prej_erresires

AMERIKANI MEKSIKAN ZBULOI TË VËRTETËN E ISLAMIT

Quhem Ali. Jam 29 vjeçar dhe kam lindur në Meksikë. Shpresoj se insha’All-llah rrëfimi im do t’u ndihmojë njerëzve që ta kuptojnë Islamin dhe përse më ka tërhequr Islami. Shumë njerëz kanë shfaqje të gabuar për Islamin dhe për muslimanët. Pak gjëra që i dinë, janë nga filmat dhe nga televizioni, ku përgjithësisht ai është prezantuar gabimisht.
Jeta ime më parë ishte e tmerrshme, nuk kisha kurrfarë orientimi nga do të shkoja. Kur dështova në klasën e nëntë, atëherë fillova të bredh rrugëve. Me shokët e mi fillova të shkoj nëpër ahengje, të pi alkool, të marrë dhe të shes drogë. Shumica e shokëve të mi ishin anëtarë të ndonjë bande (unë asnjëherë nuk i takoja ndonjë bande të tillë). Ashtu siç kalonte koha, ashtu edhe unë fillova që sa më shpesh të marr drogë më të fortë. Edhe unë kisha ëndrrat e mia, por realiteti ishte krejt ndryshe. Sa më shumë që bija në depresion, aq më shumë bëhesha më i varur nga droga.
Një ditë, një shok më tha se di një vend ku mund të blej marihuanë të mirë. Kisha dëshirë ta shijoj dhe ta provoj. Hymë në apartamentin ku ishin edhe disa njerëz tjerë. Kur shijuam drogën dhe e blemë, atëherë u nisëm për të dalë. Njëri prej atyre djemve që ishin aty brenda thirri shokun tim që të shkojë me të në banesën e tij për t’ia dhënë një libër. Shkuam me atë djaloshin te banesa e tij dhe ai shokut tim ia dha librin dhe i tha që ta lexojë, sepse ai libër mund t’i ndihmojë që t’i zgjidhë problemet e jetës. Rrugës për në shtëpi nga shoku im kërkova që të ma tregojë librin. Ishte ky Kur’ani.
Asnjëherë më parë nuk kisha dëgjuar për Kur’anin. Shkurtimisht fillova të lexoj ca fragmente nga Kur’ani. Duke lexuar mu bë e qartë se gjithçka që po lexoj, është e vërtetë. Kjo ishte sikur dikush kur ta jep një shuplakë në fytyrë, si thirrje për t’u zgjuar. Kur’ani është aq i qartë dhe i thjeshtë për t’u kuptuar. Me të vërtetë isha i impresionuar dhe dëshiroja që sa më shumë të kuptoj për Islamin dhe për muslimanët. Gjë e çuditshme është se unë nuk kërkoja kurrfarë feje. I përqeshja njerëzit të cilët shkonin në kishë dhe ngandonjëherë deklaroja se Zoti nuk ekziston, edhe pse thellë në vete ndjeja se Ai ekziston. Disa ditë më vonë shkova në bibliotekë dhe e huazova Kur’anin. Fillova ta lexoj. Mësova për të Dërguarin e Zotit, Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kurse e kuptova edhe të vërtetën për Isain [alejhis-selam], të birin e  Merjemes. Kur’ani thekson faktin se Zoti është Një dhe nuk ka shok e as bir. Kjo veçanërisht për mua ishte interesante, sepse asnjëherë nuk e kuptoja nocionin “trini”. Kur’ani e përshkruan lindjen e Isait [alejhis-selam] dhe pejgamberinë e tij. Kurse sureja Merjem (e cila mban emrin e nënës së tij) përshkruan jetën e tij.
Qysh si fëmijë rregullisht shkoja në kishë. Nëna ime, mua dhe motrën time për çdo javë na mirrte në kishë. Në të vërtetë, unë asnjëherë nuk kam qenë religjioz dhe kur i mbusha 14 vjet ndërpreva shkuarjen në kishë. Asnjëherë nuk e kisha të qartë përse nëna ime ishte protestante, kurse pjesa tjetër e familjes sime ishin katolikë.
Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është Pejgamberi i fundit i Zotit i dërguar për tërë njerëzimin. Kur’ani flet për të gjithë pejgamberët e Zotit, Ademin, Nuhin, Musain, Davudin, Isain - bekimi i Zotit qoftë mbi ta - dhe për të gjithë ata flet, ashtu që çdo njeri ka mundësi që të kuptojë porosinë e Kur’anit.
Fillova të studioj edhe historinë e Islamit. Duke studiuar historinë islame, kuptova se Spanja kishte qenë shtet musliman mbi 800 vjet dhe se muslimanët ishin dëbuar nga Spanja prej mbretit spanjoll Ferdinandit dhe mbretëreshës Isabela. Ata që kishin ikur në Meksikë kishin qenë të detyruar nga të krishterët spanjollë që ta pranojnë krishterimin. Historia dhe rrënjët e mia islame që tani dalëngadalë më bëheshin të qarta.
Pas disa muajve hulumtimi dhe studimi, më nuk mundesha ta mohoj të vërtetën. Megjithatë, edhe krahas kësaj, gjithçka lashë anësh dhe vazhdova të jetoj jetën e deritanishme. E dija se nëse e pranoj Islamin do të duhet të lë gjithçka që kam bërë deri tani dhe kjo ishte ajo për çka më shumë frikohesha.
Një ditë, duke lexuar Kur’anin, rashë në gjunjë, fillova të bërtas dhe t’i falënderohem All-llahut që ma tregoi rrugën e vërtetë. E kuptova se afër shtëpisë sime gjendet një xhami dhe një të premte vendosa të shkoj atje dhe të shoh se si falen muslimanët. Pashë se si muslimanët gjatë hyrjes në xhami i zbathin këpucët dhe ulen në dysheme, gjë që më fascinoi pa masë. Një njeri nga mesi i tyre u ngrit dhe filloi ta thirrë ezanin. Ky zë aq shumë më fascinoi, saqë sytë mu mbushën me lot, sepse tingëllonte aq bukur. E kuptova se Islami nuk është vetëm fe, por edhe udhërrëfyes në jetë.
Pasi që disa të premte shkoja në xhami, vendosa që ta shqiptoj shehadetin. Iu afrova hatibit dhe i thashë se dua të bëhem musliman. Të premten e ardhshme, në prani të të gjithëve e shqiptova shehadetin, së pari në arabisht e pastaj në anglisht.
Kur përfundova, një vëlla thirri “tekbir” dhe të gjithë zëshëm disa herë thanë “All-llahu ekber”. Pastaj të gjithë vëllezërit erdhën dhe filluan të më përqafojnë dhe të më urojnë. Asnjëherë nuk do ta harroj atë ditë, ishte një përjetim i këndshëm. Sot ndjej rehati në shpirt dhe ndjej pastërtinë e besimit tim. Pranimi i Islamit jetën time e ndryshoi për të mirë, prandaj për të duhet t’i falënderohem vetëm All-llahut të Madhërishëm, i Cili ma tregoi rrugën e vërtetë.
Pata nderin të shkoj në haxhxh, në qytetin e shenjtë të Mekës. Kryerja e haxhxhit për mua ishte një përjetim i madh. Tre milionë njerëz të ngjyrave dhe racave të ndryshme, nga të gjitha anët e botës, erdhën t’i luten All-llahut. Me të vërtetë gjë mahnitëse.
Në vitin 2002, duke iu falënderuar All-llahut, u martova me një besimtare nga Maroku. Mendoj se Islami është përgjigje për të gjitha problemet e të rinjve dhe të shoqërisë në tërësi.
Shpresoj se rrëfimi im, insha’All-llah, do të tërheq shumë latino-amerikanë dhe të tjerë nga mbarë bota që ta shohin dritën e Islamit. 
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>