VEPRA logo
Logo link

PYETJE DHE PËRGJIGJE (18)

Bashkim AliuMr. Bashkim ALIU

PYETJA: A ka mundësi që kur të jap sadaka, ta bëj nijet për më tepër persona?

PËRGJIGJA: Sadakaja është prej veprimeve të preferuara të cilat e avancojnë besimtarin, e humanizojnë shpirtin e tij dhe ndikojnë pozitivisht në jetën shoqërore.
Marrë parasysh se sadakaja është prej punëve të mira, në Kur’an ka shumë ajete që urdhërojnë në punë të mira dhe që konfirmojnë se ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira janë të shpëtuar prej humbjes dhe devijimit. Në suren El-As,r i Lartmadhërishmi ka thënë: “Nuk ka dyshim njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” (El-Asr: 2-3).
Po ashtu, edhe Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në shumë hadithe të tij e ka potencuar rëndësinë e sadakasë. Në një hadith, i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Jepni sadaka bile edhe një gjysmë hurme”.
Shpërblimet e sadakasë besimtari mund t’i dedikojë për vete ose për dike tjetër. Nëse sadakanë e bën nijet për dikë tjetër, normalisht se në shpërblim mund të shoqërojë më tepër persona, gjegjësisht mund ta bëjë nijet që sadakanë e caktuar ta jep për më shumë vetë.
Nuk do të thotë që sadakaja domosdo duhet të jepet vetëm për një person, apo shpërblimi i sadakasë të dedikohet vetëm për një person.
All-llahu e di më së miri.

PYETJA: Një ditë e bleva një çantë në një shitore, duke mos e ditur se prej çfarë lëkure është e punuar. Më vonë më treguan se është prej lëkurës së derrit. A është e lejuar ta përdori këtë çantë?

PËRGJIGJA: Së pari duhet përmendur se muslimani duhet të jetë i kujdesshëm në ushqimet dhe produktet tjera që i blenë në vendet ku nuk jetojnë shumicë muslimane, ngase përmbajtja e tyre mund të jetë e dyshimtë nga aspekti i hallallit dhe haramit.
Kjo shihet edhe nga pyetja juaj. Është dashur që të pyetni për përbërjen e materialit të çantës para se ta bleni. Por, tash kur më veç e keni blerë, ju nuk duhet ta përdorni, ngase përdorimi i prodhimit nga lëkura e derrit është i ndaluar. Me këtë rast duhet pasur parasysh se lëkura e derrit nuk pastrohet me tjerrje. Tjerrja e përmendur në hadithin e të Dërguarit të All-llahut: “Kur tjerret lëkura, pastrohet”, nuk e përfshinë lëkurën e derrit.
Këtu ju keni mundësi që ta ktheni çantën në shitoren përkatëse dhe të merrni çantë tjetër. Muslimani nuk e ka të lejuar ta shet prodhimin nga derri, por pasi ju nuk e keni ditur se çfarë prodhimi ka qenë çanta, tolerohet ta çoni e ta ktheni, ose ta leni që shitësi ta shet atë çantë e ju të bleni tjetër, ndërsa edhe nëse ngelen para më tepër, ju mund t’i merrni, ngase e keni bërë nga padija. Nuk është e lejuar ta shitni dhe paraprakisht ta bleni një çantë të tillë nëse e dini se është haram.
All-llahu e di më së miri.

PYETJA: Mua më mbetën dy namaze para disa dite, por harrova krejt se cilat namaze ishin në pyetje. Për këtë, a bën të fali dy namaze sipas llogaritjes sime, apo cilat ma merr mendja më tepër se më kanë mbetur?

PËRGJIGJA: Së pari duhet pasur parasysh se namazet duhet falur në kohën e tyre të përcaktuar, ashtu si që thotë i Lartmadhërishmi në Kur’an: “Vërtet, namazi është obligim për besimtarët në kohë të caktuar.” Lënia e namazit nuk duhet të bëhet me qëllim, por vetëm nëse ka ndonjë arsye legjitime që pranohet fetarisht, sikur gjumi apo harresa, apo diçka tjetër e këtij karakteri. Me këtë rast duhet pasur parasysh hadithet e të Dërguarit të All-llahut, i cili ka vënë theks në pasojat negative nga lënia e namazit, të cilat muslimani duhet t’i evitojë duke mos e lënë namazin.
Mirëpo, nëse veç të ka ngelur pa falur një namaz, gjithsesi duhet ta kompensosh, apo siç thuhet edhe tek ne, ta bësh kaza. Normalisht, kaza bëhet namazi që të ka mbetur e jo ndonjë namaz tjetër, apo vetëm të bësh kaza pa e ditur saktë se për cilin namaz bëhet fjalë.
Kështu, në rastin tuaj, ju duhet t’i bëni kaza të gjitha namazet e ditës, sepse nuk e dini saktë për cilin namaz bëhet fjalë. Nëse e dini saktë se ndonjë prej namazeve keni falur, psh. jacinë apo ndonjë namaz tjetër, atëherë atë namaz nuk do ta bëni kaza, ndërkaq tjerët do t’i bëni kaza.
All-llahu e di më së miri.

