prej_erresires

RRËFIMI I GREG/ALIUT

Nga vitet 2000/2001numri i të rinjve dhe të rejave në botë që po e përqafojnë Islamin dita-ditës po shtohet. Kjo dallon nga vendi në vend, por motivi kryesor është ikja nga dhuna dhe nga urrejtja! Në shikim të parë është një fakt i habitshëm, veçanërisht kur kihet parasysh propaganda mediale, sidomos ajo euro-amerikane, e cila po bën ç’mos që Islamin, këtë fé të tolerancës dhe dashurisë, të respektit dhe njerëzisë, të kulturës, të dijes, të urtësisë dhe mirësisë, ta paraqesë me kontrastet sa më të errëta, si fé dhune dhe mosdurimi, si varfëri dhe shpërfillje, shkelje të drejtash njerëzore e gjinore etj.
Tërë kjo luftë propagandistike kundër Islamit, që nuk zhvillohet vetëm brenda mediave, por po bëhet një armë e rrezikshme kundër Islamit, jo prej sot, por qëmoti, po depërton edhe në familjet dhe shpirtrat e këtyre krijesave të All-llahut që po i kthehen Islamit me vullnetin e All-llahut! Gati në çdo rrëfim të të rinjve, të rejave, po edhe të moshuarve, sidomos të priftërinjve të krishterë, po vërehen gjurmët e thella të kësaj urrejtjeje.
Sipas rrëfimeve të të rejave muslimane franceze, kjo urrejtje është e manifestuar sidomos në Francë. Ato thonë se vendet fqinje si Belgjika, Gjermania, madje edhe Anglia, janë dukshëm më tolerante në këtë drejtim.
Por muslimanet dhe muslimanët e Francës (shumica e tyre nga familjet elite qytetare) thonë: “Shyqyr që njohëm Islamin para se t’i njohim muslimanët!”
Sepse “atë që do All-llahu ta udhëzojë, nuk ka kush që e pengon dhe atë që Ai nuk do, nuk ka kush që e udhëzon!”
Pra, nuk ka dije e as dashuri mbi atë të All-llahut, e as përveç asaj për All-llahun!
Gjithçka tjetër është e rreme ose vjen nga padija!
Rrëfimet nga më të ndryshmet dhe më të prekshmet për çdo ditë po hasen në faqen islame në gjuhën frënge - “SAJIDINE”, faqja më e lexuar dhe më e preferuar islame sipas lexuesve te saj. Këto ditë, në Forum, ndodhi që një studente e re e juridikut, Flavi, të pranojë Islamin brenda pak ditësh sapo mori përgjigje të arsyeshme në pyetjet e saj, nga motrat e reja muslimane që kishin tashmë këtë përvojë (pyetjesh të rëndomta).
Por, në faqet islame në gjuhën frënge ka edhe hebrenj e shumë të tjerë, nga vende të ndryshme të botë, latinoamerikanë, portugezë, spanjollë etj., që përqafojnë Islamin si fé. Rrëfimet e tyre janë shumë të prekshme e rrëqethëse. Libra të tërë do të duheshin për të përfshirë të gjitha këto rrëfime!
Ata/ato jo vetëm që po e përqafojnë Islamin, por po bëjnë ç’mos të jenë shembulli më i mirë i muslimanit/es! Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një mrekulli e bukuri e All-llahut!
Subhanallah - I lartësuar është All-llahu, Zoti i botëve.

Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim

Selamun alejkum ve rahmetull-llahi ve berekatuhu
Paqja e All-llahut qoftë mbi ju…

Mendimet, veprimet e mia para përqafimit të Islamit…

Do të fitoj shumë duke vjedhur...
Sapo ta siguroj një armë, do të jem më i fortë, vështirë e kanë për të më zënë. Më lehtë mund të fitoj të holla.

