prej_erresires

AMIR B.
RRUGA IME DREJT ISLAMIT

Kontaktet e mia të para me Islamin ishin në Sarajevë. Herët në mëngjes dhe në mbrëmje gjatë perëndimit të diellit dëgjohej muezini se si nga lugina e Milackës thërret besimtarët në namaz. Në një kodrinë, e cila shtrihet deri në çarshi, qëndrojmë në kopsht dhe shikojmë qytetin. Minaret dhe kishat përzihen. Pasi që të përfundojë muezini, fillojnë të bien kambanat nga katedralja dhe gjithçka shkrihet në perëndimin e diellit përmes shumë kodrave që e rrethojnë qytetin.
Nëna ime është katolike, kurse babai im musliman i cili është rritur në komunizëm dhe s’ka pasur kurrfarë lidhje me fenë. Prindërit e mi nuk arritën të merren vesh a të më pagëzojnë apo të më bëjnë synet, andaj e lanë që unë të vendosi vetë atëherë kur të jem mjaft i pjekur për këtë.
Feja në jetën time kishte rol shumë të vogël. Por unë gjithmonë kam besuar në Zotin dhe përmes shumë përjetimeve e kam përforcuar besimin tim. Kam qenë nëpër kisha, por asnjëherë nuk pata hyrë në asnjë xhami. Për mua kjo ishte një botë e huaj të cilën e kam vështruar nga distanca. Për fat të keq, që nga fëmijëria ime kam pasur shumë paragjykime ndaj muslimanëve. Në fqinjësi, në Gjermani ku jam rritur, jetonin shumë turq, jeta familjare e të cilëve ishte e parregulluar. Gratë muslimane duhej të ecnin disa hapa pas burrave të tyre. Baballarët rregullisht i rrihnin fëmijët e tyre, kurse edhe nënat ishin viktimë e nxjerrjes së hidhërimit të burrave. Fqinjët tanë turq lanë përshtypje shumë të keqe tek unë. Sot e di se sjellja e tillë nuk ka kurrfarë lidhje me Islamin.
U njoftova me një vajzë, u martuam, na lindi një djalë dhe jeta filloi rrjedhën e vet. Çelësi i lirisë dhe lumturisë personale për mua atë kohë ishin paratë. Te shokët e mi vlente rregulli se pa para je askushi. Vetëm nëse je i suksesshëm në punën tënde dhe nëse ke mjete materiale, ke arritur në shoqëri. Për një kohë të shkurtë shkova shumë larg materialisht - përderisa një ditë gjithçka nuk u rrëzua si kullë prej letrave.
Gruaja ime deshi që të ndahet prej meje dhe ta mbajë djalin. Nuk e kuptova menjëherë se ç’do të thoshte kjo për mua. Disa muaj më parë ajo nuk deshi që të shpërngulemi në Gjermaninë Jugore, ku gjeta punë të re, dhe të njëjtën e humba. Kështu e humba djalin tim, sepse m’u lejua që ta vizitoj vetëm një herë në muaj. Para gjyqit e ndjeva veten shumë të nënçmuar, sepse nuk kisha mundësi të bëj asgjë. Alimentacioni ishte aq i madh, saqë nuk mundesha ta paguaj për çdo muaj. Një pjesë e rrogës sime drejtpërdrejt shkonte te gruaja ime. Përnjëherë u gjeta në borxhe të mëdha dhe mbeta pa të holla, pa familje dhe pa punë. Humba gjithçka.
Para dy viteve isha përsëri në Sarajevë. Qysh nga fëmijëria ime ky qytet më ka magjepsur. Edhe pse pas luftës jo rregullisht e kam vizituar këtë qytet, megjithatë në të ndjehesha sikur në shtëpi. Nuk e dija saktësisht se çfarë më pret: Sarajeva për mua ishte kashta e fundit e shpëtimit. Diçka isha duke kërkuar, por nuk e dija se çka. Në Sarajevë u njoftova me një vajzë muslimane. Ajo më sqaroi se ç’do të thotë të jesh musliman, ç’do të thotë të falesh pesë herë në ditë dhe të jetohet sipas dispozitave islame. Kisha shumë pyetje, për të cilat nuk mundesha të marr përgjigje më të hollësishme. Një ditë, gjatë Ramazanit të vitit 2003, mora guximin që për herë të parë të hyj në xhami. Më duhet të pranoj se nuk ndjehesha aq i lirshëm në lëkurën time. Qysh në oborrin e xhamisë së Beut në Sarajevë ndjeva sikur të gjithë i kanë drejtuar sytë kah unë. Në kokë më silleshin mendimet se vallë a guxoj unë apo jo të hyj brenda. Ç’do të ndodhë kur njerëzit të hetojnë se unë nuk di të falem dhe se nuk jam musliman? Ndenja ishte edhe më e fuqishme kur i zbatha këpucët dhe me hamendje hyra në xhami.
