VEPRA logo
Logo link

PASTRIMI PARA ZBUKURIMIT

Me zemër i kryejmë adhurimet më të madhërishme. Në zemër është ruajtur qëllimi i sinqertë pa të cilin adhurimet e humbin qëllimin primar dhe vihen në nivelin e ulët të formalitetit. Shumë janë ata që e përgatisin stomakun për uri, por të përgatitet zemra për robërim të sinqertë ndaj Zotit kërkon më shumë përpjekje. Vallë, a e vëren se ligjëratat dhe këshillat e para Ramazanit nga viti në vit përsëriten? A depërtojnë ato fjalë në zemrën tënde? A lëshon syri yt ndonjë pikë loti kur i dëgjon fjalët melodike nga Libri i All-llahut? A ndjen dëshirë që të ndryshohesh dhe më pas të mundin përtacia dhe pavendosmëria? Ty të duhet një zemër e re, e rilindur dhe e spastruar nga përtacia, pavendosmëria dhe mashtrimi i përhershëm për një jetë të gjatë.

Zemra sikurse sundues

Nëse duam ta rilindim zemrën tonë, atëherë fillimisht duhet të njoftohemi me thelbin e saj. El-Izz b. Abdusselami, rahimehullah, ka thënë: “Zemra është burimi i të gjitha obligimeve (vaxhibeve), kurse vlefshmëria e trupit varet nga vlefshmëria e zemrës, kështu që trupi i sëmurë është produkt i zemrës së sëmurë dhe të prishur. Për shkak të gjithë kësaj Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Me të vërtetë në trup është një organ, kur ai është i shëndoshë, i tërë trupi është i shëndoshë, e kur ai organ është i prishur, prishet i tërë trupi. Ajo është zemra.” (Muttefekun alejhi) Pra, nëse zemra është e shëndoshë dhe e nënshtruar në bërjen e veprave të mira, i tërë trupi do të nënshtrohet. Nga ana tjetër, nëse zemra është e prishur dhe e ndotur me negativitete të ndryshme, atëherë edhe i tërë trupi prishet dhe ndotet me mëkate dhe gjëra të këqija.” (Kavaidul-Ahkam, 1/167) Transmetohet nga Ebu Hurejra [radijall-llahu anhu] se ka thënë: “Zemra është sundues, pjesët e trupit janë ushtarë; nëse sunduesi është i mirë, edhe ushtarët janë të mirë, e nëse sunduesi është i keq, edhe ushtarët janë të këqij.” (Mexhmua' Fetava, 10/15) Ibn Tejmijje, rahimehullah, thotë: “Besimi bazohet në veprat e zemrës, kurse veprat e dukshme i bëjnë degët e imanit.” (Medžmua' Fetava, 10/355) Duke folur për rëndësinë e veprave të zemrës, Ibn Kajjimi, rahimehullah, thotë: “Veprat e zemrës e bëjnë bazën e synuar, ndërsa pjesët tjera të trupit janë vetëm pasues të zemrës. Nijeti është sikurse shpirti, kurse vepra sikur trupi, e nëse shpirti del nga trupi, atëherë trupi vdes. Vepra e bërë pa nijet është e pavlefshme. Njohja e dispozitave të zemrës është më e rëndësishme se sa njohja e dispozitave të pjesëve tjera të trupit, sepse veprat e zemrës janë baza, kurse veprat e trupit janë degë të asaj baze.” (El-Fevaid, 3/224)

Vetëshqyrtimi i sinqertë dhe i plotë

Me vetëshqyrtimin sipërfaqësor dhe të nxituar nuk do ta rilindim zemrën tonë, e as që do ta përmirësojmë gjendjen tonë. Sinqeriteti gjatë vetëshqyrtimit tonë është faktor kyç i vetëllogaritjes së suksesshme. All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju që besuat! Ta keni në kujdes All-llahun dhe të jeni me ata të drejtit.(Et-Teube: 119). Duke i këshilluar as’habët e vet, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nëse je i sinqertë me All-llahun, edhe All-llahu do të jetë i sinqertë më ty.”  (Nesaiu, nr. 1953, Shejh Albani e ka vlerësuar hadithin si të vërtetë, shih: Ahkamul-Xhenaiz)
Nëse ke vendosur fuqimisht se do të jesh i sinqertë në vetëshqyrtim, atëherë ktheju dhe shiko prapa vetes. Koha para Ramazanit është një rast i mirë për vetëshqyrtim të sinqertë. Hasan el-Basriu, rahimehullah, ka thënë: “Pasha All-llahun, besimtari gjithmonë vetëshqyrtohet dhe flet se ‘këtë nuk ka dashur ta bëjë, këtë nuk është dashur të hajë, as të hyjë në këtë hyrje, e as të dalë atje... Këtë nuk kam dashur, çka mu desh kjo? Nuk do të kthehem më', dhe fjalë tjera të ngjashme. Me vetëshqyrtimin e vetes shohim mangësitë dhe kemi mundësi që ato t’i përmirësojmë.” (Medarixhu-Salikin, 2/510) Ibn Kajjimi, rahimehullah, për vetëshqyrtimin thotë: ''Gjëja më e dëmshme për njeriun është neglizhenca, mosvetëshqyrtimi, anashkalimi i gjërave, e krejt kjo e shpie njeriun në shkatërrim. Kjo është gjendja e dështakëve, të cilët neglizhojnë gjërat e rëndësishme dhe mbështeten në falje, kurse asnjëherë nuk vetëshqyrtohen, duke nxituar drejt shkatërrimit dhe duke harruar mëkatet.” (Igathetu-Lehfan, 1/136) Kujtoje vitin që po kalon dhe pyete veten se si ka kaluar viti prej Ramazanit të kaluar e deri në Ramazanin e tashëm. A je i kënaqur me veten dhe me atë e ke bërë gjatë vitit? A ke bërë vetëllogaritje gjatë vitit? Për çdo ditë, javë muaj? Apo prapë ke harruar dhe ke qenë i pakujdesshëm, dhe asnjëherë gjatë vitit nuk e ke shqyrtuar veten? A i sheh mangësitë e tua? El-Sirri el-Sakti ka thënë: “Nga shenjat e shkuarjes graduale drejt shkatërrimit është edhe mosballafaqimi me mangësitë personale.” (Sifetu-Safve, 2/76)
 