KALIMI IM NË ISLAM

Mendimet e mia një vit më vonë
Sot do të dëshiroja që All-llahu të jetë i kënaqur me nënën time, me bashkëshorten time të dashur dhe tërë atë që e kam pëlqyer në jetën e kësaj bote. Amin!
Zemra ime, jeta ime, i detyrohen El-Kahharit (Mposhtësit), sepse Ai (qoftë i Lartmadhëruar) m’i dha të tërat: jetën, të parit, shijen, syrin, oksigjenin.
Subhanallah! Miliarda faqe dhe ngjyra nuk do të mjaftonin që të numërohen mirësitë e Krijuesit Tonë, qoftë lavdëruar All-llahu kurdoherë.
Jeta ime i kushtohet fesë së All-llahut, El-Waliut (Udhëheqësit). Nuk mund ta mendoj më jetën time pa All-llahun, pa fé, pa lutje, pa namaz, pa adhurim... Kjo është e pamundur!!!
Islami është feja që më joshi tash një vit e gjysmë, El-Hadiu (Udhëzuesi-për të gjithë) mi hapi sytë, më nxori nga errësirat, ma mbushi zemrën me një lëng ndezës, përbërësit e të cilit janë besimi, dashuria ndaj All-llahut dhe frika prej Tij.
O Zot, do të jem falënderues gjatë gjithë jetës sime, më bën nga robërit Tuaj të përulur.
O Zot, të lutem bëje zemrën time një zemër të denjë për një nderim të shenjtë ndaj Teje, një zemër plotë thjeshtësi dhe e prirë për një dituri të dobishme.
O Zot, të lutem pranoje pendimin tim një vend të ngritur (të nderuar) dhe një bashkëshorte të ndershme e të devotshme. Amin.

