prej_erresires

RRUGA DREJT DRITËS
ANNA LINDA TRAUSTADÓTTIR

Kam lindur si Anna Linda Traustadóttir prej prindërve islandezë/danezë në Reikjavik, Islandë, në vitin 1966 dhe jam pagëzuar (kryqëzuar) sipas ritit të kishës luteriane. Kur isha e re, familja ime u shpërngul në Vankuver, e pastaj kaluan në New York. Si 16 vjeçare kam mbaruar shkollën e mesme. Në vitin 1988 diplomova në Universitetin e Montrealit. Prej atëherë udhëtoj nëpër botë, studioj dhe punoj. Danimarka është “baza” ime që nga viti 1990.
Gjatë studimeve të gjuhës arabe në Kajro, në vitin 1997, një nga shoqet e mia angleze ma dhuroi Biblën. Më erdhi mirë, sepse kisha vendosur ta njoh më mirë krishterizmin dhe ç’thotë Bibla për gjëra të caktuara. Mendoja se mezi mund ta ndjej veten si krishtere pa e njohur Biblën.
Gjatë kohës së studimeve e lexova tërë Biblën prej faqes së parë deri tek e fundit. Pasi që përfundova me leximin, kuptova se kishte shumë mospajtime në të, shumë gjëra me të cilat nuk kam mundur të pajtohem. Si për shembull, në çfarë mënyre Dhiata e Vjetër e përshkruan Zotin dhe gruan, e mos t’i përmendi gjërat të cilat Pali i shkroi në Dhiatën e Re. Kur lexova për të Dërguarit e Zotit në Bibël, si për Nuhin, Lutin, Davudin, më mungoi respekti ndaj tyre, për shkak të mënyrës se si i kishte paraqitur ai libër.
Dëshirova që të informohem se çfarë gjendet edhe në Talmud. E dija se çifutët nuk pranojnë dikë të kalojë në jehudizëm (përveç “të reformuarve”). Gati se të gjithë çifutët janë sionistë, e unë jam kundër sionizmit, si dhe kundër Izraelit, dhe me këtë jam e orientuar ‘pro’ Palestinës.
Kam dëshiruar që t’i takoj fesë e cila pranon të konvertuarit në radhët e veta. Jam interesuar për budizmin, por ajo fé nuk më përgjigjej, sepse budistët nuk besojnë në Zot. Me nënën diskutova për hinduizmin dhe ajo fé më ka interesuar, por në hinduizëm ekzistojnë “zota” të panumërt. Prandaj hinduizmi nuk vinte parasysh. Krahas kësaj, në hinduizëm nuk mund të “kaloni”, por vetëm mund të lindeni si hindu.
Kur më lindi djali në tetor të vitit 2001, më pyetën se a dua ta pagëzoj (kryqëzoj). Refuzova. Kisha mendimin se fëmijët e vegjël hynë në Parajsë, qofshin apo jo të pagëzuar. Veç kësaj, si ta pagëzoj kur edhe vetë isha krishtere vetëm në letër. Nuk kam besuar në trini, as që Maria është “nëna” e Zotit, as që Jezusi është “biri” i Zotit. As nuk kam besuar se Jezusi ka vdekur që të na pastrojë prej mëkateve. Përse, sipas Biblës, ai në kryq na thotë: “Zoti im, Zoti im, përse më ke braktisur?”, kur e ka ditur se është i dërguar nga Zoti te njerëzit?
Jam rritur si armik i hidhëruar i Islamit. Kam urrejtur edhe arabët para se të shkoj në Kajro që të studioj arabishten. Jam rritur në Amerikë me filma amerikanë, në të cilët arabët gjithmonë janë fundamentalistë, radikalë, përndjekës të grave, fanatikë fetarë, terroristë, asnjëherë njerëz të rëndomtë normalë. Pjesa më madhe e njerëzve që urrejnë arabët asnjëherë nuk kanë qenë në asnjë vend arab, ku realiteti është krejt ndryshe.