PYETJA: Kush ua ka vënë emrat djemve të Fatimes, Hasanit dhe Husejnit?

PËRGJIGJA: Dy djemtë e Fatimes, All-llahu qoftë i kënaqur me të, Haseni dhe Husejni, janë nipa të Pejgamberit të fundit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe kanë lënë gjurmë të thella në historinë islame.
Sipas një transmetimi, Aliu [radijall-llahu anhu] ka dashur që atyre tu vendos emra tjerë, e jo këto dy emra, por kur e pyeti Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] se çfarë emrash mendon t’u vejë djemve të tij, dhe Aliu i ka treguar, Pejgamberi nuk është pajtuar me ata emra dhe ua ka vënë këta emra që i kanë pasur, gjegjësisht të madhit ia ka vënë Hasen, ndërsa të voglit Husejn. Sipas transmetimit në fjalë, emrat e tyre i ka zgjedhur babagjyshi i tyre, i Dërguari i fundit i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Kuptimi i emrave është: “I mirë”.
All-llahu e di më së miri.

PYETJA: A do të ketë në Xhennet beqarë?

PËRGJIGJA: Së pari të gjithë duhet të bëjmë lutje te All-llahu Fuqoplotë që të na bëjë prej xhenetlinjëve dhe të na jep vullnet që të bëjmë vepra të banorëve të Xhennetit në këtë botë.
Normalisht, për ata që do të jenë në Xhenet, do të ketë shpërblime që mendja e njeriut as që mund t’i paramendojë. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Në Xhennet janë ato gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe as që mendja ka mundur t’i paramendojë”. Prej këtyre begative të Xhennetit janë edhe Hyritë e Xhennetit, gjegjësisht femrat e virgjëra e të bukura që All-llahu i ka përgatitur për banorët e Xhennetit. Së këndejmi, ata që do të hyjnë në Xhennet, do të jenë të martuar me hyri Xhenneti, pa marrë parasysh në këtë botë a kanë qenë të martuar apo jo. D.m.th. në Xhennet nuk do të ketë banorë beqarë. Këtë e ka theksuar edhe vetë i Dërguari i All-llahut në një hadith të transmetuar, në të cilin qëndron: “Në Xhennet nuk do të ketë beqarë”.
All-llahu e di më së miri.

PYETJA: A kanë folur melekët edhe me njerëz tjerë, përpos me ata që kanë qenë të dërguar të All-llahut ?

PËRGJIGJA: Melekët janë krijesa të All-llahut të Madhërishëm, të cilat kryejnë punë të caktuara me të cilat i ka ngarkuar All-llahu Fuqiplotë. Melekët nuk bëjnë asgjë jashtë asaj me të cilën i ka ngarkuar All-llahu Fuqiplotë. Në mesin e melekëve, ai që ka qenë i ngarkuar me dërgimin e Shpalljes te të dërguarit e All-llahut, ka qenë Xhibrili [alejhis-selam]. Por, krahas melekut të Shpalljes, me pejgamberët e All-llahut kanë kontaktuar edhe melekët tjerë, sipas urdhrit të All-llahut Fuqiplotë. Kështu, nga jeta e të Dërguarit të fundit të All-llahut, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], është e njohur se me të kontaktoi meleku i kodrave dhe i tha se është dërguar me urdhrin e All-llahut që ta bëjë atë që e urdhëron ai për banorët e Taifit, të cilët e refuzuan në fillim thirrjen e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe e gjuajtën me gurë. Po ashtu, në disa transmetime flitet edhe për kontakte të melekëve të ndryshëm me të dërguarit e All-llahut, paqa e All-llahut qoftë mbi të gjithë ata.
Ndërkaq, sa i përket kontaktit apo bisedës së melekëve me njerëz të rëndomtë, të cilët nuk kanë qenë pejgamberë, i Dërguari i fundit i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] qartë e ka pastruar këtë dilemë.
Buhariu ka transmetuar hadithin në të cilin qëndron, se i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Para jush ka pasur njerëz nga Beni Israilët me të cilët kanë biseduar melekët, dhe nuk kanë qenë të dërguar. Nëse në Ummetin tim ka të tillë, ky do të ishte Omeri”. Këtë hadith e ka transmetuar Buhariu në Sahihun e tij, kapitulli: Veçoritë e sahabëve.
Pra, melekët kanë biseduar me njerëz nga popujt e mëparshëm, edhe pse nuk kanë qenë të dërguar të All-llahut.
All-llahu e di më së miri.

bashkim_aliu@hotmail.com
www.bashkimaliu.com