VEPRA logo
Logo link

NDIKIMI I SHKENCËS DHE DIJES ISLAME NË ANGLI

 Salah Zaimeche

 Von Grunebaum thotë se “shoqëria moderne muslimane si një tërësi, e cila është në gjendje të mjerë, nuk e njeh prejardhjen, zhvillimin dhe të arriturat e qytetërimit të vet. Kjo mosnjohje është pjesërisht për shkak të sistemit arsimor me defekte, ndërsa pjesërisht edhe për shkak të problemeve mbizotëruese të “përputhjes” në këtë kohë. Për më tepër, metodat kërkimore shkencore ende nuk janë bërë të pranuara nga të gjithë.”1
Kjo deklaratë me vete bart dy gjëra interesante. E para, që është e qartë: shoqëria muslimane, si një tërësi, nuk ka kurrfarë parafytyrimi për ndikimin që e ka bërë qytetërimi i saj ndaj botës moderne, shkencës moderne dhe qytetërimit. Rrallë ndonjë musliman do të shohë se bota angleze, e cila dominon me civilizimin tonë modern, më shumë përmes Amerikës, në një moment shkencën dhe diturinë e vet e merrte nga muslimanët. Dhe gjëja tjetër, po aq e qartë: nëse vetë muslimanët janë të pakujdesshëm në aspektin e kontributit të tyre, atëherë pse tjerët do ta pranonin atë kontribut për ta? Dhe kështu vjen, në përgjithësi, një heshtje e madhe e rajoneve ku flitet anglisht, por edhe prej komuniteteve tjera gjuhësore, sa i përket kontributit islam për zgjimin e tyre shkencor.
Qëllimi i këtij punimi është trajtimi paraprak i çështjeve të përmendura. Është e qartë se nuk do të mund të thuhet gjithçka në këtë punim; atë mund të orvaten ta bëjnë më të dijshmit. Ajo që është ekspozuar këtu është një pasqyrë e përgjithshme e mënyrës në të cilën qytetërimi islam ka ndikuar në ngritjen e shkencës dhe diturisë në Angli, sikur edhe në aspektin e arkitekturës angleze.
Për ta bërë këtë gjë, fillimisht duhet të sjellim një pasqyrë të shkurtër e të përgjithshme të të dyja qytetërimeve, atij musliman dhe anglez, si dhe të kontrasteve të mprehta mes tyre, në mënyrë që të mund të vlerësojmë plotësisht madhësinë e ndikimit islam.

