VEPRA logo
Logo link

RAMAZANI, MUAJ I VEÇANTË

Falënderimi i takon All-llahut të Madhërishëm, i Cili na e mësoi Librin e qartë, i Cili na bëri të jemi prej atyre që udhëzojnë në të vërtetën e pamposhtur dhe na dalloi me dituri e cila i nxjerr njerëzit nga errësira në dritë. Bekimet dhe selamet e All-llahut qofshin mbi të parin nga mesi i të zgjedhurve, shëmbëlltyra dhe i dashuri ynë, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], familjen e tij të ndershme, as’habët dhe të gjithë ata që do ta ndjekin atë në rrugën e vërtetë.
Gjendemi në muajin e bekuar dhe më të zgjedhur, muajin e Ramazanit. Është e pamundur që t’i numërojmë të gjitha dhuntitë që i fshihen në të. Është muaji i agjërimit, në të cilin besimtarët muslimanë përmbahen nga ushqimi, pija dhe të gjitha kërkesat trupore të cilat i kanë të lejuara. Në atë mënyrë ata përpiqen të eliminojnë mëkatimin dhe të imitojnë qeniet e pagabueshme melekët, të cilat pandërprerë i nënshtrohen Krijuesit të tyre. Krahas kësaj, me adhurimet e obliguara dhe vullnetare, ata shpresojnë në falje nga All-llahu i Madhërishëm në botën tjetër.
Ramazani është temë që meriton një respekt të veçantë, madje edhe prej atyre që nuk janë aq të përkushtuar në praktikimin e përditshëm të fesë. Gëzimi në zemrat e njerëzve për shkak të ardhjes së Ramazanit është tregues i qartë i besimit të tyre. Në një transmetim qëndron se, secili që i gëzohet ardhjes së Ramazanit, All-llahu do ta kursejë nga Zjarri. Gjithashtu thuhet: “Kur fillon nata e parë e Ramazanit, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Kush është ai që Na do, që edhe Ne ta duam atë; kush është ai që na kërkon Neve, që edhe Ne ta kërkojmë atë; kush është ai që kërkon falje prej Nesh, që Ne ta falim me shenjtërinë e Ramazanit.” Pastaj All-llahu i Madhërishëm i urdhëron melekët, Kiramen katibinët, që njerëzve të tillë gjatë Ramazanit t’u regjistrojnë vetëm veprat e mira, e mos t’u regjistrohen veprat e këqija, kurse All-llahu ua shlyen mëkatet e bëra prej përpara.1
Nga Ibn Abbasi përmendet një transmetim, se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Sikur ta dinë njerëzit vlerën e Ramazanit, do të dëshironin të jetë i gjithë viti Ramazan.”2
Kjo për shkak se në të janë të përmbledhura shumë mirësi, nënshtrim ndaj All-llahut, lutje të pranuara, mëkate të falura, kurse Xhenneti mezi pret t’i pranojë agjëruesit e Ramazanit.
Në librin Durretun-nasihin thuhet: “Xhenneti mallëngjehet për katër persona: për atë që lexon Kur’an, për atë që e kontrollon dhe ruan gjuhën e vet, për atë që ushqen të uriturit dhe për atë që e agjëron muajin e Ramazanit.”3
Në një transmetim i cili flet për rëndësinë e Ramazanit thuhet:
“Kur të dalë hëna e re dhe paralajmëron ardhjen e Ramazanit, gëzohen Arshi dhe Kursia, melekët dhe ajo çka është nën to, duke thënë: Lum për Ummetin e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] për atë që u është dhënë! Për ta falje kërkojnë Dielli, Hëna, yjet, shpezët në ajër, peshqit në ujë, dhe gjithçka që është e gjallë në tokë, natën dhe ditën, përveç shejtanit të mallkuar. Kështu, kur muslimanët zgjohen herët në agim me ramazan, nuk mbetet asnjë mëkat e mos t’u falet. All-llahu i Madhërishëm u thotë melekëve: Dhurojani namazet dhe dhikret e juaja në Ramazan Ummetit të Muhammmedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]!”
Nga Ebu Hurejra përcillet se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kush i kalon netët e Ramazanit duke bërë ibadet me besim të plotë dhe duke shpresuar në shpërblimin e tij, do t’i falen të gjitha mëkatet e tij të mëparshme.”
Prandaj,  është e dëshirueshme që çdo musliman maksimalisht të respektojë shenjtërinë e Ramazanit të bekuar, duke u përmbajtur nga të gjitha punët e këqija dhe duke i mobilizuar forcat e veta në nënshtrim ndaj All-llahut. Këtë do ta bëjë nëse është këmbëngulës në namaz, në falënderimin dhe lavdërimin e All-llahut të Madhërishëm, në përmendjen e emrit të Tij dhe leximin e Kur’anit. Përmendet se All-llahu i Madhërishëm i ka thënë Musait [alejhis-selam], se Ummetit të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ia ka dhënë dy drita, ashtu që mos ta dëmtojnë dy errësirat. Musai [alejhis-selam] pyeti: “Ja Rabbi, cilat janë ato dy drita?”, iu përgjigj: “Ato janë drita e Ramazanit dhe drita e Kur’anit.” Musai [alejhis-selam] shtoi: “O Zot, Cilat janë ato dy errësirat?” All-llahu i Madhërishëm tha: “Errësira e varrit dhe errësira e Ditës së Gjykimit.”
Një nga karakteristikat kryesore të Ramazanit është agjërimi dhe shpallja e Kur’anit Fisnik. Në një hadith kudsij All-llahu i Madhërishëm thotë: “Çdo vepër i takon njeriut, përveç agjërimit; agjërimi është i imi dhe Unë shpërblej për të.”4