Në vitin 1999 shkova në Damask që të punoj në ambasadë. Një vit më pas u njoftova me një inxhinier me emrin Muhamed. Një kohë të shkurtër pasi u njohëm, u martuam. Të jem e sinqertë, me të u martova sepse e doja, edhe përkundër faktit se ishte musliman. Me kohë kam kuptuar se e dua pikërisht nga arsyeja se është musliman. Musliman i mirë. Kam takuar shumë muslimanë, këtu në Danimarkë dhe në Lindjen e Afërt. Mendova se të gjithë ata e jetojnë Islamin. Dhe sa herë që do t’i pyesja muslimanët për Islamin, një gjë më ka befasuar: të gjithë ata dukeshin ekspertë në fenë e vet. Madje edhe ata të cilët më jepnin përgjigje të gabuara. Do të ishte më e mençur po qe se thoshin: “Nuk e di/Nuk jam i sigurt”. Asnjëherë nuk e kam shikuar krishterizmin e as ndonjë fé tjetër përmes ithtarëve të saj. Gjë e çuditshme është se këtë parim nuk e kam zbatuar te pjesëtarët e Islamit, dhe vetë Islamin e kam shikuar përmes çdo arabi të cilin e kam takuar, madje edhe pse të gjithë arabët nuk janë muslimanë. Në mesin e tyre ka protestantë, katolikë, koptë, druzë etj. Edhe shumica e muslimanëve nuk janë arabë. Prej muslimanëve ka indonezianë, indianë, malajë, rusë, kinezë, turq, amerikanë, shqiptarë, boshnjakë dhe natyrisht arabë. Jam e edukuar që mos të kem paragjykime ndaj njerëzve, por gjithsesi i kam pasur. Më duhej një kohë e gjatë që tërë këtë ta kuptoj. Gjatë kohës së Ramazanit të vitit 2002 e luta Muhamedin që të më ndihmojë gjatë leximit të Kur’anit në arabisht. Gjatë leximit të këtij libri më preokupoi ana e tij shkencore, emotive, si dhe ajo feministe! Thuajse të gjitha librat të cilat i kam lexuar për Islamin, të cilat i kanë shkruar jomuslimanët, e paraqisnin Islamin në dritë negative. Këta njerëz të cilët shkruanin kundër Islamit, i shkoqitnin citatet e Kur’anit jashtë kontekstit ose ajetet i përkthenin gabimisht. E njihja mjaftë gjuhën arabe sa për ta kuptuar se origjinali në arabisht ka domethënie tjetër nga përkthimi. Aq shumë shkencë, aq shumë dituri e cila shumë vonë është zbuluar. E kam fjalën për vrimat e zeza, udhëtimet në kozmos, gjeologjinë, oqeanografinë, zhvillimin e embrionit. Isha e mahnitur. Gjithmonë kam dëgjuar se Kur’ani në të vërtetë është një version i cunguar i Biblës, por asgjë nga kjo nuk mund të gjendej në Bibël. Pyetesha se si dikush që ka jetuar para 1400 viteve ka mundur të shkruajë një gjë të tillë! Disa nga këto gjëra janë zbuluar në këtë shekull. Atëherë mendoja se shkencëtarët, astronomët, matematicientët dhe hartografët arabë në atë kohë kanë qenë aq të ditur, ndoshta janë bërë bashkë e pastaj kanë shkruar libër, me një lidhje të brishtë me Torën dhe Ungjillin. Gjatë leximit të mëtejmë kuptova se revolucioni shkencor arab ka pasuar pas ardhjes së Islamit. Kuptova se muslimanët besojnë se meleku Xhibril ia ka shpallur Kur’anin Muhammedit [sal-lall-lahu alejhi ve sel-lem] prej All-llahut. Muslimanët besojnë se pjesë nga Bibla janë shpallur nga All-llahu i Madhërishëm që të flasin për jetën e Isait [alejhis-selam] dhe se jo vetëm muslimanët, por edhe çifutët dhe krishterët thonë “All-llah” për Zotin. Muslimanët respektojnë Abrahamin, Solomonin, Mojsiun, Jezusin dhe Noen, të cilët në të vërtetë ishin të Dërguar biblikë. Gjithashtu përmendet se do të ketë të dërguar tjerë, për popujt tjerë, të cilët do t’u ndihmojnë që të jenë njerëz më të mirë.
