. Ai është personalitet fascinues dhe të premten e fundit të Ramazanit më dërgoi në xhami. Shkuarja ime në xhami ishte përjetimi më i bukur në jetën time. Zoti këtë herë me të vërtetë iu përgjigj lutjeve të mia. Mendova se do të jem nervoz, por aspak nuk isha. Kjo ishte gjëja më e natyrshme të cilën e kisha bërë ndonjëherë. Ndjehesha sikur në shtëpi. Dhe diçka kuptova derisa isha në xhami. Derisa rrija ulur në dysheme dhe i lutesha Zotit, kuptova se hapësira është përplot njerëz tjerë, por krejt kjo ishte në rregull. Kurse në shtëpi, kur dikush më pyet se çfarë po bëj, unë asnjëherë nuk them se po falem. Asnjëherë këtë nuk ia kam pranuar askujt. Kjo është tejet e vështirë. Por atje, në xhami, falesha para një grupi muslimanësh tjerë dhe ndjehesha për mrekulli. Më shumë se mrekulli! Ndjehesha i sigurt. Kjo ishte një nga gjërat më të bukura të cilat më kishin ndodhur qëkur në zemrën time e kisha pranuar Zotin atë natë të ftohtë para Vitit të Ri dy vjet më parë.
Prindërve asnjëherë nuk ua kam thënë të vërtetën direkt. Në realitet, një gjë të tillë as që planifikoj ta bëj. Sinjali i parë të cilin ua kam dërguar ishte më 16 dhjetor të vitit 2001 rreth orës 1, kur më në fund i thashë babait tim se në mëngjes me një mik do të shkoj në xhami, dhe kur ai më pyeti pse, unë “e ndeza alarmin tim”. Më tha se mezi pret që të shpërngulem nga shtëpia e tij, më tha edhe atë se është dëshpëruar me mua dhe se unë, sipas mendimit të tij, kam bërë një zgjedhje të marrë. Prindërve të mi asnjëherë nuk u kam thënë direkt, sepse mendoj se është më mirë që këtë ta bëj gradualisht, nuk kam dashur që të shkaktoj probleme në familje. Por mund të paramendoj se çfarë do të bënte babai im po qe se kupton se jam bërë musliman i cili praktikon fenë. Ai është i tërbuar vetëm nga fakti se po hulumtoj atë fé dhe është i bindur se krejt ka ngelur vetëm në hulumtim dhe studim. E di se babai im nuk është i lumtur dhe nuk dua që ai të vuajë. Por mendoj se ky është gabim vetëm i tij, sepse mendon se është aq i mençur dhe se nuk i duhet Zoti. Kjo ide është pikërisht ajo që e bën atë jo të lumtur. Dhe mendoj se ai akoma nuk e ka kuptuar se çfarë ndodhë me zemrat e atyre të cilët mohojnë nevojën e tyre njerëzore për lidhje me Krijuesin. Ai nuk e ka ditur se në çka po lëshohet duke marrë një vendim të tillë. As nëna ime nuk e di se jam musliman, por ajo bile nuk hidhërohet pse shkoj në xhami. Ajo është e shqetësuar për këtë, por asnjëherë nuk më ka thënë se është e dëshpëruar në mua. Duke ndjekur urdhrat e Zotit unë do të përpiqem që të jem i mirë ndaj prindërve të mi gjithnjë përderisa nuk fillojnë të më largojnë nga Islami. Gjëja më e mirë që mund të bëj për ta është të jem shembull i mirë, që ata një ditë, insha’All-llah, ta shohin se ekziston mënyrë edhe më e mirë e jetesës se sa jetesa në një botë të errët e cila mohon Zotin.
Asnjëherë nuk kam qenë në Lindjen e Mesme, por çdo ditë mësoj mbi Islamin. Kam lexuar libra të shkruar prej më shumë perspektivave. Sunnite, sufite, shiite, libra mbi vetë Kur’anin... muslimanët i konsiderojnë sektet haram, ashtu që me rëndësi është që mos të devijosh në çështje të besimit. Mund të kesh pikëpamje të ndryshme me ndonjë musliman tjetër, por përderisa të dy besoni se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut, të dy jeni muslimanë dhe kjo është e tëra. Kam lexuar shumë edhe në Internet dhe kam biseduar me muslimanët tjerë edhe përmes Internetit dhe telefonit. Jam njoftuar me disa njerëz të mrekullueshëm në internet, prej të cilëve kam mësuar shumë për jetën, Islamin dhe Zotin.
Tani jam 100 % musliman dhe kjo asnjëherë nuk do të ndryshohet, insha’All-llah. I falënderohem Zotit për atë që i kam kaluar të gjitha fazat e dyshimit. Kur shikoj mbrapa, e di se në ato momente Zoti nuk më ka lënë, por më ka folur se është koha që të llogaris veten dhe të mendoj se sa e dua Zotin dhe nëpër çka jam i gatshëm të kaloj që ta kuptoj fenë time. Një javë e të qarit, depresionit, lutjes, leximit deri në lodhje dhe vënia e të gjithë çështjeve tjera jetësore në plan të dytë mund të duket diç e vrazhdë... por shpërblimi - njohja e vetvetes, Zotit dhe lidhjes së njeriut me Islamin - vlen shumë më tepër se gjithçka që është materiale. Përmes pyetjeve të mia fitova dhuratën më të çmuar nga Zoti - Islamin dhe e gjeta qetësinë. Kam dëgjuar të krishterët si flasin se krishterizmi e ngrit njeriun në “nivel personal me Zotin”. Në Islam raporti me Zotin është shumë më i thellë. Zoti është me mua në çdo moment, më udhëheq, më mëson, më do, më mbron, më liron, më ngushëllon... elhamdulilah për Islamin!
Islami ka bërë shumëçka për mua. Shumë më tepër sesa mund të paramendoj. Dhe për çdo ditë është gjithnjë e më mirë. Fillova nga jeta e cila bazohej në sprova dhe gabime, e deri te pranimi i udhëzimit, dhe tani e di se çfarë është zgjedhja më e mirë për mua. Duke kërkuar njohjen e vetvetes dhe duke kaluar një jetë të habitshme, e gjeta veten në udhëzim. Nuk mund të gjej fjalë adekuate për ta përshkruar këtë, por do të mundohem edhe njëherë: Zoti ma ka zbuluar të vërtetën për jetën. Nuk më duhet më ta kërkoj atë.
“Pasha paraditen! Pasha natën kur shtrinë errësirën! Zoti yt nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur. Dhe se bota e ardhshme është shumë më e mirë për ty se e para. E Zoti yt do të të jep ty, e ti do të kënaqesh. A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të bëri vend (të dha përkrahje). Dhe të gjeti të paudhëzuar e Ai të udhëzoi. Dhe të gjeti të varfër, e Ai të begatoi. Pra, mos e përul jetimin! As lypësin mos e përzë! E me të mirat që t’i dha Zoti yt, trego (udhëzo njerëz)!” (Ed-Duha: 1-11)
Kjo është ajo nëpër të cilën unë kam kaluar, çfarë ka bërë Zoti për mua - ai që jam. Ky është lajmërimi im që ia bëj botës. Islami është shumë më tepër se ajo që mendoni ju, në realitet është shumë më liberal se sa dëshiron shumica. Por jo vetëm të dëgjoni. Studioni të gjitha perspektivat për vete... dhe sillni përfundimin tuaj. Zoti thotë:“Në fé nuk ka dhunë”, sepse besimi në Zotin është vendim të cilin e sjell zemra, kurse zemrën nuk mund ta detyrosh për asgjë.
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>