U befasova nga muret e ndritshëm dhe të bardhë dhe lartësinë e brendësisë së xhamisë. U ula menjëherë në të djathtë në një vend. Pranë meje ishin disa pleq të cilët më shikonin prej kokës e deri në thembër. Së shpejti xhamia u mbush. Por, ç’është kjo? Secili falej veçmas për vete dhe më dukej kaotike. Pa ndonjë rend, njerëzit shqiptonin lutjet, njëri ngrihej, tjetri ulej, i treti me ballë prekte qilimin. Kjo zgjati një kohë, përderisa erdhi imami. Atëherë befasisht krejt kjo u ndërpre. Njerëzit u rreshtuan pas imamit. I mbushën rreshtat. Edhe sot e kësaj dite më kujtohen disa njerëz, të cilët para namazit u kthyen dhe shikuan kah unë. Pleqtë faleshin pranë meje. Kjo shoqëri muslimane te unë ndikoi në mënyrë shumë homogjene, të gjithë ishin të barabartë para All-llahut, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të xhamisë gjendeshin. Kështu mund të ndodhte që një profesor të falet pranë policit, një shitës pranë bankierit. Meqë safët ishin mbushur, asnjëherë nuk do të dije se kush është personi që falet pranë teje. Të gjithë ishin kthyer drejt Mekkes dhe të ngjeshur njëri pranë tjetrit, kështu që supet u takoheshin. Atmosfera e unitetit qëndronte mbi kokat tona. Gjithçka ishte në harmoni, gjithçka ishte e pastër - të gjithë ishin të barabartë para All-llahut. Kur bashkërisht thoshin ‘AMIN’, trupin ma kaplonte një rrëqethje. Isha i befasuar se në çfarë mase Islami është i ngjashëm me krishterizmin - a ishte kjo e njëjtë sikur ‘amen-i’ i krishterëve në kishë? Prej gjyshes time katolike këtë fjalë e kisha dëgjuar shpesh, e tani ky përjetim në xhami. Përmes bisedave të shumta më vonë, kisha kuptuar se Islami ka pika të përbashkëta me krishterizmin dhe se Islami është vazhdimësi natyrore e hebraizmit  dhe krishterizmit. Një lëvizje tjetër e falësve të namazit te unë kishte një karakter simbolik - në fund të namazit të gjithë përnjëherë lëviznin kokat në të djathtë dhe të majtë, sikur donin të largojnë të keqen nga vetvetja.
Lutja, sikurse në çdo fé, është akt i pastrimit nga mëkatet, të cilat i bëjmë me apo pa vetëdije. Kjo sidomos ndjehet te namazi i muslimanëve. Madje edhe vetë abdesti - pastrimi para namazit - liron njeriun. Dhe, me të vërtetë, çdo herë pas abdestit ndjehem më i lirë dhe jam në gjendje të rregulloj mendimet e mia.
Ishte kjo vizita ime e parë në xhami. Lindën shumë pyetje. Dëshiroja të njoftohem me dikë, i cili për çdo ditë shoqërohet me Islamin dhe i cili jeton në atë fé. Në pranverë të vitit 2004 u nisa drejt xhamisë së Bardhë në Sarajevë. Pas bisedës së parë me imamin, ndjeva një lidhje të thellë për atë. “Islami dëshiron të të ndihmojë, e jo të ndëshkojë. Islami të afron te Zoti”. Dhe ky është krejt sekreti. Një javë të tërë për çdo ditë kemi biseduar dhe diskutuar për të gjitha temat të cilat i kam pasur në zemër. Pas kësaj kohe krejt m’u bë e qartë - kjo është rruga ime.
Fundamenti im i kalbur materialist, në të cilin kisha ndërtuar jetën time të deritanishme, mbeti anësh. Gjëja e vetme që tani ishte me rëndësi për mua ishte besimi im në All-llahun. Me 1 prill të vitit 2004 e deklarova shehadetin dhe prej atëherë jam pjesë e Ummetit të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
Shko te faqja: Prej errësirës në dritë>>>>>