Në Kur’an thuhet se All-llahu mund të vë perde në sytë tanë dhe t’i ngurtësojë zemrat tona ashtu që mos të ndjejmë porosinë e Kur’anit. Vetëm nëse All-llahu vendosë që të na udhëzojë, atëherë ndodhë kjo. Më 12 dhjetor të vitit 2002 pashë një ëndërr të pabesueshme e cila më shtyu që të mendoj më thellë për fenë. Ëndrrat në Islandë janë dukuri shumë e rëndësishme, ashtu që interpretimi i ëndrrave është bërë shkencë. Asnjëherë nuk kam menduar se kam nevojë për fé. Isha e fascinuar me fenë, por mendoja se mjafton të besoj në Zotin dhe të bashkoj fé të ndryshme, derisa nuk përfitova një lloj “përzierje të Anës”.
Në janar të vitit 2003 fillova që nëpër Internet të kërkoj artikuj për Islamin. Në mars të të njëjtit vit kam pasur rastin që në Reikjavik të takohem me një muslimane e cila më dha përkthimin e Kur’anit në gjuhën angleze me tekst arab.
Në maj të vitit 2003 mikesha ime nga Islanda na vizitoi dhe qëndroi dy javë te ne. Filluam të bisedojmë për Kur’anin. I thashë se dëshiroj ta përkthej në gjuhën islandeze. Më tregoi se kjo ishte edhe dëshira e saj. U pajtuam që këtë ta bëjmë bashkërisht. Kohën e shfrytëzonim mirë, duke diskutuar për krishterizëm, hebraizëm dhe Islam. Ajo gjeti mospajtime të mëdha në protestantizëm, mendonte ta pranojë hebraizmin, dy herë e ka vizituar Izraelin (sa më kujtohet mua e ka përmendur shprehjen “Palestina e okupuar”), dhe pas vizitës së dytë filloi të interesohet për këndvështrimin arab të këtij konflikti. Atëherë filloi t’i interesojë edhe Islami. Ajo më parë kishte kaluar rrugën nëpër të cilën tani po shkoja unë, duke arritur deri te përfundimet e njëjta. Më kujtohen reagimet e mia negative, kur në vitin 1995 më tha se ishte bërë muslimane. Më vjen turp se si nuk e përkraha qysh atëherë.
Fillova ta shikoj veten si muslimane. Burrit tim ia tregova mendimet e mia dhe biseduam gjatë. Më propozoi që të pres me ndërrimin e fesë. Me kalimin në Islam jeta ime do të ishte më e vështirë, njerëzit ndaj meje do të silleshin më ndryshe. Më tha se do të mund të humbisja kontaktet me prindërit dhe miqtë e mi po qe se kaloj në Islam. Frikohej mos njerëzit mendojnë se ai më ka detyruar që ta ndërroj fenë.
Nëse miqtë dhe farefisi nuk dëshirojnë të kenë kontakte me mua për atë se jam muslimane - atëherë le të jetë ashtu! Mu desh shumë kohë dhe orë të panumërta të hulumtimit që të kuptoj se Islami është feja ime! Besimi im në Zot është diçka që gjithmonë e kam marrë seriozisht dhe asnjëherë nuk kam pasur komplekse se si të tjerët mund të më përqeshin kur publikisht të deklarohem se jam besimtare. Gjithmonë kam pyetur veten se si njerëzit mund të shohin përreth vetes shenjat e Zotit pa besuar Atë, i Cili gjithçka krijoi. E atyre të cilët thonë se Islami është një lloj sekti, u them se Islami është fé e cila ka një rritje më të shpejtë në planet: një nga katër banorët e planetit Tokë është musliman.
Kështu përfundimisht më 4 qershor 2003 e shqiptova shehadetin dhe u bëra muslimane, pas çkahit edhe e bëra haxhxhin. Kërkova të vërtetën që nga vegjëlia, kurse kah mesi i viteve ’90 kam blerë libra mbi fé të ndryshme. Thellë në vete kam besuar se një ditë do ta gjej të vërtetën. Më kujtohet kur për herë të parë në jetë dëgjova ezanin. Ishte ajo një e diel e ngrohtë në Kajro në vitin 1997, kur kumbonin zakonisht kambanat e kishës. Por kur dëgjova ezanin, më rrodhën lot nëpër fytyrë pa e kuptuar se për çka.
