VEPRA logo
Logo link

SI TË SHPËTONI NGA PAGJUMËSIA

Bashkim Aliu

Muhamed JONUZI


Disa njerëzve u nevojitet më shumë gjumë, e disave më pak. Nëse dikush fle vetëm pesë orë, ka kaluar në gjumë një të pestën e jetës, ndërsa nëse një njeri bën gjumë dhjetë orë, kalohet gati gjysma e jetës në gjumë.
Shqetësimi për shkak të pagjumësisë e dëmton organizmin shumë më tepër sesa vetë pagjumësia.
Në të shumtën e rasteve, gjatë bisedave tona, njerëzit brengosen dhe flasin për fenomenin e pagjumësisë. Nuk ka njeri i cili nuk ka qenë ndonjëherë ‘rob’ i pagjumësisë, mirëpo ka të tillë të cilët pjesën më të madhe të jetës e kalojmë së bashku me këtë gjendje. Por, a thua vallë duhet të brengosemi dhe të rrimë duarkryq, apo ka nevojë të ndërmarrim diçka për të parandaluar pagjumësinë. Për këto dhe të tjera informacione, po i qasemi kësaj teme me rreshtat në vijim.
Gjumi rigjallëron qelizat dhe kontribuon në procesin e shërimit, e gjithashtu ndihmon edhe në mirëmbajtjen dhe forcimin e sistemit imunitar. Për shembull, gjasat që ju të ftoheni apo të keni gripin rriten nëse nuk ke fjetur mjaftueshëm. Mungesa e gjumit, gjithashtu, shpien në stres, i cili shpien në rritje të lirimit të korizolit, i cili më pas shpien në shtim të peshës.
Njeriu një të tretën e jetës e kalon në gjumë, edhe pse askush, në të vërtetë, nuk e di se ç’është gjumi. E dimë se ai është një shprehi dhe gjendje e pushimit gjatë së cilës kohë përtëritet organizmi, por nuk e dimë sa orë gjumë i nevojitet çdo njeriu. Nuk e dimë, madje, se a është gjumi i domosdoshëm. Ndoshta kjo ju duket pak e pabesueshme, por rastet nga praktika mjekësore kanë vërtetuar se njerëzit kanë jetuar me gjithë periudhat e gjata kohore të pagjumësisë.
Për shumicën e të rriturve mjafton përafërsisht 7 deri 8 orë gjumë nate.
Nëse jeni nga ata të cilët nuk iu merr gjumi, atëherë sigurisht do t’ju interesojë rasti i avokatit të njohur amerikan, Semjuel Untermejerit, cili nuk është ngopur kurrë me gjumë. Që kur ishte i ri, atë e mundonin dy sëmundje: astma dhe pagjumësia. Meqë nuk mund të shëronte asnjërën, vendosi të pajtohej me to, ndërsa pagjumësinë e shndërroi në përparësi për veten. Kohën e lirë, që e kishte me bollëk, e shfrytëzonte për të mësuar, andaj diplomoi në afat rekord dhe me sukses të shkëlqyeshëm pranë Fakultetit Juridik në Nju Jork. Atë nuk e brengoste pagjumësia. Dhe vërtet, me gjithë mungesën e gjumit, ai ishte shëndoshë “si molla” dhe kishte energji fantastike për punë. Në moshën njëzetekatër vjeçare u bë avokat i njohur në Nju-Jork dhe fitonte shtatëdhjetë e pesë mijë dollarë në vit, që asokohe ishte fitim shumë i mirë. Untermejeri jetoi tetëdhjetë e një vjet dhe nuk vuajti kurrë nga ndonjë sëmundje tjetër, pos astmës dhe pagjumësisë.
Në Luftën e Parë Botërore, ushtari hungarez Paul Kerni ishte lënduar në kokë. Pasi u këndell nga operacioni, u vërtetua se ai më nuk mund të flinte. Edhe pse mjekët u përpoqën ta vënë në gjumë në mënyra të ndryshme, duke i përdorur sedativët për gjumë, mjetet narkotike dhe hipnozën, Kernin nuk e merrte gjumi assesi. Mjekët më në fund i çuan duart nga ai dhe i prognozuan vdekjen e shpejtë. Por, Kerni i mashtroi: jetoi pa gjumë edhe shumë vjet, duke pushuar i shtrirë me sy të mbyllur.
Disa njerëzve u nevojitet më shumë gjumë, e disave më pak. Nëse dikush flenë vetëm pesë orë, ka kaluar në gjumë një të pestën e jetës, ndërsa nëse një njeri bën gjumë dhjetë orë, kalohet gati gjysma e jetës në gjumë.
Shqetësimi për shkak të pagjumësisë e dëmton organizmin shumë më tepër sesa vetë pagjumësia.
Doktori Nathaniel Klejtman, profesor i Universitetit të Çikagos dhe specialist për çështjet e pagjumësisë, thotë se askush nuk ka vdekur kurrë nga pagjumësia. Njeriu i shqetësuar lodhet dhe sëmuret më shpejt. Doktor Klejtmani pohon njëkohësisht se njerëzit që vuajnë nga pagjumësia flenë shumë më tepër seç mendojnë.
Njeriu që mund të betohet se mbrëmë nuk ka bërë asnjë sy gjumë, në të vërtetë ai ka fjetur disa orë, por nuk e di këtë. Këtë e vërtetojnë edhe shembujt e shumtë të atyre që “s’kanë gjumë”, por që në të vërtetë gërhasin aq shumë saqë të tjerët i lënë pa gjumë!
Kushti i parë për gjumë të mirë është ndjenja e sigurisë. Për besimtarët ilaçi më i mirë është lutja fetare, ndërsa jofetarët duhet të gjejnë mjete tjera!
Njëra nga mënyrat më të mira është ushtrimi i frymëmarrjes dhe i relaksimit. Dr. David Finku pohon se duhet “të flasim” me trupin tonë. Sipas mendimit të tij, fjalët janë çelësi i të gjitha llojeve të hipnozave dhe, nëse njeriu nuk mund të flejë, do të thotë se ai e ka “bindur” trupin të mos flejë. Që të shpëtojmë nga kjo, duhet të ç’hipnotizojmë veten, do të thotë duhet të “bisedojmë” me muskujt e trupit tonë.
Një nga mjetet më të mira që e shërojnë pagjumësinë është edhe lodhja fizike. Çfarëdo punë të lodhshme fizike, që bëni para se të flini, do t’ju bëjë të keni gjumë të mirë. Detyrohemi të flemë kur jemi fizikisht të lodhur, prandaj edhe nuk janë të rralla rastet kur njerëzit kanë fjetur duke ecur!
Pra, nëse dëshironi të liroheni nga brengat që ua sjell pagjumësia, respektoni këto rregulla:
1. Nëse nuk keni gjumë, punoni diçka, apo merrni librin dhe lexoni deri sa t’ju marrë gjumi.
2. Për besimtarët ilaçi më i mirë është lutja fetare.
3. Mos harroni se nga pagjumësia deri më tani s’ka vdekur ende askush. Brengosja për shkak të pagjumësisë e dëmton organizmin tonë më shumë sesa vetë pagjumësia.
4. Mësohuni të relaksoheni. Praktikoni ushtrimet e frymëmarrjes dhe relaksimit.
5. Gjatë ditës lodhuni me ndonjë punë, apo me ndonjë sport, sidomos para gjumit.

Mos harroni se trupit të shëndoshë dhe të lodhur, gjumi i vjen vetvetiu!

(Autori është Psikolog i diplomuar, vazhdon studimet post-diplomike, në drejtimin Psikologji arsimore).