Kontrastet ndërmjet shoqërisë islame dhe angleze

“Llamba veç më e fikur e diturisë ka zgjatur dhe ka vazhduar edhe më tej në momentin kur ka qenë e gatshme për gjithçka, përveç se të fiket. Përmes arabëve, ajo erdhi te ne”, thotë Draper2. Fjalia e tij koncize nuk do të thotë asgjë, ose, nga ana tjetër, do të thotë gjithçka, nëse vendoset në kontekstin e duhur. Scott, Haskins dhe Metlitzki ndihmojnë në këtë drejtim, që të theksojnë se në çfarë gjendje shkatërruese ishin shkenca dhe qytetërimi i Perëndimit, pra me këtë edhe Anglia, dhe se si muslimanët kanë mbajtur në jetë shkencën dhe qytetërimin, para se ta përcjellin më tej llambën e njohurive, sikur e thotë këtë Draper.
Në Andaluzinë e shekullit të dhjetë, thotë Scott3, në të gjitha drejtimet janë ndërtuar akvadukte (ujësjellës) madhështore; Kordoba ishte qyteti i shatërvanëve, të gjitha rrugët e saj, me milje e milje, ishin të ndriçuara shkëlqyeshëm, në një pjesë të konsiderueshme edhe të shtruara, të mirëmbajtura në gjendje të shkëlqyer, ku rregullisht kanë patrulluar paqeruajtësit. Përkundër kësaj, në Londër nuk ka pasur rrugë të shtruara deri në shekullin 14; gjatë natës qyteti mbështillej në terr, kurse vetëm kah fundi i sundimit të Charles II (shek. 17) u instalua, edhe atë me defekte të shumta, ndriçimi rrugor. Vdekshmëria si pasojë e mortajës është argument bindës i kushteve johigjienike që ishin kudo të pranishme; furnizimi me ujë bëhej ose nga lumenjtë ose puset e ndotur që kundërmonin shkaku i ndotjes.
Përsëri në Spanjë, vazhdon Scott, të ardhurat vjetore të shtetit nën sundimin e Abdurrahmanit III, në gjysmën e parë të shekullit të dhjetë, kalonin 300 milionë dollarë, ndërsa të ardhurat e kurorës angleze në fund të shekullit 17 arrinin rreth 15 milionë. Në kohën e vdekjes së Elizabetës, popullsia e Anglisë numëronte rreth 4 milionë banorë, kurse gjashtë shekuj më parë në Spanjën muslimane kanë jetuar jo më pak se 30 milionë banorë.
            Në vitet 1700, Londra, qyteti më i madh në Evropën e krishterë, kishte vetëm gjysmën e popullsisë së Kordobës të viteve 900, kur Almeria dhe Sevila kishin banorë sa kryeqyteti i Perandorisë Britanike 800 vjet më vonë. Në agim të shekullit 11, dominimi musliman i Sicilisë dhe Spanjës jepte një pamje të kultivimit universal dhe prosperitetit të përhershëm, kur industria ishte e avancuar kurse mos puna çështje e dënuar.
Gjashtëqind vjet pas kësaj, ajo që sot janë pjesët më të pasura dhe më të vlefshme bujqësore të Britanisë së Madhe, atëherë ishin kënetat e pabanuara dhe shkurre të cilat askush nuk donte t’i posedonte. Një e katërta e popullsisë së përgjithshme të Britanisë së Madhe, në pamundësi që të mirëmbahet me punën e vet, pjesën më të madhe të vitit varej nga lëmosha publike - për këtë qëllim ndahej shumë në të holla sa gjysma e të ardhurave të Kurorës. Në mesin e shekullit të nëntë në Spanjën muslimane ka pasur 900 banja publike; kaq nuk kishte në gjithë Evropën e krishterë në shekulli 18.4
Sa i përket diturisë, Anglia, sikurse edhe vendet tjera të qytetërimit të krishterë perëndimor, ishte në gjendje të mjerë. Qendrat kryesore të kulturës, thotë Haskins, ishin manastiret, ishujt në detin e injorancës dhe barbarizmit, të cilët kanë ruajtur diturinë nga shfarosja në Evropën Perëndimore, kur askush tjetër nuk është angazhuar për të5. “Kur na kujtohet,” vëren Lane Pool, “se versioni i shkurtër të cilin dëshirojmë ta nxjerrim nga shënimet e shkrimtarëve arabë, e që ka të bëjë me lavdinë e Kordobës, i përket shekullit të dhjetë, në një kohë kur paraardhësit tanë (anglezë) saksonë jetonin në kasolle prej druri dhe shkelnin nëpër kashtën e ndyrë, kur gjuha jonë as që ishte e formuar, kur disa gjëra sikurse shkrimi dhe leximi ishin të përkufizuara te vetëm disa priftërinj, atëherë në njëfarë mase do të mund ta kuptojmë qytetërimin e jashtëzakonshëm të “marokenëve”.6

