VEPRA logo
Logo link

MISTERI NË ERRËSIRËN E ZEMRËS

 Fatma DERVISHI

Gjithkush ka fjalë të shumta për  të thënë në këtë botë të zhurmshme dhe plot probleme. Unë, po ashtu, doja të ngrij mendimet e mia në shkrim, të derdh ndjenjat e mia në fjalë. Por, e shqetësuar  në strukturën që unë u jap atyre, se esencat e mia të lëngshme do të marrin formën çfarëdo në frazat që kam zgjedhur, se mendimet e mia do të përcaktohen nga fjalët  që  përdor me kuptim të  ngurtë, nga kufijtë e një gjuhe të paaftë për të akomoduar rrjedhshmërinë  e mendjes  sime, se ato do të kufizohen në një rrugë të veçantë, kur një drejtim linear nuk do të mjaftojë për të shprehur  gjithçka unë dua të shpreh...
Është  më  lehtë që mendimet e mia të notojnë në det, se sa  të ndërtoj  një barkë-gjuhë, dhe ato të lundrojnë në një kurs të caktuar dhe të ndjekin rrymën e mendjes sime.
Njeriu sot vuan nga shumë arsye, por më e shpeshta është shkaku zemër. Kjo pjesë e trupit përballet më  së  shumti me goditje dhe dhimbje. Sëmundjet e zemrës mund të marrin shumë  forma të  ndryshme. Njeriu njeh gati të gjitha format e sëmundjeve të saj. E njohim zemrën si një organ i cili ka rol të rëndësishëm për shpërndarjen e gjakut nëpër trupin e njeriut. Njohim prej kësaj sëmundjen kur një arterie ngushtohet dhe gjaku nuk arrin të qarkullojë normalisht, dhe kjo sjell dhimbje të kraharorit deri në ndalje të zemrës dhe humbje të  jetës. Por kjo nuk mbaron këtu, sepse zemra lëngon nga shumë sëmundje tjera. 
Megjithatë, një nga sëmundjet më të rrezikshme të saj është prishja e saj. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “… A nuk është në trup një organ, kur ai është mirë (i shëndoshë), i shëndoshë është tërë trupi; kur prishet, prishet tërë trupi. E ajo është zemra”.
Prishja e saj është një nga sëmundjet më të rënda që mund ta kapin atë, pasi që dhe shkaqet që e prishin janë nga më të ndryshmet.
Çfarë misteri fsheh kjo pjesë e vogël në trupin tonë, që na bën të ndiejmë dimër dhe pranverë, të ndihemi të gëzuar dhe të mërzitur, të qetë dhe në ankth!
Qarku është ajo, motori i jetës është ajo, qëllimin e çdo veprimi e udhëheq ajo, sinqeriteti gjendet brenda saj, besimi shihet nëpërmjet saj... Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Vërtet All-llahu nuk shikon në trupat tuaj, as në fizionomitë tuaja, por shikon në zemrën tuaj”. (Muslimi)
Dashuria s’ka vend tjetër, veç tek ajo; urrejtja zë vend në brendësi të saj; ajo ka veti zbutjeje dhe ngurtësimi. Shumë funksionesh dhe enigmatike. Ajo i përngjason një labirinti plot mister, në errësirat e tij fshihen shumë të panjohura. Errësira e saj tërheq çdo çast në brendësi të saj pronarin që e mban në kraharor. Mund të thuhet se një shkallë e caktuar e errësirës është brenda çdo personi, por kjo errësirë nuk shfaqet qartazi në sipërfaqe. Errësira, megjithatë, mund të shfaqet dhe në fund ta shkatërrojë personin, nëse nuk kontrollohet me arsyen e mendjes. Nëse errësira e brendshme ka sipërfaqe, atëherë viktimës i është dhënë mundësi për të arritur një pike mbrojtjeje dhe rritje “imuniteti”, dhe për të fituar një kuptim, vetë njohuri nga ai.
