VEPRA logo
Logo link

PROCESET GLOBALISTE NË BOTË

Muhamed MurteziDr. Mersel BILALLI

Zhvillimi i hovshëm i tregtisë botërore dhe këmbimi tejet dinamik i mallrave dhe shërbimeve të ndryshme, prej viti në vit shënon dinamizëm më të madh zhvillimor, kështu që këta komponentë të fuqishëm të ekonomisë botërore objektivisht determinojnë ushtrimin e presionit ndaj shteteve jo aq të fuqishme, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen liberalizimit të këmbimit tregtar, duke zvogëluar apo hequr fare doganat në këmbimin me jashtë dhe duke thjeshtëzuar procedurat e kalimeve kufitare për mallrat dhe kapitalin, por edhe duke krijua tregje të përbashkëta, tregje të lira, zona të lira doganore, struktura integruese në mes shteteve etj. Në këso kushtesh dhe rrethanash shoqërore të tregut, shtetet dhe politikanët lokalë gjithnjë e më shumë humbin relevancën dhe ndikimin e tyre në proceset e brendshme shtetërore politike. Kjo tregon se era e shteteve nacionale gjithnjë e më shumë pakthyeshëm po kalon. Ose siç thotë autori japonez Keniche Ohmae - kombet dhe shtetet shkojnë duke u shndërruar në fikcion.1
Proceset globalizuese të kohëve më të reja bazohen gjithnjë e më shumë në shtimin e dukshëm të qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve në mes shteteve dhe regjioneve të gjëra në mbarë botën, të cilin proces tani efektivisht e karakterizon edhe aplikimi i parave elektronike, të cilat ekzistojnë dhe evidentohen vetëm në formë numrash në sistemet kompjuterike. Në ekonominë e tanishme të elektronizuar, menaxherë të fondeve, të bankave, korporatave, investitorë dhe struktura tjera, vetëm me një të shtypur të sustës mund të transferojnë shuma të fuqishme parash prej një pike në pikat tjera të botës, madje edhe në distanca më të largëta. Sot në këmbimin e përgjithshëm botërorë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit qarkullojnë shuma astronomike prej disa trilionësh dollarë në ditë.

Sferat që përfshihen nga globalizimi

Globalizimi nuk përfshinë vetëm sferën ekonomike, të tregtisë dhe të telekomunikacionit, por edhe shumë segmente tjera, duke përfshirë edhe atë politike, teknologjike, kulturore, ambientale, juridike etj. Ky proces i fuqishëm i integrimit botëror, efektivisht më së shumti determinohet nga zhvillimi dinamik dhe revolucionar i mjeteve të komunikacionit e të komunikimit, e në veçanti të telekomunikimit. Kah mesi i shekullit XIX, Samuel Morse kishte dërguar mesazhin e parë elektronik përmes telegrafit elektronik. Asnjëherë më parë mesazhet nuk kishin arritur në vendin e caktuar pa i dërguar ndokush në mënyrën fizike.
Kabllot e parë telekomunikativ transoqeanik të viteve të gjashtëdhjeta nuk kishin kapacitet më tepër se 100 linja të njëkohshme, kurse tani miliona linja në çdo moment janë në funksionim.2 Me paraqitjen e satelitëve telekomunikativ, mjetet e telekomunikimit arrin nivelin fantastik dhe të paparashikuar as nga optimistët më të mëdhenj të parashikimeve. Sot në qarkullim rreth botës janë mbi 300 satelitë telekomunikativ, me ç’rast në çdo sekondë qarkullojnë miliarda e miliarda informata, mijëra emetime radiodifuzive, sinjale nga televizionet satelitore, informata atmosferike, gjeologjike, hidrografike etj.
Prej këtu, mund të konstatojmë se në proceset aktuale globaliste përfshihen pjesa dërmuese e sferave të jetës shoqërore, duke filluar që nga ekonomia, tregtia, investimet, lidhjet dhe komunikimet, gjer te infrastruktura shoqërore (politika, institucionet shtetërore dhe ndërshtetërore, aktet juridike të brendshme dhe ndërkombëtare, regjimet e kalimeve kufitare, doganat etj).
Fakt është se këto procese zhvillimore globaliste domosdo dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë edhe në formën dhe mënyrën e sjelljes së bashkësive të ndryshme njerëzore në botë. Ndikojnë fuqishëm në mënyrën e jetës dhe formën e të menduarit të njerëzve të zakonshëm dhe strukturave të tyre organizative. Zbulimet e reja teknologjike, të cilat ndodhin me shpejtësi si asnjëherë më parë, gjithnjë e më shpejt depërtojnë në jetën e shumicës së banorëve të planetit. Kështu për shembull, pas zbulimit të radios së parë në botë, është dashur të kalojnë afro 40 vjet që ky aparat të jetë shfrytëzuar nga 50 milion shfrytëzues në mbarë planetin. Me zbulimin e kompjuterit të parë kjo shifër shfrytëzuesish u arrit për 15 vjet. Kurse me rastin e zbulimit të internetit, numri prej 50 milion shfrytëzuesish u arrit për vetëm katër vjet.
Zhvillimi dhe përsosja e teknologjive të reja ka ndikuar në rënien drastike të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të ndryshme. Kështu, sipas të dhënave të Bankës Botërore, biseda treminutëshe në mes Londrës dhe Nju Jorkut sot kushton vetëm 40 centë, kurse në vitet e shtatëdhjeta i njëjti shërbim kushtonte 42 dollarë, apo në vitet e gjashtëdhjeta madje 60 dollarë. Apo, kompjuterët mesatar të sotshëm kushtojnë më pak se 700 dollarë, dhe u përgjigjen performansave të kompjuterëve të viteve shtatëdhjeta, të cilët atëherë do të kushtonin rreth 200.000 dollarë, apo të viteve gjashtëdhjeta që do të kushtonin rreth 1.800.000 dollarë.3