Ishte janari i vitit 2000, në moshën 18 vjeçare
22 janari i vitit 2000 për mua është një rilindje, një jetë e re, një datë që do të mbetet përgjithmonë e vulosur në zemrën time, këtë ditë është nisma e fatmirësisë për mua.
Nëna ime (Elhamdulilah), të cilës i jam afruar, dua që të ndihet krenare me mua dhe i lutem All-llahut - El-Nur që ta udhëzojë atë në rrugë të drejtë. Vëllezër, motra, edhe ju mund të luteni…
Prindërit e mi që të dy janë francezë, babai është me prejardhje polake.
Unë para së gjithash jam musliman!
Kurrë nuk jam pagëzuar në kishë, sepse nëna ime donte që unë të zgjedhi vet, Masha’All-llah. Edhe e zgjodha!
Meqë jam rritur në një familje ateiste, asnjëherë nuk kam pasur rast të dëgjoj një fjalë për Zotin. Jo që nuk besoja, por nuk dija, kurrë nuk kam qenë i interesuar, asnjëherë nuk kam shtruar ndonjë pyetje.
Qysh kur isha fare i vogël, të gjithë shokët e mi ishin algjerian ose maroken, por fatkeqësisht ishin shumë larg Islamit. Mirëpo, në sajë të Mëshirës së All-llahut, gjithnjë isha me ata. Më kujtohet gjatë muajit të Ramazanit se si fitoja në peshë, haja tek ata, pastaj në shtëpi, dhe kështu deri në klasën e shtatë. Më pastaj që nga klasa e tetë dhe dy vitet e para të gjimnazit, në kohën e iftarit mbetesha krejt i vetmuar...
Në moshën 15 vjeç e gjysmë i kërkova një shokut tim një Kur’an. E lexoja si një libër të rëndomtë pa kuptuar aq shumë, por ja që kisha nevojë ta kisha gjithnjë pranë dhe kisha dëshirë ta lexoja.
E merrja me vete kudo që shkoja, bile edhe në gjimnaz, ndonëse nuk e hapja, ai mbetej aty në çantën time. Po kështu edhe në Paris dhe Antibe ku punoja për formimin tim.
Në Antibe punoja me dy shokë marokenë, Rashidin dhe Hindin. Ata më thoshin se në sajë të fesë kanë shpëtuar nga vetëvrasja. Me Rashidin kuvendonim shpesh, kurse shumë nga pyetjet e mia kishin të bënin me fenë.
Në Paris, si edhe në Antibe, Kur’ani ishte libri prej të cilit nuk ndahesha. Ndonëse e mbulonte pluhuri, ai ndodhej aty fare pranë meje... Ndoshta lexoja vetëm një ose dy herë në javë nga 2 faqe, por ai ndodhej aty, pranë meje, dhe kjo ishte me rëndësi, kisha nevojë ta kem pranë, e kur nuk e kisha aty pranë, ndihesha keq dhe me mungonte diçka. Subhanallah!
Në Paris, në moshën 18 vjeçare, pata një takim që nuk zgjati mbi 10 minuta, por që ndryshoi jetën time...
Isha në Clignacourt (Kliankur) dhe doja ta blej një armë (mendoja se kështu do të jem më i fortë), kurse të rinjtë që punonin në dyqan na larguan pak më anash. Ishim një maroken dhe dy francezë. Shitësi fliste me Hakimin para nesh, duke na shpërfillur neve. Pastaj më tha: “Pse ti dëshiron të kesh armë?”
“Që të mbrohem” (estagfirullah, në të vërtetë ishte e kundërta e saj, pra që të sulmoj).
“Nëse ti shkon drejt All-llahut, Ai të mbron, ne kemi mirësinë e All-llahut, nuk kemi nevojë për armë, nuk kemi ngatërresa, kemi mirësinë e All-llahut se jemi myslimanë. Është Zoti Ai që na jep forcë dhe na mbron”, tha.
Pastaj na u drejtua neve: “Më falni djelmosha, është e vërtetë, ju vërtetë keni nevojë për një armë, por ne nuk kemi telashe, ne jemi nën mbrojtjen e All-llahut”.
Ndërkaq Hakimi, duke vënë dorën e tij mbi supin tim, me buzëqeshje tha: (ngase kishte vërejtur Kur’anin mbi tryezën time në mbrëmje) “Ky do ta përqafojë Islamin”. Mirëpo mua kjo nuk më bëri të qeshem fare, përkundrazi, ndodhi diçka në mua, më theri në zemër, ndjeja diçka.
Shitësi më shikonte i nemitur, por me një buzëqeshje të lehtë. Sot e di se ai e ka ndier në thellësinë e zemrës së tij Fuqinë e All-llahut. Do të thoshim se Zoti ia ka ndritur atij zemrën dhe me tha: “Edhe më mirë, të gjitha mëkatet tua do të fshihen tërësisht...”
Krejt këto fjalë, fjali, edhe sot e kësaj dite më shkaktojnë dridhje, në çastin kur penda ime rrëshqet mbi letër, e kur sytë e mi janë të mbushur me lot, sepse ja që atë ditë, në saje të disa minutave dhe pas disa fjalëve të shkëmbyera, sot jam i lumtur.
Ja pse më dhemb zemra kur shoh njerëzit që nuk janë në besim. Insha’All-llah nuk më ndodhë të devijoj sërish pasi që jam udhëzuar.
Dhe dolëm pastaj pa armë, pa blerë asgjë.
Hakimi me të qeshur më thoshte: “Do të vijmë sërish Greg?” I thashë me gjithë mend: “Nuk e di”. Unë, që e doja aq shumë armën, kjo ishte veçse një ëndërr, pra i thashë, nuk e di!!!
Në metro nuk bëzaja, pyetja veten, isha krejt i hutuar nga kjo çka ndodhi. Më foli për Zotin, e unë nuk isha besimtar, më foli për Islamin, e unë nuk isha musliman, por unë megjithatë e çmoja. Sot mund të them se ishte një “terrorist”!!! Ma vendosi një “bombë” në zemër... dhe All-llahu bëri që ajo të shpërthejë.

