VEPRA logo
Logo link

SI TA LË FENË TIME, KUR JAM MUSLIMANE KUDO QË SHKOJ!

Quhem Alijeta (Alijeh), jam muslimane. Islamin e kam pranuar para rreth njëzet viteve. Dua t’ju tregoj rrëfimin për kalimin tim në Islam. Kam jetuar jetë të rëndomtë në një qytet të vogël në Gjermani. Për Islam kam ditur shumë pak. Asgjë tjetër, përveç asaj që ka arritur deri te ne përmes lajmeve dhe që kam dëgjuar në shkollë - se është fe e arabëve. Për Islamin nuk kemi menduar si për fe, sepse feja në shoqërinë tonë edhe nuk është aq e rëndësishme.

Në vendin tim njerëzit jetojnë për këtë botë dhe nuk mendojnë për botën e ardhshme. Kjo ka qenë kështu përderisa nuk njoftova një grup muslimanësh, gjë që më tërhoqi të mësoj më shumë për Islamin. Fillova të studioj Kur’anin dhe të debatoj me muslimanët. Doja të mësoj gjithçka për këtë fe të bukur. Pastaj fillova që vet të provoj disa nga dispozitat islame, të shoh se a është e mundur t’i zbatoj apo jo.  Agjëroja dhe falja namaz sikurse muslimanët.
Fillova të mendoj për vdekjen dhe se si do të qëndroj para Zotit të Madhërishëm, i Cili do të më pyes përse nuk e pranova Islamin? Çfarë do t’i përgjigjesha Atij? Vendosa ta pranoj Islamin, dhe më informuan se duhet të pastrohem. U pastrova dhe deklarova shehadetin - këtë fjalë të bukur që është baza e Islamit. Prej atëherë fillova rregullisht të fal namazin, mësova suren Fatiha dhe Ihlas, dhe gjithçka tjetër që është e domosdoshme për të kryer namazin. Në fillim askënd nuk e informova se kam pranuar Islamin, por këtë e bëra më vonë. Megjithatë, nuk isha e mbuluar, sepse kjo për mua në fillim ishte punë e vështirë. Njerëzit në Evropë nuk brengosen aq për besimin e tyre, se sa për veshjen dhe pamjen e jashtme. Mbulesa, kuptohet, është diçka tejet e çuditshme për shoqërinë evropiane dhe ua tërheq shumë vëmendjen.
Një ditë po bisedoja me një shoqe timen të fakultetit dhe ajo, duke folur për muslimanët, tha: “Ata nuk janë të sjellshëm, nuk dinë asgjë për jetën e kësaj bote”. Dhe i thashë se unë jam muslimane. Ajo më shikoi me habi dhe tha: “Nuk më dukesh ashtu! Nuk ke pamje të tillë!”
Atëherë e kuptova urtësinë e bartjes së hixhabit: duhet të mbulohemi, ashtu që të dihet se jemi muslimane. U mbulova, dhe kjo ishte e vështirë për familjen time, sepse familja ime nuk i jepte rëndësi fesë, andaj fqinjët dhe farefisi filluan të pyesin: “Çfarë po bën vajza juaj? Përse vishet ashtu?” Prandaj me familjen time kisha debate të ashpra rreth veshjes.
U bëra cak i ofendimeve. Nëpër rrugë më thoshin: “Shko në vendin tënd! Për ty nuk ka vend këtu.” Sepse sipas tyre në Gjermani nuk ka vend për Islamin.
Një kohë të shkurtër pasi pranova Islamin, u martova për një musliman të Egjiptit, edhe atë derisa akoma isha studente. Pas kësaj e përfundova shkollimin dhe fitova titullin magjistër. All-llahu m’i fali dy vajza! Kur All-llahu i Madhërishëm na furnizoi me vajzën e dytë, fillova të mendoj për edukimin e tyre. Mjedisi gjerman nuk përgjigjet, ato do t’u nënshtrohen shumë problemeve, kurse dëshironim që dy vajzat tona t’i ruajmë prej këtyre problemeve, andaj vendosëm që t’i edukojmë në Egjipt, në mesin e familjes së tyre muslimane.
Por edhe atje nuk e kisha lehtë, hasa në sjellje të keqe të njerëzve në Egjipt. Pashë se shumë kush edhe më tej më shikonte sikur të jem jomuslimane. Më thoshin: “Me siguri Islamin e ke pranuar për shkak burrit tënd, dhe kur përsëri të ktheheni në Gjermani, do ta heqësh mbulesën dhe nuk do të falesh dhe agjërosh, sepse ti nuk je mësuar nga vegjëlia, sikur ne.” Këtyre fjalëve iu përgjigjesha: “Si ta lë fenë time, unë jam muslimane dhe do të jem në Islam kudo që të shkoj, kjo nuk ka lidhje me vendin ku gjendem”. Fatkeqësisht, shoqërinë egjiptiane nuk e gjeta ashtu siç e mendoja, sepse mendoja se do të gjej muslimanë që janë shembull për njerëzit tjerë. Por, i gjeta se ka edhe prej atyre që janë të çmendur pas Evropës dhe e ndjekin në shumë gjëra, vrapojnë pas veshjes dhe frizurave moderne, kërkojnë çka është e re.
Kur e pranova Islamin dhe fillova të mbaj mbulesën, mendonin se do ta lë fakultetin, por e vazhdova dhe mora titullin magjistër, e kjo është sepse Islami nxit në studim dhe mësim. Përmes internetit e përhapa rrëfimin për kalimin tim në Islam dhe për çdo javë më arrijnë letra nga mbarë bota: Amerika, Singapori, Evropa, Pakistani... Në ato letra njerëzit më pyesin për pranimin e Islamit, kërkojnë që t’ua rrëfej përvojën time në Islam, dhe me këtë ndjej se po bëj diçka të dobishme.
Gjëja më e bukur në këtë botë është të kesh qëllim. Kurse qëllimi më i mirë në gjithësi është që ta njohësh Zotin tënd. Vallë, a nuk na krijoi Ai dhe a nuk do t’i kthehemi sërish Atij?”