Identitetet dhe globalizimi

Në përgjithësi, proceset globaliste bazohen në demokracinë liberale, shtyllat e së cilës ndërtohen mbi lidhshmërinë e lirive ekonomike. Këto dy segmente janë ngushtë të lidhura mes vete dhe në jetën praktike manifestohen si forma institucionale që dalin nga zgjedhjet e lira dhe tregjet e lira. Realisht, globalizimi paraqet kompleks të më shumë proceseve dhe do të ishte jo i kompletuar mendimi se ky fenomen paraqet lidhshmëri të një numri të vogël procesesh, madje qofshin edhe procese me dimensione të mëdha. Globalizimi në vete përmban gravitacion të gjithanshëm dhe kështu si i tillë ndikon në të gjitha poret e jetës, duke përfshirë edhe mënyrën e të menduarit, të vepruarit dhe të funksionimit të formave lokale, organizimit dhe funksionimit të bashkësive të ndryshme, kombeve, familjeve, grupeve, por edhe vet shteteve. Ai drejtpërdrejt ndikon edhe në mënyrën e të menduarit dhe vepruarit te njerëzit e kulturave të ndryshme.
Sociologu amerikan Daniel Bell me të drejtë thekson se popujt janë shumë të vegjël për të zgjidhur probleme të mëdha, por njëherit janë edhe shumë të mëdhenj që të zgjidhin probleme të vogla. Proceset globalizuese në mënyrë deklarative përcaktohen për respektimin dhe forcimin e identiteteve, për respektimin kulturor të bashkësive të ndryshme fetare, kulturore e etnike në mbarë rruzullin tokësor. Megjithatë, proceset globaliste nuk përjetohen njësoj në të gjitha mjediset shoqërore dhe entitetet njerëzore. Popuj dhe bashkësi të ndryshme e përjetojnë këtë në forma të ndryshme. Madje, edhe në kuadër të vet bashkësisë amerikane dhe asaj evropiane ekzistojnë bindje të ndryshme, të cilat shkojnë deri në masën e konstatimit se proceset globalizuese më së shumti identifikohen ose me amerikanizimin ose evropeizimin e jetës së gjithmbarshme planetare. Shpikjet, zbulimet dhe inovacionet e ndryshme teknologjike, zakonisht marrin emrin e tyre në gjuhën e vendit ku edhe janë promovuar si të tilla, kurse gjuhët tjera botërore këtë e akceptojnë si të tillë. Pra, këtu fjala është për vesternizim masovik të jetës së popujve dhe kulturave tjera, të cilët impresionohen nga simbolet e ndryshme perëndimore, siç janë për shembull - Coca cola, McDonalds etj.4
Këtij procesi të pashmangshëm vesternizues, në mënyrën më të haptë i kundërvihet sidomos bota islame, e cila për çështjet dhe problemet shoqërore nuk kërkon zgjidhje në vlerat perëndimore, por në parimet islame.5 Tendenca për injorimin e një realiteti të tillë nga qarqet perëndimore është po aq jo logjike sikur edhe injorimi i rolit të protestantizmit në reformimin e shoqërisë kah fundi i shekullit XVI. Aq më tepër kur ndikimi panislamik fuqishëm manifestohet prej Marokut e gjer në Indonezi, apo prej Nigerie e deri në Kazakistan.6

Kompanitë multinacionale dhe globalizimi
 
Ekonomia bashkëkohore botërore nuk mund të paramendohet pa shtyllat kryesore të saj. Këto shtylla janë kompanitë multinacionale (korporatat transnacionale). Në kontrollin e drejtpërdrejt apo indirekt të tyre qëndron potenciali i fuqishëm ekonomik planetar. Ato përmes filialeve të tyre depërtojnë gati në çdo pjesë të botës, duke ndikuar edhe në politikat e qeverive lokale të shteteve të ndryshme (sidomos të shteteve në zhvillim). Përgjithësisht, globalizimin ekonomik e karakterizon konsensusi neoliberal ekonomik në mes vendeve të zhvilluara, i cili konsensus bazohet në tre segmente të ndryshme institucionale, edhe atë:
- në kufizimin drastik të rregullativës shtetërore në ekonomi;
- në të drejtat e garantuara pronësore të investitorëve nga jashtë;
- në zbulimet dhe inovacionet të cilat konsiderohen në pronësi intelektuale.7