E kundërshtova
Pas dy ditësh, në kohën e drekës, në vendin tim të punës, gjellëbërësi ma shërbeu një picë me proshutë e djathë. E shikova këtë picë, dhe nuk e di si më erdhi dhe e ktheva! Pa ndonjë arsye, ia ktheva dhe kërkova një pa mish derri. Gjellëbërësi ishte një tunizian dhe kishte po atë buzëqeshje si edhe shitësi.
Të nesërmen në Bastille shkuam për të “pirë një gotë”. U ulëm, ishim pesë vetë. Katër të tjerët morën nga një verë dhe shërbyesja priti përgjigjen time. “Ju çka doni?”, me pyeti ajo. Shikova përreth meje, të gjithë të rinj me verë ne dorë, gati ishin bërë xurxull të dehur, pastaj shikova Hakimin (All-llahu e udhëzoftë në rrugë të drejtë) dhe unë porosita një koktej. Një koktej pa verë. Ja kështu, edhe për mishin e derrit! Pa ndonjë arsye! Ndodhte përbrenda meje, në një copë mishi (zemër) e cila filloi të mbushej me një lëndë, asokohe e panjohur për mua. Duhet t’u thosha “jo” dy gjërave të vogla brenda 2-3 ditësh. Në të vërtetë për mua ishin shumë, sepse kjo ma tronditi zemrën. Ndihesha i pastër, i pastruar shpirtërisht. Këto dy gjëra të vogla, që për shumicën dukeshin të rëndomta, më ndryshuan plotësisht, një ndërrim rrënjësor në qëndrimin ndaj shprehive të mia, shikimi ndryshe i gjërave.
All-llahu është i Madh!!!
Pastaj u ktheva në shtëpi, vetëm, por me diç më shumë. Rifillova gjimnazin, si fillestar, pa mish derri, pa verë. Dhe, Masha’All-llah, pas një kohe ja edhe muaji i Ramazanit. Pa besuar në Zot, por nuk haja më mish deri, nuk pija alkool dhe pyeta vetveten: Përse nuk agjëroj Ramazanin? Pastaj fillova agjërimin, 1, 2, 3 ditë, deri në fund!
Elhamdulilah, gjatë këtij muaji vëllazëria, bashkimi, ndihma e ndërsjellë, mirësjellja, për mua ishin diçka shumë e fortë. Në mbrëmje të gjithë dëshironin që të shkoj tek ata për iftar, por kundërshtoja që nëna të mos bëhej merak, ngase ajo nuk e dinte. Bëja iftar me një të katërtën e mollës, me një bonbone, por kështu të paktën nëna ime nuk shqetësohej. I shihja të gjithë shokët e mi, bile edhe hajnat më të mëdhenj se si agjëronin dhe ndjeheshin mirë. Kështu kuptova se kjo nuk është lënie vetëm e ushqimit dhe pirjes, por vërtetë ishte diç tjetër.
Në Paris, gjellëbërësi, shitësi, të gjithë ishin të buzëqeshur, merrni me mend këtë...
Gjatë kohës së drekës (një orë pushim) përfitoja të lexoj dhe lexoja pa pushuar, sa herë që kisha kohë të lirë. Lexoja Kur’anin dhe mbi namazin, si dhe bisedoja me shokët, u parashtroja shumë pyetje: Prej nga vij? Si? Pse? A ka apo nuk ka Zot?
Që nga ky muaj i agjërimit, e deri në vdekje Insha’All-llah, nuk pushoj së lexuari, të interesohem mbi Islamin, sepse çdo njohje me afron kah i Gjithëdijshmi!
Pas muajit të Ramazanit, i thashë një shoku të më thërrasë kur të shkon në xhami, thjeshtë për të parë çkahit i ngjan ajo. Ishte 22 janari i vitit 2000! Pikërisht atë ditë përqafova Islamin! Atë ditë shqiptova Shehadetin: “Esh’hedu en la ilahe il lall-llah ve esh’hedu ene Muhammeden resulull-llah”.
All-llahu ekber! Ja tash jam musliman, u bëra musliman, por edhe duhet të mbetem i tillë. Namazin e fillova pas një kohe.
Nëna ime ishte e shqetësuar. Një gjë e rëndomtë për shkak të gjithë asaj ajo që kishte dëgjuar nëpërmjet mediave mbi Islamin (që megjithatë ishte një fé e atij mjedisi). Mirëpo tash, Elhamdulilah, ajo e ka të qartë dhe bën dallimin ndërmjet muslimanit dhe Islamit, ndërmjet muslimanit e arabit; ajo tash nuk frikësohet më, bile edhe më përkrah herë-herë, si edhe motrat e mia. Ata që nuk më dëgjonin dikur, por gjatë tërë ditës bile edhe më thonin: “Ti je në ndonjë sekt”. Kjo më shkaktonte dhembje. Mirëpo sprovat janë të domosdoshme, sepse janë sprova të All-llahut, për ta dëshmuar dashurinë ndaj Tij. Tash, derisa po ju drejtohem, motra ime po përgatitë një drekë tek ajo. Më thirri e me tha: “Nëse do të falësh, ja ku është dhoma ime”. Masha’All-llah! Për dikë ndoshta kjo nuk do të thotë asgjë, diçka e rëndomtë, e qartë. E kuptoj, por për mua ishte shumë, u emocionova shumë, bile as nuk munda t’i përgjigjem, ajo doli duke më buzëqeshur.
Me motrën tjetër para disa ditësh bashkëbiseduam mbi Zotin... mbi krijimin (atë që Ai krijoi).
Tashti para nënës nuk fshihem më për t’u falur, nuk pres më që ajo të dalë ose të shkojë në telefon etj. Tash pres kohën e namazit, por njëherë pyes nënën nëse i duhem diçka, e pastaj shkoj për t’u falur.
Elhamdulilah kaloi edhe koha kur më duhej të falesha në banjë, duke lënë ujin lëshuar, të mos dëgjohet zëri im duke kënduar Kur’an. Kjo është një lehtësi e madhe për mua. Tash ëndërroj të krijoj një familje muslimane.
Rasti tjetër rreth agjërimit tim dhe qëndrimi i nënës: E kisha vështirë në fillim t’i tregoja se po agjëroj. Pasi që kisha arritur ta bind se nuk ha mish derri dhe nuk pi verë, ishte e vështirë ta bind edhe për agjërim! Vendosa t’i them. Ajo ma ktheu se agjërimi është hiçgjë, nuk bën etj. Por duke parë vendosmërinë time dhe sa e doja agjërimin e Ramazanit, dhe se ndjehesha aq mirë, pas pak ditësh, kur u ktheva nga gjimnazi, mbi tryezë gjeta gjellën time, kurse nëna ishte ajo që më shërbente!
Ajo e cila në fillim aq kundërshtonte, tashti ishte ajo që më ndihmonte!
Shpesh gjatë lutjes (dhikrit) shuplakat e mia mbushen me lot duke iu lutur All-llahut që ta udhëzojë nënën time.
Dhashtë All-llahu të mos i shmangem më Islamit, është një thesar dhe besimi im po shtohet dita ditës!

