VEPRA logo
Logo link

KULTURA ISLAME E JETESËS

Bashkim Aliu

Dr. Jusuf KARDAVI

“Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi se do t’i bëjë mëkëmbës në atë tokë...” (En-Nur: 55) Mëkëmbja nënkupton administrimin, popullzimin, ndërtimtarinë, qytetërimin. Në çfarë mënyre Islami i zgjidh problemet e kulturës së jetesës në dritën e kohës moderne dhe sfidave me të cilat përballet bota moderne. “... Ai së pari ju krijoi nga dheu dhe ju bëri banues të tij...” (Hud: 61)
Të gjithë të dërguarit dhe lajmëtarët e All-llahut kanë kërkuar në radhë të parë nga njerëzit e tyre që ta adhurojnë dhe t’i nënshtrohen Vetëm All-llahut të Madhërishëm. Pas kësaj, çdo pejgamber është marrë me problemin që ka qenë i pranishëm në kohën e tij dhe popullin e tij. Kështu, për shembull, Shuajbi [alejhis-selam], në fjalën e tij drejtuar popullit të vet potencon anën ekonomike ose financiare të jetës së tyre, duke luftuar kundër kapitalizmit të pamëshirshëm, shfrytëzimit ekonomik dhe shtypjes, për çka disa e quajnë “pejgamber të ekonomisë”. Përgjigjja popullit të tij ishte: “... O Shuajb, a namazi yt po të thotë të na urdhërosh që ta braktisim atë që e adhuruan prindërit tanë, ose (po të urdhëron) për të punuar në pasurinë tonë ashtu si të dëshirojmë?...” (Hud: 87) Me fjalë të tjera, prej nga e mban të drejtën të na thuash se si të veprojmë me paratë tona, si të bëjmë afarizëm, si të fitojmë, etj?
Rasti i njëjtë është edhe me Lutin [alejhis-selam], i cili luftoi kundër sëmundjeve të shoqërisë së vet duke u përpjekur për përmirësimin e tyre dhe për t’i shpëtuar.
Ajeti kur’anor të cilin e përmendën më lartë ka të bëjë me Salihun [alejhis-selam] dhe popullin e tij. Salihu [alejhis-selam] prej popullit të vet kërkoi që të popullojnë Tokën, të udhëheqin me të, t’i ngrenë qytetet dhe lagjet e veta si mëkëmbës të All-llahut dhe robër të Tij. Popullzimi dhe ndërtimi, pra, janë urdhra të All-llahut të Madhërishëm të drejtuar njerëzve, kurse paraqesin themel mbi të cilin formohet dhe zhvillohet qytetërimi i një populli. Prandaj, gjithçka që qytetërimi dhe përparimi i qytetërimit nënkupton në vete, sikurse zhvillimi i shkencës, teknologjisë, bujqësisë, arkitekturës, etj., gjithashtu është përfshirë me këtë urdhër. “E drejtë e përkujdesjes së xhamive të All-llahut është vetëm e atij që i ka besuar All-llahut dhe ditës së mbramë...” (Et-Teube: 18)