Njëra nga shoqet e mia më të mira, një katolike, ishte tash së shpejti në Bejrut dhe e kishte zgjuar ezani i namazit të sabahut. Reagimi i saj ishte si edhe imi: kishte filluar të qajë.
Kur e lexova Kur’anin, thellë në vete ndjeva se kjo është ajo që e kam kërkuar. Bukuria e porosisë kur’anore nganjëherë më shtyn në vaj. Asnjë libër për ndonjë fé tjetër nuk ka shkaktuar emocione të tilla tek unë.
Kur’ani është libri më i ndërlikuar të cilin e kam lexuar ndonjëherë. Sa më shumë që e lexon, aq më shumë e kupton dhe të parashtrohen pyetje të reja. Kur’ani të jep fuqi të kuptosh edhe më shumë. Çdoherë që e lexon, i zbulon thellësitë e tij reja. Unë nuk jam ndonjë ekspert, e as që do të jem ndonjëherë. Madje edhe nëse do ta lexoja Kur’anin për çdo ditë deri në fund të jetës sime, do të mësoja diç të re. Kur’ani është përplot fshehtësi.
Përmes Internetit jam njoftuar me shoqe të reja muslimane. Duke kërkuar në Internet gjeta faqen www.islam.is dhe kontaktova me personin i cili qëndron mbrapa këtij projekti. Filluam të korrespondojmë. Diku kah viti i ri 2004 ia dërgova një raport të cilin e emërtova “Islami në Islandë në vitin 2003”. Ajo pas kësaj më propozoi të fillojmë me përkthimin e Kur’anit në gjuhën islandeze (Kóraninn). Kështu insha’All-llah do të paraqitet përkthimi i Kur’anit në gjuhën islandeze, të cilin e kanë përkthyer tri gra që kanë kaluar në Islam.
Kur isha vitin e kaluar në Kuala Lumpur, bleva shumë libra. Ky qytet është El Dorado për muslimanët e rinj. Isha këndshëm e befasuar. Burri im, djali dhe unë mbetëm një muaj në Malajzi. Çfarë vendi i mrekullueshëm! Sa i përket shoqërive islame, më ishin të njohura vetëm vendet e Lindjes së Afërt, kurse këtu në Azinë Juglindore mu hap një botë e re. Thënë shkurt, kisha një përvojë të shkëlqyeshme. Gjithmonë kënaqesha në aspekt të kulturës dhe arkitekturës islame, kurse Malajzia ofron shumë nga këto gjëra. Gjatë kohës së qeverisë së ish-kryeministrit Mahatir Muhammedit, Islami përjetoi një rilindje. Ai dëshironte t’i bashkojë të gjitha vendet muslimane në të ashtuquajturin “Union Islamik”, kurse ka punuar edhe në krijimin e valutës islame - dinari i artë. Çfarë vizionari! Islami ka nevojë për më shumë njerëz si ai!
Unë gjithmonë mendoj pozitivisht, andaj mendoj se shekulli 21 do të jetë një kohë atraktive. Nëse dikush sikur unë mund të bëhet musliman, atëherë ka shpresë për secilin! Para disa kohësh me miqtë e mi kam biseduar për rrugën time se si jam bërë muslimane dhe të gjithë më përkrahën. U befasova se ata nuk ishin të befasuar. Më thanë se e kanë ditur se një ditë do ta gjej atë për çka kam gjurmuar tërë kohën. Ata më thërrasin sipas emrit tim të ri islam “Nur”, që domethënë dritë. Edhe më tej e shfrytëzoj edhe emrin tim Anna Linda, të cilin ma kanë lënë prindërit dhe që paraqet personin në 36 vitet e kaluara. Nur është vetëm vazhdimi im! Kështu përfundon rrëfimi im “Rruga drejt dritës”, i cili në të vërtetë është vetëm se fillim.
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>