Fund
Të gjithë ata që kanë arritur ta lexojnë rrëfimin tim deri ne fund, ju falënderoj, sepse kjo është jeta ime, dhe ta ndaj këtë me ju besimtarë te sinqertë, kjo më ndihmon shumë.
Vëllezër, motra muslimanë, mos harroni se ky është thesari juaj.
Për ta që e kërkojnë lumturinë: mund t’ju siguroj se tash jam më i lumturi dhe i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë, mos nguroni ta bëni këtë hap edhe ju.
Shihni këtë në vetveten tuaj, por sido që të jetë, jini të durueshëm, ju do të shpërbleheni doemos nga All-llahu dhe vetëm prej Tij mund të shpërbleheni, ndërkaq namazi është burim i ndihmës dhe çelës i Xhennetit!
Ke besim vetëm tek All-llahu, ndiq porosinë e Tij të fundit dhe do të jesh fitues, sepse All-llahu nuk të le pa shpërblim, sepse Ai mban premtimin e dhënë. Mos u dëshpëro kurrë!
Pra, ti o vëlla, nëse të është dhënë urtësia që t’i mbështetesh Atij, dije mirë se All-llahu të do ty! Ji i vetëdijshëm për mirësinë e madhe të All-llahut, të jesh besimtar, mos harro që të jesh plotësisht mirënjohës për këtë mirësi.
Porosia ime e fundit për nënën time:
“Nëse ka qenë vullneti i All-llahut ta lexosh këtë letër, dije se jam krenar ta kem një nënë si ti, dhe do t’jua dëshiroja këtë të gjithëve, ta kenë një nënë si unë dhe t’i rrisë fëmijët si ti që na rrite neve, nënë...!
Nënë të dua... dhe falënderit për tërë lumturinë që na e dhurove, nuk do të mund të të falënderoja kurrë sa duhet...
Më fal nëse të kam shqetësuar, por mos harro kurrë, unë i cili më parë nuk ta kam thënë këtë, dije nënë, tash e them botërisht, se të dua nënë!”

Es selamu alejkum ve rahmetull-llah
Paqja e All-llahut qoftë mbi ju!

Greg/Aliu,
Një vëlla i juaj që para do kohe i është nënshtruar All-llahut.
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>