Xhamitë dhe faltoret e All-llahut mirëmbahen, pra ndërtohen dhe kujdesen për to, i vizitojnë dhe qëndrojnë në to, ata që i njohin shkathtësitë e nevojshme për të ndërtuar dhe njëkohësisht për të qëndruar në to duke falur namazin, duke mësuar Ku’ran, duke bërë dhikr... sepse folja “ja’muru” do të thotë edhe ndërtim edhe popullzim. Njerëzit të cilët në vete kanë bashkuar njohjen e shkathtësive dhe diturive (të nevojshme për ndërtim) të kësaj bote me fenë dhe nënshtrimin ndaj All-llahut të Madhërishëm. Kjo është një pamje e njeriut në dritën e Islamit, njeri i cili është një nga: “Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatën...” (En-Nur: 37) Nuk janë nga ata që i janë dorëzuar dhe ia janë përkushtuar dunjasë, dhe as prej atyre që, prapë, e kanë lënë dunjanë pas dore dhe mirësitë e saj. Këtu zbulohet imazhi i vërtetë i përparimit, zhvillimit dhe qytetërimit të njeriut, që në vete nënkuptojnë, të themi, zhvillimin paralel dhe përparimin e njeriut në kuptimin material dhe shpirtëror. Zhvillimi i njërit në kurriz të tjetrit është shumë i rrezikshëm për vetë njeriun.
Kur’ani famëlartë përmend shembuj të popujve të mëhershëm dhe të arriturat e tyre në qytetërim dhe në arkitekturë, i cili përparim në kuptimin shpirtëror nuk ka shkuar në hap me materialen: “Përkujtoni kur Ai ju bëri sundues pas Adit, ju vendosi në tokë e ju në rrafshin e saj ndërtoni pallate, kurse në kodrina ngreni shtëpia, përkujtoni të mirat e All-llahut e mos u bëni shkatërrues në tokë.” (El-A’raf: 74); “A nuk e di ti se ç'bëri Zoti yt me Ad-in? Me banorët e Iremit me ndërtesa të larta? Që si ata (populli Ad) nuk është krijuar askush në tokë! Dhe me Themudin, të cilët shpuan shkëmbinj në luginën (kura), Dhe me faraonin i fortifikuar me tenda (ushtarake)! Të cilët e tepruan me krime në tokë. Dhe në të shtuan shkatërrimin. E All-llahu kundër tyre lëshoi lloj-lloj dënimesh.” (El-Fexhr: 6-13)
Jeta e njeriut dhe përparimi në kuptimin shpirtëror duhet të shkojë në hap me materialen. Sot ne jemi dëshmitarë të një përparimi shumë të shpejtë të njerëzimit në kuptimin material, por në kuptimin shpirtëror njeriu ka mbetur shumë i varfër, pavarësisht pasurisë dhe bollëkut. Njëra nga shenjat e vogla të Ditës së Gjykimit është pikërisht ai dallim për të cilin treguam. I Dërguari [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë në një hadith, duke folur për shenjat e vogla të Ditës së Gjykimit, se barinjtë këmbëzbathur do të garojnë në ndërtimin e pallateve, kështjellave, kullave, etj. Shih se si Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në mënyrë ilustruese shpreh kontrastin gjithnjë e më të pranishëm ndërmjet pasurisë dhe përparimit shpirtëror dhe material. Bariu i cili deri dje ishte pa asgjë, këmbëzbathur, i mjerë, sot është miliarderi i naftës dhe ndërton kulla me qindra metra të larta.