Në  shoqërinë e sotme lehtësisht i posedojmë errësirat e brendshme të cilat mund të lindin në shumë mënyra. Kjo ndodh aty ku mbizotërojnë veprime të drejtpërdrejta me mangësi dhe me potencial për të keqen në masë të madhe në shoqërinë e sotme materialiste. Megjithatë, shoqëria e sotme kërkon të tregohet e verbër për të parë dritën që e nxjerr prej errësirës, parapëlqen një zemër të sëmurë, më tepër se një zemër të shëndoshë, i mjafton që të mos ketë kufij në asgjë.     
Në jetë kanë kaluar shumë njerëz që u përballën me errësirat e mistershme dhe kjo përvojë vlen që ai ose ajo të parandalojë rezultatet e ngjashme që mund të ndodhin në të ardhmen. Kjo arrihet, në fund të fundit, përmes diturisë së çdo individi, kurse kjo dituri nuk mund të gjendet diku tjetër, veç te Krijuesi i zemrave, sepse vetëm Ai e ka manualin e komandimit të saj:
“Ne i rrotullojmë zemrat...” (Enam: 110)
“... All-llahu vulos çdo zemër të arrogantit, të zullumqarit.” (Gafir: 35)
“... Ai është që e di çka në zemra.” (Shura: 24)
“... e kush i beson All-llahut, Ai ia udhëzon zemrën e tij; All-llahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.” (Tegabun: 11)                                              
Nëpërmjet kësaj diturie, kemi pushtet për të fituar dhe mposhtur errësirën tonë të brendshme, si dhe të gjitha elementet e saj negative.
Ashtu sikur njeriu ka potencial për të keqen brenda vetes, ai ka potencial edhe për mirësinë e vërtetë. Kur njeriut i mungon besimi në Zot, kur atij i mungon aspekti i mirësjellje në jetë, atëherë do t’i mungojnë edhe kufijtë, barrierat që ka për të keqen brenda tij. Prandaj mungesa e besimit te njeriu do të rezultojë me mungesë të rendit, moralit dhe ligjit, duke lënë kaos në botë.
Është e qartë se qytetërimi i botës moderne, fatkeqësisht, mbetet i pasuksesshëm në sjelljen e dritës dhe largimin e kësaj errësire. Nëse kufijtë e civilizimit janë të vendosur mbi mendjet e një numri  individësh që i vendosin ato, shumica e njerëzve kanë mundësi të përmbajnë errësira brenda. Nëse edhe herë pas here shfaqet në sipërfaqe, atëherë njohuria që është fituar me një mënyrë jetese të “civilizuar”, do të përmbajë edhe humbjen në terr të individit.
Është e vërtetë se çdo person duhet të kalojë nëpër prova në disa pika gjithë jetën. Test në mes të mirës dhe të keqes. Ky test mund të jetë i thjeshtë, si për shembull vështirësi të vogla të përditshme, ose i madh, si parim i përgjithshëm në të cilin gjendet një nga bazat për jetën. Edhe pse shumë njerëz do të dështojnë në provat të cilat janë dhënë për ta, është më mirë që të përpiqen dhe dështojnë në provë, se të humbin në errësirat e pangopura. Kur e keqja brenda tyre fillon të shfaqet hapur, atëherë ata fillojnë të prishen mendërisht dhe fizikisht. Ata bëhen të ashpër, për pasojë humbin përfundimisht. Ata lejojnë të keqen e brendshme që t’i prijë, dhe humbasin të gjitha kapacitetet për të fituar ndonjë vetë-dije, e cila mund të kishte shmangur këtë katastrofë. Ne e gjejmë veten me detyrë të vështirë për marrjen e udhëtimeve të shumta të jetës me sprovat e saj. Jo çdo udhëtim do të rezultojë në fitim, dhe ato që kanë rezultuar dështim duhet të jenë një eksperiencë mësimi në të cilin ne duhet të marrim mësim për udhëtimin në vazhdim.                                                                                         
Kujdes o njeri prej errësirës së mistershme të zemrës e cila të rrëmben pa e ndier.
“Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti  je dhurues i madh.” (Ali Imran: 8)