Shumica e kompanive gjigante multinacionale janë themeluar në SHBA, Evropë, Japoni dhe vendet tjera me zhvillim më të shprehur. Në terminologjinë e ekspertëve të ekonomisë ndërkombëtare mund të hasen edhe termet “veriu i pasur” dhe “jugu i varfër.” Këto të fundit gati se nuk kanë kurrfarë ndikimi në veprimtarinë e këtyre kompanive. Shumë kompani multinacionale kanë të ardhura nacionale më të fuqishme se sa shumë shtete me zhvillim mesatar në botë. Për shembull, kompanitë EXXON, FORD MOTOR CO, SHEEL - secila prej tyre kanë të ardhura nacionale më të mëdha se sa Ukraina, Spanja, Pakistani, Nigeria, Egjipti etj.8
Nuk ka dilemë se kompanitë multinacionale paraqesin element shumë të rëndësishëm në strukturën institucionale të botës bashkëkohore. Këto subjekte ekonomike, së bashku me tregjet globale financiare dhe blloqet komerciale transnacionale, janë lokomotivat kryesore të ekonomisë së sotme botërore. Në duar të tyre është e koncentruar fuqia e madhe financiare, por edhe ndikimi lobist dhe politik në qendrat e vendosjes. Disa autorë e shohin globalizimin me pesimizëm, duke e konsideruar si faktor i cili edhe më tej do të çojë në varfërimin e Jugut.9
Po ashtu, duhet theksuar se zhvillimi i proceseve globaliste jo vetëm që çon në margjinalizimin e kulturave të popujve të vegjël dhe të shteteve të pazhvilluara, por këto procese përmes korporatave të fuqishme transnacionale, ndikojnë në mënyrën më direkte edhe në dobësimin e politikave sociale të shteteve ku veprojnë, sidomos të shteteve me zhvillim më të dobët. Kompanitë multinacionale ndikojnë edhe në zvogëlimin e të dhënave dhe kontributeve tjera financiare të cilat do t’i paguanin subjektet e brendshme ekonomike shtetit të vet, por që për shkak të përballimit të vështirë të konkurrencës nga kompanitë e fuqishme të jashtme, ato fare lehtë edhe falimentojnë. Pra, në këtë mënyrë dukshëm zvogëlohen fondet sociale dhe solidare të shteteve lokale.
Të dhënat statistikore tregojnë se krahas zhvillimit të globalizimit në botë, vazhdojnë të zgjerohen edhe diferencat sociale në mes qytetarëve, edhe atë, si në vet shtetet e zhvilluara, ashtu edhe në shtetet në zhvillim. Pra, rritet përqindja e popullatës e cila jeton në varfëri të konsiderueshme apo të skajshme. Por, duhet theksuar se njëherit shtohet edhe diferenca në mes shtresave së pasura dhe atyre të varfra. Kjo nënkupton se, në fakt, kemi të bëjmë me zvogëlimin e përqindjes së popullatës e cila jeton me standard mesatar jetësor.

Fusnota:

1 Më gjerësisht shih Paić Žarko, Politika identiteta – kultura kao nova ideologija, Antibarbarus, Zagreb, 2005.
2 Shih, Anthony Giddens, London School of Economics and Political Science, ligjëratë e mbajtur në vitin 1999 me titull - Runaway World.
3 Shif, S. Raymond, American Philanthropy and the 21st Centuri: A Plea for the World of Ideas”, Third Annual Summit on Philanthropi, New York City, 2005.
4 Gjerësisht, Ritzer G, Mekdonalizacija društva, Naklada Jesenski i Turk, Zagreb, 1999, str. 9-10.
5 Në Evropë, tentimi më i shprehur për ndarjen e religjionit nga politika ndërkombëtare pat ndodhur në vitin 1648 me Marrëveshjen paqësore të Vestfalisë.
6 Huntington S. Sukob civilizacija, Izvori, Zagreb, 1998, str. 75 - 76.
7 Robinson W, Globalization: Nine Theses on our Epoch, Race and Class, 1995, pp. 13-31.
8 Komparacion më konkret shih, Z. Jolevski, Multinacionalnite korporacii predizvik na sovremenata ekonomija, f. 114.
9 Madje edhe qytetarët e vendeve të pasura janë të frikësuar për humbjen e vendeve të tyre të punës. Kështu për shembull,  afro 80% e francezëve janë të mendimit se tregtia globale negativisht ndikon në sigurinë e vendeve të tyre të punës. Përkundrazi, në Kinë, 65% të qytetarëve mendojnë se tregtia globale pozitivisht ndikon në ruajtjen e vendeve të tyre të punës. Shih, Haider Rizvi, Poll Shows Worldwide Support for Globalization, With Some Caveats, One World US, New York, 2007.