***

Asgjë nuk thekson dhënien pas dijes, sikur vendi që u kushtohet librave. Scott thotë se biblioteka Mustendira, e sulltanit egjiptian, ka numëruar 80.000 vëllime, kurse biblioteka e Tripolit numëronte 200.000 vëllime. Në shekullin 13, kur mongolët pushtuan Bagdadin, librat e hedhur në lumin Tigër mbuluan plotësisht sipërfaqen e tij, ngjyra e nxiu lumin, ndërsa një numër shumë më i madh i librave janë hedhur në zjarr. Ishin rreth 70 koleksione publike në hilafetin spanjoll, kurse vetëm biblioteka e madhe e El-Hakimit II përbëhej prej 600.000 vëllimeve. Koleksionet private të individëve ishin shumë të mëdha, sikur ajo e Ibnul-Mesrenit, mjekut të Salahudinit, në të cilën gjendeshin 10.000 dorëshkrime.7
Katër shekuj më vonë, në Evropën e krishterë, përveç manastireve, kishte vetëm disa libra. Biblioteka Mbretërore e Francës ka pasur 900 vëllime, prej të cilave dy të tretat ishin punime teologjike përkushtuar predikimeve fetare, mrekullive të shenjtorëve, obligimit për bindje ndaj eprorëve klerikal. Vlera e tyre e vetme përbëhej në elegancën e hirografisë dhe bukurinë e ilustrimit.8 Kjo mund të thuhet dhe për përmbajtjen e të famshmes Santa Maria de Ripoll (manastiri benediktian në Spanjë), në kulmin e vet nën sundimin e Abbot Olibas (1008-1046), nga koha e të cilit kemi një katalog të bibliotekës së saj të çmuar prej 246 titujve.9
Nën sundimin musliman ishte e vështirë për të gjetur edhe një fshatarë musliman i cili nuk dinte shkrim-lexim. Në të njëjtën kohë, në Evropë, kjo nuk mund të thuhej për shumë personalitete të mëdha. Për më tepër, në periudhën prej shekullit 9 deri në shekullin 13, muslimanët spanjollë kishin sistem arsimor i cili nuk ngecë pas sistemeve më të përparuara të kohës moderne. Astronominë e mësonin përmes globit dhe planisferës, matnin volumin e Tokës, studionin lëvizjen e planetëve, matnin dendësinë e atmosferës dhe u ishin të njohura kushtet natyrore dhe artificiale nën të cilat formoheshin avujt dhe gazrat.10
Me gjuhë të zbukuruar mund të vazhdojmë edhe shumë gjatë. Nuk është qëllimi i këtij teksti përqeshja e muslimanëve të sotëm, për atë që kanë rënë aq poshtë nga koha e famës së tyre. Në vend të kësaj, qëllimi është që të theksohet fakti se nuk është e mundur për Evropën e prapambetur perëndimore, e cila përfshin edhe Anglinë, të jetojë pranë një shoqërie e cila është aq e zhvilluar, e mos të huazojë disa elemente të qytetërimit të saj, ashtu siç huazojnë sot muslimanët nga Perëndimi. Prandaj, argumenti që e gjejmë në librat angleze të historisë - se Anglia ka dalë nga barbarizmi në dritë përmes gjenive të vet, pa huazim të elementeve të Islamit që janë gjetur në Angli shumë shpejt pas vendosjes së kontaktit të tyre me Islamin - është një ide absurde.

 

Teksti paraqet hyrjen e një artikulli më të gjatë të autorit, me titull: “Ndikimi i shkencës dhe dijes islame në Angli

 

1 G. E. Von Grunebaum: Islam, Greenwodd Press, Publishers, 1961, f. 185

2 J. W. Drapper: A History of the Intellectual Development of Europe; 2 vëllime, George Bell and Son, Londër, 1875; vëllimi 1, f. 390.

3 S. P. Scott: History of the Moorish Empire in Europe, 3 vëllime; J. B. Lippincott Company, Philadelphia and London, 1904.; vëllimi 3, f. 518 – 521.

4 S. P. Scott: History, op. cit., f. 518 - 521.

5 C. S. Haskins, The Renaissance of the twelfth century, Harvard University Press, 1927, f. 32-34.

6 S. Lane - Poole: The Moors in Spain, Fisher Unwin, Londër, 1888., f. 129-130.

7 S. P. Scott: History, op. Cit., vëllimi 3, f. 522- 523.

8 S. P. Scott: History, op. Cit., vëllimi 3, f. 522- 523.

9 C. S. Haskins: The Renaissance, op. cit., f. 41-42.

10 S. P. Scott: History, op. Cit., vëllimi 3, f. 522- 523.