Kjo është për shkak se agjërimi është fshehtësi ndërmjet robit dhe Zotit të tij dhe se manifestimin e tij nuk mund ta dëshmojë askush, gjë që nuk ndodh me adhurimet dhe veprat tjera të mira. Agjërimi është fshehtësi të cilën e njeh vetëm All-llahu i Madhërishëm, për çka edhe është obliguar se do shpërblejë për të. Disa dijetarë islamë thonë se shpërblimi për çdo formë tjetër të devotshmërisë është Xhenneti, kurse për agjërimin ai shpërblim është takimi me All-llahun dhe shikimi në Të, si dhe biseda e drejtpërdrejtë ndërmjet robit dhe Zotit, pa përkthyes apo ndërmjetës. Prandaj në disa transmetime përmendet: “Kur të vijë Dita e Gjykimit, do të paraqiten njerëz me krahë sikurse shpezët, dhe do të fluturojnë mbi ambientet e Xhennetit. Njëri nga rojet e Xhennetit do t’i pyes: “Kush jeni ju?” “Ne jemi nga Ummeti i Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].” Rojet përsëri do të pyesin: “A keni dhënë llogari?” Do të thonë: “Jo!” Ata do të pyesin edhe për herë të dytë: “A e keni kaluar urën e Siratit?” Do të përgjigjen: “Jo.” Po atëherë si keni arritur në këto pozita?” Ata do të përgjigjen: “Kemi adhuruar All-llahun fshehurazi në dunja, prandaj edhe në ahiret dhe në Xhennet kemi arritur fshehurazi.”5
Madhështia e Ramazanit shihet edhe në atë se shpallja e Kur’anit ka filluar pikërisht në këtë muaj të bekuar. All-llahu i Madhërishëm në Librin e Tij thotë: (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në të (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)...” (El-Bekare: 185)
Të shoqëruarit me Kur’an, sidomos gjatë Ramazanit, ka rëndësi të jashtëzakonshme. Të lexuarit e Kur’anit është përkujtimi më i mirë i All-llahut dhe të përmendurit e Tij, ashtu siç ka thënë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Më i miri prej jush është ai i cili e mëson Kur’anin dhe ua mëson të tjerëve.”6
Krahas tjerave, kjo është edhe për shkak se Kur’ani është fjala e All-llahut dhe në vete përmban ilaçin e zemrës, ashtu siç thotë All-llahu i Madhërishëm:
“Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët...” (El-Isra: 82)
“Ata që lexojnë librin e All-llahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata e shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. Që Ai (All-llahu) do t’ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t'ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është mëkatfalës dhe shumë mirënjohës.” (Fatir: 29-30)
Një nga të dashuruarit e mëdhenj në Kur’anin Fisnik dhe lexuesi më i mirë ndër as’habët, Abdullah ibn Mes’udi [radijall-llahu anhu], ka thënë: “Kush mëton ta dijë se a e don All-llahun, le ta vërtetojë këtë me Kur’anin, dhe nëse del se e do Kur’anin, ta dijë se e do edhe All-llahun, ngase Kur’ani është fjalë e All-llahut”.7
Ti o vëlla dhe ti oj motër, dije se shëndeti dhe jeta në Ramazan janë mëshirë dhe nderim i All-llahut - sepse kjo për ty është një rast ideal që përmes përuljes ndaj All-llahut, të ngrihesh në sferat shpirtërore nga balta e dunjasë në të cilën shumëkush ka rënë. Gëzoju ardhjes së tij dhe mundohu që ta presësh sa më i përgatitur. Gjithashtu, mërzitu për shkuarjen e tij, sepse për të mërziten qiejt dhe toka, sikur edhe qeniet shpirtërore të cilat janë të vetëdijshme për virtytet dhe vlerat e tij.
Transmetohet nga Xhabiri, se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Kur të vijë nata e fundit e Ramazanit,, qajnë qiejt dhe toka për atë që e ka gjetur Ummetin e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].” Dikush pyeti: “O i Dërguari i All-llahut, e ç’është ajo që do ta gjejë Ummetin atë natë?” Ai u përgjigj: “Shkuarja e Ramazanit është fatkeqësi, sepse në të lutjet dhe sadakatë pranohen, bamirësitë zmadhohen, kurse dënimet shtyhen.”8
Dhe me të vërtetë, ndarja nga Ramazani është e vështirë. Nëse për të qajnë qiejt, toka dhe melekët, atëherë si do të duhej ne të qanim?
O Zoti ynë, pastroi zemrat tona dhe na i afro ato! Na dhuro shumë ramazane dhe na bëj që jeta jonë të jetë nën kënaqësinë tënde, o më i Mëshirshmi. Prej nesh largoje zullumin, xhelozinë dhe armiqësinë e armiqëve tanë dhe bëju mbrojtës dhe ndihmës yni. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mirë që je Ti!

 Marrë nga: Novi Horizonti

Fusnota:                    
1 Shih: Durretun-Nasihin, Uthman bin Hasan Esh-Shakir, f. 9
2 Ibn Huzejme
3 Shih:Durretun-Nasihin, f. 9.
4 Buhariu.
5 Shih:Durretun-Nasihin, f. 13.
6 Buhariu.
7 Shih: “Deti i kthjellët i devotshmërisë dhe suptilitetit”, Ahmed Ferid.
8 Shih: Durretun-Nasihin, f. 14.