Pastrimi para zbukurimit

Nëse dëshirojmë që zemrat tona t’i zbukurojmë dhe dekorojmë me vlera pozitive, atëherë duhet që sa më parë t’i pastrojmë nga hipokrizia, shtirja, kryelartësia, mendimet dhe gjithçka që mund të ndotë zemrën tonë. Ibn Xhevzi, rahimehullah, ka thënë: ''O ti, pastroje zemrën tënde, sepse dashuria zë vend vetëm në zemrat e pastra. A nuk e ke parë kopshtarin se në fillim e pastron tokën, e pastaj e lëvron. Çdo gur që gjen, ai e largon, sikur edhe gjithçka që mund t’u pengojë bimëve, e krejt pastaj ai e mbjell farën dhe me kujdes mbi të vigjilon dhe e ruan.” (Kalb xhedid li-men jurid, f. 36) Besimtari ndaj zemrës së vet sillet sikurse kopshtari ndaj kopshtit të vet. Në zemrën e besimtarit ka disa kopshte në të cilat hyhet për çdo ditë. Ai i pastron, punon dhe i mbjell. Kopshti më i mirë në zemrën e njeriut është kopshti i teuhidit. Nga zemra besimtari e largon shirkun, shtirjen dhe hipokrizinë, e në të mbjell teuhidin, vërtetësinë dhe sinqeritetin. Ibn Kajjimi, rahimehullah, thotë: ''Teuhidi është gjëja më e mirë, më e pastër dhe më e bardhë e kësaj feje, ashtu që edhe papastërtitë më të vogla në të vërehen. Teuhidi është sikurse rroba e bardhë dhe e pastër në të cilën edhe njolla më e vogël e papastërtisë vërehet, ose është sikur qelqi kristaltë i pastër në të cilin shihet çfarëdo mangësi.” (El-Fevaid, 1/184)
Kopshti tjetër i zemrës së njeriut është kopshti i bindjes (jekinit), nga i cili besimtari e largon dyshimin, shpresën e rrejshme dhe lakminë. Pasi që i largon këto mangësi besimtari në këtë kopsht mbjell durimin, vendosmërinë dhe kënaqësinë me caktimin e All-llahut.
Kopshti i diturisë është një nga kopshtet më të rëndësishme të cilat zemra i mban të përhershme dhe të gjalla. Që njeriu në këtë kopsht të mbjell njohjen, durimin dhe modestinë, prej aty fillimisht duhet dëbuar mosdijen, nxitimin, sipërfaqësinë dhe mahnitjen me vetveten. Hudhejfe b. El-Jemani [radijall-llahu anhu] ka thënë: “Konform diturisë që e posedon, njeriu i frikohet All-llahut, kurse konform paditurisë së tij, njeriu mahnitet me diturinë e vet.” (El-Huxhe fe bejani-l-Mehuxhe, 2/534)

Si ta gjallërojmë zemrën

Është e domosdoshme të dihet se deri te gjallërimi i zemrës mund të arrihet vetëm sipas mënyrës së caktuar me sheriat dhe nuk ekziston rrugë tjetër që shpie deri te rilindja e zemrës, përveçse rruga në të cilën kanë marshuar pejgamberët e All-llahut. Ibn Kajjimi, rahimehullah, thotë: “Gjallërimi i zemrës është më i vështirë dhe më i mundimshëm se shërimi i trupit. Kush mundohet të gjallërojë zemrën e vet ashtu që t’i përkushtohet asketizmit, vetmisë dhe luftës ashtu siç nuk e kanë bërë pejgamberët, ai i ngjan të sëmurit i cili vetvetiu shërohet, ndërsa ku është dituria e tij në krahasim me diturinë e mjekut? Pejgamberët janë mjekët e zemrave të njeriut dhe nuk ekziston mënyrë tjetër se si të arrihet deri te gjallërimi, përveç ashtu siç ata e kanë bërë dhe praktikuar.” (Medarixhu-Salikin, 2/315) Ai po ashtu thotë: “Sa i përket trupave të pastra dhe të gjallëruara, ata janë trupat të cilat i janë nënshtruar All-llahut, janë rritur me hallall. Kur trupat pastrohen nga harami dhe papastërtitë njerëzore të cilat i ndalon edhe feja edhe arsyeja, si dhe nga të gjitha papastërtitë e dëmshme të dunjasë, atëherë gjallërohen zemrat dhe pranohen farat e shkencës dhe njohjes, e nëse ujiten pas kësaj me ujin e praktikës sheriatike dhe pejgamberike e cila nuk largohet nga dituria dhe nga kryerja e vaxhibeve, atëherë doemos të del çdo e mirë dhe të ketë fryte të dobishme të diturisë, urtësisë dhe mësimeve.” (Medarixhu-Salikin, 2/474) Shijimi i ëmbëlsisë së ibadetit të Ramazanit me zemër është kënaqësia e pafund. Atë kënaqësi mund ta ndjejë çdo besimtar i cili e rishqyrton sinqerisht zemrën e vet, e pastaj e pastron dhe në të mbjell farën e sinqeritetit e cila do të nxjerrë fryte të ibadetit të bazuar ne praktikën e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].