Pikëpamja islame e kulturës së jetës

Islami me dispozitat e veta përfshinë një jetë të tërë njerëzore, si individ, anëtar i familjes dhe shoqërisë në të cilën ndodhet. Islami kërkon nga njeriu gjithçka që në vete bart dobi dhe prosperitet në çdo kuptim. Thamë se baza e çdo qytetërimi është popullzimi. Ndërsa popullzimi nuk mund të paramendohet pa bujqësi. Duke ditur këtë, Islami përcakton marrëdhëniet e njeriut ndaj bujqësisë përmes hadithit të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Kur një besimtar të mbjellë një bimë apo fidan, dhe nga fryti i tij ha njeriu apo shpendi, atij i regjistrohet sikur të kishte dhënë lëmoshë”. Është detyra jonë që për nevoja tona të mbjellim dhe kultivojmë atë që na duhet për ushqim, të kultivojmë dhe prodhojmë atë që na duhet për veshje. Por, fatkeqësisht, ne muslimanët kryesisht importojmë dhe blejmë nga të tjerët, të cilët as nuk janë muslimanë, atë që na nevojitet për ushqim dhe veshje.
I harrojmë fjalët e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i cili thotë: “Ushqimi më i mirë me të cilin mund ta ushqesh veten, është ushqimi të cilin e ke fituar vet dhe me duart tua. Pejgamberi i All-llahut, Davudi [alejhis-selam], është ushqyer nga puna e duarve të veta”. Pse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] përmend Davudin [alejhis-selam] si shembull? Për shkak se Davudi [alejhis-selam] ishte mbret, sundimtar, ka udhëhequr njerëzit dhe pronat, por prapë është ushqyer nga puna që ka bërë me duart e tij! Ka prodhuar parzmore dhe mburoja dhe nga kjo ka mbijetuar! E gjithë bashkësia muslimane, Ummeti, është e obliguar të punojë dhe të prodhojë çfarëdo qoftë që është e nevojshme për jetë dhe zhvillim. Njohja e diturive dhe aftësive të zejeve dhe profesioneve, nga aspekti islam, është farz kifaje - detyrë dhe obligim i domosdoshëm, që ka të bëjë me gjithë bashkësinë muslimane. Kjo do të thotë se ne jemi të gjithë mëkatarë përpara Zotit tonë, në qoftë se nuk ka në mesin tonë dikush që nuk di aftësi dhe njohuri të veçanta të nevojshme për ne si bashkësi. Ummeti duhet të ketë ekspertët e vet në të gjitha fushat: mjekë, inxhinierë, fizikanë, astronomë...
Mënyra jonë e jetës si një bashkësi, është një nga mënyrat për ruajtjen e jetës së çdo individi, kurse ruajtja e jetës është nga qëllimet e larta të cilat Sheriati mundohet t’i realizojë në këtë botë. Janë pesë qëllime të Sheriatit islam: ruajtja e besimit, jetës, prejardhjes, arsyes dhe pasurisë. Disa dijetarë islamë e shtojnë edhe ruajtjen e nderit të njeriut. Besimi është baza dhe pika fillestare. Besimi i jep përgjigje njeriut për çka është krijuar dhe për çka ekziston, dhe se çfarë duhet të bëjë në mënyrë që të përmbushë detyrën e vet dhe ta realizojë qëllimin e tij. Në vendin e dytë është ruajtja e jetës: “Për këtë (shkak të atij krimi) Ne u shpallëm (ligj) beni israilëve se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit...” (El-Maide: 32)
Sheriati islam dëshiron ta ruajë edhe prejardhjen e njeriut, që në vete nënkupton edhe sigurimin e vazhdimit të llojit njerëzor, ashtu që ndalon ekscentrizmin dhe sëmundjet që rrezikojnë vazhdimin e llojit njerëzor. Qëllimi tjetër i Sheriatit është e ruajtja e arsyes së njeriut me ndalimin e alkoolit dhe gjithçkaje që e tollovit dhe heq arsyen dhe të menduarit e shëndoshë të njeriut. Në këtë drejtim, sheriati islam kërkon arsimimin, kërkimin e diturisë, investimin e vazhdueshëm të përpjekjeve intelektuale, si mjet për ruajtjen dhe zhvillimin e arsyes dhe mendjes së njeriut. Pasuria është gjithashtu një nga mjetet thelbësore të jetës së çdo njeriu, dhe për këtë arsye Islami i ka kushtuar vëmendje të veçantë ruajtjes së pronës si një nga qëllimet e tij. Me realizimin e këtyre qëllimeve të Sheriatit do të arrijmë mënyrën e jetesës çfarë, prej nesh, si mëkëmbës të All-llahut në Tokë, kërkohet.

Kultura islame e jetesës dhe shekullarizmi modern

Fatkeqësisht, jetojmë në një kohë në të cilën vlerat dhe mësimet islame në masë të madhe janë të ndara nga rregullimet shtetërore të vendeve tona dhe ligjeve të tyre. Jetojmë në një kohë shumë të theksuar të shekullarizmit i cili injoron dhe harron pasurinë e madhe të traditës dhe trashëgimisë sonë islame. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] na ka paralajmëruar për këtë kohë, duke thënë se do të vijë një kohë në të cilën sulltani (sundimtari) do të veçohet dhe ndahet nga Kur’ani. Shekullarizmi është pikërisht ajo për çka jemi dëshmitarë sot: ndarja e shtetit nga feja, ndarja e vlerave, mësimeve dhe dispozitave fetare nga jeta e përditshme e njerëzve. Kjo gjendje ka sjellë deri te ajo që trashëgimia dhe pasuria jonë e madhe fetare në masë të madhe të qëndrojë në libra dhe dorëshkrime, pa aplikim në jetën reale. Besimi jeton dhe mbijeton duke u zbatuar, e jo vetëm duke u mësuar dhe studiuar nëpër shkolla dhe fakultete. Me largimin e sunduesve dhe rregullimeve tona shtetërore nga feja, kemi humbur shumë e kemi fituar pak. Kemi humbur bukurinë dhe gëzimin e jetesës, kemi humbur bereqetin e jetës: “... Nëse u vjen nga Unë udhëzim (libër e pejgamber) kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dunja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër). E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kijametit do ta ringjall të verbër.” (Ta Ha: 123-124)
Përparimi qytetërues, zhvillimi, përmirësimi i kushteve të jetës, mirëqenia dhe bollëku, janë të lidhur ngushtë me gjendjen e besimit tonë, gjegjësisht cilësinë e raportit tonë me Zotin. All-llahu i Madhërishëm na jep shembulli e qytetit ose shtetit me emrin Saba apo Sebe: “Populli Sebe pati një begati në vendbanimin e vet: kishin nga të dy anët kopshte, nga ana e djathtë (e luginës) dhe nga ana e majtë. Hani (u thamë) nga begatitë e Zotit tuaj dhe falënderonju Atij. Qytet i mirë dhe Zot mëkatfalës. Po ata i kthyen shpinën, e Ne e lëshuam kundër tyre rrjedhën e pendës dhe dy kopshtet e tyre i shndërruam në dy kopshte me fruta të idhët, drunj të thatë dhe diçka pak bari të egër. Atë dënim ua dhamë atyre për shkak se nuk besuan, e Ne nuk dënojmë, përveç mohuesit.” (Sebe: 15-17) Shembulli tjetër: “All-llahu sjell si shembull një fshat (vendbanim) që ishte i sigurt dhe i qetë, të cilit i vinte furnizimi nga të gjitha anët me bollëk, kurse ata (banorët) i përbuzën të mirat e All-llahut. Atëherë All-llahu, për shkak të sjelljes së tyre, ua veshi petkun (ua ngjeshi) e urisë dhe të frikës.” (En-Nahl: 112)
Gjendja jonë momentale dhe mënyra e jetës janë shumë larg nivelit në të cilin kanë jetuar paraardhësit tanë. Muslimanët në masë të madhe janë prapa popujve tjerë në botë, kur është fjala për përparimin e përgjithshëm, mënyrën e jetës, ndërtimin e qyteteve dhe lagjeve tona, zhvillimin teknologjik dhe shkencor. Dikur muslimanët ishin paraprijës dhe udhëheqës të zhvillimit të botës dhe të mënyrës së jetës, dhe ishin shembull dhe model për të tjerët. Sot jemi në fund, në fund të karvanit botëror të të zhvilluarve dhe të përparuarve.
Qytetërimi i paraardhësve tanë dhe mënyra e tyre e jetës ishte shembull për gjithë të tjerët dhe qëllim të cilin të tjerët përpiqeshin për ta arritur. Pse? Për shkak se ishte një qytetërim që arriti të bashkojë besimin dhe këtë botë! Besimi ishte i gjallë dhe pjesë përbërëse e jetës së individit dhe gjithë bashkësisë. Mënyra islame e jetës dhe përparimit është një lidhje midis drejtësisë dhe udhëheqjes, midis punës dhe bamirësisë, edukimit dhe praktikës, midis shpirtit dhe trupit! Si të tillë, paraardhësit tanë kanë udhëhequr me tokën, duke u bërë ata për të cilët vlejnë fjalët e All-llahut Fuqiplotë: “Ne e kemi shënuar në Zebur (në librat e shenjtë) pas shënimit (në Lehvi Mahfudh), se me të vërtetë tokën do ta trashëgojnë robtë e Mi të mirë.” (El-Enbija: 105)